Në dokumentet sekrete shqiptare, kryesisht aktet e dosjeve nga ish-Arkivi i Partisë së Punës të Shqipërisë, e cila sundonte me dorë të hekurt dhe në bashkërendim me ish-Sigurimin e Shtetit, portretizojnë anën e panjohur deri më tani të mënyrës se si zhvilloheshin marrëdhëniet kulturore shkencore në relacionet Kosovë-Shqipëri. Këto dokumente konfirmojnë se të gjithë studiuesit shqiptarë të Kosovës dhe të Shqipërisë, në mënyra të ndryshme, vëzhgoheshin nëse mbanin lidhje apo ndonjë qëndrim kundërshtues ndaj linjës së regjimit komunist në Tiranë
Hapja e akteve të ish-Partisë së Punës të Shqipërisë dhe rivlerësimi i njëkohshëm me këtë i një pjese të rëndësishme të historisë së Shqipërisë komuniste, është një kontribut i rëndësishëm për njohjen e plotë e mënyrës së operimit të partisë-shtet dhe të intencës për kontrollimin edhe të punës së elitës intelektuale brenda dhe jashtë shtetit shqiptar. Interesi për ato që ka lënë pas, jo vetëm shërbimi sekret komunist, por edhe ai i PPSH-së vazhdon të jetë vazhdimisht i lartë. Me ndihmën e dosjeve kuptojmë relacionet dhe konfrontimet e intelektualëve me diktaturën e Shqipërisë. Trajtimi dhe prezantimi i përmbajtjes së këtyre dosjeve është në thelb një përpjekje kundër harresës.
Ky punim e vendos fokusin e kërkimit në mënyrat e veprimit të shtetit shqiptar në periudhën e diktaturës komuniste, përkatësisht analizon përmbajtjen e dosjeve të ish-Arkivit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë (PPSH), partisë-shtet, e cila në fakt ishte përtej çdo institucioni shtetëror, ajo ishte syri, veshi, ishte “ligji” i gjithçkaje të Shqipërisë. Këto dokumente shpërfaqin marrëdhënien e veçantë të studiuesve shqiptarëve nga Kosova me pushtetin politik. Elita intelektuale frikësohej nga regjimi dhe observohej me intensitet të lartë dhe në mënyrë permanente shkencore, por gjithashtu ishte i interesuar t’i mbante ata në shërbim të kauzës së tyre ideologjike e partiake. Në anën tjetër, studiuesit vendorë në Tiranë ishin të ndërlidhur me regjimin në shumë mënyra, ndërsa njëkohësisht ishin të vendosur të përdornin kushtet në të cilat gjendeshin për të çuar përpara punën e tyre akademike. Në tërësi, marrëdhënia e elitës intelektuale me pushtetin politik ishin të komplekse dhe kryesisht e zhvendosur midis nënshtrimit dhe simbiozës. Megjithatë, puna shkencore dhe shkrimi i historisë ishte shumë i centralizuar nga shteti komunist. Prandaj, marrëdhëniet midis pushtetit politik dhe studiuesve ishin jo si njëdrejtimëshe dhe statike, por si një ndërveprim kompleks dhe në zhvillim.
Raportet e shtetit komunist me albanologët
Sistemi komunist i Shqipërisë përgjithësisht konsiderohet të ketë qenë një nga më regjimet më represive dhe ideologjikisht të ngurtë në bllokun komunist të Evropës Lindore. Duke pasur parasysh këto kushte dhe faktin se regjimi komunist shqiptar, si kudo në Evropën Lindore, i kushtoi rëndësi të madhe historisë si mjet legjitimimi, është e qartë se historianët dhe shkrimet historike shqiptare i nënshtroheshin një kontrolli të rreptë politik. Për të kuptuar motivet e këtij sistemi duhet të lexosh dosjet, por ato duhen lexuar edhe për të kuptuar se si funksionojnë sisteme të tilla sot. Dosjet ofrojnë një psikologji të pushtetit që fshihet pas qëllimeve të mira, dhe kjo psikologji bën të kuptosh të keqen që fshihet aty brenda.
