Tingujt magjikë të instrumenteve i kanë futur të pranishmit në botën përrallore të interpretueses Vesa Dume në violinë dhe Elsa Gashi e Eda Vllaqo në piano. Megjithatë, kryefjalë ka qenë talenti i tyre për muzikalitet, që dëshmon potencialin e tyre prej profesioniste të reja. “New spirits, voices and hopes”, është titulluar koncerti dhe i tillë ka qenë në përmbajtje.
Të premten mbrëma është shënuar mbrëmja e tretë e festivalit “KamerFest” që sivjet vjen me edicionin e 21-të.
Tingulli i parë i violinës ka shënuar edhe hapjen e koncertit me lauretatet e garave “ArsKosova 2022”. Me tingujt e nxjerrë mjeshtërisht në violinë e piano, tri finalistet e kësaj gare kanë mbërthyer gjithë sallën e Bibliotekës Universitare në kryeqytet.
Ka qenë Vesa Dume, 10-vjeçarja nga Tirana, e cila e përcjellë me duartrokitje të shumta është ngjitur në skenë. Provat finale i ka përfunduar disa minuta para orës 20:00 si parapërgatitje për paraqitjen e parë në Prishtinë. Shoqërimin e publikut me muzikë e ka filluar me veprën “Sicilienne & Rigaudon” të kompozitorit austriako-amerikan Fritz Kreisler. Ashtu siç ndodh zakonisht në koncertet e muzikës klasike, edhe interpretimi i Dumes ka filluar me vepër të lehtë. Veprat si “Capriccio No. 16 op. 1” e violinistit e kompozitorit italian, Niccolo Paganini, dhe “Nocturno No. 20” e Frederic Chopin, kanë qenë tejet më dinamike. Notat e njëpasnjëshme me ritëm të shpejtë në këto vepra i ka arritur me mjeshtërinë e saj. Mirëpo, sfiduese ka qenë edhe vepra e Chopinit, ku karakteristikë kanë qenë tingujt tejet të lehtë që mezi dëgjohen. Interpretimi i fundit nga Dume ka qenë Koncerti në E-mol, i kompozitorit gjerman, Felix Mendelssohn, nëpërmjet së cilës ka ngjallur dinamizmin në sallë, e ajo ku violinistja 10-vjeçare e ka dëshmuar veten edhe më. Këtë pjesë nga interpretimi i saj, e ka konsideruar si më të vështirë edhe vetë Dume.
“Ishte emocion i jashtëzakonshëm pasi nuk kam interpretuar në vende të tjera veçse në Tiranë. Ishte ndjenjë shumë e bukur të luaj me violinë këtu. Veprat ishin pak të vështira, sidomos tek Medelssohn, por që mund t’ia dal”, ka thënë ajo.
Vesa Dume është fituese e çmimit kryesor në garat “ArsKosova” këtë vit. Si e vogël kishte shfaqur dëshirën për të mësuar violinën dhe në moshën 5-vjeçare kishte nisur të marrë mësimet e para. Ka marrë pjesë në shumë konkurse dhe është fituese e çmimeve të para në “Tirana Junior Talent”, “Tirana Talent”, “Pjetër Gaci”, në konkursin “Tempo” në Gjirokastër. Koncertin e parë recital e ka dhënë në Liceun Artistik “Jordan Misja” në shkurt të këtij viti. Është violinistja më e re e orkestrës ndërkombëtare dhe e festivalit “Violina e Paqes”. Gjatë tërë kohës ka qenë nën kujdesin e profesoreshës Pranvera Tego, e cila ka thënë se paraqitja në koncertin e së premtes vjen si rezultat i arritjeve dhe rezultatit të lartë që ka pasur në garat në “ArsKosova” dhe jo vetëm.
“Është emocion i veçantë, satisfaksion shumë i madh që kërkon shumë mund, shumë orë studimi dhe pune. Por ajo që merr në fund të gjithë kësaj, ato duartrokitje që ishin sot, ata njerëz që erdhën për të dëgjuar, të japin një satisfaksion shumë të veçantë dhe kjo nuk ka të paguar për gjithë këtë punë”, është shprehur Tego.
Kapitull tjetër në interpretim ka qenë ai në piano, instrumenti në të cilin ka luajtur Elsa Gashi, 16 vjeçe. Me duartrokitje të shumta është pritur në skenë gjersa janë ndërprerë nga tingulli i parë i “Moonlight Sonata” nga opera e kompozitorit gjerman, Ludwig van Beethoven. Vetë prezantimi i saj para pianos fliste për dashurinë e veçantë ndaj instrumentit. Shpesh bëhej një me publikun për nga mënyra sesi e shijonte çdo pjesë të veprës të cilën e luante vetë Gashi. Ajo ka filluar mësimet në piano kur ka qenë 7 vjeçe dhe që atëherë ka qenë aktive në jetën muzikore brenda Kosovës, por edhe në Shqipëri e Maqedoni. Rregullisht ka marrë pjesë në koncerte shkollore e bamirësie. Ka marrë pjesë dy herë në konkursin “Pjetër Gaci” në Shkodër, duke marrë kështu dy çmimet e para. Gjithashtu, është shpërblyer me çmimin e parë special të dirigjentes irlandeze, Lygia O’Riordan.
