Shtojca për Kulturë

“The Guardian”: Shfaqja e Kosovës i shndërron në farsë bisedimet e paqes

“Negotiating Peace” e Jeton Nezirajt është një komedi e tërbuar që bazohet në luftërat në Bosnjë dhe në Kosovë

Kur udhëheqësit politikë e paraqesin luftën si të vetmen zgjidhje, është detyrë e artistëve t’ua kujtojnë njerëzve se gjetja e paqes është ende e mundur. Kjo është pikënisja për një kompani teatrore në Kosovë, “Qendrën Multimedia”, e cila nëpërmjet shfaqjes së re kthehet te lufta e fundit në Evropë para invadimit të Rusisë në Ukrainë dhe eksploron se si u ndal ajo.

Mësimi që përcjell dhe zhanri që zgjedh për prezantimin e gjetjeve të veta, është i papritur: dramaturgu kosovar, Jeton Neziraj, në “Negotiating Peace” paraqet diplomacinë e paqes si një farsë, por një farsë të domosdoshme.

Në dramatizimin e bisedave të tryezave të rrumbullakëta mes vendeve të rrejshme fiktive të Banovisë dhe Unmikistanit, shfaqja është një komedi në të cilën gjeneralë të pavlerë mund të mblidhen në tryezën e bisedave vetëm me premtime për filma hollywoodianë që festojnë veprimet e tyre. Partitë opozitare dehen gjatë bisedimeve për zonat e demilitarizuara, bëjnë ngatërresa me versionet e marrëveshjeve të ndërprerjes e sulmeve dhe nënshkruajnë në hapësira të gabuara të dokumentit. Hartat e territoreve të kontestuara ndahen me gërshërë letre derisa tokat e shenjta kthehet në rrebesh letrash me ngjyrë.

Megjithatë, në fund të paraqitjes 90-minutëshe, ish-armiqtë lidhen për krahësh për të kënduar “Peace in the Valley” të Elvis Presleyt, dhe një personazh i ngjashëm me Ratko Mladiqin urinon kur kupton se do të përfundojë para një gjykate për krime lufte.

“Kur flisni për gjëra serioze, nuk duhet ta bëni këtë në një mënyrë serioze”, ka thënë Orest Pastukh, aktor ukrainas i cili është një prej pesë anëtarëve të grupit ndërkombëtar të “Qendrës Multimedia” me përvojë të dorës së parë, nga vendi në luftë. “Nëse do të flisnim seriozisht për luftën dhe paqen, të gjithë do të çmendeshin”.

Shfaqja, e cila do të bëjë një turne evropian në Gjermani, Republikën Çeke, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë muajin e ardhshëm, është e bazuar në Marrëveshjet e Daytonit që në vitin 1995 ndalën luftën trevjeçare e gjysmë në Bosnjë, kapitullin më të tmerrshëm në shpërbërjen e Jugosllavisë.

Në premierën e saj në teatrin “Oda” të Prishtinës javën e kaluar, ajo përfshiu edhe elemente të marrëveshjes për paqen që katër vjet më vonë përfundoi luftën në Kosovë, një konflikt që shpesh kujtohet si “lufta e mirë” e fundit e perëndimit dhe një kontrast me luftën e Irakut që erdhi pas kësaj.

Për të përfunduar konfliktin mes serbëve dhe kosovarëve, NATO-ja veproi më shpejt dhe më agresivisht se sa kishte bërë në luftën e Bosnjës. Në qendrën e qytetit të Prishtinës, mirënjohja për udhëheqjen e vendosur të SHBA-së në bisedimet për paqen është ende e dukshme. Ka një statujë të Bill Clintonit që shikon në largësi, një bust të Madeleine Albrightit dhe një rrugë që është emëruar në nder të Richard Holbrooke, diplomatit të njohur që udhëhoqi ekipin e bisedimeve për zgjidhjen e krizës ballkanike.

Pra, mund të duket çuditërisht që në “Negociatat për paqe”, kreativitetet morale janë të shoqëruara me sarkazëm dhe jo me patos. Personazhi i tipit Holbrooke, Joe Robertson, i interpretuar nga Harald Thompson Rosenstrøm, një norvegjez, nuk është thjesht një “bishë paqeje”, por gjithashtu “një skizofrenik, një Mazarin brutal” që eksitohet nga bisedat e krizave. Njëherësh, ai shfaqet në tryezën e rrumbullakët me pantallona të shkurtra një parzmore lëkure, duke përdorur një flamur të bardhë për të goditur veten. Në fund të shfaqjes, përpjekjet e tij nuk shpërblehen me një statujë, por “me emoji-n e tij të veçantë”.

“Kur lexova memoarin e Holbrooke ‘To end a war’, kuptova se tryeza e bisedimeve ishte gjithashtu një lloj skene”, ka thënë Neziraj në prag të premierës së shfaqjes së tij. “Dhe një skenë dramatike në të cilën aktorët po vepronin në mënyrë mjaft bizare”, duke përfshirë negociatorë që iknin nga bisedimet dhe kufij të rinj politikë që po shkruheshin në peceta letre.

Ai tha se studimi i Marrëveshjes së Daytonit, si dhe Marrëveshjet e Oslo-s nënshkruar mes Izraelit dhe Palestinës në vitin 1993, e kishin zhveshur atë nga iluzioni se bisedimet për paqen ishin biseda të strukturuara udhëhequr nga ekspertë në fushën e tyre.

“Janë fryt i vullnetit të individëve në një moment të caktuar”, ka thënë Neziraj.

Në Kosovë, një shkallë e cinizmit në lidhje me diplomacinë e paqes ishte e pamundur, ka thënë ai, veçmas pas tensioneve që nisën përsëri muajin e kaluar pas një konflikti midis të armatosurve serbë dhe policisë kosovare pranë një manastiri në kufirin me Serbinë. Gjatë provave, Thompson Rosenstrøm pyeti nëse kishte plane të evakuimit në rast se Serbia do të sulmonte. Regjisorja Blerta Neziraj, partnerja e Jetonit, i tha atij se prania e trupave të NATO-s në Kosovë nënkupton se më shumë ka mundësi të ndodhë një invazion rus në Norvegji.

“Lufta nuk mbaron kur ulim armët”, ka thënë Neziraj. “Ne në Kosovë jetojmë në një gjendje pauze, që nuk është luftë, por as një paqe e plotë. Është një atmosferë e frikës dhe pasigurisë, sepse fatura e luftës të viteve '90 nuk është paguar plotësisht”.

Neziraj është i vetëdijshëm për cinizmin e tij dhe “Negotiating Peace” në fund arrin të dalë nga ai. Në pjesën e fundit të shfaqjes, samiti duket si një dështim: besimi në OKB është shkatërruar plotësisht, ka thirrje për një konferencë të dytë të organizuar nga BE-ja. Negociatori kryesor i drejtohet publikut për këshillë për të thyer stagnimin.

Derisa shfaqja bën turne nëpër Ballkan, kompania synon të ftojë dëshmitarë të ndryshëm të vërtetë në skenë. Në Prishtinë, kjo punë i takoi Aida Cerkezit, një korrespondente veterane e “Associated Press” që ka mbuluar rrethimin e Sarajevës, kryeqyteti i Bosnjës. Monologu i saj prej 10 minutash ndryshon atmosferën e shfaqjes.

“Kushti i vetëm për paqen është të sjellësh të gjithë rreth së njëjtës tryezë”, ka thënë ajo pas fundit të shfaqjes. “Dhe t’i ulësh të gjithë rreth së njëjtës tryezë, duhet të dobësohesh ushtarakisht pjesën dominuese. Për sa kohë njëra palë mund të mendojë se mund të fitojë, nuk ka arsye të ulet në tryezën e bisedimeve. Në Bosnjë, ky kusht u plotësua me bombardimet e NATO-s”.

Cerkez e refuzoi idenë e përfundimit të luftës në Bosnjë si një plan për përfundimin e konflikteve të tjera, por tha se ajo kishte mësime gjithashtu. “Paqja nuk është mungesa e konfliktit të armatosur:, ka thënë. “Në Bosnjë jetojmë mungesën e konfliktit të armatosur, jo paqen. Por kjo nuk është asgjë. Është shumë”.

Ndërsa aktorët festonin mbrëmjen e tyre të parë me teke rakie në barin e teatrit, aktori ukrainas, Pastukh, reflektoi mbi situatën në vendin e tij të lindjes.

“Kjo shfaqje më bëri të kuptoja se çdo luftë duhet të ketë një përfundim, por nuk e di si do të funksiononte kjo në Ukrainë”, ka thënë. “Serbia u largua lehtë, dhe si rezultat disa probleme të njëjta tani po shfaqen përsëri. Pas luftës sonë, do të kemi një tjetër Kosovë, apo një Nuremberg?"

A e kishte bërë pjesëmarrja në këtë shfaqje më pesimist ose më optimist për vendin e tij? “Kjo është një pyetje interesante”, ka thënë Pastukh. “Mendoj se më ka bërë më realist. Kurdo që të ketë një marrëveshje për paqen në Ukrainë, ajo do të jetë një zonë gri. Do të ketë disa gjëra pozitive. Por do të ketë edhe disa gjëra negative”.

“Negotiating Peace” do të shfaqet në festivalin e teatrit “Euro-Scene” në Leipzig më 8 dhe 9 nëntor, dhe në teatrin e Pragës më 13 dhe 14 nëntor.

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Enis Bytyqi