Shtojca për Kulturë

Suksesi i “Pa vend” në “Sundance” – ngjitja e radhës në piedestal

Është bërë e zakonshme që në festivalet më të mëdha të filmit, emri i Kosovës të jetë aty. Rasti i fundit: “Sundance Film Festival” me “Pa vend” që ia sjell vendit edhe një trofe nga elita e botës kinematografike. Por, përkthyer në efekte, është edhe një dëshmi e nivelit që ka arritur filmi i Kosovës, ngjitja e radhës në piedestal. Kineastët vendorë e ritheksojnë si rikonfirmim, por edhe si një vjegëz se duhet mbajtur vazhdimësinë

Për të dytin vit me radhë një film nga Kosova ka arritur që të rrëmbejë trofe në “Sundance Film Festival”. Vitin e kaluar histori bëri “Zgjoi”. U bë filmi i parë që rrëmbeu tri çmimet kryesore: çmimin e jurisë, atë për regji dhe çmimin e publikut.

Emri i Kosovës në listën e fituesve figuroi edhe të premten mbrëma kur “Pa vend” mori çmimin e jurisë në kategorinë e filmave të shkurtër. Vazhdimi i triumfeve brenda festivalit të pavarur më të madh në Amerikë, ka gëzuar gjithë komunitetin artistik në vend. Është përshkruar si një konfirmim tjetër i suksesit të filmit të Kosovës. Njohës të kinematografisë kanë theksuar se filmat e regjisorëve kosovarë janë bërë të patejkalueshëm nga përzgjedhësit e programeve në elitën e festivaleve botërore.

Freskia një vale të re kineastësh

Producenti i filmit “Pa vend”, Eroll Bilibani, një ditë pas triumfit, ka thënë se vazhdimësia e prezencës së filmave kosovarë në festivalet prestigjioze dhe freskia e mënyrës së filmbërjes është konfirmimi kryesor për cilësinë e produksionit. Ai gjatë gjithë ditës ka dhënë intervista për mediume të ndryshme në lidhje me suksesin që shënoi filmi i dytë i Karahodës.

Në secilën prej tyre ka theksuar se misioni i tyre kreativ për temën të cilën e kanë trajtuar përfundon pasi që nuk ka më diçka më të madhe se kjo. Kanë arritur atë që nuk kanë mundur ta mendojnë as në ëndrrat më të guximshme. Megjithatë, mbeten me shpresën që personazhet e filmit të mund t’i realizojnë ëndrrat e tyre.

Filmi “docu-fiction” nën regji dhe skenar të Samir Karahodës, është projekt që bazohet në ngjarjet e pjesëtarëve të klubit të pingpongut, të cilët pas pranimit me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Pingpongut e kuptojnë që nuk kanë hapësirë për stërvitje. Kjo situatë i nxit dy entuziastë të mobilizohen për ta riaktivizuar klubin e pingpongut dhe përgatitjet për gara të mëdha ndërkombëtare.

Ngjarja e filmit fillon diku në vitin 2005, duke e dërguar shikuesin në ato ditë kur stërvitjet për zhvillimin pingpongut janë mbajtur vetëm falë entuziazmit të Jeton Mazrekut, Ermegan Kazazit, trajnerit të tyre Rifat Rifati, e shumë të tjerëve. Më pas, “Pa Vend” rikthehet edhe në ditët e sotme, duke vënë në pah ngecjen dhe injorimin e institucioneve karshi sporteve të vogla, solidarizimin qytetar dhe këmbënguljen kundrejt dorëzimit.

Bilibani ka thënë se Karahoda është veç një prej regjisorëve të rinj për të cilët ai e kolegë të tij mendojnë që janë “një valë e re e kineastëve, e për të cilët do të dëgjohet shumë në vitet që vijnë”.

Ka thënë se e kanë fituar këtë epitet për shkak të një sensibiliziteti të veçantë që kanë ndaj tregimeve, personazheve dhe konteksteve socio-politike.

“Vetë suksesi i njëpasnjëshëm në ‘Sundance’ – i ‘Zgjoit’ vitin e kaluar dhe i ‘Pa vend’ këtë vit – dhe prezenca në festivalet më të rëndësishme botërore është konfirmim që Kosova ka një potencial i cili ka filluar të shfrytëzohet nga kjo valë e kineastëve”, ka shtuar Bilibani.

Ka theksuar se Kosova është përplot tregime dhe deri vonë kanë qenë kineastët e huaj që i kanë ekranizuar ato, shpesh duke mos marrë parasysh kontekstin social, kulturor apo politik të vendit.

“Tani, kemi një valë të re të kineastëve – si Samir Karhoda, Blerta Basholli, Norika Sefa (‘Në kërkim të Venerës’), Kaltrina Krasniqi (‘Vera andrron detin’), Leart Rama (‘Four Pills at Night’) e Luana Bajrami (Luaneshat e kodrës) – që janë filmbërës të shkëlqyer që trajtojnë tema komplekse me një ndjeshmëri të shtuar, si ndaj temave, ashtu edhe ndaj personazheve”, ka thënë ai.

Mirëpo nuk janë vetëm regjisorët ata që mbajnë meritat për sukseset e këtyre filmave.

Të paktën “Zgjoi” dhe “Pa vend” përveç suksesit në “Sundance Film Festival” kanë edhe një tjetër të përbashkët: vlerësimin që u është bërë edhe për mënyrën e editimit. Enis Saraçi është emëruesi i përbashkët.

“Enisi është editor edhe i ‘Zgjoit’, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në gdhendjen e rrëfimit dhe në të përçuarit emocion përmes filmit. Enisi dashuron filmat dhe rrëfimtarinë dhe ai është shumë i mirë në këtë dhe askush nuk mund ta mohojë. Po presim që të shohim më shumë punë nga Enisi”, ishte komenti që Basholli kishte bërë me t’u bërë i ditur lajmi për “Pa vend”. Në postimet e saj në rrjete sociale kishte uruar gjithë ekipin e filmit.

Karahoda debutoi si regjisor me dokumentarin e tij “Në mes”. Me këtë projekt për herë të parë e vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të “Berlinales”, një prej festivaleve më të shquara të Kategorisë A, ku u shfaq premierë në shkurt të 2019-s.

Me projektin e dytë filmik, “Pa vend” bëri histori si i pari produksion vendor që garoi për “Palmën e Artë”. “Pa vend” s’e mori “Palmën e Artë”, por la në Cannes emrin e Kosovës. Hapi derë të re për regjisorët vendorë. Ani pse nuk u shpërblye në festivalin ku pati edhe premierën botërore më 16 korrik të vitit të kaluar, u bë filmi i parë nga Kosova që Festivali i Filmit të Cannes e kandidoi për Çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit. Qe filmi i parë i Kosovës i nominuar për filmin më të mirë evropian. Ishte në garë edhe për çmimet e Akademisë Amerikane.

Image
Në shesh-xhirimi të filmit “Pa vend”

Vendi i vogël i festivaleve të mëdha

Se “Sundance” është konfirmim i sukseseve, e ka thënë me shumë bindje edhe Veton Nurkollari, drejtori artistik i Festivalit Ndërkombëtar të Filmave Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”.

“Është konfirmim i sukseseve që kanë filluar këto vitet e fundit dhe ajo më së miri u vërejt sivjet ku gati në çdo festival të madh, selektorët kanë përzgjedhur filma nga Kosova”, ka thënë ai.

Sipas Nurkollarit, suksesi bëhet edhe më i madh kur merret parasysh se nga shumica e këtyre festivaleve, filmbërësit janë kthyer të vlerësuar me çmime.

Festivali i Filmit në Cannes, Festivali i Filmit në Berlin, Festivali i Filmit në Karlovy Vary, Festivali i Filmit në Locarno, Festivali i Filmit në Rotterdam, Festivali i Filmit në San Sebastin, Festivali i Filmit në Tokyo, Festivali i Filmit në Toronto, Festivali i Filmit në Tribeca, Festivali i Filmit në Venecia dhe “Sundance Film Festival” janë veç disa nga festivalet e kategorisë A në të cilët filmat e Kosovës ishin në garë. Në shumicën prej tyre u kthyen edhe me çmime.

Bilibani i cili si Nurkollari është po ashtu pjesë e ekipit të “DokuFestit”, ka thënë se e di se festivalet gjithmonë ndikohem nga kinematografitë të cilat kanë një bum në arenën ndërkombëtare dhe rrjedhimisht, kjo ndikon që të shihen sa më shumë filma nga ato vende.

“Ne i shohim duke shpresuar në zbulimin e ndonjë filmi të veçantë që mundet me u shfaqë për audiencën e ‘DokuFestit’ dhe për pasurimin e katalogut të filmave të programit tonë edukativ ‘DokuLab’. Prandaj, besoj që programerët e festivaleve tani nuk do t’i lënë anash filmat që vijnë nga Kosova, por kjo njëkohësisht mund të krijojë një zhgënjim nëse kualiteti i filmave të prodhuar te ne komprometohet”, ka thënë ai.

Mundësitë e reja të kinematografisë

Bilibani ka thënë se komisionet selektuese dhe vetë Qendra Kinematografike e Kosovës duhet të jetë më kërkuese dhe që kriteret e mbështetjes ta mbajnë një standard të lartë.

Sipas tij, tani Kosova do të jetë cak i produksioneve të huaja për koproduksione eventuale dhe ka shtuar se mendon që edhe këtu duhet të ketë kujdes se më kë bashkëpunohet dhe nga synohet të drejtohet kinematografia vendore.

“Një derë e vogël është hapur falë këtyre gjashtë filmbërësve të guximtë, dhe tani vjen ai momenti 'make it or break it’. Tani që jemi edhe më të pjekur si shoqëri, besoj që do të arrijmë ta shfrytëzojmë këtë momentum dhe të vazhdojmë me sjellë momente të lumtura të gjithëve në Kosovë”, ka thënë ai.

Regjisori Isa Qosja, ka thënë se “Sundance”, por edhe festivalet e tjera gjithandej kanë konfirmuar sukseset e një kinematografie të re që po merr vëmendje të fuqishme në qarqet e kineastëve.

Sipas tij, selektorët e festivaleve tani do të shikojnë nga Kosova për të pasur prurje cilësore në festivalet e tyre.

“Unë mendoj që këtë trend dhe këtë moment duhet ta shfrytëzojmë në kontinuitet për të vulosur imazhin e kineastëve kosovarë në agjenda të përhershme të kinemasë evropiane dhe botërore. Dhëntë Zoti e këtë shpërthim ta dëgjojmë edhe përfaqësuesit institucionalë të Kosovës dhe të qëndrojnë prapa me financa. Aq na duhet tani...! të tjera i kemi...”, ka thënë ai.

Njohja e festivalit “Sundance” me Kosovën kishte nisur në vitin 2012 me regjisoren Blerta Zeqiri. Filmi i saj i shkurtër “Kthimi” u bë i pari film që u paraqit në këtë festival dhe u shpërblye me çmimin për filmi më i mirë i shkurtër. Por pas këtij suksesi, pati rrugëtim të shkurtër në festivale. Kjo, pasi që organizata joqeveritare “Nine Eleven” e udhëhequr asokohe nga producenti Blerim Gjoci, në tetorin e 2012-s e tërhoqi “Kthimin” nga nominimi për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit, i njohur si “Oscar” evropian. Ai kishte kërkuar që të vërtetohej e drejta e pronësisë autoriale mbi filmin “Kthimi”, dhe e kishte paditur regjisoren. Epilogu u mbyll në korrik të vitit të kaluar, duke vendosur përfundimisht në favor të regjisores Blerta Zeqiri.

Festivali ishte cak i Kosovës edhe në vitin 2020. Atë vit në “Sundance” pati premierën “Exil” i regjisorit Visar Morina. Filmi ishte edhe në garë në kategorinë “World Cinema Dramatic Competition”.

“Sundance Film Festival”, historia e të cilit daton që prej vitit 1978, këtë vit – ashtu si vitin e kaluar – u mbajt vetëm online. 84 filma të metrazhit të gjatë dhe 59 të metrazhit të shkurtër u bënë pjesë e edicionit që nisi më 20 janar e përfundon me 30 të këtij muaji.

Imazhi i pasur në botën e filmit

Producenti i filmit “Zgjoi”, Yll Uka, ka thënë se filmi i Blerta Bashollit dhe ai i Samir Karahodës kanë hapur dyer dhe se tani kineastët e rinj do të kenë me të lehtë depërtimin në këtë festival, por edhe të tjera.

“Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit, është një rrëfim që thyen heshtjen, që vë në pah paragjykimet, vështirësitë e një gruaje nga Krusha e Madhe. Tashmë ky rrëfim, që ka në qendër Fahrije Hotin, është ndarë edhe me botën.

Aktorja Yllka Gashi e portretizon Fahrije Hotin. Filmi përcjell një kronologji të jetës së saj. Kërkimin e vazhdueshëm për të gjetur burrin e saj, Bashkimin, të cilin e pa për herë të fundit më 25 mars të vitit 1999. Protestat e saj dhe të familjarëve të tjerë që janë në kërkim të të afërmve të tyre, si dhe boshtin e filmit, luftën e saj për pavarësi. Nisjen e një biznesi të vogël me gratë e Krushës, paragjykimet dhe fjalët e rrethit, janë një anë tjetër e monedhës.

Filmi tregon se si një grua nuk e ka ndërmend të rrijë duarkryq duke pritur. I përvishet punës që t’u sigurojë ushqim fëmijëve të saj. Shikon përpara, ani pse gjërat përreth saj nuk janë të lehta.

Më 21 dhjetor u dha lajmi se “Zgjoi” është në listë të ngushtë për “Oscar”. Kandidati i Kosovës për “Oscar” është i pari filmi tërësisht produksion vendor që ka arritur të hyjë në listë të ngushtë. Rrugën drejt “Oscarit” më herët e kishte shtruar filmi “Shok”. Regjisori britanik, Jamie Donoughue, me filmin me kastë nga Kosova, kishte arritur që të jetë në pesëshen e të nominuarve, në kategorinë e filmave të shkurtër më 2016.

Anëtarët e Akademisë Amerikane të Filmit tashmë veç kanë nisur votimin. 9 mijë e 487 anëtarëve të “Academy Awards” u kanë mbetur edhe katër ditë (1 shkurt ) për të votuar për filmin më të mirë ndërkombëtar. Votimi nisi të enjten.

Ekipi i filmit, nën regji të Blerta Bashollit, është duke punuar në promovimin e filmit dhe së fundmi mbështetje ka kërkuar edhe nga publiku. I është kërkuar të shpërndajë sa më shumë materiale të ndryshme që kanë të bëjnë me filmin “Zgjoi”, në mënyrë që emri i tij të qarkullojë nëpër rrjetet sociale e që do të mundësonte një vizibiletet më të madh.

Më 8 shkurt do të bëhen të ditur 5 filmat e nominuar, kurse më 27 mars pritet të mbahet ceremonia kryesore.

“Në këto kohët e fundit, filmat nga Kosova kanë shënuar shumë suksese dhe atë në festivale shumë prestigjioze. Bota e kinematografisë ka marrë një imazh të pasur të kinematografisë së vendit dhe ka vlerësuar maksimalisht të njëjtën duke i dhënë edhe çmimet kryesore. Kosova ka ende shumë tregime që duhet ekranizuar”, ka thënë Uka.

Ai bashkë me Bashollin veç u kanë hyrë përgatitjeve për filmin e dytë të regjisores. Pritet të shihet se çfarë suksesesh do të sjellë kur projekti, por edhe të tjerët që do të vijnë më pas. Diçka është e sigurt, ashtu siç ka thënë edhe Uka, por edhe njohësit e tjerë të kinematografisë: Kosova veç ka zënë vend në piedestalin e skenës ndërkombëtare të filmit.