Në të njëjtën kohë, nga njëra anë, elita intelektuale në periudhën komuniste në Shqipëri si dhe në Kosovë e ndodhur nën vëzhgimin dhe kontrollin permanent të shtetit është përpjekur brenda hapësirës ekzistuese të ruante nivelin shkencor të punimeve të tyre, duke evituar instrumentalizimin dhe manipulimin e krijimtarisë së tyre shkencore dhe në përgjithësi të rezultateve të historiografisë gjatë komunizmit. Përveç kësaj, regjimi në Tiranë bënte përpjekje që edhe në mesin e albanologëve shqiptarë nga Kosova të impononte narrativen nacional-komuniste të Tiranës, e cila në fakt vazhdonte të jetë akoma prezente edhe sot në një pjesë të madhe të studimeve.
Kur analizojmë materialet arkivore të Shqipërisë komuniste, pos që bëhen të dukshme dhe komplekse marrëdhëniet e elitës intelektuale me regjimin, kuptojmë se një pjesë e albanologëve të shquar gëzonin edhe mbrojtjen dhe mbështetjen e veçantë të krerëve të caktuar të Partisë. Njëkohësisht, këto dokumente dokumentojnë gamën e gjerë të angazhimit të regjimi komunist i Shqipërisë për të “lexuar” mendjen e studiuesve shqiptarë nga Tirana, ashtu edhe të atyre nga Prishtina. Në dokumentet sekrete shqiptare, kryesisht aktet e dosjeve nga ish-Arkivi i Partisë së Punës të Shqipërisë, e cila sundonte me dorë të hekurt dhe në bashkërendim me ish-Sigurimin e Shtetit, portretizojnë anën e panjohur deri më tani të mënyrës se si zhvilloheshin marrëdhëniet kulturore shkencore në relacionet Kosovë-Shqipëri. Këto dokumente konfirmojnë se të gjithë studiuesit shqiptarë të Kosovës dhe të Shqipërisë, në mënyra të ndryshme, vëzhgoheshin nëse mbanin lidhje apo ndonjë qëndrim kundërshtues ndaj linjës së regjimit komunist në Tiranë. Leximi i historive të kësaj periudhe na bën të kuptojmë shumë mësime të rëndësishme që vlejnë edhe sot po aq sa në periudhën e errët historike kur jetuan protagonistët e përmendur në këto dosje. Do të doja të theksoja tri prej këtyre mësimeve:
E para, edhe pse në dukje këto marrëdhënie Kosovë-Shqipëri, që në fakt zhvilloheshin në kontekstin e kornizës jugosllave, duket se lulëzonin në periudhën e asaj kohe, ato shoqëroheshin me tensione dhe presione nga të dyja palët, por që për objekt kishin historinë dhe kulturës shqiptare. Përtej emocioneve dhe pasioneve, nganjëherë edhe naive, të besosh se ka një të vërtetë të vetme, një përkufizim absolut dhe një përgjigje të duhur përfundimtare për kompleksitetin e shoqërisë së atëhershme, nuk është vetëm gabim, por edhe qasje joshkencore. Ne jetojmë në një botë në të cilën shpeshherë është e paimagjinueshme mënyra se si kanë operuar qeveritë dhe sistemet e atëhershme komuniste, edhe pse në disa segmente mund të dukeshin se dallonin. Asokohe gjithçka sillej rreth politikës së pushtetit e mendjengushtësisë teknokratike, duke dalë mbi ligjërimet dhe bindjet akademike.
