Shtojca për Kulturë

Trendi në mesin e të rinjve – shqipja nën hijen e anglishtes prej librit deri te komunikimi

Disa prej librashitësve në kryeqytet e konfirmojnë se shumica e të rinjve sot kërkojnë vetëm libra në gjuhën angleze dhe kjo ndodh edhe kur ai libër është i përkthyer në shqip. E kjo më pas “përkthehet” edhe te komunikimi midis tyre në anglisht. Botues e librarë numërojnë disa faktorë

Nuk ka statistika zyrtare, por bazuar në atë që konfirmojnë botuesit e librarët në Kosovë, librat në anglisht kryesojnë kërkesat e lexuesve të rinj, veçmas nga filloristët. Janë disa prej arsyeve që numërohen, e ndër to edhe dominimi i anglishtes në të folmen e përditshme tek të rinjtë, literatura “e vjetër” shqipe, rrjetet sociale bashkë me personazhe e bestsellerë botërorë.

Disa prej librashitësve në kryeqytet e konfirmojnë se shumica e të rinjve sot kërkojnë vetëm libra në gjuhën angleze dhe kjo ndodh edhe kur ai libër është i përkthyer në shqip.

Kërkesat për autorë të huaj

“Shumica, mund të them diku 90 për qind, lexojnë libra si fantazi, romancë dhe të gjitha në gjuhën angleze. Janë një përqindje e vogël e personave, posaçërisht shqiptarë të diasporës, që lexojnë më shumë shqip, përndryshe shumica lexojnë anglisht dhe autorë të huaj”, ka thënë Medina Berisha, e cila punon në sektorin e librave për të rinj, në librarinë “Buzuku”.

Një gjë të tillë e kanë konfirmuar edhe disa të rinj, të cilët i ka intervistuar KOHA.

“Më shumë preferoj të lexoj anglisht dhe zakonisht lexoj nga literatura të huaja, edhe nëse janë të përkthyera në gjuhën shqipe”, është shprehur një nga të intervistuarat, Anjeza Gashi, 19 vjeçe.

Njohuri për një dukuri të tillë ka edhe ETEA, organizata e cila merret me çështjet e edukimit dhe kulturës në Kosovë.

“ETEA nuk ka të dhëna objektive ose statistikore për një konstatim të tillë. Gjithsesi, bazuar në komunikimet që zhvillojmë me mësimdhënësit/et, kohët e fundit vazhdimisht na thuhet se fëmijët po kanë prirje dhe interesa më të larta për lexime të librave dhe materialeve të tjera në gjuhë angleze”, ka thënë për KOHËN drejtori i organizatës, Agon Ahmeti, duke shtuar se, sipas mësimdhënësve, “kjo mandej po përkthehet edhe në komunikimet verbale mes nxënësve/eve, të cilët gjithherë e më shumë po e aplikojnë gjuhën angleze për komunikim të ndërsjellë.”

Se këto grupmosha, me theks të veçantë adoleshentët dhe ata të 20-ave të hershme, përveç leximin, preferojnë edhe të flasin në anglisht, e kanë konfirmuar edhe ata të librarisë “Buzuku”.

“Shumica prej tyre priren edhe të flasin në gjuhë angleze. Domethënë kur flasin me ne, stafin, flasin shqip, por ndërmjet vete komunikojnë në anglisht”, ka thënë Berisha.

Alarm për shoqërinë?

Sipas organizatës “ETEA”, leximi dhe njohja e gjuhës angleze nuk përbën problem, sepse si fillim e rëndësishme është të lexohet, por kur kjo gjuhë e rrezikon njohjen e gjuhës amë, në këtë rast shqipes, atëherë gjërat marrin tjetër kuptim.

“Parimisht, të lexuarit është më me rëndësi sesa nëse po lexohet në një apo gjuhë tjetër. Gjithsesi kjo nuk e justifikon tejkalimin e gjuhës amë, po aq sa nuk duhet nënvlerësuar njohja e mirëfilltë e gjuhës angleze, pse jo që në moshë të hershme”, ka potencuar Ahmeti.

Sipas tij, problemi nis kur dy akterët kyç të edukimit, familja dhe shkolla, e prioritizojnë gjuhën e huaj, në këtë rast, angleze, në krahasim me atë shqipe. Një gjë e tillë kishte rënë në sy pas rezultateve të Testit të Arritshmërisë, e të cilit i nënshtrohen mu këto mosha.

“Problemet fillojnë kur këta dy faktorë, pra shkolla dhe prindërit, e prioritizojnë gjuhën angleze në raport me shqipen, me ç‘rast fëmijët përfundojnë duke arritur rezultate shumë më të larta në gjuhë të huaj sesa në gjuhën amë, siç ishte rasti i fundit në Testin e Arritshmërisë”, ka thënë ai.

Një gjë e tillë, sipas Ahmetit, do të duhej të ishte alarm për shoqërinë e posaçërisht për shkollat, që të rimendohet qasja e shkollave dhe prindërve në raport me këtë çështje.

