Shtojca për Kulturë

Teoria trakase dhe serbistët

Pas 1981 nisi kampanja kundër albanologjisë. Së pari lidhur me artikujt për shqiptarët në Enciklopedinë e Jugosllavisë, e pastaj deri në Kongresin VI të komunistëve të Serbisë, ku foli I. Ajeti për prejardhjen ilire të shqiptarëve si çështje shkencore. Diskutime në botimet shkencore zhvilloi auto­ri i këtyre radhëve - 1985, frëngjisht 1986 e më vonë. Kampanja në mjetet i informimit publik e kul­turor në Serbi sidomos ndaj autorëve nga Kosova që flisnin për prejardhjen e lashtë dhe ilire të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe ishte tërësisht politike

Historiani i gjuhës serbokroate dhe ballkanologu më i shquar ndër serbistë, Ivan Popović ( -1961) kishte pohuar ma­dje se shqiptarët do të ke­në ar­dhur në Shqipërinë e sotme pas sh. XIII, ndërsa vendet prej nga mund të kishin ardhur janë të ndryshme, gjithsesi në lindje, përka­tësisht verilindje të Serbi­së. Le t’i shohim pak më përafër idetë e tij të për­mble­dhura si­pas librit “Geschichte der serbo­kroatischen Sprache” 1960. Në atë vepër me gjerësi të madhe ka një nënkapitull me titu­llin Problemi shqi­ptar, autori merrej me çësht­jen e prejardhjes së gju­hës shqi­pe. Në vazh­dën e ideve atëherë më të njo­hura që niseshin nga su­pozimi se ilirishtja ish­te gjuhë e tipit cen­tum, ndërsa shqipja gjuhë e tipit satem, edhe pse Shqipëria e sotme në lashtësi ishte pjesë e Illy­ri­cu­mit, shqipja nuk mund të ishte pasardhëse e ilirishtes, as “një gjuhë e përzier iliro-trakase”, se­pse ilirishtja e trakishtja nuk ishin gjuhë të afra midis tyre (Popović, 1960:79).

Sipas tij, rëndësi të madhe ka pohimi i Wei­gand-it që mje­tet e lun­drimit e të pesh­ki­mit në shqipen janë huazime. “Me këtë, thoshte ai, atdheu i hershëm i parmë ballkanik i shqiptarëve do gje­tur ja­sh­të Shqipërisë së sotme, çka përputhet me faktin se burimet his­torike i përmendin shqiptarët vetëm në sh. XIII”. Argumentimet e Popović-it merrnin vetëm pjesë nga Barić, tërë Weigand-in dhe përsë­riteshin më vonë nga Ivić, Loma e të tjerë.

Në përgjithësi ai mendonte se bregdeti ishte latin (ose i roma­ni­zuar tërësisht), prapadeti ishte ilir në Dalmacinë e sotme, Malin e Zi dhe Shqi­përinë Veriore, në qendër – nga Sirmium e deri te Na­is­sus e afër Scu­pit sërish latin, në lindje (afërsisht Bullgaria e sotme) ishte trakas, ndër­sa i të­rë jugu, afërsisht nga Via Egnatia, grek (përfshirë makedonishten e lash­të). Në veri ishte panonishtja, sërish ilire. Zonat e Dardanisë dhe të Serbisë së sot­me, pra, ishin latinizuar, kështu që shqipja mund të vinte diku nga ve­ri­lindja, pra ishte trakishte, mendonte ai.

Ajo që mund të thuhet me këtë rast është se supozimi për romani­zi­min e plotë të Dardanisë e të Shqipërisë së sotme, ashtu si për grecizimin e Shqipërisë së jugut, megjithë mbi­shkrimet në gjuhët e kulturave të shkru­a­ra, nuk është dësh­muar të ketë qe­­në ashtu i plotë. Ka autorë seriozë që, mbi bazë hulumtimesh arkeologjike dhe historike, mendoj­në të ku­n­dër­tën, ndërsa ekzis­tenca dhe zhvillimi kompleks dialektor i shqipes pi­kë­risht këtë e tho­në. Për she­m­bull, Fanula Papazoglu në studimin e saj për da­llimet për raportet midis Dardanisë dhe Mbretërisë Ilire lidhur me ro­ma­nizimin për hapë­sirën e Darda­nisë së lashtë, nxirr­te këtë përfundim: “Dardania hyn ndër zonat më pak të romanizuara të Ballkanit, ku po­pullsia autoktone është ruajtur më së miri. Për ruajtjen e vetëdijes etnike të dar­­­da­nëve mund të gjykojmë edhe në bazë të përkushtimeve për perënditë dar­dane Dea Dar­daniae dhe Deus Andinus, si dhe në bazë të të dhënës se edhe vendi edhe populli e ruajtën emrin e vet deri në antikën e vonë...” (Pa­pazoglu 1988:145-171, frëngj. po aty 173-199, këtu f. 169).

...supozimi për romani­zi­min e plotë të Dardanisë e të Shqipërisë së sotme, ashtu si për grecizimin e Shqipërisë së jugut, megjithë mbi­shkrimet në gjuhët e kulturave të shkru­a­ra, nuk është dësh­muar të ketë qe­­në ashtu i plotë. Ka autorë seriozë që, mbi bazë hulumtimesh arkeologjike dhe historike, mendoj­në të ku­n­dër­tën, ndërsa ekzis­tenca dhe zhvillimi kompleks dialektor i shqipes pi­kë­risht këtë e tho­në...

Sipas V. Popović-it, shqipja do të trajtohet si pasardhë­se e trakishtes. Atdheu i parmë (Ur­­­hei­mat) i shqiptarëve u dashka gje­­tur në Tra­­kinë veriore, në Ma­kedoni, në Bull­ga­rinë Veri­ore, në Ser­­binë Lindore apo në Ruma­ni; atje shqi­p­­tarët ka­në mun­dur të jenë në kontakt me ru­munët, krejt një­soj, në veri apo në jug të Danubit, se­pse ru­mu­nët ishin në të dy anët. Meqë emra të shpje­gueshëm përmes shqipes në Shqi­­përi nuk ka, të shihen mu­n­dësi të tjera, thoshte Popović-i, dhe drej­tohej tek emrat e përmendur dhe nga të tjerë si Ox­rid: Λυx­νίς/ Λυxνίδoς, Shtip - Astíbos, Άστίβoς, Sharr – Σκάρδoς, Niš: Naissus, etj.

Pavle Ivić (1924-1999), serbist i shquar, dialektolog, fonolog e historian i gjuhës serbe (serbo­kroate) në librin e njohur “Srpski narod i njegov jezik”, Beograd 1971 në shpjegimet e tij për raportet mi­dis gjuhëve sllave të jugut lindore e perëndimore, duke interpretuar tuftat e izoglosave që i dilnin në hapësirën e kufirit midis Serbisë e Bullgarisë e deri në Osogovo e Sharr, rimerrte idenë e ardhjes së sllavëve nga veriu i Danubit aty te Gjerdapi në drejtim të rrejdhave të lumenjve, ndërsa në male mbeteshin të tërhequr paraardhësit parasllavë, pjesëmarrja e të cilëve në prejardhjen biologjike të kë­tyre të pastajmëve mund të jetë më e madhe se sllavja. Këtu ai sillte në mendje idenë e van Wijkut për ndërmjetëzën rumune që i ndante dy degët sllave pikërisht në zonat e Serbisë lindore. Sipas tij, çështja e prejardhjes së gju­hës shqipe mbetet kontraverze. “U tregua se shqipja në asnjë rast nuk është vazhdim i gjuhës së lashtë ilire që është folur në Shqipërinë e sotme (dhe në një pjesë të madhe të Ju­gosllavisë) para pushtimit romak. Thjesht, veçoritë e gjuhës shqipe janë në kundërshtim të rreptë me atë që dihet për ilirishten e vjetër”, f. 27. Si elemente kundërshtimi në këtë drejtim sillte çështjen e mungesës së terminologjisë detare, madje edhe fjalën peshk e kanë të huazuar, thoshte ai; në mes­jetë shqiptarët ishin barinj kontinentalë; nuk ka qytete ku toponimia të jetë trashëguar drejtpërdrejt, por ke­mi Nish, Shtip, Sharr, Ohër, që te sllavët erdhën përmes shqiptarëve; elementet romane të shqi­pes kanë lidhje me të rumanishtes; terminologjia baritore vjen nga një gjuhë e lashtë pararomake dhe gju­­­­ha ku janë krijuar ato shprehje janë të paraardhëses së shqipes. Qëndrime të ngjashme me të I. Po­pović-it, pa i referuar.

