Jo pak i vështirë është përkthimi i Jürgen Habermasit, por profesoresha universitare guximshëm e ka marrë përsipër që vepra e filozofit gjerman të flasë edhe në shqip. Dhe është e domosdoshme që ai të komunikojë edhe me lexuesin në këto anë sepse “Transformimi i ri i sferës publike dhe politika deliberative” zbërthen edhe mbrojtjen e demokracisë në kohë stuhish gjithandej që e kërcënojnë atë. Libri i flet së tashmes
“Transformimi i ri i sferës publike dhe politika deliberative” i filozofit të njohur, Jürgen Habermas, tash komunikon edhe në shqip, përkthyer nga Blerta Ismajli. Libri, i cili vjen si pjesë e kolanës “Fryma” të “Dukagjinit”, është promovuar në kuadër të aktiviteteve të Panairit të 23-të të Librit në Prishtinë. Përkthyesja e veprës, Blerta Ismajli, ka folur për jo pak vështirësi që kishte hasur gjatë përkthimit. Përkthimi i Habermasit është vlerësuar lart edhe nga studiuesit e tjerë, në përurimin e së premtes në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Habermasi – i cili këtë muaj feston 94-vjetorin e lindjes – është njëri ndër filozofët më të njohur gjermanë të kohës së sotme, megjithëse famën më të madhe e arriti në fund të shekullit të kaluar. Si përfaqësues i Shkollës së Frankfurtit, njihet veçmas për punën e tij lidhur me konceptin e modernitetit, ndërsa puna e tij përqendrohet edhe në themelet e epistemologjisë dhe teorisë sociale, analizën e kapitalizmit dhe demokracisë së përparuar e disa çështje të tjera. Sistemi teorik i tij i kushtohet zbulimit të mundësisë së arsyes, emancipimit dhe komunikimit racional-kritik të fshehur në institucionet moderne dhe në kapacitetin njerëzor për të menduar dhe ndjekur interesa racionale.
Kur dihet kapaciteti intelektual dhe veprimtaria e tij, atëherë bëhen edhe më të qarta vështirësitë e përkthimit të tij. Njësoj edhe të leximit, që si parakusht ka njohjen e disa koncepteve filozofike dhe jo vetëm.
“Është kërkuar një lloj guximi që të merret përsipër ky përkthim dhe peshën e përgjegjësisë e kam ndier edhe më shumë nga momenti kur libri doli në duart e lexuesve. Veprat e Habermasit janë të një rëndësie të madhe për shoqëritë moderne, sepse ndikojnë në mënyrën se si ne mendojmë për komunikimin, në mënyrën se si mendojmë edhe për demokracinë dhe sferën publike në përgjithësi. Në këtë kuptim janë të rëndësishme për shoqëritë, cilado qofshin ato”, ka thënë Ismajli, profesoreshë e gjuhës gjermane në Universitetin e Prishtinës.
Në rolin e përkthyeses, Ismajli ka thënë se përkthimi në të vërtetë kërkon edhe njohjen e përgjithshme të autorit, si dhe të koncepteve të ndryshme që ai i përdor.
“Është e rëndësishme edhe që të përkthehet në gjuhë të ndryshme. Përkthimi është një proces që krijon një lidhje midis autorit dhe lexuesve, por është një proces që kërkon jo vetëm aftësi të mira gjuhësore, por kërkon edhe një kuptim të thellë të tekstit dhe të qëllimeve të vetë autorit. Domethënë një njohje të autorit dhe të veprave të tij”, ka thënë ajo.
Përkundër njohjes së gjuhës, Ismajli ka thënë se një gjë e tillë nuk është e mjaftueshme për përkthyesin. Ka bërë të ditur se gjatë përkthimit i është dashur të lexojë edhe shumë vepra të tjera të fushës.
“Këto natyrisht janë vështirësi që nuk duhet nënvlerësuar, njohuritë e gjuhës nuk mjaftojnë për të pasur sukses. Kishte disa vështirësi përgjatë përkthimit dhe do t’i përmbledhja në disa pika. Së pari kompleksiteti i përmbajtjes, e cila kërkonte shpeshherë një përqendrim shumë të madh dhe lexime shtesë. Në të gjithë këtë proces krahas punës direkte, të drejtpërdrejtë në përkthimin e tekstit, kam bërë edhe shumë lexime të sociologëve e filozofëve në gjuhën shqipe për të qenë e sigurt në këto terme që i përdorja”, ka thënë ajo.
Në vazhdën e pengesave të shumta, Ismajli ka përmendur edhe termet specifike që përdorin autorët kur shkruajnë, në këtë rast të Habermasit. Në anën tjetër ka pohuar se është e rëndësishme të gjenden edhe ekuivalentet e sakta që arrijnë të përçojnë te lexuesi domethënien e saktë të tyre.
“Kësaj i shtohen më pas termat specifikë që përdoren nga Habermasi që duhet të kuptoheshin saktë se me çfarë kuptimi vijnë në tekstin dhe në kontekstin në të cilin ato shfaqeshin. Ndonjëherë konceptet e ndryshme dinë të jenë edhe kulturore, të ndërlidhen me kontekstin kulturor me të cilin vepra shkruhet, kështu që kjo është një vështirësi shtesë që shfaqet gjatë procesit të përkthimit, jo vetëm në tekstet e tilla teorike, por edhe në përkthimet e tjera të teksteve”, ka thënë Ismajli.
Profesori i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, Bekim Baliqi, e ka vlerësuar lart mundin e Ismajlit për të përkthyer një autor si Habermasin. Ka thënë se përkthimi i tij nuk është aspekt i lehtë.
“Përkthimi i Habermasit, për ata që e njohim gjermanishten, nuk është aspak i lehtë. Kjo është edhe arsyeja pse shumë nga veprat e tij nuk janë përkthyer ose janë përkthyer shumë vonë, kështu që e përgëzoj Blertën për guximin që ka marrë ta përkthejë sepse për ta kuptuar Habermasin duhet njohur mirë ose bukur shumë, duhet pasur njohuri të filozofisë dhe fushave të tjera, sidomos të komunikimit masiv”, ka thënë ai.
Teksa ka folur për veprimtarinë e përgjithshme të Habermasit, Baliqi ka treguar në pika të shkurtra edhe për përmbajtjen dhe atë që trajton vepra “Transformimi i ri i sferës publike dhe politika deliberative”.
“Opusi i veprave të tij është aq i gjerë për nga disiplinat shkencore, pra edhe nga filozofia, edhe nga shkenca politike, komunikimi masiv, sociologjia të mos flasim për të tjera, është brenda një harku kohor aq të gjatë, saqë lirisht përbën njëfarë mënyre edhe vetë historinë intelektuale, sociale, politike të Gjermanisë së pasluftës. Libri i fundit ‘Transformimi i ri i sferës publike dhe politika deliberative‘ na risjell në vëmendje rëndësinë, komunikimin, informimin dhe atë të veprimit racional në kohë të sotme me qëllim për të mbrojtur demokracinë nga erozioni që i ekspozohet sot, si dhe nga tendencat e mëdha të autoritarizmit që po shfaqen gjithandej”, ka thënë ai.
Në panel ishte i pranishëm edhe profesori i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës, Ag Apolloni. Ka kujtuar polemikat që Habermas kishte bërë me filozofin francez, Jean-François Lyotard, në lidhje me projektin francez të shpikjes së modernitetit.
që më duket më interesante te Habermasi është që më del si gjermani më francez dhe çuditërisht ai bën një polemikë, pa e përmendur kurrë në emër, me Lyotardin dhe kjo është ndoshta ndër polemikat më të njohura...Lyotardi mendonte që ajo shpikja e modernitetit që ishte projekt francez ka marrë fund me Luftën e Dytë Botërore dhe se duhet të kërkojmë diçka tjetër se këto metanarrativat nuk kanë besueshmëri”, ka shpjeguar ai, teksa ka shtuar se “Habermasi në anën tjetër e kundërshton duke mos e përmendur asnjëherë”. “Thotë se do të ishte e tmerrshme nëse do ta pranonim që ka marrë fund projekti i modernitetit. Moderna është një projekt i përhershëm që nuk mund të marrë fund. Nëse merr fund, atëherë nuk ka njerëz sepse lidhet me humanen, njerëzoren”, ka thënë ai.
Apolloni është edhe redaktor gjuhësor i veprës. Ka çmuar punën që ka bërë Ismajli në përkthimin e kësaj vepre. Ka folur edhe për ridimensionimin e demokracisë me të cilën Habermasi merret në këtë vepër.
“Habermasi është shumë argumentues dhe ne e shohim edhe në këtë libër që e ka përkthyer Blerta. Kjo foli për vështirësitë. Ka pasur shumë vështirësi për të na e bërë neve më të lehtë për ta lexuar. Ne nuk kemi vështirësi pas vështirësive të Blertës. Habermasi është me të vërtetë i vështirë në çfarëdo gjuhe që ta lexosh, por këtu flet për një ridimensionim të demokracisë, për rikthimin e strukturës së demokracisë në kuptimin e paradigmës greke kur të gjithë mund të ndihmojnë në rregullimin, në pranimin më të lehtë të një qeverisjeje dhe të një demokracie. Pra ishte një sistem që ky mendon që ka qenë më herët e që mund të provohet sot nëpërmjet rrjeteve sociale”, ka thënë Apolloni.