Vëllimi i dytë i Selver Islamajt, “Letërkëmbimi i panjohur i Faik bej Konicës 1901-1912”, përfshin një hapësirë të gjerë kohore të letërkëmbimit intensiv midis Faik Konicës dhe Baron von Zwiedinekut, me konsullin Winter, me Ministrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë, me Baron de Kwiatkowksin, si dhe me konsullin e përgjithshëm Alfred Rappaport. Kjo periudhë përkon me disa vështirësi që lindën lidhur me botimin e revistës “Albania”, për shkak se Konica po ndiqej nga qeveria osmane, e cila edhe zyrtarisht e kishte njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Belgjikës në gusht 1901 se kryeredaktori i revistës shqiptare ishte dënuar me vdekje nga gjykata e Kostandinopojës. Në të njëjtën kohë, kjo periudhë përkon edhe me shpërfaqjen e dallimeve dhe thyerjes të një miqësie të gjatë ndërmjet Faik Konicës, këtij intelektuali erudit shqiptar, dhe autoriteteve perandorake austro-hungareze në Vjenë. Duhet shtuar se Islamaj në përmbyllje të vëllimit të dytë na paraqet të listuar dëshmitë (listën e dëftesave) mbi financat dhe subvencionet që Konica merrte nga arka e Ministrisë së Punëve të Jashtme Perandorake dhe Mbretërore të Austro-Hungarisë në harkun kohor 1897-1912, si mjete financiare për mbulimin e shpenzimeve për botimin e revistës “Albania” dhe të aktiviteteve të tjera kulturore në shërbim të kauzës kombëtare.
Vetëm festat katolike në “Albania”
Korrespodenca e Faik Konicës me zyrtarët dhe diplomatët austro-hungarezë pasqyron ambiciet e tij për ta bërë një revistë të famshme në mesin e intelektualëve shqiptarë me mbështetje të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë. Këtu paraqiten rrethanat e zhvendosjes së Konicës nga Brukseli në Londër dhe prej andej në Boston, të cilat si duket e determinojnë ftohjen graduale të raporteve në mes Konicës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, raporte këto që do të përcaktojnë edhe fatin e gazetës “Albania”. Dërgimi i subvencioneve me vonesë nga Vjena është gjithashtu një dëshmi se interesi i Monarkisë Dualiste kishte vazhduar të zbehej. Natyrisht, edhe Konica, që shquhej për sjellje prej një aristokrati, e kishte nuhatur lëkundjen e Ballhausplatzit, kështu që botimi i gazetës dhe redaktimi i saktë po shoqëroheshin me vonesa të mëdha. Në disa nga raportet dhe letrat private nga përfaqësuesit e Monarkisë Dualiste, është i dukshëm se bashkëpunimi me Faik Konicën po shkonte në drejtim të ndërprerjes, për shkak se Vjena, si duket pas fuqizimit të lëvizjes kombëtare në Shqipëri, nuk po e konsideronte më prioritet me rëndësi si në fillim të bashkëpunimit. Këtu bëjnë pjesë edhe një sërë vërejtjesh dhe komentesh që merr Konica nga Vjena lidhur me përmbajtjen e gazetës “Albania”, siç është rasti se kjo gazetë u kushtonte më shumë hapësirë temave që janë me interesa të veçantë për lexuesit katolikë apo se kalendari i gazetës përmendte vetëm festat katolike. Prandaj, Baron von Zwiedinek e këshillonte Konicën që të “rivendosni ekuilibrin në rreshtat tuaj, duke u kushtuar në të ardhmen pak a më shumë hapësirë çështjeve që zhvillohen në rajonet e banuara nga myslimanët shqiptarë, duke botuar letërkëmbimet nga këto vende etj.” (Vëll. II, f. 210). Sidoqoftë, në Shkodër po rritej paragjykimi për revistën dhe redaktorin e saj Faik Konica, për shkak të qëndrimit të tij kundërshtues ndaj propagandës anti-italiane.