Gashi e ka konsideruar të veçantë pjesën e Beethovenit pasi i pëlqen të interpretojë veprat e tij në përgjithësi.
“Ka qenë hera e parë që po marr pjesë këtu dhe një mundësi shumë e mirë për mua. Kam interpretuar dy vepra, njëra ka qenë një sonatë e Beethovenit dhe tjetra vepër shqiptare e kompozitorit shqiptar, Feim Ibrahimi, të cilat kanë pasur vështirësi në luajtje mirëpo që ia kam arritur”, ka treguar pianistja Elsa Gashi. Interpretimi për një çast është kthyer në dinamizmin maksimal për të vazhduar me “Toccata” të kompozitorit shqiptar, Feim Ibrahimi.
Po ato duartrokitje që e kanë shoqëruar Elsa Gashin deri tek ulësja e saj, e kanë mirëpritur në skenë Eda Vllaçon, nxënëse në shkollën e muzikës “Lorenc Antoni” në Prizren. Me dorë të majtë ka nisur interpretimin e veprës “Scherzo no.2” të kompozitorit polak, Frederic Chopin, derisa lehtësisht ka prekur tastet e pianos. Aftësitë për muzikalitetin pianistik janë shpërfaqur edhe në interpretimin e “Elegie op.3, no.1” të kompozitorit e pianistit virtuoz Sergei Rachmaninoff. Kjo ka qenë një vepër tejet më dinamike krahasuar me të parën.
“Ishte ndjenjë e bukur pasi për herë të parë po marr pjesë në ‘KamerFest’ në kuadër të garave ‘ArsKosova’. Profesoresha ime ka bërë punë të mrekullueshme, ndihem shumë e lumtur. Vepra e parë ishte një elegji e cila ka një thellësi muzikore më ndryshe se vepra tjetër, është paksa më e trishtuar. Tjetra është diçka më humanitare, pra vetë emri ‘Scherzo’ do të thotë shaka”, është shprehur pianistja 17-vjeçare, Eda Vllaço. Botën e muzikës kishte filluar ta eksplorojë qëkur ishte 7 vjeçe. Ka fituar çmime të shumta e suksese të tjera, ku në vitin 2015 ishte përzgjedhur për të përfaqësuar Kosovën në Berlin. Përveç në rajon, ka interpretuar edhe në Turqi, Rusi, Emiratet e Bashkuara Arabe e në Itali. Si Vesa Dume e Elsa Gashi, edhe Eda Vllaço është fituese në garën muzikore “ArsKosova”.
Drejtorja artistike e “KamerFestit”, Sihana Badivuku, është shprehur e kënaqur me paraqitjen e interpretuesve në kuadër të koncertit të tretë për këtë edicion.
“Është kënaqësi e posaçme që ne si profesionistë e pedagogë të dëgjojmë këto tri talente të rralla. Janë shembuj për gjeneratat e reja për vullnetin, përkushtimin e seriozitetin. Që tani mund të thuhet se janë profesioniste, ani pse të reja në moshë. Secila e ka kapacitetin emocional të veçantë, janë të lindura për skenë dhe unë u dëshiroj shumë suksese”, ka thënë ajo.
Profesoresha e muzikës, e cila e ka po ashtu ka nën mbikëqyrje pianisten Elsa Gashi, ka thënë se ka qenë e qëlluar pjesëmarrja e laureatëve të këtyre garave dhe i ka vlerësuar me potencial të jashtëzakonshëm e me shkathtësi në muzikalitet.
“Vërtet kam shpresa që këta të rinj të vazhdojnë të përparojnë dhe të merren me muzikë klasike pasi jemi të vetëdijshëm se në Kosovë nuk është një atmosferë aq që e favorizon këtë lëmi. Kjo për shkak se ende nuk kemi kushte të duhura, por e kanë bërë maksimumin, të pamundurën të mbërrijnë te ky nivel. Elsa Gashi është tash e dy vjet në mbikëqyrjen time dhe mendoj se para saj është vërtet një e ardhme e ndritshme në fushën e interpretimit pianistik”, është shprehur ajo.
“Kamer Fest” është festivali i parë ndërkombëtar i muzikës së dhomës në Kosovë. Ai është themeluar në vitin 2000 nga violinistja Sihana Badivuku dhe fondacioni “ArsKosova”. Për shkak të pandemisë, edicioni i 21-të i tij vjen pas dy vjetësh mungesë.