Afërsisht me këto ide ai vijonte dhe më prerë në reagimet publike pas vitit 1981. Të themi po ashtu se Memorandumi i ASHSA më 1986 shprehte vlerësimin negativ për “lejimin” që të njësohej emërtimi identitar Albanac, jo më Šiptar/ Albanac, për “lejimin” që të njësohej gjuha, etj. Të tjerët pastaj A. Loma, ndjekin vijat Popović-Ivić, herë më të thelluara, herë më pak, madje as idetë e Barić-it deri në fund.

Katičić-i për prejardhjen e shqipes

Radoslav Katičić (1930-2019), studiuesi që solli përmbledhjen më të ngjeshur dhe më të rëndësishme për gjuhët e lashta të Ballkanit, ishte marrë më shumë se një herë dhe me çështjen e prejardhjes dhe vendin ku është folur shqipja në lashtësi, para dhe pas vitit 1981. Pikëpamjet e tij në hapësirat albanologjike janë bërë të njohura në Kuvendin e ilirëve më 1972. Sipas tij, “është normale dhe e natyrshme që në shqipen të shohim pasardhësin modern të gjuhës ilire” dhe më tej: “Për origjinën trakase të gjuhës shqipe nuk është paraqitur asgjë që do të kishte natyrën e dëshmisë, po vetëm kumulime indiciesh, të cilat, pa e vendosur çështjen, nuk na lënë ta hedhim fare hipotezën trakase”, më në fund: “zona e shqipe përputhet vetëm me territorin që ishte ilir në kuptimin e ngushtë të fjalës”.

Katičić-i iu kthye dhe një herë hapësirës gjuhësore lashtoballka­ni­ke në Kolokuiumin për gjuhët në Perandorinë Romake pas kohës imperiale të vitit 1974. Lidhur me prejardhjen e shqipes dhe të rumanishtes Katičić-i niste me këtë vlerësim: “Me gjithë gjendjen e burimeve, nuk ka asfarë dyshimi se shqipja është shka­­­llë moderne e zhvillimit e një gjuhe të lashtë ballkanike: në shqipen ka, siç dihet, huazime nga greqishtja e lashtë dhe një shtresë shumë të rën­dësishme latine në leksik, që tregon një valë të fuqishme romanizimi. Të dy­ja, mbishtre­sa greke e lashtë ashtu si mbishtresa latine e leksikut, mund të kenë ndo­dhur vetëm në hapësirat ballkanike”.

“Në këtë gjendje të dijes sonë imponohet përfundimi se shqipja është një formë moder­ne e ilirishtes”… “Kështu hipoteza trakase është vetëm një konstruksion interesant dhe supo­zimi për prejardhjen ilire të shqipes mbetet në saje të rrethanave të për­shkruara në fillim alternativa më e besueshme, edhe pse jo e dësh­muar me siguri”.

Arkeologët dhe historianët e Akademisë serbe 1988

Më 1988 në librin për “Ilirët dhe shqiptarët” u shtrua çështja, po çfarë ishin dardanët? A ishin dardanët ilirë? Ka pasur shumë diskutime dhe sot mbisundon mendimi se dardanët ishin ilirë (shih së fundi Mirdita Zagreb 2015). Ka porse një diskutim të vogël që thotë se dardanët ishin ilirë, por dar­danët e shek. X para K. dhe dardanët e shek. IV para K. mund të mos ishin të njëjtit, më herët mund të ishin diçka tjetër dhe ndërkohë u iliri­zuan. Këtu hyjmë në fushën e historianëve dhe nuk kemi mundësi të japim gjykime me vlerë. Por do të themi se mbi këtë bazë është ndërtuar një teori, shih sidomos V. Popović pastaj M. Garašanin, i cili në fillim men­donte ndryshe, pjesërisht F. Papazoglu, që në vitin 1988 botuan librin “Iliri i Albanci”, në të cilin insistojnë të thonë se dardanët të paktën para shek. IV para K., kur e krijuan shtetin e tyre dhe ishin ilirë, mund të kenë qenë diçka tjetër dhe janë pak ndryshe nga ilirët e tjerë.

Fanula Papazoglu, në studimin e përmendur, nisej nga kritika e për­gjith­shme e pikëpamjeve të shkencës shqiptare për ilirët, ku përfshi­hen dardanët, madje dhe peonët. Vërejtja e saj ka të bëjë me bindjen se “midis ilirëve dhe dardanëve nuk mund të vihet she­një barazimi”, Pa­paz­oglu 1988: 143.

Ajo përpiqej të saktësonte se, edhe pse kishte një komponent të padisku­tue­shëm ilir, ata nuk mund të identifikoheshin me ilirët. Për më tepër, ajo vinte në pah gjith­ashtu se, sipas studimeve të vona, në formimin e dardanëve donte njohur dhe një shtresë më e vjetër dako-meze e ndoshta edhe proto­fri­ge. Në kohët historike ajo mendonte se ka pasur dhe ndërfutje ele­men­tesh tra­kase dhe duhet të jetë ky element që do t’ua ketë dhënë aty­re vulën sa i përket strukturës etnike. “Por më shumë se struktura etnike, ajo që i ndan dardanët nga ilirët është zhvillimi politik. Vërtet, nga mo­­menti kur dalin nga parahistoria – ilirët rreth mesit të mijëvjeçarit I para e.r., dardanët pak më vonë, në gjysmën e dytë të shekullit IV – bashkësitë ilire dhe dardane kishin fat qartësisht të ndarë”, Papazoglu 1988: 146. Autorja shënonte se midis Mbretërisë Ilire dhe Mbre­tërisë Darda­ne në jug kufiri i përgjigjej kufirit etnik e politik (lëvizte afërsisht rreth vijës ku kalonte kufiri shqiptaro-jugosllav).

Dhe në fund fare, Papazoglu vinte me këtë qëndrim: “Dardania hyn ndër rajonet më së paku të romanizuara antike në Ballkan, ku popullata autoktone u ruajt më së miri”, Papazoglu 1988:169. Pasi pohonte se vetëdija etnike te dardanët ishte shprehur përmes emrave të cilësuar Daradania, Dar­danus, Dardana, madje edhe Nat(ione) Dardanus, ajo vinte me përfundimin: “Nuk përjashtohet që kjo popullsi ta ketë mbijetuar epokën e depërtimeve barbare dhe të shpërnguljeve të më­dha, si­domos në rajonet më pak të urbanizuara, dhe të ketë hyrë në mesjetë me emrin e Albanëve”, Papaz­oglu 1988: 169.

Në fjalën e hapjes të atij tubimi shkencor, sekretari i Akademisë Ser­be të Shkencave dhe të Ar­teve, shkrimtari aka­demik A. Isaković nuk e fshihte syni­min që përmes këtij libri ajo Akademi të merrte rolin që “çësh­t­jen e shtruar Ilirët dhe shqip­tarët, që në shumë vende është larguar nga ob­jek­tiviteti shkencor dhe e vërteta, ta kthejmë në rrjedhat dhe kon­turat e vërteta shkencore”.

Një faqe më herët tërë çështjen e lidhte me ngjarjet e vitit 1981 në Ko­sovë, sepse: “është fakt i padyshimtë se shkenca shqiptare, e ndihmuar për fat të keq dhe nga disa punonjës shkencorë nga Kosova, shpesh fakteve shkencore u qa­set në mënyrë jokritike, duke i paraqitur njëanshëm, duke heshtur disa syresh dhe duke vënë në plan të parë të tjerat, për të gjetur kështu arsye­tim për aspiratat politike dhe ashpërsim të marrëdhënieve”, Isaković 1988: 5-6.

Fjala është, pra, meqenëse Isaković ishte ve­tëm shkrimtar, për një ori­en­tim programatik për të korrigjuar një shkencë të tërë kombëtare dhe për të hequr bazat për aspirata politike. Natyrisht, duke shpallur të vërte­tën e vet për jopolitike. Dhe duke i parë të gjithë autorët shqiptarë si një, pa diferencime, dhe me aspirata politike.

Vladislav Popović, arkeolog, ndërkaq, nuk i fshihte vlerësimet e tij po­litike, natyrisht, gjithnjë ‘në frymën dhe me mëtesën e objektivitetit shke­n­cor: “...Gjorgje Kastrioti, i quajtur Skanderbeg, i cili iu kundërvu turqve pa kur­sim në rrethana tragjike deri në vitin 1468, dhe të cilit sot në Shqipëri i ngri­hen përmendore, në të vërtetë ishte armiku më i egër i nja­tyre ven­dësve his­torikisht të turbullt të paromanizuar dhe të pahelenizuar, për të cilët shkencëtarët shqiptarë pohojnë se janë ilirë dhe me një guxim gati mre­­kullitar mendojnë se bashkëkombësit e tyre të sotëm janë pasardhës të tyre të drejtpërdrejtë. E parë në këtë dritë, teza ekspansioniste ilire nuk ësh­­të gjë tjetër pos një surrogat bashkëkohës dhe i varfëruar i politikës së gjysmë­hënës turke, i mbështetur fort me jatagan”, Popović.

Dhe më tej përfundimi i tij shtrihej tek ‘ringjallja e ilirëve’ “të trupëzuar në arbanasët, si pro­dhim i hamendësimeve të filologëve të mësuar mirë në shkollat gjer­ma­ne”, Popović 1988: 249-50. Ua njihte cilësinë e shkollave gjer­mane, por studimet shqiptare përpiqej t’i zhvlerësonte tërë­sisht.

Në fjalën e mbylljes, autoriteti i arkeologjisë Milutin Garašanin, stërnipi i Ilija Garašanin-it të famshëm, i cili në një rrëfim të gjerë pak vite para vdekjes më 1996 (Milutin Garašanin, razgovori o ar­heologiji, Beograd 1996, 1) pohonte: “Familja Garashanin ka prejardhje nga Mali i Zi, nga Bjelo­pa­vliqi… Sipas asaj legjende Bošković-ët, pra edhe ne, do të ishin me prejardhje nga Lekë Ka­pedani, gjë që janë përralla”, ai, pra, e shihte të nevojshme të vinte në pah disa vrojtime. Sipas tij, ilirët u kri­juan përmes një procesi të gjatë etnokulturor të rigrupimit, dezin­tegrimit e re­integrimeve të reja fisesh të ndryshme dhe grupacionesh kulturore në Ball­kanin Perëndimor. “Ata u diferencuan gradua­lisht ndër banorët e asaj treve në hapësirën nga Shqipëria e Jugut deri te Përdrini e Drini i Bardhë e deri te Dalmacia e sotme e mesme. Banorët e Posavinës, të bregut verior të Adriatikut dhe të pra­pavijës së tij, dhe posaçërisht të Dardanisë, veço­hen ashpër nga ta. Ata, e sidomos këta të fundit, for­mohen nga një substrat krejt tjetër. Dardanët nuk mund të identifikohen me ilirët”, Garašanin 1988:362.

Natyrisht, nuk linte pa e theksuar lidhjen veriore të tyre me sub­stratin dako-mez. Përfundimi i tij kryesor flet vetiu: “Ngjashëm me vllehtë, mbet­je të popullatës së romanizuar në male, që kën­dej u tërhoq në kohën e dyndjeve të popujve dhe të imigrimit sllav, shqiptarët u krijuan nga mbet­jet e popullatës së paromanizuar paleoball­kanike të atyre trojeve, ndër të cilët me siguri ka pasur edhe mbetje të ilirëve dhe të dardanëve. Me kohë, sidomos në kuadër të lëvizjeve baritore, ndodhi integrimi i nja­tyre ele­menteve fillimisht me prejardhje të ndry­shme që tash në histori hyjnë si popull i ri vetëm në shekullin XI-XII, kur për herë të parë, siç duket, tashmë të formuar, përmenden në burimet bizan­tine dhe sllavojugore. Është e qartë se këtyre elementeve më vonë u bash­ko­hen dhe kompo­nente të tjera, sidomos sllavja, rëndësinë e së cilës në Shqi­përi e dësh­mojnë topo­nimitë”, Garašanin 1988: 366.

Si zgjidhje për etnogjenezën e shqiptarëve ai shihte dy komponen­te: rolin më të madh e kanë luajtur “mbetjet e elementeve të ndry­shme nga substrati i vjetër paleo­ballkanik: ilirë, dakomezë (dar­da­në) dhe tra­kas”; Këto elemente marrin pjesë në formimin e shqiptarëve në ko­hën kur për to nuk mund të flitet si për formacione etnike, po­puj, që u zhdukën ba­shkë me Perandorinë. Por nuk tregonte si qenkan bashkuar këto mbetje pikërisht tek arbanët.

Mendoj se këtu ka një ndikim periudha politike e kohës sonë. Libri në fjalë ishte krijuar pas vitit 1981 kur teoria për prejardhjen ilire të shqi­pes kritikohej me të madhe për arsye politike dhe bile edhe në parathënie thuhej qartë se libri po bëhej kundër ‘pretendi­meve shqiptare’ që edhe ilirët edhe darda­nët paskan qenë ilirë dhe shqiptarët janë pasardhës të ty­re. D.m.th. arsyetimi, i thjeshtësuar, natyrisht, mund të ishte diçka si ky: shqiptarët paskan menduar se nëse themi që edhe ilirët edhe dar­da­nët janë paraardhës të shqiptarëve, Dardania është vendi i shqiptarëve si ilire; kjo mund të për­kthe­hej në rast supozimesh të atilla që arsyeto­hesh­kan pre­tendimet territoriale të shqipta­rëve për Ko­sovën, Dar­daninë. Na­ty­risht, hamendësime të atilla as si thjeshtësime nuk mund të qëndrojnë as në relacionet politike, as në relacionet shkencore, prandaj edhe nuk bë­hen krejt eksplicite. Megjithatë qoftë shqipja pasar­dhëse e ilirish­tes qoftë e dardanishtes, apo e mbetjeve të mjegullta, siç do të donin auto­rët e për­­mendur në (zh)vlerësimet e tyre, ajo është e kësaj hapësire. V. Popović bi­le shkonte edhe më larg me cilësimet e tij: “këta pasardhës të turbullt të po­pullatës së lashtë ballkanike”, “me shpa­tën e gjys­mëhënës erdhën të pushtojnë vendin”.

Më 1968, sulmi ndaj Zef Mirditës në simpoziumin për elementet etnike parasllave në Ballkan pikërisht lidhur me idetë që theksojnë lashtësinë e shqiptarëve në Ballkan, e sidomos të prejardhjes nga ilirët. Pas 1981 nisi kampanja kundër albanologjisë. Së pari lidhur me artikujt për shqiptarët në Enci­klopedinë e Jugosllavisë, e pastaj deri në Kongresin VI të komunistëve të Serbisë, ku foli I. Ajeti për prejardhjen ilire të shqiptarëve si çështje shkencore. Diskutime në botimet shkencore zhvilloi auto­ri i këtyre radhëve - 1985, frëngjisht 1986 e më vonë. Kampanja në mjetet i informimit publik e kul­turor në Serbi sidomos ndaj autorëve nga Kosova që flisnin për prejardhjen e lashtë dhe ilire të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe ishte tërësisht politike. Me të nuk do të merremi me këtë rast.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Kjo kumtesë është version i përmbledhur i asaj që akademik Rexhep Ismajli ka prezantuar në Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike të mbajtur në Tiranë prej 25 deri më 27 nëntor, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Botohet me leje të autorit