Në fillim të vitit 1901, kur revista ishte në vigjilje të katërvjetorit të saj, Zwiedinek i propozonte Konicës të inaugurohej një tjetër botim krejtësisht letrar që do ta plotësonte ekzistuesin, i cili konsiderohej me karakter politik. Veç kësaj, me mbështetjen e Vjenës, Konica iu përkushtua hartimit, redaktimit, botimit dhe shpërndarjes së teksteve në shqip. Ai i shkroi edhe Gołuchowksit, të cilin e informonte se teksti i “Historisë së Shqipërisë” dhe saktësisht teksti “Historia e Skënderbeut” po përfundonin dhe për këtë i kërkonte Vjenës ndihmën për aprovimin e dorëshkrimit dhe botimit.
Në vitin 1902 ndodhi një ngjarje e rëndësishme që shënoi ecurinë e marrëdhënieve ndërmjet Vjenës dhe redaktorit kryesor të revistës “Albania”. Ai u vendos në Londër, sipas versionit të tij, sepse në Bruksel ndihej i pasigurt dhe i kërcënuar nga intrigat dhe kërcënimet e shtetit osman, për çka deri atëherë ai shpeshherë e ndërroi adresën e banimit. Në dokumentet e Arkivit të Brukselit figurojnë disa adresa të tjera ku banonte Konica. Kjo ishte arsye përse në qershor të vitit 1902 revista “Albania” filloi të botohej në Londër. Meqenëse pas vitit 1902 revista e ndërroi vendin e botimit, ajo nuk ndryshoi fizionominë e saj dhe programin politik. Megjithatë, duket se Vjena ishte mosbesuese për këtë zhvendosje të Konicës, dhe, siç del nga letërkëmbimi mes Ballhausplatzit dhe kontit Mensdorff, ambasadorit austro-hungarez në Londër u orientua për kontaktet e tij me këtë figurë të rëndësishme të lëvizjes shqiptare dhe me ndikim në mesin e shqiptarëve.
Në vitin 1903 qeveria osmane mori masa mjaft të ashpra kundër shqiptarëve, që u përfshinë në lëvizjen kombëtare, mbylljen e shkollës shqipe në Korçë, burgosjen e intelektualëve dhe të gjithë atyre që abonoheshin te revista “Albania”.
Dallimet e Konicës me Vjenën zyrtare për shkak të programit të reformave të Myrcshtegut
Në këtë periudhë Vjena shprehu drejtpërdrejt pakënaqësinë e saj për përmbajtjen e numrit të fundit të revistës “Albania” dhe konsideronte se ajo nuk po i përmbahej linjës që ishte përcaktuar nga zyrtarët e Ballhausplatzit me rastin e vendosjes së bashkëpunimit në vitin 1897. Kështu filloi kriza e hapur në marrëdhëniet mes Vjenës dhe botuesit Faik Konica, që ishte një paralajmërim serioz se kjo revistë shqiptare e mbështetur nga austriakët nuk kishte të ardhme të mirë. Sidoqoftë, në letërkëmbime dhe letrat e Konicës, shihet qartë se Konica nuk duket i trembur, madje tregohet më mirë i gatshëm për prishjen e marrëdhënieve me Vjenën sesa të heqë dorë nga këndvështrimet dhe pikëpamjet e tij. Po ashtu, Konica nuk pranoi të largohej nga Londra dhe t’i përgjigjej pozitivisht kërkesës së qeverisë austriake për të shkuar në Vjenë. Në këtë rrethanë, Vjena zyrtare, edhe pse ishte e shqetësuar me pozicionin e Konicës, vazhdoi në mënyrë të heshtur bashkëpunimin dhe vazhdoi ta subvenciononte botuesin rebel, pasi dy palët kishin përfitim nga ky bashkëpunim dypalësh.