E dyta, leximi i dokumenteve mbi ngjarje dhe personalitetet të atëhershme na ofron informacione të larmishme mbi të cilat mund dhe duhet të zhvillohen debate profesionale mbi normat, vlerat dhe orientimet ideologjike të shoqërive të atëhershme dhe jo si një material për linçimin publik të personaliteteve të caktuara, të cilët asokohe operuan në rrethana jashtëzakonisht komplekse dhe shpesh misionin e tyre emancipues kombëtar e vazhduan përmes një refuzimi të heshtur të çdo presion të autoriteteve të larta politike të kohës. Historia shqiptare mori kthesë të tmerrshme gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe regjimit jugosllav në Kosovë. Megjithatë, jo të gjithë protagonistët e ndoqën pas këtë regjim, sidomos studiuesit kosovarë. Siç shihet edhe nga përmbajtja e këtyre akteve individët, siç është rasti i akademik Ali Hadrit, pranuan të merrnin përgjegjësi personale për një kauzë më të madhe, për interesin shkencor, duke refuzuar pikëpamjet dhe instruksionet e politikës zyrtare jugosllave për instalimin e një relacionin konfliktuoz ndërmjet shkencëtarëve shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë. Ishte një grackë që nuk u pranua, edhe pse kostoja mund të ishte e rëndë dhe për interesin e bashkëqytetarëve të tyre. Kjo është një ndërgjegje dhe kurajë qytetare që i shërbente forcimit të identitetit kombëtar. Jo të gjithë mbajtën qëndrime të duhura. Këtë mund ta shohim me qëndrimet dhe veprimet e tyre që janë manifestuar gjatë ngjarjeve dhe zhvillimeve të mëvonshme në Kosovë. Megjithatë, qëndrimi i tyre është provë që dëshmon pse përgjegjësia individuale është e mundshme dhe thelbësore.
E treta, këtë dokumentacion dhe këto qëndrime duhet lexuar në kontekstin e periudhës dhe të marrëdhënieve të Luftës së Ftohtë, ku vëzhgimi dhe mbikëqyrja e shërbimeve inteligjente nga të gjitha vendet e bllokut komunist ishte permanente, madje merrte edhe nuanca banale. Por, këto ishin praktika të njohura në gjithë kampin e vendeve komuniste, kur askush nuk i shpëtonte syrin të shërbimeve dhe policive sekrete. Në këtë rrethanë, edhe operimi i studiuesve dhe akademikëve nga të dy anët e kufirit shqiptar nuk ishte i lehtë, ata u nënshtroheshin shantazheve dhe instruksioneve që vinin si nga udhëheqja e lartë komuniste në Prishtinë, ashtu edhe nga niveli federativ në Beograd. Në të njëjtën kohë, edhe studiuesit dhe akademikët nga Shqipëria përballeshin edhe me një presion edhe më të madh, pasi ata ishin edhe më të kufizuar dhe më të observuar edhe gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë dhe siç dokumentohet nga përmbajtja e dokumenteve të mëposhtme, në mesin e tyre kishin kuadro që raportonin dhe dërgonin relacione zyrtare për drejtuesit e PPSH-së dhe Sigurimin e Shtetit.

Çfarë përmbajnë aktet e ish-Arkivit të PPSH-së?
Nga fundi i viteve 1960, si rrjedhojë e rritjes së nacionalizmit shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë, marrëdhënia midis albanologëve të Shqipërisë dhe të Kosovës shënuan një fazë të re, e cila pati efekte të mëdha jo vetëm një shkëmbimet akademike, por edhe politike, sidomos në Kosovë ku po krijohej një elitë e re intelektuale. Për dallim nga Kosova, nacionalizmi në Tiranë u bë edhe si një lloj “zëvendësimi i fesë” dhe si rrjedhojë, në mënyrë domethënëse, në vitin 1968, statuja e Stalinit u hoq nga sheshi qendror i Tiranës për t’i hapur rrugë një statuje të Skënderbeut. Ndërkohë, në Tiranë ishte botuar vëllimi i dytë i Historisë së Shqipërisë, që tre vjet më vonë u pasua me konferencën e madhe albanologjike për përkujtimin e 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut. Ndërsa momenti kulmor në Shqipëri he Kosovë, pa dyshim ishte shënimi 100-vjetori i Lidhjes së Prizrenit (1978), që u organizua jo vetëm në Tiranë, por edhe në Prishtinë, ku tashmë prej disa vitesh ekzistonin Universiteti, Akademia dhe Instituti i Historisë. Sipas Arkivit Qendror të PPSH, 14 qershor 1977, Sekretariati i Komitetit Qendror të PPSH, në mbledhjen e tij të datës 14 qershor 1977, pasi shqyrtoi propozimin “Mbi përkujtimin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare, të themeluar në Prizren”

Vendosi:
1. “Me rastin e përkujtimit të 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare, të themeluar në Prizren, gjatë vitit 1978 të zhvillohen në Tiranë e në rrethe aktivitete politiko-shoqërore dhe kulturore-shkencore, kushtuar kësaj ngjarjeje të rëndësishme të historisë së popullit tonë. Për drejtimin dhe për organizimin e gjithë punës, që do të zhvillohet me këtë rast, të krijohet një komision i Frontit Demokratik, i kryesuar nga shoku Ramiz Alia.