“E padyshim se u takon shkollave t’i udhëzojnë edhe prindërit, me qëllim që problemi në fjalë, i cili padyshim se mund të bëhet problem madhor, të minimizohet që në fillet e tij”, ka shpjeguar ai në rolin e njohësit të kësaj fushe.

Ndikimi i rrjeteve sociale

Por arsyet se përse të rinjtë sot vendosin të marrin një libër anglisht dhe jo atë shqip janë të ndryshme, duke u nisur nga mungesa e literaturës në gjuhën shqipe, përkthimet joadekuate, humbjet e natyrshme që ndodhin gjatë përkthimit, rëndësia për ta lexuar veprën në origjinal e deri te fjalori i shqipes.

“Preferoj të lexoj në gjuhën angleze, pasi që shumicën e kohës lexoj poezi. Mënyra se si janë strukturuar, shkruar dhe si tingëllojnë vargjet në gjuhën angleze më pëlqen më shumë sesa ato në gjuhën shqipe. Po ashtu, gjuha angleze ka fjalë aq shumë, sa që shumica prej tyre nuk kanë përkthime adekuate në gjuhën shqipe”, ka thënë Arb Rudi, 20 vjeç.

Ndërsa ndryshe nga ky, studentja e vitit të parë të psikologjisë, Anila Shala, ka thënë se arsyeja se pse ajo lexon më shumë anglisht sesa shqip është sepse, përveçse që ka më shumë literaturë, po ashtu edhe fusha në të cilën ajo studion ka literaturë të mangët në gjuhën shqipe. “Madje edhe përkthimet që kam lexuar deri tani kanë pasur shumë gabime”, ka thënë ajo.

Megjithëkëtë, të rinjtë, përveç shqipes, duket se i kanë braktisur edhe shkrimtarët shqiptarë. Librashitësit kanë bërë të ditur se këto grupmosha nuk blejnë fare ose shumë pak libra të autorëve shqiptarë.

“Letërsia shqipe, fatkeqësisht, po lexohet pak. Shkakun e vërtetë nuk mund ta dimë, por, ky ekspozim kaq i madh i autorëve të huaj dhe letërsisë së huaj ka bërë që autorët tanë të lihen në hije”, thënë Zgjim Sherifi, i cili njëherësh është edhe administrator i grupit “Maniak t’leximit” në Facebook.

Por, përveç kësaj, të rinjtë e Kosovës kanë edhe një të përbashkët, e cila lidhet me atë se çka ata lexojnë dhe nga kush ndikohen për të marrë një libër.

Dy nga libraritë në Prishtinë, “Dukagjini” dhe “Buzuku”, janë pajtuar edhe sa i përket faktit se shumica e të rinjve, për të përzgjedhur një libër, ndikohen shumë nga rrjetet sociale e veçmas TikTok-u.

“Ndikimi i rrjeteve sociale shihet pothuajse përditë, sepse kemi klientë që kërkojnë një libër që e kanë parë në TikTok apo Instagram. Ekspozimi i tepërt në rrjetet sociale ka bërë që edhe përzgjedhjet të ndikohen nga to”, ka thënë Sherifi, shitës në librarinë “Dukagjini”.

Për shkak të këtyre kërkesave, libraria “Buzuku” tashmë ka një kënd vetëm me libra të TikTok-ut, ndërsa edhe të rinjtë, të cilët i ka intervistuar KOHA, e kanë konfirmuar këtë ndikim.

“Sigurisht që ndikojnë rrjetet sociale, ngase çdo ditë hasim në informata të ndryshme rreth librave të shumtë, të cilët nxisin akoma më shumë interesimin tonë për t’i lexuar”, ka thënë Anila Shala dhe ngjashëm me të është përgjigjur edhe Anjeza Gashi.

“Në librat të cilat i lexoj ndikim ka drejtimi i përzgjedhur i shkollimit tim, por sigurisht edhe rrjetet sociale, si TikToku dhe Instagrami”, ka thënë ajo.

Sipas drejtorit të ETEA-s, një gjë e tillë vjen si pasojë se mësimdhënësit në Kosovë nuk ecin në hap me trendet dhe atë se çka sot preferojnë grupmoshat e reja.

“Përderisa mësimdhënësit/et nuk përditësohen me libra të rinj, atraktivë dhe të përshtatshëm për gjeneratat e reja, fëmijëve u mbetet që të marrin rekomandime bazuar në rrjetet sociale, pasi që lekturat që janë lexuar qe 3-4 dekada, tanimë dihet se nuk përkojnë me interesat e fëmijëve”, ka thënë Ahmeti.

Ka thënë se “të pranosh rekomandime nga rrjetet sociale nuk ka gjë të keqe, por është shumë e rëndësishme që fëmijët të pranojnë rekomandime për lexime cilësore dhe këtë do të duhej, pasi edhe i takon, ta bënte shkolla”.