Përballë kritikave të Vjenës, të cilat e humbasin butësinë e tyre dhe rekomandimeve të saj, Konica ngulte këmbë se me reformat në Ballkan, të iniciuara nga Austro-Hungaria dhe Rusia në Vilajetin e Kosovës, Manastirit dhe Selanikut, kishin si tendencë për zgjerimin e ndikimit sllavo-rus në Shqipëri. Por, Vjena i shihte elemente të rëndësishme për ruajtjen e stabilitetit ballkanik dhe si instrumente për rivendosjen e paqes midis feve dhe etnive të ndryshme. Në këtë kontekst, Baron von Zwedinek konsideronte se gjuha kritike e përdorur në “Albania” lidhur me reformat ishte kundër së vërtetës dhe për më shumë ai sqaronte se këto reforma asnjëherë nuk kishin për qellim t’i jepnin privilegje ekskluzive popullatës sllave, duke shtuar se të gjithë të krishterët, shqiptarët si dhe serbët, bullgarët, grekët etj., madje nga avantazhi i reformave do të përfitonin edhe myslimanët. Ai po ashtu mbronte pikëpamjen se reformat kanë për qëllim kryesor “përmirësimin e fatit të krishterëve dhe rivendosjen e qetësisë së paqes midis feve të ndryshme”, si dhe ishin një kusht thelbësor për “zhvillimin kombëtar shqiptar”. Por, Konica në përgjigjen e tij vinte në dukje se përkulej para këtij qëndrimi dhe dileme befasuese, por këmbëngulte se ai nuk mund të promovonte “zgjerimin sllavo-rus në Shqipëri”. Për më tepër, tërheq vërejtjen se ai nuk i injoronte rreziqet që i kanosshin nga ndikimi sllav për mbizotërim në bregdetin lindor të detit Adriatik. Në këtë linjë, shton Konica, ai nuk do të zgjidhte për bashkëpunim Austro-Hungarinë po të kishte dashur të ndiqte pikëpamjet sllave. “Unë, në fakt, mund të them me zë të lartë: Askush nuk i ka shërbyer ndikimit austriak në Shqipëri aq sa unë dhe askush tjetër nuk do ta bëjë këtë në një mënyrë kaq të sinqertë, këmbëngulëse dhe bindëse,” shkruan Konica (Vëll. II, f. 304).
Paralajmërimet për ndaljen e financave
Dhe, përpos këtyre dallime politike, në vitin 1905 Zwiedinek i bën vërejtje të shumta Konicës edhe për përmbajtjen e gazetës “Albania”, duke shtuar se ajo është larguar gjithnjë e më shumë nga programi përmes të cilit kjo revistë gëzonte simpatinë e Ballhauplatzit. Aty theksohet se revista kishte ulur ndjeshëm korrespodentët e saj dhe kishte mungesë kontakti me elementët që ndikonin në popullaritetin e saj në Shqipëri. Në fakt, Vjena kishte bërë sondazh në vitin 1905 në të gjitha konsullatat në Shqipëri dhe, sipas burimeve zyrtare, rezultonte se ndikimi i revistës nuk ishte në nivelin e pritur. Ky fakt tregonte se Vjena po kërkonte rrugë për ta ndërprerë bashkëpunimin me beun shqiptar, pasi ajo nuk mund ta subvenciononte një revistë e cila sfidonte linjën zyrtare të politikës austro-hungareze.
Në anën tjetër, edhe Konica duket gjithnjë e më i pakënaqur dhe i zhgënjyer me pozicionin e përmbajtur që po shpërfaqte Vjena dhe tërhiqte vërejtjen se popullariteti i Austro-Hungarisë në Shqipëri ishte mbështetur nga besimi i përgjithshëm se ky shtet do të shfrytëzonte rastin e parë të favorshëm për të kërkuar që edhe shqiptarët të gëzonin një pjesë të atyre lirive të cilat i kanë gëzuar një kohë të gjatë edhe popujt e tjerë të Perandorisë Osmane. Përfundimisht, në maj të vitit 1906, Baron von Zwiedinek, duke i kërkuar sqarime Konicës për një publikim fyes kundër oficerëve, të cilët ishin thirrur të merrnin pjesë në punën e reformave të xhandarmërisë osmane në vilajetet osmane, thoshte se “ne nuk mund të interesohemi për ‘Albanian’ si në të kaluarën, nëse nuk garantoni se tani e tutje kjo revistë do të përmbahet nga çdo kritikë keqdashëse për punën e reformës dhe kritikave kundër njerëzve që ishin thirrur të bashkëpunojnë në të. Por, Konica, edhe pse kishte deklaruar se në rreshtat e revistës “Albania” nuk kishte pasur shkrime kundër oficerëve austro-hungarezë, ai insistonte se gjithmonë kishte menduar se zbatimi i programit të reformave kishte prirje të pafavorshme për popullsinë shqiptare.
Shkëmbimi i letrave midis Konicës dhe Baron von Zwiedinekut, si dhe disa intelektualëve të botës shqiptare, na japin një pasqyrë të gjerë për momente dhe kthesa dramatike në lëvizjen kombëtare, duke paraqitur edhe shpjegime me interes për zhvillimet pas Revolucionit Xhonturk si dhe për problemet dhe çështjet e shkollave dhe të alfabetit të gjuhës shqipe. Natyrisht, nga letërkëmbimi mes Konicës dhe zyrtarit austro-hungarez në Vjenë kuptojmë se Austro-Hungaria nuk mbante sekret në Kostandinopojë simpatinë e saj për kombin shqiptar, por agjentët e saj në Perandorinë Osmane nuk mund t’i kundërshtonin haptas urdhrat e Sulltanit. Është e qartë se Vjena dëshironte t’i ruante raportet e mira me Kostandinopojën dhe tregonte kujdes maksimal që kauza shqiptare të mos bëhej shkaktare e prishjes së raporteve midis dy perandorive.
Vetë Konica në një letër drejtuar Baron Rhemenit vinte në dukej se revista “Albania” në fund e kishte realizuar misionin e saj, që ishte kultura e gjuhës shqipe dhe zgjimi i ndërgjegjes kombëtare nga njëra anë dhe nga ana tjetër zhvillimi i ndikimit austro-hungarez në Shqipëri. Në këtë mënyrë, ai e shihte qartë rolin pozitiv që kishte luajtur kjo revistë gjatë këtyre viteve të Rilindjes Kombëtare. Dhe kjo korrespodencë tregon se subvencionet e qeverisë austro-hungareze për revistën “Albania” vazhduan deri në Revolucionin Xhonturk, kur mendohej se tani ishte krijuar një ambient më i përshtatshëm i veprimit nga brenda Shqipërisë dhe jo jashtë saj.
Edhe në këtë vëllim del në pah politika represive e Kostandinopojës ndaj çështjes së arsimit dhe të shkollave shqipe, në njërën anë, që manifestohet me një valë të arrestimeve në jug të Shqipërisë të zyrtarëve shqiptarë dhe në anën tjetër me tolerancën e autoriteteve të shtetit osman ndaj propagandës dhe shkollave bullgare, serbe dhe greke. Në përgjigje të shqetësimeve të Konicës ndaj kësaj politike represive të Kostandinopojës, zyrtari i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë garantonte se vendi i tij vazhdonte t’i jepte ndihmë dhe mbështetje çdo përpjekjeje që synonte përparimin intelektual të popullit shqiptar. Por, njëkohësisht tërhiqej vëmendja se interesimi austro-hungarez për çështjen shqiptare nuk mund të shkonte përtej kufijve që cenonin status quo-në territoriale të Perandorisë Osmane.
Ideja për kongres gjuhësor në Elbasan
Më tej, nga korrespondenca e kontit Szelenyi, këshilltar i Ambasadës Austro-Hungareze në Londër dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme Perandorake dhe Mbretërore, në Ballplatz, në dhjetor 1908, mësojmë se nga biseda që kishte zhvilluar me redaktorin e “Albanias”, Faik Bej Konica, ai nuk kishte pritje të mëdha nga rivendosja e Kushtetutës osmane në verën e vitit 1908 apo se mund të hiqeshin pengesat e regjimit osman kundër zhvillimit kombëtar për popullin shqiptar. Në këtë pikë, Konica shprehte skepticizëm se xhonturqit më shumë do të bënin përpjekje që të fusnin gjuhën turke në të gjitha nivelet e shtetit osman sesa që ishin të interesuar për hapjen e një epoke liberale për Shqipërinë. Në këtë kohë Konica sërish iu rikthye idesë për organizimin e një kongresi shqiptar në Elbasan, i cili do të merrej me zhvillimin e gjuhës shqipe dhe me përcaktimin e alfabetit shqip. Synimi i Konicës ishte të krijonte një program pune për të shkëmbyer pikëpamjet me disa shqiptarë të nivelit intelektual dhe moral dhe me Shoqërinë Biblike të Londrës në Manastir.
Viti 1909 është periudha kur Konica ishte vendosur në Boston dhe kur lidhjet me Vjenën po bëheshin edhe më sporadike, si për shkak të distancës, ashtu edhe për shkak të thellimit të divergjencave në pikëpamje. Në korrespondencën e tij me de Kwiatkowskin, Konica flet, mes të tjerash, edhe për takimin me kryepeshkopin rus në New York. Në këtë kontekst, Konica, në përgjigje të interesimit të Vjenës zyrtare, paralajmëronte se Rusia synonte të shkëpuste shqiptarët ortodoksë nga Patrikana Greke, jo për qëllim të krijimit të një kishe autonome, por që t’i bashkonte ata me Eksarkatin Bullgar. Më shumë informacion për problemet e Kishës Ortodokse në Shqipëri na ofron këtu botimi i një letre të Komitetit “Shpresa”, i rrethit kulturor të të rinjve shqiptarë nga Rumania drejtuar Shenjtërisë së Tij të Lartë dhe Patriarkut të Madh të Kishës së Shenjtë Autoqefale Ortodokse të Kostandinopojës, përmes së cilës nënvizohej se nga Ipeshkvia e Shenjtë Ortodokse kishin kontraktuar zakonin e keq për të blasfemuar gjuhën shqipe dhe për t’i ndaluar kujtdo që ta përdorë në lutje drejtuar të Plotfuqishmit, duke e konsideruar gjuhën shqipe si të padrejtë dhe të papastër. Në këtë kontest përmendet rasti i mitropolitit të Korçës, cili kishte fshikulluar shqiptarët që vazhdonin të dërgonin fëmijët e tyre në shkollën shqipe për të mësuar gjuhën tyre.
Krahas këtij shqetësimi, ai i rekomandonte Vjenës që në Amerikë, ku jetonin 30 mijë shqiptarë, ndër më aktivët dhe më inteligjentët e Shqipërisë, që për ruajtjen e ndikimit austriak të kishte ndihmë më të madhe të qeverisë në Vjenë në kohën kur në emigracion ishte rritur lëvizja shqiptare për shkak të përndjekjeve të regjimit të xhonturqve. Në vazhdën e këtyre përpjekjeve, kur në Kosovë kishin filluar edhe kryengritjet e armatosura kundër xhonturqve, Konica kishte shprehur gatishmërinë e bashkërendimit të aksionit të tij politik me njërin nga udhëheqësit më karizmatikë shqiptarë nga Kosova. Në një letër drejtuar konsullit perandorak dhe mbretëror Alfred Rapaport, në gusht 1910, ai i rekomandonte Vjenës se do të ishte mirë që Isa Boletini të dërgohej në SHBA, pasi nëse ai do të shkonte atje, “kjo do të na ndihmonte jashtëzakonisht shumë për të organizuar një parti serioze dhe Isa nuk do të largohej pa një çek prej disa mijëra dollarësh”.(Vëll. II. f. 424).
