Liberalët shpresonin se do të shuguronte gra ose do të lejonte martesat e homoseksualëve. Konservatorët mendonin se do të shkatërronte doktrinën e Kishës. Mirëpo Papa Françesku favorizoi hapi debatin mbi veprimet radikale. Ishte Papë për të cilin populli kishte pritshmëri të mëdha, shpesh edhe të tepruara. Stili i tij revolucionar dhe i pakufizuar bëri që katolikët në të gjithë spektrin ta lidhnin imazhin e tij me shpresat dhe frikët
Kur Papa Françesku mblodhi peshkopët katolikë romakë në Vatikan në vitin 2019 për të diskutuar për shugurimin e meshkujve të martuar në pjesë të largëta të Amerikës Jugore, takimi rriti pritjet për mundësinë e revolucionarizimit të priftërisë beqare. Peshkopët e rekomanduan këtë, dhe Papa Françesku vetë kishte thënë prej kohësh se dëshironte që ndryshimet në kishë të vinin nga baza. Por përfundimisht Françesku hezitoi, duke vendosur se kisha nuk ishte ende gati për të larguar një kufizim që kishte ekzistuar për rreth njëmijë vjet. Shumë nga mbështetësit e tij, të cilët prisnin që ai të ishte një papë i ndryshimeve radikale, u ndjenë të zhgënjyer.
Ky ishte një shembull i dukshëm i mënyrës se si Papa Françesku, i cili vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare, ishte një Papë për të cilin populli kishte pritshmëri të mëdha, shpesh edhe të tepruara. Stili i tij revolucionar dhe i pakufizuar bëri që katolikët në të gjithë spektrin ta lidhnin imazhin e tij me shpresat dhe frikët e tyre më ambicioze — herë pas here të pabaza — ndonjëherë pa e konsideruar atë që ai tha apo bëri.
Disa katolikë liberalë, duke harruar se Papa Françesku ishte udhëheqësi i një institucioni shumë konservator, prisnin që ai të lejonte gratë të bëheshin priftëresha, të ndryshonte mësimet mbi kontrollin e lindjes ose të mbështeste lidhjet dhe martesat mes gjinisë së njëjtë. Disa konservatorë, përfshirë disa që e bindën veten se papa argjentinas ishte një komunist i fshehtë, shqetësoheshin se ai do të shkatërronte doktrinën e kishës edhe pse ai asnjëherë nuk e preku atë.
Mbështetësit e transparencës e vlerësuan qartësinë e shtuar që ai solli në Bankën e Vatikanit, por dëshironin më shumë reforma financiare. Mbrojtësit e viktimave të abuzimeve seksuale nga klerikët, vlerësuan masat e reja mbrojtëse por dëshironin të ndërmerreshin masa universale me zero tolerancë ndaj këtyre çështjeve.
“Nëse jeni katolik i krahut të majtë, mund të mendoni se papa premtonte shumë me fjalë, por nuk bëri aq shumë ndryshime sa do të kishit dashur”, tha John L. Allen Jr., analist i njohur i Vatikanit dhe redaktor i “Crux”, një botim i specializuar në Kishën Katolike. “Por ekzistojnë dhe katolikë konservatorë që mendojnë se papa e teproi me ndryshimet që kishte implemetuar”.
Tani, ndërsa kardinalët zbresin në Romë për të diskutuar sfidat e kishës, ata së shpejti do të zgjedhin nga radhët e tyre një pasardhës të Papa Françeskut, i cili do të mbajë mbi supe një gamë të re pritshmërish — nëse do të fokusohet në një rajon të caktuar të botës, do të punojë për reforma ose restaurim, do të vijojë me ndryshimet e premtuara nga Françesku ose do t’i tërheqë ato.
“Ka shumë punë të papërfunduara, të cilat kushdo që vjen në pozitë do të duhet t’i vazhdojë ato”, tha Allen.
Por mbështetësit, kundërshtarët dhe analistët e Vatikanit bien dakord se ka pasur gjithashtu shumë gjëra pozitive që Papa Françesku ka bërë.
“Ai ka ndryshuar rrënjësisht kulturën e kishës. Pa e prekur asnjë doktrinë”, tha Thomas J. Reese, një analist i njohur i Vatikanit, i cili në vitin 2005, me urdhër të Papa Benediktit XVI u largua nga detyra e redaktorit të një reviste katolike, pasi kishte publikuar artikuj kritikë ndaj pozicioneve të kishës.
Ai theksoi se Papa Françesku e lejoi një “hapje për diskutim dhe debat që i liroi teologët të flasin dhe shkruajnë përsëri për gjëra, sepse ai besonte se kjo është mënyra se si teologjia rritet, për të kuptuar se si të predikohet ungjilli në shekullin XXI, pa përsëritur thjesht formula të shekullit të XIII që askush nuk i kupton. Kështu që, këto janë ndryshime revolucionare”.
Por kishte edhe ndryshime konkrete. Françesku hapi derën për katolikët e shkurorëzuar dhe të rimartuar për të marrë kungimin, duke u dhënë më shumë liri priftërinjve dhe peshkopëve vendas. Por në vend që të ndryshonte ligjin e kishës, ai inkurajoi njerëzit të angazhoheshin në procesin e lutjes për këtë çështje me priftërinjtë e tyre.
Ai hapi mbledhjet e mëdha të peshkopëve — organi i tij i preferuar vendimmarrës — për laikët dhe gratë, dhe vendosi gra në pozita të rëndësishme brenda burokracisë së fuqishme romake që qeveriste kishën. Po ashtu e shtypi Meshën Latine të dashur nga tradicionalistët që kërkonin të rikthenin mënyrat e vjetra, bëri ndryshime liturgjike që synonin t’i bënin lutjet e kishës më të arritshme për njerëzit në gjuhët lokale, dhe lejoi priftërinjtë të bekonin çiftet e të njëjtit seks. Por ai gjithashtu lejoi priftërinjtë afrikanë që u revoltuan nga këto bekime, të injoronin rregullin.
Kardinalët që e zgjodhën Papa Françeskun në vitin 2013, e bënë këtë me dëshirën e dukshme që të reformonte Kurinë – një organ zyrtar që drejton një ent brenda Kishës Katolike – dhe ai prezantoi një Kushtetutë të re të Vatikanit, racionalizoi departamentet e tij për të shmangur përsëritjen dhe shpërdorimin e burimeve dhe prezantoi ndryshime kulturore.
“Çdo kush ishte i detyruar të shikonte jashtë, të kishte një dialog dhe gjuhë të përshtatshme për botën e jashtme, ky ishte ndryshimi”, tha kardinali Gianfranco Ravasi, i cili më parë drejtonte Departamentin e Kulturës të Vatikanit.
Disa zyrtarë të Vatikanit thanë se rezistenca e konsiderueshme ngadalësoi Papa Françeskun, dhe se ndryshimet që ai bëri ishin më shumë të pjesshme sesa revolucionare. Por kardinali Ravasi besonte se ndryshimet në Kuri ishin të përhershme dhe “jo vetëm kozmetike”.
Mbështetësit e Françeskut në hierarkinë e kishës dhe analistët e njohur të Vatikanit thonë se ndikimi i tij në kishë ishte më i komplikuar, dhe në disa aspekte më i thellë, sesa ndryshimet e politikave apo reformave specifike. Ai kërkoi të ndryshonte mënyrën se si kisha e shihte veten, duke u munduar vazhdimisht të bindë hierarkinë e tij për të mos vepruar si princa mbi kopenë e tyre.
“Ndryshimi i procesit është më i rëndësishëm se ndryshimi i produktit. Është më i thellë. Është më jetëgjatë”, tha kardinali Michael Czerny, i cili ishte ndihmës i afërt i Papa Françeskut.
Ai deklaroi se procesi më kolegjial, nga poshtë-lart, do të ishte përfundimisht më i mirë për të trajtuar tema të vështira dhe për të marrë vendime progresive me fuqi të qëndrueshme. Shqetësimet rreth kthimit të procesit ishin të gabuara, tha ai, sepse një papë i ri mund të vendoste të bëjë çfarëdo.
“Nuk ka asgjë që kemi bërë gjatë dy mijë vjetëve, që nuk mund të kthehej prapa”, tha ai, por zhbërja e një ndryshimi kaq të thellë në proces do të ishte një kthesë radikale dhe e vështirë.
Në skenën botërore, ndryshimet e Papa Françeskut mund të jenë po aq të qëndrueshme. Ai kërkoi ta çojë kishën jashtë në botë. Emëroi kardinalë nga e gjithë bota, shpesh duke kaluar mbi qendrat tradicionale të katolicizmit për vende të largëta, për të rritur praninë globale të kishës.
Pasi Papa Benedikti, pa dashje, dëmtoi marrëdhëniet me botën myslimane duke mbajtur një fjalim që ofendoi Islamin, Papa Françesku filloi të përmirësojë marrëdhëniet mes feve, shpesh edhe në vende ku katolikët jetonin të rrezikuar.
Gjatë pandemisë ai udhëtoi drejt Irakut për t’u takuar me një lider të sektit Shia, Grand Ayatollah Ali al-Sistani, në qytetin e shenjtë të Naxhafit. Nënshkroi marrëveshje të mëdha me liderë shpirtërorë myslimanë të dizajnuara për të njohur të drejtat e njëri-tjetrit dhe për të mbrojtur pakicat katolike të cenueshme. U ballafaqua me kritika të mëdha nga konservatorët, të cilët e akuzuan se kishte injoruar ose shkelur të drejtat e njeriut duke u munduar të përmirësojë marrëdhëniet me një regjim komunist që persekutonte katolikët në Kinë.
“Ai ka thyer barriera”, tha peshkopi Paul Gallagher, njëherësh ministri i jashtëm i Vatikanit.
Por ndoshta ndryshimi i tij më i rëndësishëm për kishën do të shihet në javët që vijnë.
Papa Françesku emëroi një shumicë të madhe të Kolegjit të Kardinalëve, të cilët tani do të zgjedhin pasardhësin e tij. Ai shpesh zgjidhte prelatët që ndanin prioritetet e tij për të qenë pranë të varfërve, për të mirëpritur ata që janë të margjinalizuar dhe për të vendosur çështje si ndryshimet klimatike në qendër të vëmendjes. Për shumë njerëz, pyetja tani është nëse këta kardinalë do të zgjedhin dikë që do të përmbushë apo shkatërrojë pritshmëritë e katolikëve që e mbështetën Papa Françeskun. Por ata që e njihnin më së miri Papën, thonë se pritshmëritë jorealiste krijuan një matje reduktuese me të cilën mund të gjykohej trashëgimia e tij.
“Në shumë mënyra, Françesku ishte një jezuit konservator i modës së vjetër. Në të njëjtën kohë, dikush që është shumë i hapur ndaj asaj që disa zëra të tjerë thonë në kishë”, deklaroi peshkopi Gallagher.
Bashkimi i këtyre dy gjërave, tha ai, ishte historia e pontifikatit të tij.
Marrë nga “The New York Times”.