2. “Të ngarkohet Akademia e Shkencave e RPSSH të organizojë punën dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve, që do të bëhen në kuadrin e këtij përvjetori.”
Gjatë ngjarjeve përkujtimore historike, kontrolli i regjimit komunist ishte mjaft i dukshëm. Së pari, udhëheqësit e regjimit komunist në Tiranë përcaktuan linjat e interpretimin e duhur shkencor, si dhe glorifikuan figurën e Hoxhës dhe të regjimit komunist. Ngjarjet që e përcollën përgatitjen dhe rrjedhën e konferencën kushtuar Lidhjes së Prizrenit japin një pasqyrë gjithëpërfshirëse për mënyrën e detajuar në të cilën partia-shtet përshkruan dhe shqyrton punën e historianëve shqiptarë të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Në dosjen e ish-Arkivit të PPSH-së (AQSH, F.14/AP, OU, Y.1977, D.27) ekzistojnë shumë akte që konfirmojnë se shteti shqiptar ndiqte me kujdes dhe në mënyrë permanente lëvizjen dhe qëndrimet e studiuesve se kosovarë para dhe gjatë Konferencës Kombëtare për 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që do të mbahej si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë. Nga relacioni e palës shqiptare mbi qëndrimin e delegacionit të punonjësve shkencorë të Shqipërisë në Prishtinë, në përbërje të St. Pollos, Z. Xholi, B. Hoxha, Sh. Ballvora, Th. Murzaka, D. Mehmeti dhe H. Shehu, të cilët ishin të ftuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, në Konferencën shkencore kushtuar 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që ishte mbajtur në Prishtinë me 6-9 qershor 1978, se kishte problem për përmbajtjen dhe titullin e kumtesave të disa studiuesve shqiptarë nga Tirana. Ky relacion saktëson se pritja në kufi me 4/6 ishte bërë nga prof. Ali Hadri, të cilët anëtaret e delegacionit nga Tirana ia kishin bërë të “ditur që atë ditë se nuk do të lejonim t’u bëhej asnjë ndryshim të kumtesave tona e se në rast të kundërt nuk do të merrnim pjesë në Konferencë.”
Në këtë relacion theksohej se kërkesa e palës kosovare drejtuar pjesëmarrësve shkencorë kishte qenë se “titujt e kumtesave bashkë me emrat e kumtesave duhej t’u ishin bërë të njohura atyre që në fund të dhjetorit 1977, ndërsa kumtesat të dërgoheshin deri në 31 mars 1978”.
“Në bisedë Esad Mekuli dhe Idriz Ajeti ishin të preokupuar për çështjet që do të trajtoheshin në kumtesa, për mënyrën e trajtimit dhe formulimit. Ne u thamë se ju e dini si shkruajmë e ç‘shkruajmë ne dhe gjërat që duhen thënë do të thuhen. Ata thanë se ka rëndësi dhe mënyra si thuhen, qoftë dhe formulimi i titujve, sepse ato kalojnë nga instanca në instancë dhe mund t’u dalin vështirësi. Shtuan se s’është fjala për ata vetë, por për reagimet në instance të larta…”
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë