Shtojca për Kulturë

Terroristët serbë dhunuan trashëgiminë kulturore të Kosovës

Manastiret nuk duhet të bëhen streha, por as të përdoren si streha të terroristëve. I takon Kosovës që të sigurojë se në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet që imazhi për manastiret ortodokse, si objekte të kultit ku luten serbët lokalë, dhe si objekte të trashëgimisë kulturore me vlera historike, të shndërrohet në imazh të tyre si “strehë për terroristët”. Kosova duhet të bëjë çmos që t’i ruajë manastiret e kishat nga terroristët serbë. Ato janë, sipas ligjit, trashëgimi kulturore e Kosovës.

Në mëngjesin e 24 shtatorit, Kosova u zgjua e shtangur nga terrori serb në Kosovë. Një grup terroristësh serbë, të armatosur deri në dhëmbë, bllokuan rrugën për në Zveçan dhe u strehuan në Manastirin e Banjskës, një prej manastireve të vjetra ortodokse, i ndërtuar në rrënojat e një kishe paleokristiane, dhe në listë të mbrojtjes së shtetit të Kosovës. Pas përleshjes me policinë e Kosovës, terroristët vrasin një polic dhe plagosën disa të tjerë. Më vonë, njësitë speciale të Kosovës marrin situatën në duar dhe vrasin disa pjesëtarë të grupit terrorist e arrestojnë disa të tjerë. Të tjerët ikin. Në grupin e terroristëve dyshohej se kishte edhe politikanë vendorë serbë, të cilët u konfirmuan ditëve të fundit.

Kulmi i politikës etno-nacionaliste të Serbisë

Çfarë simbolizon ky akt terrorist? Ky akt terrorist është kulmi i politikës etnonacionaliste, manipuluese e luftënxitëse të Serbisë. Në këtë akt të planifikuar dhe orkestruar mirë, duket se terroristët kishin zgjedhur qëllimisht manastirin, për t’u strehuar e për ta dhunuar si objekt kulti e trashëgimi kulturore, për ta sulmuar shtetin e sovranitetin e Kosovës. Duket qartazi se ky akt ka pasur për qëllim që ta provokojë Kosovën dhe t’i nxisë shqiptarët kundër kishave dhe manastireve. Ky akt lexohet si akt që ka dashur t’i nxisë shqiptarët, që kanë pranuar Planin e Ahtisaarit me të drejta sui generis për serbët lokalë dhe manastiret e kishat ku luten ata, që t’i sulmojnë ato. Ky akt ka dështuar dhe duhet të dështojë; ky akt nuk mund dhe nuk duhet kurrë të nxitë gulçimin e shqiptarëve kundër manastireve e kishave ortodokse në Kosovë. As tani as kurrë. Asnjëherë. Ato janë pjesë e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Kisha Ortodokse Serbe ka një status të veçantë në Kosovë. Manastiret dhe kishat ortodokse, si objekt kulti dhe objekte historike, janë objekte të trashëgimisë kulturore të Kosovës të mbrojtura me ligj nga shteti i Kosovës. Shumica e tyre nuk ruhen nga policia, sepse nuk cenohet integriteti i tyre. Disa prej tyre, ende ruhen nga Policia e Kosovës, por nuk ka pasur raporte për incidente në dekadën e fundit. Vetëm Manastiri i Deçanit, për arsye absurde, ende ruhet nga një njësi e vogël e KFOR-it te hyrja e tij. Pra, kishat dhe manastiret kanë mbrojtje të veçantë dhe monitorim të veçantë të mbrojtjes. Kjo ka ndodhur për faktin se në vitin 2004, shqiptarët të nxitur e të provokuar, plot gulçim e dalldi, kishin shkatërruar një numër të madh të kishave e manastireve anekënd Kosovës. Kjo ka qenë ngjarje e paprecedentë dhe e dënueshme dhe ka dëmtuar demokracinë dhe besueshmërinë e Kosovës, para qytetarëve të saj dhe para botës. Pa dyshim, më vonë, miliona euro e dollarë qenë shpenzuar për restaurimin e tyre. Pas vitit 2004, 70 për qind e kishave dhe manastireve të dëmtuara, janë restauruar. Prej vitit 2015 deri në vitet e fundit, Kosova ka dedikuar fonde të veçanta për restaurimin e 30 për qind të objekteve të dëmtuara, sipas raportimit të Këshillit të Evropës, por përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, nuk kanë pranuar ato fonde, për arsye të paqena.

Shkatërrimet e marsit të vitit 2004 kanë qenë të tmerrshme dhe gjithmonë duhet të dënohen. Ishte një ndër aktet më të rënda kundër trashëgimisë kulturore të Kosovës, që nga lufta e vitit 1998-1999, kur qindra xhami, shtëpi, librari e objekte historike u shkatërruan nga serbët e forcat e tyre, përfshirë edhe qindra mijëra shtëpi banimi të cilat u përkisnin shqiptarëve. Shkatërrimi dhe dëmtimi i trashëgimisë kulturore kudo dhe kurdo, duhet të dënohet. Por, për trazirat e marsit të vitit 2004, nuk ka pasur një hetim të plotë, as vendor, as ndërkombëtar.

Sa i përket anës ligjore, kishat dhe manastiret kanë zona mbrojtëse të cilat nuk mund të dhunohen. Në Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, 03/L-039, neni 6, pika b), thekson se kufizohen aktivitetet si “tubimet, argëtimi dhe zbavitja publike”. Ky nen i është cituar Kosovës shpesh, sidomos nga zyrtarët e BE-së dhe OSBE-së, për rastet kur fëmijët kanë shitur “lemenka” (pije të gazuara) në zonën mbrojtëse të Patrikanës së Pejës, kilometra larg Patrikanës, por brenda rrethit mbrojtës. Në rastin e fundit, terroristët serbë, dhunojnë trashëgiminë kulturore të Kosovës dhe e përdorin atë si strehë të tyre për të sulmuar shtetin e Kosovës. Manastiri i Banjskës është pjesë e listës së objekteve të mbrojtura me këtë ligj special. Organizatat ndërkombëtare si BE dhe OSBE, që ulen në Këshillin e Zbatimit dhe Monitorimit të zonave mbrojtëse të manastireve dhe kishave të mbrojtura sipas këtij ligji, që ka dalë nga Plani i Ahtisaarit, duhet të dënojnë aktin plotësisht dhe të kërkojnë që të hetohet ky rast, prej Kosovës në bashkëpunim me institucione ndërkombëtare.

Propaganda, shfrytëzimi politik i kishave dhe manastireve

Mund të thuhet, në përgjithësi, se Kosova ka mbrojtur trashëgiminë e saj kulturore, prej kohës kur ka marrë në duar përgjegjësinë, gjegjësisht prej vitit 2012, kur është hequr mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës. Nuk janë raportuar incidente, janë restauruar objektet, ka pasur bashkëpunim solid mes serbëve lokalë, Policisë së Kosovës, Kishës Ortodokse, Ministrisë së Kulturës e shtetit në përgjithësi. Po ashtu, në vazhdimësi, serbët lokalë, ata që nuk janë manipuluar nga elitat politike në Serbi, kanë marrë pjesë në mbrojtjen e ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës, përfshirë gërmimet arkeologjike, siç dëshmohet në rastin e Parkut Arkeologjik të Ulpianës. Kosova ka dëshmuar se do paqen dhe mbron trashëgiminë e saj kulturore, pa dallime. Nga ana tjetër, Serbia ka shfrytëzuar politikisht kishat dhe manastiret në Kosovë dhe ka bërë propagandë të tmerrshme kundër Kosovës në përgjithësi e fushatës për anëtarësim në UNESCO, në vitin 2015, në veçanti.

Duhet ritheksuar se përfshirja e Manastirit të Banjskës në aktin terrorist është e tmerrshme. Megjithatë, institucionet e Kosovës, në bashkëpunim edhe me institucione ndërkombëtare, duhet të hetojnë rastin edhe për faktin se është dhunuar një objekt kulti, që është objekt historik dhe aset i trashëgimisë kulturore të Kosovës. Kosova ka përgjegjësi ndaj këtij aseti sikurse ndaj aseteve të tjera. Po ashtu, duhet theksuar se është mëkat se si nuk kemi asnjë reagim nga UNESCO-ja e organizatat e tjera të mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Akti i tillë duhet të dënohet dhe akterët e lirë, të arratisur nga skena e aktit terrorist, duhet të sillen para drejtësisë.

Kishat dhe manastiret ortodokse – trashëgimi kulturore e Kosovës

Tmerri që kanë shkaktuar terroristët serbë, për banorët lokalë serbë, por edhe për ata lokalë shqiptarë në atë zonë, është tmerr që ka mundur të ndikojë për të keq te shqiptarët. Manastiret nuk duhet të bëhen streha, por as të përdoren si streha të terroristëve. I takon Kosovës që të sigurojë se në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet që imazhi për manastiret ortodokse, si objekte kultit ku luten serbët lokalë, dhe si objekte të trashëgimisë kulturore me vlera historike, të shndërrohet në imazh të tyre si “strehë për terroristët”. Kosova duhet të bëjë çmos që t’i ruajë manastiret e kishat nga terroristët serbë. Ato janë, sipas ligjit, trashëgimi kulturore e Kosovës.

Edhe njëherë: kishat dhe manastiret ortodokse, ku luten serbët lokalë, janë trashëgimi kulturore e Kosovës. Ato janë objekte kulti dhe objekte historike, shumica e tyre në mbrojtje të shtetit. Kosova duhet ta mbrojë trashëgiminë kulturore nga terrori i sponsorizuar i Serbisë. Organizatat ndërkombëtare të mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore duhet ta dënojnë Serbinë për sponsorizimin dhe heroizimin e terroristëve serbë që vranë policin e Kosovës dhe dhunuan trashëgiminë kulturore të Kosovës.

Autori është profesor i antropologjisë dhe trashëgimisë kulturore në Universitetin e Prishtinës.