Për Orestin, mosmarrëveshja midis prindërve të tij është pjesë e “mosfunksionimit familjar”. Si fillim kjo është e vërteta, por brenda vetes ajo fsheh disa detaje të frikshme: babai i tij komandant ushtarak, Agamemnoni, sakrifikoi motrën e Orestit, Ifigjeninë; dhe nëna e tij, Klitemnestra, për t’u hakmarrë për vdekjen e fëmijës së saj të preferuar, vret Agamemnonin porsa ai kthehet nga lufta.
Është një nga ato historitë që mund ta lë njeriun e përhumbur, dhe kështu ndodh në “Balkan Bordelin” e zemëruar dhe elokunet, një ritregim bashkëkohor i “Orestias” të Eskilit nga dramaturgu kosovar, Jeton Neziraj. Kur një natë, fantazma e Agamemnonit del nga errësira, ashtu si fantazma e babait të Hamletit, i cili shkon ta lajmërojë të birin për të vërtetën e vdekjes së tij, fill nis gjakderdhja.
E keqja sjell të keqen në rrethin e mallkuar të dhunës dhe ndëshkimit me ankesat e një brezi që i nënshtrohet brezit tjetër, në një shoqëri të shkatërruar nga lufta dhe që jeton në pasojat e saj të gjata e të shëmtuara. Teorikisht pra “Balkan Bordello” i përshtatet jashtëzakonisht mirë kohës sonë, kur shohim shumë sy të frikësuar në tmerret e panumërta gjatë pushtimit rus të Ukrainës.
Nën regji të Blerta Nezirajt, bashkëshortja e dramaturgut, kjo shfaqje, e dhënë në teatrin “La MaMa’s Ellen Stewart” në New York City, duket e shkëlqyer, në një skenë me ngjyrë gjaku e tërbimi, epshi dhe shpërthimi. Vetë prejardhja e produksionit – si një bashkëpunim që përfshin “La MaMan” “Qendrën Multimedia” në Prishtinë, teatrin “Atelje 212” në Beograd dhe grupin ndërkombëtar “My Balkans” – është simbol i shpresës.
Edhe kasta prej dhjetë vetash përfshin edhe dy aktorë serbë të cilët japin një performancë emocionuese – Svetozar Cvetkoviq në rolin e Egistit, poetit produktiv dhe dashnor pompoz i Klitemnestrës dhe Ivan Mihailoviq, si një veteran lufte që kthehet përkrah Agamemnonit, me Kasandrën e kapur (Verona Koxha, aktore kosovare) e shtrirë mbi krahët e tij si një thes me drithëra.
Por ka një kaos në produksion që nuk ka asnjë lidhje me çrregullimin e botës së vogël që përshkruan, brenda motelit “Balkan Express” të Klitemnestrës, ku ajo dhe Agamemnoni rritën fëmijët e tyre. Të enjten mbrëma, javën e kaluar, gjatë shfaqjes vërehej se aktorët nuk kishin bërë edhe aq prova dhe ndiheshin të pasigurt, me tinguj të larmishëm dhe disa aktorë amerikanë në dukje të pasigurt për linjat e tyre.
Zhgënjimi më i madh – që ka pak gjasa të zgjidhet vetë – është se grupi (i përbërë nga Marija Kalabiq dhe Nico de Rooij) i ndriçuar (nga Yann Perregaux dhe de Rooij), është shumë i largët për intrigat intime dhe të ndërlikuara të shfaqjes. Në hapësirën e saj të gjerë, vënia në skenë e turbullon rrëfimin.
Publiku ulet në të dy skajet, e disa prej shikuesve në tavolinat e kafesë, një zgjedhje e gabuar e atyre që nuk dëshirojnë të jenë pjesë e shfaqjes, posaçërisht ata që, kur nxiten të ngrihen e të vallëzojnë, sikletosen. Kudo që të uleni, disa pjesë të shfaqjes do të ju bëjnë për vete, për shkak të pamjeve e distancës dhe trazirave të herëpashershme në skenë.
E përkthyer pa ndonjë komplikim nga Alexandra Channer dhe e dhënë në anglisht, me një pjesë të madhe të një dialogu të projektuar (gjithashtu në anglisht) në një sfond prapa skenës, shfaqja është megjithatë një pamje e mençur dhe goditëse e ”Orestias”. Cilësitë surreale përmirësohen nga kostumet e çmendura të Gabriel Berryt – Egisti, me xhaketë jacquard dhe pantallona prej kadifeje, është një elegancë absolute; Klitemndestra mbath këpucë ari – dhe koreografia e Gjergj Prevazit, në të cilën shpërthejnë personazhet, madje nganjëherë edhe kur janë ende të ulur nëpër tavolinat e kafesë.
Por ka një lloj abstraksioni në interpretimet e anëtarëve të “La MaMa”s Great Jones Repertory Company”, në kontrast me menjëhershmërinë e punës së aktorëve të “Balkan Bordelit”. Agamemnoni i George Drances kullon një energji të madhe, pa asnjë nga barbaritë e zbutura që ju mund të prisni. Qoftë edhe me Kasandrën, çmimin e tij të luftës njerëzore, atij i mungon kërcënimi.
Duhet pranuar që performancat karizmatike, të realizuara plotësisht nga Cvetkoviq dhe Mihailoviq, e shpëtuan nga fundosja. Kushtrim Hoxha, një aktor kosovar, është gjithashtu çuditërisht bindës si Pilades, miku koreograf i Orestit nga Berlini – një përfaqësues i botës perëndimore jo-ballkanike dhe përbuzjes së saj ndaj rajonit.
Derisa Klitemnestra (Onni Johnson) dhe Orestia (Eugene Poogene) që të dy përfundojnë me duar të përlyera me gjak, Mihailoviq është ai që sjell një ndjenjë dhune të zjarrtë dhe rrezik fizik përbrenda saj. Dalja e tij furishme si dhe ecja e zhurmshme që bën nga njëri skaj i skenës, ngjall kërcënim në çdo hap. Kur Piladi e pyet për përvojat e tij në luftë, përgjigjet e tij janë shqetësuese, por buzëqeshja e ngadaltë në fytyrën e tij është ajo që të frikëson edhe më shumë.
I është lënë Egistit, poetit, të kundërshtojë luftën dhe pasojat e saj. “O populli im”, shkruan ai. “Kujdes nga komandantët e luftës, populli im!”
Jo se është i pafajshëm, sigurisht. Edhe përpara se Klitemnestra të largojë Agamemnonin, i dashuri i saj kishte etje për gjak.
“Më pëlqen ta imagjinoj trupin e tij të prerë në copa, me sytë e tij duke shikuar si një peshk i ngordhur”, thotë Egisti me një urrejtje të ashpër që e bën atë krejtësisht të tmerrshëm. “Por gjithçka që ka rëndësi është se ai do ta tejkalojë. Ai do ta marrë veten dhe ne do të jetojmë të lumtur përgjithmonë”.
Kjo është fantazia e përjetshme, apo jo – se vetëm një akt më shumë dhunë do të japë rezultat dhe hakmarrja do të pushojë. Te tregosh apo mos e tregosh fundin: Edhe Egist përfundon i vrarë.
“Ata më kanë dërguar gabimisht në ferr”, thotë fantazma e tij. “Kam bërë një ankesë”.
Marrë nga “The New York Times”. Përktheu: Mirjetë Sadiku