Sociolinguistika, disiplinë gjuhësore tashmë e konsoliduar, është zhvilluar sidomos në vitet e fundit, duke zgjuar interes nga studiuesit që kanë prodhuar rezultate e studime të frytshme, meqë tash shoqëria shihet si pjesë e pandashme e gjuhësisë që ndikon në zhvillimin, pasurimin, ndryshimin e gjuhës. Është një fushë relativisht e re, por mjaft e gjerë studimore për gjuhën në përdorim. Duke qenë fokus i saj relacioni mes gjuhës e shoqërisë, problemet kryesore të cilat i trajton u adresohen ndryshimeve linguistike në grupet shoqërore dhe shtresimeve në situatave komunikuese. Kjo disiplinë pra, merret me studimin e marrëdhënieve mes sjelljes sociale, kontekstit, normave kulturore dhe gjuhës, por edhe me procesin e standardizimit të gjuhëve, i cili zakonisht ndikohet nga elita politike, por natyrshëm lidhet me këtë fushë studimore
Edhe pse funksioni komunikues i gjuhës u ka interesuar gjuhëtarëve qysh në zanafillën e njerëzimit, për shumë kohë, gjuha është parë si diçka e veçuar nga konteksti social. Pra, gjuha dhe shoqëria janë parë të izoluara nga njëra-tjetra. Kjo qasje ka vënë në pikëpyetje saktësinë e studimit diakronik e sinkronik (ndryshimet parametrike në aks kohor e përshkrues), sepse s’janë kundruar diferencat sociale në lidhje me modelimin e gjuhës nga folës përkatësish të dallueshme hierarkisht, qoftë në përditshmëri ose në ndonjë rast më specifik nga i cili buron edhe vetë strukturimi i gjuhës. Por, me studimet më të reja, sidomos pas atyre të nisura nga William Labovi më 1963,‘66,‘72, që konsiderohet si themeluesi dhe pioneri i studimeve të mirëfillta sociolinguistike, është kundruar edhe shkencërisht kjo lidhje e ngushtë mes gjuhës dhe shoqërisë. Me veprën e tij “The Social Stratification of English in New York City” të 1966-s, sociolinguistika mori formën dhe përmasat e një disipline më vete. Në këtë vepër, ai dëshmoi se realizimi i ndryshëm i r-së në pozicion ndërvokalik në New York ndryshon varësisht nga shtresimi social. Kështu, është zgjeruar dimensioni studimor për gjuhën. Tani, ajo shihet si një pjesë e integruar e shoqërisë, si fenomen social që përmban shenja të cilat mund ta ndryshojnë a modifikojnë kuptimin në situata të caktuara, gjë që ka rritur gjerësinë kërkimore të studimeve linguistike.
Variacioni linguistik
Labovi e sfidoi nocionin e variacionit të lirë, duke dëshmuar përmes intervistave me njerëz të moshave të ndryshme se një konfiguracion linguistik është i pranueshëm në një grup shoqëror, por jo domosdoshmërisht në tjetrin. William Labovi thekson rëndësinë e variacionit stilistik në të kuptuarit e ndryshimit të gjuhës. Ai është marrë me studimet e variacionit gjuhësor, varësisht nga ndryshimet me natyrë sociolinguistike dhe ndikimin e tyre në modelimin gjuhësor, duke bërë një lloj inspektimi në stilin e shkujdesur dhe atë formal, si pasojë e ndryshimeve kontekstuale. Ky orientim gjeneron analiza më të zgjeruara të elementeve përbërëse më të spikatura të të folurit, si informacione sociopragmatike që japin material lidhur me etiketimet që mund t’u vihen individëve. E larmia e kodeve gjuhësore e mbështet tezën se një lloj komunikimi i fshehtë mund ta përjashtojë këdo që nuk është pjesë e atij grupi shoqëror, sidomos kur biseda mes folësve është më intime, e shkujdesur dhe e mbushur me fjalë sociolektale.
Studimi i variacionit sociolinguistik i ka rrënjët në dialektologji, pra nuk është një terren i pashkelur, por vijim i studimeve dialektologjike, pas studimit të gjeografisë gjuhësore dhe shtrirjes dialektore. William Labovi qe i pari që e përdori termin variacion linguistik më 1972. Qëllimi i tij nuk ishte vetëm demonstrimi i lidhjes gjuhë-shoqëri, por edhe të dëshmojë se si ndryshimet gjuhësore janë të shpërndara në një shoqëri, se si ato udhëhiqen nga grupet shoqërore. Ai gjithashtu ka konstatuar se sa më i lartë të jetë niveli arsimor në një popull, aq më i ulët do të jetë dallimi në gjuhën e folur joformale. Vepra e Labovit me titull “Language in the inner city”, kushtuar ligjërimit të adoleshentëve, vlerësohet me të drejtë si një nga punimet me të rëndësishme të viteve ‘70. Modeli i tij për analizë të variacionit gjuhësor është aplikuar nga shumë studiues nga e gjithë bota: Fishman, Trugdill, Gumperz, Holmes, Hymes, Wardhaugh etj., të cilët e ndoqën këtë metodë, duke sjellë prurje e shtjellime të reja.
Sociolinguistika, disiplinë gjuhësore tashmë e konsoliduar, është zhvilluar sidomos në vitet e fundit, duke zgjuar interes nga studiuesit me rezultate e studime të frytshme, meqë tash shoqëria shihet si pjesë e pandashme e gjuhësisë që ndikon në zhvillimin, pasurimin, ndryshimin e gjuhës. Është një fushë e re, por mjaft e gjerë studimore për gjuhën në përdorim. Duke qenë fokus i saj relacioni mes gjuhës e shoqërisë, problemet kryesore të cilat i trajton u adresohen ndryshimeve linguistike në grupet shoqërore dhe shtresimeve në situatave komunikuese. Kjo disiplinë pra, merret me studimin e marrëdhënieve mes sjelljes sociale, kontekstit, normave kulturore dhe gjuhës, por edhe me procesin e standardizimit të gjuhëve, i cili zakonisht ndikohet nga elita politike, por natyrshëm lidhet me këtë fushë studimore. Sipas studiueses Janet Holmes, sociolinguistët kërkojnë të shpjegojnë dhe t’i përcaktojnë funksionet shoqërore të gjuhës, mënyrat se si përdoret ajo për të përcjellë përmbajtje shoqërore. Ata merren pra me funksionin e gjuhës në jo si sistem abstrakt, por se si kuptohet më mirë ajo si mjet kryesor komunikimi, kur kihen parasysh: gjinia, mosha, statusi shoqëror etj.
Nocionet si: gjuhë, dialekt, sociolekt, theks, zhargon, regjistër, janë terma që lidhen me varietetet e përdora si prodhime të rrethanave gjeografike, përkatësisht shoqërore ose profesionale. Këta terma tregojnë se gjuha ndryshon prej një grupi shoqëror, gjeografik ose domen, në tjetrin.
Varieteti gjuhësor konform domeneve
Megjithëse përfitimet që i marrim nga gjuha mund t’i vërejmë, një definicion gjithëpërfshirës për të ende nuk është arritur, për shkak të kompleksitetit të strukturës së saj dhe funksioneve të shumta. Gjuhëtarja Sarah Trenholm, e definon gjuhën si një sistem të udhëhequr nga një set simbolesh që ua mundëson përdoruesve të saj të gjenerojnë kuptime, ta përcaktojnë realitetin e definuar sipas tyre. Pra, gjuha na mundëson që konceptet t’i lidhim me shenja konvencionale, të cilat interpretohen dhe janë të shenjuara në bazë të një kontrate të pashkruar. Qasjet studimore ndaj saj kanë zhvilluar e zgjeruar konsiderueshëm, por kurrsesi shteruar, analizën e tipave ndërtimorë të fjalive (në këndvështrim universal e specifik), por edhe shqyrtimin e varianteve të gjuhës si përçuese të ngarkesave emocionale, e që sinjalizojnë një domen, për shembull ndryshe flitet në shtëpi, ndryshe në punë e shkollë. Sipas Holmesit, “varieteti është një term sociolinguistik që i referohet gjuhës në kontekst, pra, një tërësi formash gjuhësore që përdoren në disa rrethana shoqërore të caktuara, që ka përndarje shoqërore të caktuar. Varieteti për pasojë, është një term i gjerë, ku përfshihen shqiptime të ndryshme, stile gjuhësore të ndryshme, dialekte të ndryshme, madje edhe gjuhë të ndryshme, që dallohen mes tyre për arsye shoqërore”. Sipas saj, termi varietet përfshin të gjitha llojet e realizimeve të konceptit abstrakt gjuhë. Pra, variacioni sociolinguistik mund të definohet si një ndryshim gjuhësor brendavariacional ose me ndërrim tërësor kodi, i kufizuar, i lidhur ose i përcaktuar nga faktorët kontekstualë.
Studiuesit Finegan dhe Bieber potencojnë tre komponentë themelorë që përfshihen në të shprehurit gjuhësor: kufizimet në aspektin linguistik, social, individual.
Kufizimet linguistike përfshijnë ndryshimet në aspektin gjuhësor: në atë fonetik, morfo-sintaksor si dhe leksikor (në përzgjedhjen e fjalëve adekuate në varësi të faktorëve kontekstualë).
Kufizimet sociale përfshijnë të dhënat sociale të folësve: gjininë, moshën, statusin dhe rolin që luajnë gjatë diskursit.
Kufizimet individuale janë studiuar më së miri nga Labovi, i cili dëshmoi rëndësinë e shtresimit, ndryshimit socio-ekonomik, nivelit të formalitetit dhe prestigjit në ndërrimin e stilit individual ose mënyrës së të shprehurit gjuhësor.
Gjithashtu, Bieber dhe Finegan përpiqen që t’i cilësojnë subjektivisht disa variante: “përdoruesit e varieteteve linguistike të një gjuhe priren të mbajnë qëndrime të ndryshme ndaj varieteteve, duke i radhitur ato sipas atributeve të bukurisë, të pastërtisë dhe efektit: shumica e këtyre bëhen në mënyrë të pavetëdijshme dhe mund të ndryshojnë me vetëdije”. Sa i përket këtij këndvështrimi, ne pajtohemi me faktin se qëndrimet e folësve ndaj varianteve të gjuhës ndryshojnë, por nuk jemi pro cilësimeve të njërit ose të tjetrit variant si i pastër, i bukur apo i efektshëm, meqë të gjitha mënyrat e të shprehurit krijohen sipas nevojave të folësve dhe nuk mund të cilësohen objektivisht si të pastra ose të bukura. Pra, në secilin prej niveleve gjuhësore ka variacion, që i ofron folësit mundësi mes mënyrave të të shprehurit. Disa varietete favorizohen në situata të caktuara, p.sh. format standarde lidhen më shumë me statusin e lartë dhe për këtë arsye, preferohen më shumë nga gratë, statusi i të cilave konsiderohet si më i ulët në shoqëri.
Krahas përkatësisë shoqërore, mënyra e të folurit e shpreh edhe statusin, personalitetin e atij që flet. John Fisher thotë se njerëzit kryesisht e përdorin një variant jo pse është më lehtë për t’u shprehur ose pse e lehtëson shprehjen e kuptimit denotativ, por sepse shpreh statusin e tyre relativ kundrejt pjesëmarrësve të tjerë të komunikimit. Gjithashtu, dëgjuesit jo gjithmonë janë në gjendje t’i identifikojnë bashkëbiseduesit përmes fjalëve që i flasin, por mund të bëjnë interpretime në lidhje me gjendjen e tij/saj sociale në bazë të mimikave ose tonit p.sh. një person kur flet si grua e klasës së lartë.
Stili gjuhësor – përgjigje ndaj audiencës
Modelimi i stilit gjuhësor buron nga një mori faktorësh kontekstualë që i dirigjojnë përmes një sistemi të ndërlikuar, varësisht nga tipologjia, praktikat e sjelljet gjuhësore. Varësisht se kush është i pranishëm apo dinamika e komunikimit, folësi/ja e organizon diskursin: përzgjedhjet morfosintaksore e leksikore. Ato përcaktohen nga shkalla e vëmendjes që folësit i kushtojnë gjuhës d.m.th. bëjnë një lloj shkrirjeje mjeshtërore të dijes gjuhësore për t’iu përshtatur situatës. Duke e ndërruar stilin, folësit shfrytëzojnë burimet e dialekteve, gjuhëve dhe variacioneve të ndryshme.
Linguisti Alan Bell, i cili vëren se stili është një lloj përgjigjeje ndaj audiencës, e sheh variacionin gjuhësor si burim që shfrytëzohet për ta përcaktuar rolin e tyre në situata dhe ta tregojnë identitetin. Ai, më 2001, e përdori termin dizajn me iniciativë që shihet si një dimension plotësues në përgjigjen ndaj audiencës. Ky nocion shpjegon se gjuha e zgjedhur nuk është e diçka e detyrueshme, por është përgjigje e vullnetshme e folësit, që dëshiron ta shprehë përkatësinë në një grup të caktuar shoqëror. Pra, stilet gjuhësore i krijojnë mundësi folëses ta përcaktojë mënyrën e qasjes ndaj audiencës.
Sociolinguistët dallojnë dy kategori të faktorëve që bashkëveprojnë në stilin linguistik. Të parët janë faktorët gjuhësorë (fonologjikë, morfo-sintaksorë), që e lejojnë ose e ndalojnë aplikimin e variablave të gjuhës. Së dyti janë faktorët jashtëgjuhësorë, që ndahen në dy kategori: Interspeaker (socialë), intraspeaker (individualë). Alan Bell bën një ndarje të qartë mes faktorëve linguistikë që, sipas tij, nuk duhen përzier me ata jashtëgjuhësorë: “variacioni në dimensionin stilistik përbrenda një folësi ndryshon nga variacioni që ekziston mes folësve në dimensionin social”.
Ndryshimet e stilit gjuhësor kanë influencë edhe në studimin më efikas të dialekteve. Sipas Ronald Wardhaughut, “studimi i dialekteve bëhet edhe më i komplikuar bazuar në faktin se folësit mund të përvetësojnë stile të ndryshme të të folurit. Ata mund të flasin formalisht ose joformalisht, varësisht nga rrethanat. Rastet ceremoniale pothuajse gjithmonë kërkojnë të folur shumë formal, ligjëratat publike më pak formal, bisedat e përditshme stil joformal, kurse të folurit me pjesëmarrës që kanë marrëdhënie më intime në bisedat që kanë pak rëndësi stil jashtëzakonisht joformal dhe rastësor. Nivelin e formalitetit mund ta lidhim me shumë faktorë si: llojin e rastit, ndryshimet sociale, moshën dhe dallimet e tjera mes pjesëmarrësve” . Pra, disa stile kanë fusha më të ngushta në zgjedhjen e fjalëve si: rastet ceremoniale, situatat me shkallë të lartë formaliteti ose domenet profesionale. Labovi, i cili, siç është përmendur më lart, ka qenë edhe nismëtar i studimeve sociolinguistike, ka propozuar aksiomën: “Stilet mund të shihen nga vëmendja që i kujtojnë folësit shprehjes së tij” .Sa më shumë vëmendje i kushton folësi zgjedhjes së fjalëve, aq më formal është stili dhe anasjelltas, sa më pak vëmendje i kushtohet stilit gjuhësor, aq më joformal. E Susan Ervin-Tripp është e njohur për studimin e saj për stilin më 1972 dhe thellimin e studimeve për nocionet “alternim gjuhësor”, “bashkëveprim gjuhësor”. Ajo përfshin mënyra të ndryshme të të folurit, dialekte, përzierje të kodit. Kështu, bëhet një lloj përqasjeje mes ndryshimit të stilit brenda një gjuhe me ndryshimin e kodit, që është përdorimi i një gjuhe tjetër.
Ndryshimet dialektore dhe ndërrimi i kodit afektohen nga parametrat kontekstorë dhe këto ndryshime mund të përdoren për efekt retorik, për vëmendje, për t’i bindur të tjerët, për ta treguar identitetin etj. Perspektivat e tilla rinovuese përbëjnë përpjekje konkrete të konvergjencës e kombinimit mes zhvillimit të brendshëm fleksibil e sistemor brendalinguistik dhe orientimit kontekstor e social, me implikimin se çdo bashkësi gjuhësore ka një gamë varietetesh, të cilat përzgjidhen sipas situatës komunikuese.