Shtojca për Kulturë

Spastrim etnik në Kosovë “versus” krim i gjenocidit

Derisa shqiptarët e Kosovës pohojnë se ishin viktima të gjenocidit serb gjatë shekullit XX, veçanërisht në fund të shekullit XX, serbët e mohojnë një gjë të tillë. Meqenëse ka munguar inkurajimi dhe mbështetja e duhur nga vende të fuqishme perëndimore, shqiptarët nuk këmbëngulën shumë në një pranim dhe apologji serbe si parakusht për normalizimin afatgjatë të raporteve ndërmjet dy shteteve të vogla ballkanike. Por diskutimet dhe polemikat e historianëve dhe ekspertëve vazhdojnë. Çfarë ndodhi në të vërtetë në vitet 1989-1999?

Periudha kohore dhe ngjarjet politike që kanë ndodhur gjatë dhjetëvjetëshit të fundit të shekullit XX në Kosovë përbëjnë një nga periudhat më dramatike në kontekstin e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. Krimet e kësaj periudhe ishin tronditëse të parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Debati lidhur me atë ndodhi në Kosovë gjatë procesit të shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë gjatë viteve 1990, mbetet i hidhur dhe i pakalueshëm edhe 24 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë. Shqiptarët e Kosovës pohojnë se ishin viktima të agresionit dhe të gjenocidit të fundit të shekullit XX. Shumë serbë, veçanërisht elita politike, partitë në pushtet dhe ato në opozitë, thonë se në Kosovë nuk pati vrasje masive, ndërsa largimi i një milion shqiptarëve, para dhe gjatë bombardimeve të NATO-s ishte i nxitur nga liderët shqiptarë! Edhe pas më shumë se dy dekadave, elita politike dhe intelektuale serbe e akuzon Millosheviqin jo për luftën dhe krimet e luftës, por për humbjen e luftës. Duke krijuar një kundërnarrativë, që është thelbësore për të mohuar pretendimet për përfshirjen e Serbisë në gjenocid, elita e sotme e shtetit në Beograd, nën drejtimin e Vuçiqit, ish-ministër i Informacionit të Qeverisë së Millosheviqit, është rrekur qëllimisht të barazojë përgjegjësinë kriminale e historike, ose, t’i paraqesë viktimat si autorë kryesorë të krimeve.

Për studiuesit e gjenocidit, pretendimet e shqiptarëve mbeten të dokumentohen krimet dhe qëllimi i agresionit, por kjo nuk është e lehtë pasi qasja në arkivat serbe mbetet selektive për të mos thënë e pamundur përmes kategorizimit të tyre si dokumente sekrete. Fraza brenda Konventës për Gjenocidin, e cila definon çfarë është gjenocidi sipas ligjit ndërkombëtar, e sheh atë si një numër veprimesh që janë kryer me qëllim të shkatërrimit, në tërësi apo pjesërisht, të një grupi mbi baza racore, etnike, fetare apo kombëtare. Kjo është pjesa kyçe që e bën diçka gjenocid. Përpjekjet për të shkatërruar një grup, vetëm pse është grup, vrasja e një njeriu, vetëm pse është anëtar i një grupi, apo nëse kryesi synon të shkatërrojë apo të paktën të eliminojë pjesërisht atë grup.

“Përcaktimi i gjenocidit varet nga aftësia për të zbuluar ose për të konkluduar qëllimin”, pohon Davis Simon, profesor i shkencave politike dhe drejtor i Programit për Studime mbi Gjenocidin në Universitetin Yale.

Ata që konsiderojnë se vrasjet e cilëve në Kosovë qenë të paramenduara dhe të organizuara nga shteti serb, i bazojnë argumentimet e tyre në këto shtylla: veprimet represive të shtetit serb në Kosovë në periudhën 1989-1999, kur shqiptarët u dëbuan nga të gjitha institucionet publike, ekonomike, mjekësore, kulturore, arsimore dhe mediale. Ishte periudha kur përpjekjet e regjimit të Millosheviqit konsistonin në pamundësisë së jetës së shqiptarëve në Kosovë dhe detyrimit të tyre për largim të heshtur drejt vendeve të Evropës Perëndimore. Ishin një varg aktesh të ndryshme represive që po kryheshin në rrjedhën e kryerjes së gjenocidit të heshtur ndaj shqiptarëve të Kosovës. Thënë me fjalët e Raphael Llemkin, studiues në fushën e së Drejtës Penale Ndërkombëtare dhe krijues i termit “gjenocid”, gjatë rrjedhës së kryerjes së gjenocidit mund të kryhen veprime të tërbuara raciste për të shkatërruar identitetin nacional, etnik, racor ose fetar të ndonjë grupi të caktuar. Pasi në vitet 1989-1997 politika e Beogradit nuk kishte pasur sukses në denacionalizimin e shqiptarëve të Kosovës dhe në ndryshimin e raporteve demografike, në vitet 1998-99 vuri në veprim mekanizma objektivë të shfarosjes fizike. Me këtë rast, shfrytëzoi këto veprime gjenocidi: vrasjet masive dhe individuale, torturat fizike psikike, shpërnguljet e dhunshme, përdhunimet seksuale, dhe vendosjen e popullatës civile në kushte të jetesës që shkaktojnë vdekjen (katastrofën humanitare), parandalimin e qëllimshëm të plotësimit të nevojave shëndetësore, ndarjen e dhunshme të fëmijëve nga prindërit, e të tjera. Ishte një sulm i përgatitur me qëllim dhe paramendim, që, plotësisht ose pjesërisht, të shkatërrohej identiteti dhe bashkë me të edhe prania fizike e shqiptarëve në territorin e Kosovës. Pra, sulmi me qëllim gjenocidi nuk ishte i orientuar kundër individëve apo një formacioni të caktuar politik ose ushtarak, por kundër një bashkësie e cila kishte identitetin e vet specifik të dalluar me veti nacionale, etnike, racore ose fetare. Sipas domethënies logjike të nocionit “gjenocid”, mund të konstatojmë se krimi i gjenocidit është bërë ndaj shqiptarëve në Kosovë si grup në tërësi. Nëse thirrja publike për shkatërrimin e identitetit të një grupi të caktuar sipas Konventës së Gjenocidit mund të përfshihet si gjenocid, atëherë në rastin e Kosovës kjo duket shumë e qartë gjatë agresionit ushtarak serb në Kosovë në vitet 1998/99, që si cak kryesor kishte popullatën civile të Kosovës me qëllimin vrasjen në masë, dëbimin dhe ndryshimin e kompozicionit demografik.

“Nëse ju na lini, ne do t’i vrasim të gjithë shqiptarët...”

Sulmi me qëllim gjenocidi ishte pohuar edhe nga vetë Millosheviqi. Sipas dëshmisë në Tribunalin e Hagës të ish-gjeneralit amerikan të NATO-s, gjeneralit Wesley Clark, gjatë një takim të përbashkët, Millosheviqi i kishte deklaruar krejt hapur: “Nëse ju na lini, ne do t’i vrasim të gjithë shqiptarët, ashtu siç i vramë në 1946-n.” (“Waging Modern War- Bosnia, Kosovo, and the Future of Conflict” – September 21, 2002 by Wesley Clark). Ndërsa, zëvendëskryeministri i atëhershëm serb, Vojisllav Shesheli, i cili mori pjesë në mënyrë aktive në krijimin e politikës së Millosheviqit, pati deklaruar: “Nëse NATO-ja vendos të na bombardojë, nëse Amerika vendos të vazhdojë me këtë agresion, serbët do të vuajnë, por në Kosovë nuk do të ketë më shqiptarë”

Deklaratat e dy drejtuesve më të lartë të shtetit serb dhënë qysh në periudhën e Rambouillet zbulojnë qëllimin dhe caqet e doktrinës serbe për dëbimin dhe shkatërrimin e një popullate joserbe, me qëllimin të krijimit të një shtetit të madh, ku shqiptarët nuk kishin të drejtë të ekzistojnë. Duke rikujtuar agresionin e Serbisë mbi Kosovën, ish-sekretari i Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, në librin autobiografik “Interventions: A Life in War and Peace”, thotë se “fushata (serbe) para së gjithash kishte një qëllim: të largojë dhe të vrasë sa më shumë shqiptarë të Kosovës”. Duke i njohur këto ambicie të Serbisë së Millosheviqit, komuniteti ndërkombëtar kishte përgjegjësi për ta mbrojtur popullatën civile (Responsibilyity to Protect) në Kosovë përballë agresionit ushtarak serb.

MST: Çfarë është gjenocidi?

Para se të trajtojmë më tej tematikën e kësaj problematike, është e domosdoshme të bëhet një përshkrim i shkurtër se cila është domethënia e nocionit gjenocid? Fjala “gjenocid” përbëhet nga fjalët greke “genos” (gjini ose fis) dhe “occidere” (për të vrarë, mbytur). Ky nocion është jashtëzakonisht kompleks dhe i vështirë dhe se përmban në vetë domethënie të ndryshme. Fjala gjenocid është kategori e proveniencës morale, e jo vetëm juridike. Fjala “gjenocid” për herë të parë është përdorur në vitin 1944 në librin e juristit polako-hebrej Raphael Lemkin, “Axis Rule in Occupied Europe”, kurse domethënia juridike është definuar në Konventën e KB-së mbi parandalimin dhe dënimin e krimeve të gjenocidit, të miratuar në vitin 1948.

Sulmi me qëllim gjenocidi është sulm ndaj ndonjë grupi të caktuar njerëzor që ka, përveç specifikimeve të tjera që e përbëjnë si grup të veçantë, edhe ndonjë nga këto katër veti të identitetit të tij. Këto veti janë: identiteti nacional, etnik, racor ose fetar. Objekt sulmi nuk janë individët, por grupi me identitetin e vet. Sulmi planifikohet dhe bëhet me qëllim, pra me vetëdije, e kjo do të thotë edhe identiteti i grupit të sulmuar. Çdo sulm me qëllim gjenocidi ndaj grupit tjetër si të tillë ka karakteristikat e veta të posaçme: rrënjët, shkaqet, qëllimet dhe përmasat. Gjenocidi është krim ndaj mbarë njerëzimit, pa marrë parasysh ndaj kujt është bërë dhe sa janë pasojat e sulmit të bërë me qëllim gjenocidi, sepse e dëmton jo vetëm grupin që ka qenë në shënjestër, por edhe tërë njerëzimin. Gjenocidin nuk mund të bëjnë individë ose grupe individësh. Ai është gjithmonë akt i organizuar të cilin e kanë planifikuar, organizuar dhe nxitur një ose më shumë bashkësi shtetërore apo institucione të tyre. Po ashtu, kryerja e gjenocidit nuk kufizohet në ndonjë hapësirë gjeografike ose ndonjë lokacion, lokalitetet ose më shumë lokalitete, por në grupin apo kundër grupit si të tillë

Sulmi me qëllim gjenocidi nuk realizohet vetëm me konflikte të armatosura, megjithëse kjo formë e sulmit me qëllim gjenocidi është më e shpeshtë. Gjenocidi realizohet me çdo formë sulmi me të cilin planifikohet dhe shpresohet se do të shkatërrohet plotësisht ose pjesërisht grupi i sulmuar si i tillë. Sulmi me qëllim gjenocidi nuk është orientuar kundër individëve ose cilësdo bashkësi, por vetëm kundër asaj bashkësie e cila ka identitetin e vet specifik të dalluar me veti nacionale, etnike, racore ose fetare. Për hulumtuesit e gjenocidit, hulumtuesit gjyqësorë dhe gjykatësit që shqiptojnë aktgjykimet, në të cilat konfirmohet se gjenocidi ka ndodhur, “nuk është e domosdoshme të ekzistojë plani i gjenocidit”, por esenciale është që kryerësi të ketë ditur për pasojat e veprës së bërë. Numri i viktimave është relevant për grupin që është viktimë e sulmit me qëllim gjenocidi, kurse për gjyqësi është me rëndësi për përcaktimin e peshës së dënimit. (Muhamed Shestanoviq, “Krimi i gjenocidit dhe krimi i harresës së gjenocidit”, Prishtinë, 2013, fq. 163-173).

Kur është fjala për sulmet e shumta serbe kundër shqiptarëve të Kosovës, në kontinuitetin e qëllimit serb për shfarosjen e tyre në mënyrë permanente ka bërë dehumanizimin dhe denacionalizimin (shkombëtarizimin) e shqiptarëve me qëllim që ta zhdukë identitetin e këtij grupi si i tillë. Me këtë rast, Beogradi, në periudha të ndryshme historike, dhe veçanërisht në vitet 1989-1999, ka shfrytëzuar këto veprime të gjenocidi: vrasjet masive dhe individuale, lëndimet fizike e psikikë, shpërnguljet e dhunshme, parandalimin e dhunshëm të riprodhimit biologjik, ndarjen e dhunshme të pjesëtarëve të familjeve, mohimin e mbrojtjes shëndetësore, mohimin e të drejtës për punë, e të tjera. Intelektuali dhe juristi i njohur serb, Srgja Popoviq, i njohur si kundërshtar i regjimit të Millosheviqit dhe të luftës së tij kundër shqiptarëve të Kosovës dhe një mbështetës i ndërhyrjes së NATO-s në luftën e Kosovës, krimet e regjimit të Millosheviqit ndaj shqiptarëve në Kosovë i kualifikonte si gjenocid, sepse sipas tij, ashtu siç ka vrasje të ndryshme, ka edhe gjenocide të ndryshme dhe se gjenocidi i kryer nga Millosheviqi – që nuk mund të krahasohet me Holokaustin veç pse ai nuk e pati fuqinë për një krim të përmasave të tilla – i plotëson të gjitha kriteret që ekzistojnë në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, e miratuar më 9 dhjetor 1948 nga OKB-ja, ndërsa hyri në fuqi më 12 janar 1951. (Srgja Popoviç, “Serbia tjetër” (3), Prishtinë, 2022, fq. 50-51).

Narracioni nacionalist

Planifikuesit dhe kryesit e krimeve të bëra në vitet 1998/1999 në territorin e Kosovës, kanë provuar që krimet të heshtën dhe të minimizohen, e veçmas u ka interesuar që ato të harrohen, duke deklaruar se të gjithë popujt që kanë luftuar në hapësirën e ish-Jugosllavisë kanë bërë krime. Në Serbi u ka shkuar në interes që të krijojnë një simetri artificiale për atë çfarë ka ndodhur gjatë viteve ‘90. Ishte një përpjekje për të bërë një simetri. Në të njëjtën kohë, në Serbi është punuar në mënyrë sistematike për kultivimin e një narrative nacionaliste dhe viktimizuese. Qëllimi për t’i fshehur krimet nga sytë e botës ka qenë mohimi i çfarëdo përgjegjësie shtetërore në Beograd. Në Serbi i njohin efektet e damkës së gjenocidit për shtetin serb. Prandaj, kundërshtitë janë të përhapura gjerësisht. Në këtë kontekst, bombardimet e NATO-s kundër regjimit të Millosheviqit në mars të vitit 1999 krahasohen me agresionin fashist të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa civilët e ekzekutuar në fshatin kosovar, Reçak (janar 1999) konsiderohen si “viktima të një ngjarjeje ushtarake”.

Përveç kësaj, sulmet raciste ndaj shqiptarëve vazhdojnë të jenë përditshmëri e politikanëve serbë. Nëse ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, një nacionalist primitiv dhe një ish-zëvendës i Mira Markoviqit, e cila ishte shefe e partisë JUL, i përshkruan shqiptarët si “shqiptari”, një term që mund të krahasohet me fjalën “Niger”, që racistët e përdorin për të fyer njerëzit me ngjyrë, kryeministrja serbe, Brnabiq, vitin e kaluar deklaroi se “liderët shqiptarë janë njerëz nga mali”. Janë këta stereotipa të çimentuara në fjalorin e elitës politike serbe që nga fillimi i shekullit XIX.

Gjykimi i Millosheviqit për humbje të luftës

Edhe 24 vjet pas mbarimit të luftës së Kosovës, pjesa më e madhe e shoqërisë dhe elitës politike serbe e gjykon Millosheviqin jo për atë çfarë ka bërë në Kosovë dhe gjetiu, por për humbjen e luftës. Ky glorifikim i luftës shkon deri në interpretimin e krimit mbi shqiptarët si heroizëm apo mohim total të krimeve, një shembull i cili është prezent së fundi edhe në rastin e krimeve ruse në Ukrainë, siç ishte rasti i mohimit të masakrës në Bucha. Një fenomen i tillë e ka evidentuar edhe Misioni i OSBE-së në Beograd, i cili në raportin e fundit (maj, 2022) me shqetësim e ka përmendur shfaqjen e muraleve dhe grafiteve që paraqesin të dënuarit për krime të luftës në Tribunalin e Hagës. Prandaj, Misioni i OSBE-së ka marrë detyrime për mbështetjen e veprimeve për të siguruar përgjegjësi për krime të luftës.

Ndërkohë, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbesin të tensionuara për shkak të kundërshtisë dhe pretendimeve territoriale të Beogradit dhe agresionit diplomatik serb kundër shtetit të ri të Kosovës. Madje, në Beograd kultivohet narracioni se një ditë ushtria serbe do ta “çlirojë” Kosovën. Kjo situatë nuk ka lëvizur përpara as pas dialogut të gjatë të Brukselit, i vazhdon që nga fillimi i vitit 2011, vetëm pak muaj pas opinionit juridik të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se Pavarësia e Kosovës ishte një rast sui generis dhe se “shpallja e saj ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Se cili ka qenë niveli i progresit të dialogut Kosovë – Serbi, i ndërmjetësuar nga BE-ja, 24 vjet pas përfundimit të luftës, sinjikativ është fakti se dy vendet fqinje akoma nuk kanë zgjidhur problemin e targave të makinave e të mos flasim për çështjen e normalizimit të raporteve ndërshtetërore. Si do të dukej sot BE-ja, nëse në vitin 1968, Gjermania dhe Franca ende do të ishin duke diskutuar jo për ngritjen e kapaciteteve institucionale evropiane, por për pamjen e targave të makinave të ndonjë qyteti gjerman në Saarland.

Nga aparteidi te gjenocidi

Qeveria serbe në Beograd qysh në vitet 1980 e kishte paralajmëruar mundësinë e ndryshimit të kompozicionit etnik të Kosovës, gjë që tregon se nuk bëhet fjalë vetëm për aksione ushtarake të viteve 1998/99. Qëllimi për zhbërjen e demografisë shqiptare ishte proklamuar qysh në vitet 1980. Ishin një varg aktesh të ndryshme represive që po kryheshin në rrjedhën e kryerjes së gjenocidit të heshtur ndaj shqiptarëve të Kosovës. Në procesin gjyqësor në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (International Court of Justice – ICJ) në Hagë, pala kosovare deklaroi se vetëm gjatë viteve 1990-1995 mbi 133 mijë shqiptarë u dëbuan nga vendet e tyre të punës, 25 mijë vetë u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe bizneset e tyre u plaçkitën, u vodhën ose u dogjën, 20 mijë u keqtrajtuan, u burgosën ose u bënë objekt të keqtrajtimit, rreth 2 mijë kosovarë u vranë dhe mbi 250 mijë të tjerë emigruan në shtetet e Evropës Perëndimore për shkak të rrezikimit të ekselencës dhe të mbijetesës. Ndërsa ndalimi i shkollave, gazetave, radio-televizioneve kombëtare kishte për qëllimin denacionalizimin, përkatësisht zhdukjen e identitetit nacional. Pushteti serb në Beogradi gjatë kësaj periudhe bëri përpjekje edhe për ndryshimin e mjedisit fizik, duke shkatërruar çdo dëshmi dhe prani të monumenteve kulturore dhe të një civilizimi jo serb. Shkatërrimi sistematik i xhamive ose kishave katolike ishte një veprim i planifikuar që të asgjësonte praninë e gjatë me shekuj të shqiptarëve; shkatërrimin e bibliotekave, shkollave, si dhe të objekteve të ndryshme të trashëgimisë kombëtare shqiptare kishte për qëllim asgjësimin e një kulture, e cila është ruajtur përmes komponentëve kombëtarë të popullsisë. Kjo fushatë, në të cilën shqiptarët jetonin në një sistem aparteidi, synohej të shkatërrohej ekzistenca e shqiptarëve dhe a kulturimi i tyre. Human Rights Watch, në një raport të saj të pasluftës, konstaton se shkatërrimi i pronës civile nga trupat e qeverisë jugosllave/serbe në 1999 ishte i përhapur gjithandej. Kjo organizatë, duke cituar një sondazh të UNHCR-së të nëntorit të vitit 1999, raporton se pothuajse 40 për qind e të gjitha shtëpive të banimit në Kosovë janë dëmtuar rëndë ose janë shkatërruar plotësisht.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë