Shtojca për Kulturë

Spiritualizma shqiptare

Vjersha e Naimit ësht bibla e spiritualizmës shqiptare. E kam provuar vetë me këndim; më kanë thënë edhe të tjerët që e kanë kënduar si unë

Vjersha e Naimit ësht bibla e spiritualizmës shqiptare. E kam provuar vetë me këndim; më kanë thënë edhe të tjerët që e kanë kënduar si unë

Pra Vjershërija e Naim Frashërit — e them përsëri — ësht vetë dora “bibla e spiritualizmës,, së kombit t’onë. N’atë vjershëri do të gjejmë moralitetin (një gjë si besë dhe si fe) e përbashkët përmes feve të ndryshme, për t’u njohur dhe dashuruar vëlla me vëlla në fushën e blertë të lumtëris së përbashkët dhe t’atdheut.

Baba Ali Tomorri

I

Kur ishja i mitur nuk e dija shijen e alkoolit. Këndova vjershat e Naim Frashërit. Ato me dejtnë e më shpunë në horizonte të mbinatyrta. Naimi, jeta e tij, fjalët e tija, m’u duknë si ato ndodhinat ëndërake. Naimin e quajta një shpirt të naltë, një ëngjëll: jeta që kallzoi poezija e tij m’u fytyrëzua si një parajsë; nga shprehimet (expression-et) e tija ndjeva se më fliste një njeri i gjallë, një shënjtor me frymë hyjnore. Atmosfera që më qarkoi — ose së cilës iu avita — ishte krejt e ndryshme. Ajo më la në mes të habisë posi kalamanin në mes të luleve.

II

Kur u bëra madhor, për të parën herë provova të pi disa gota nga vêna e rrushit. Me vonë këtë pije të këndëshme e shijova disa herë duke u dêjtur, duke u larguar nga mendimi real dhe duke jetuar në një qark të çuditshëm, ku s’kishte as një çikës brengë; dhe atje mbretëronte një lumturi e pamasëshme.

Mirë po ajo lumtëri nuk mbajti. Për një herësh iu shterrua fuqija vênës, dhe unë u gjenda në jetën e mëparëshme, në një jetë që nuk kalohet pa peripetit e saj.

Ahere pashë se njeriu nuk i a del dot mb’anë kësaj bote, kuptova se kurdoherë mendimi real nuk të sjell dobsí ç’pandehet, dhe vendosa në minutat e shtërgatës jetnore, t’i afrohem poezis së poetit t’onë të pavdekur, Naimit.

III

E qysh të mos dêjtet njeriu me vjershat e një shpirti të gjallë që të flet sikur e ke aty pranë një të katërt shekulli pas vdekjes së atij që e barti?

Vjersha e Naimit ësht bibla e spiritualizmës shqiptare. E kam provuar vetë me këndim; më kanë thënë edhe të tjerët që e kanë kënduar si unë.

Një njeri me zêmër të dlirë por alkolik, në çastet që gëlltit disa gota me vênë, munt të çpallij se i ësht afruar një fuqije së shënjtë mysterioze; një shqiptar që këndon librat me vjersha të atij poeti pa shok munt të ngulmojë se ka hyrë për së gjalli në tê, dhe e ka parë me sy an-e-kând Parajsin.

Pra Vjershërija e Naim Frashërit — e them përsëri — ësht vetë dora “bibla e spiritualizmës,, së kombit t’onë. N’atë vjershëri do të gjejmë moralitetin (një gjë si besë dhe si fe) e përbashkët përmes feve të ndryshme, për t’u njohur dhe dashuruar vëlla me vëlla në fushën e blertë të lumtëris së përbashkët dhe t’atdheut.

Edhe Perëndija vetë kështu ka urdhëruar që së pari! Por urdhëri i tij “në fjalë, ësht ndërlikuar në shpjegimet e spjeguesve të shumtë. Dhe mbi këtë frazë do të shkruajmë përsëri në këto shtylla shumë herë.

“Illyria”, 4 Kallnduer, 1936, fq. 5

Baba Ali Tyrabiu (1900-1948), i njohur edhe si Baba Ali Tomorri, ishte njëri nga baballarët dhe intelektualët më të shquar të bektashizmit në Shqipëri. I shkolluar në Kozan, ai u inicua si myhib në teqenë e Prishtës, ku më vonë u gradua si dervish. Më 1922, ai e fitoi titullin ‘baba’ dhe mori përsipër teqenë e Kulmakut te mali Tomorr. Fryt i vullnetit dhe aftësive të tij organizative ishin tri kongreset botërore të bektashizmit gjatë viteve ‘20. Pena e tij përherë prodhimtare shkëlqeu duke autoruar libra të vyer mbi historinë e bektashizmit shqiptar, përfetarësinë dhe traditën e këtij urdhri si dhe plot kontribute e artikuj në shtypin e viteve ’30