Protesta në ShBA kundër mbylljes së shkollave shqipe në Shqipëri
Krahas kësaj, pjesë e këtij vëllimi është edhe aktiviteti i nacionalistëve shqiptarë nga Bostoni, të cilët në tetor 1910 ishin mbledhur për të protestuar zyrtarisht kundër mbylljes së të gjithë shkollave shqiptare, klubeve arsimore, shtypshkronjave dhe gazetave nga qeveria e xhonturqve. Në fakt, kjo rezolutë ishte propozuar nga Faik Konica dhe nga At Fan Noli, dy udhëheqësit e lëvizjes shqiptare, dhe përmes saj kërkohej të tërhiqej vëmendja dhe mbështetja amerikane dhe evropiane kundër armiqësisë sistematike dhe të jashtëzakonshme të qeverisë osmane kundër kulturës shqiptare. Po ashtu, në këtë thirrje kërkohej të lirohej nga përndjekja dhe trajtohej me respekt edhe Isa Boletini, i cili për shkak të përndjekjes nga autoritetet xhonturke kishte hyrë në Mal të Zi si refugjat politik. Me shumë interes dhe një ndihmesë të madhe për lexuesin është edhe përfshirja në fund të librit e një liste me shpjegime me nocione, ngjarje, emra vendbanimesh dhe personalitetesh që ndërlidhen me zhvillimet që trajtohen në letërkëmbimin e Faik Konicës me zyrtarë dhe diplomatë austro-hungarezë në periudhën e lartpërmendur.
Në përmbyllje të këtij recensioni duhet shtuar edhe faktin se të gjitha dokumentet e botuara në këto dy vëllime janë përzgjedhur me kujdes nga autori Selver Islamaj gjatë punës së tij kërkimore shkencore Arkivin Shtetëror të Vjenës (Haus-Hof-und Staatsarchiv), të realizuara gjatë vitit 2017. Vëllimet me korrespodencën e Konicës respektojnë kronologjinë e tyre e tituj të qartë, të shoqëruara me vendin dhe kohën e hartimit të tyre. Ndërsa revista “Albania”, e cila për dymbëdhjetë vjet botimi u bë një përçuese e devotshme e politikës austro-hungareze në Shqipëri dhe një institucion për emancipimin e përgjithshëm kombëtar të shqiptarëve, zë një vend të veçantë dhe të rëndësishëm në historinë e letërsisë dhe të publicistikës shqiptare.
E gjithë korrespodenca e botuar në këtë vëllim, ashtu edhe në atë paraprak, është pajisur edhe me shënime sqaruese, së bashku me detajet e tjera sqaruese, që lehtësojnë punën e çdo studiuesi për t’i krahasuar me versionin origjinal. Botimi i këtyre letrave dhe dokumenteve për Konicën, të panjohura deri më tani për publikun, paraqet një kontribut jashtëzakonisht të vlefshëm për studimet albanologjike dhe njëkohësisht i kontribuon njohjes më të thellë të raporteve dhe qëndrimeve të Austro-Hungarisë jo vetëm me Faik Konicën, por edhe me të ardhmen e shqiptarëve. Gjithashtu, përmes kësaj korrespondence i kuptojmë drejt synimet e vendeve ballkanike, të cilat në kuadër të luftës kundër krijimit të shtetit shqiptar do të bashkojnë përpjekjet e tyre për pengimin e gjuhës dhe përhapjes së shtypit të librave dhe shkollave shqipe në hapësirën shqiptare. Në këtë rrethanë, figura e Faik Konicës na shfaqet si largpamëse me qartësinë e tij politike dhe intelektuale për emancipimin dhe ndërgjegjësimin kombëtar të shqiptarëve, duke konsideruar se në rrethanat e atëhershme aleat i natyrshëm i shqiptarëve ishte Austro-Hungaria, fuqia evropiane të kohës së cilës shqiptarët i detyrohen më së shumti për përkrahje vendimtare në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Dokumentet e këtyre dy vëllimeve të përgatitura nga Selver Islamaj pa dyshim konfirmojnë edhe kulturën e lartë dhe mjeshtërinë e komunikimit diplomatik të Faik Konicës me Ministrinë e Jashtme të një fuqie evropiane dhe në këtë kuptim ai mund të konsiderohet si ambasadori dhe kryediplomati i parë shqiptar që vuri dhe çimentoi bashkëpunimin mes shtetit perandorak austro-hungarez dhe lëvizjes kombëtare shqiptare. Marrë në tërësi, kjo korrespodencë e Konicës është një material i rëndësishëm, jo vetëm për audiencat akademike, por për të gjithë studiuesit e albanologjisë, lexuesit e zakonshëm dhe historiografinë shqiptare në përgjithësi.