Shtojca për Kulturë

Sofya Gulyak vulos perfeksionin me koncert të jashtëzakonshëm në Prishtinë

Pianistja Sofya Gulyak ne koncert ne Prishtine

Koncerti në Prishtinë ka qenë kontrasti me “Teatro La Scala” e “Sala Verdi” në Milano, “Salle Gaveau” në Paris, “Konzerthaus” në Berlin, “Walt Disney Hall” në Los Angeles, sallat në Tokio, Washington, Rio de Janeiro e shumë të tjera. Mjeshtërinë, jo veç në interpretim, pianistja Sofya Gulyak e ka shfaqur edhe në përzgjedhjen e programit (Foto: Chopin Piano Fest)

Ajo interpreton në top-skenat botërore, kritika e cilëson pianiste kulmore e shquar për perfeksion. Kësisoj, pianistja ruse, Sofya Gulyak, u dëshmua edhe në koncertin e saj të parë në Kosovë, në “Chopin Piano Fest”, kushtet mbesin nën hije me interpretimin e saj e kësaj i kontribuon edhe publiku. “Disa pjesë mund të jenë më sfiduese, nuk është e lehtë të jesh pianiste e koncerteve. Por audienca ishte e mrekullueshme, shumë e afërt”, ka thënë ajo. “Është një pianiste e jashtëzakonshme, mund të them e kulmit të perfeksionimit të pianizmit botëror. E kemi parë një program që nuk e hasim, nuk e dëgjojmë shpesh”, ka thënë drejtoresha artistike e “Chopin Piano Fest”, Lejla Pula

Koncertet që e ndërtojnë “Chopin Piano Festin” janë kapituj muzikorë më vete. I dhjeti rrëfim me radhë ka qenë me po aq sharmë. Pianistja virtuoze Sofya Gulyak i ka zotëruar në perfeksion kryeveprat e repertorit pianistik. Pos që ka sjellë frymën unike me lojën e saj, publiku në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare ka pasur fatin të dëgjojë ato që janë luajtur për herë të parë në kryeqytet, siç e kanë nënvizuar organizatorët e festivalit ndërkombëtar të muzikës klasike. 

Prejse është bërë i ditur programi i sivjetmë dhe jo vetëm, edhe në edicionet e kaluara, drejtueset e kësaj ngjarjeje ishin kujdesur të sillnin emra të rinj për skenën vendore, por të shquar për atë ndërkombëtare. Muzikantët virtuozë të sallave madhështore që kanë rrugëtuar nëpër botë me bagazhin artistik, i ka sjellë në kryeqytet, në një sallë jo veç modeste, por edhe pa kushte të duhura. Një e tillë që tërheq vëmendjen e publikut në lëvizjen më të vogël gjatë koncertit. 

Super-talentë në fushën e muzikës klasike kanë interpretuar aty për dhjetë koncerte në po të njëjtin podium prej ku udhëheqës institucionesh kanë premtuar kushte më të mira. Rezultati është secili edicioni i radhës e gjen Festivalin me të njëjtën infrastrukturë. Mangësitë janë të dukshme në secilën ngjarje dhe mbetet sfidë kryesore mungesa e një salle të vetme koncertale. Theksohet edhe më kur pianiste të shquara si rusja Gulyak që interpreton në një piano bazike e ulur në stol, zhurma e të cilit ndërhyn në tingujt që ajo luan. 

Koncerti në Prishtinë ka qenë kontrasti me “Teatro La Scala” e “Sala Verdi” në Milano, “Salle Gaveau” në Paris, “Konzerthaus” në Berlin, “Walt Disney Hall” në Los Angeles, sallat në Tokio, Washington, Rio de Janeiro e shumë të tjera. 

Mjeshtërinë, jo veç në interpretim, e ka shfaqur edhe në përzgjedhjen e programit. E mahnitshme ka qenë në interpretimin e “Chaconne” të gjermanit Johann Sebastian Bach dhe italianit Ferruccio Busoni. 

Ritmet ngjajnë aventureske, ndërsa dinamizmi në pjesë të caktuara kërkon shkathtësi e precizitet. Ka ngjarë tejet sfiduese teknikisht. Vrulli në lojën e tingujve dhe pasazhet e pastër e karakterizojnë këtë vepër. Ngjan se tema në “Chaconne” bëhen përherë më komplekse duke u përzier me efekte të ndryshme kompozicionale. Pjesa harmonike pështjellohet me serinë e tingujve bas të përsëritur. 
“Prelude, fugue and variation op.18” e francezit César Franck nis me një lëvizje të ngadaltë që zgjat shkurt. Siç vjen nga emërtimi, ngjan si vepër trepjesëshe. Nga një pauzë e shkurtër i ndan këto “pjesë” brenda veprës. Zhvillimet në të dytën kanë qenë lloje kontrapunktesh midis tingujsh derisa e fundit ka qenë kryesisht me ritme konstante. 

“Nun komm, der Heiden Heiland BWV659” që po ashtu është bashkëpunim ndërmjet Bachut dhe Busonit, ka qenë një lloj gërshetimi i dy rrymave të muzikës klasike nga vendet prej nga vijnë kompozitorët. Sesioni i parë i tingujve melodikë përsëritet herë pas here në vepër. 

Gulyak ka thënë se veprat i ka zgjedhur duke u munduar të bëjë kombinim të larmishëm e unik. 

“Më pëlqejnë kombinimet e ndryshme. Më pëlqen të krijoj programin tim më ndryshe. Më pëlqeu të vendos pjesë nga Bach dhe Busoni dhe patjetër se nuk mund ta kaloj Chopinin kur kemi të bëjë me ‘ChopinFest’, por gjithashtu më pëlqeu të luaj diçka që nuk është luajtur shpesh këtu, siç është ‘Rondo a la Mazur’. Vërtet i dua këto pjesë dhe nuk munda t’i anashkaloj. Duke qenë se Chopin dhe Liszt kishin një lidhje të mirë mendova që në fund të shtoj edhe një vepër nga Liszt”, ka thënë pianistja Gulyak. 
Pjesët sfiduese nëpër veprat që ka interpretuar i ka luajtur lehtësisht me përsosmëri e me shumë qetësi. Ka thënë se ka qenë kënaqësi të interpretojë para publikut të cilin e ka vlerësuar dëgjues të vëmendshëm. 

“Më pëlqejnë kombinimet e ndryshme. Më pëlqen të krijoj programin tim më ndryshe. Më pëlqeu të vendos pjesë nga Bach dhe Busoni dhe patjetër se nuk mund ta kaloj Chopinin kur kemi të bëjë me ‘ChopinFest’, por gjithashtu më pëlqeu të luaj diçka që nuk është luajtur shpesh këtu, siç është ‘Rondo a la Mazur’”, ka thënë Gulyak  (Foto: Chopin Piano Fest)

“Disa pjesë mund të jenë më sfiduese, nuk është e lehtë të jesh pianiste e koncerteve. Por audienca ishte e mrekullueshme, shumë e afërt. Njerëzit janë dukur se e kanë shijuar, kanë qenë shumë të vëmendshëm dhe dëgjues të kujdesshëm. Jam shumë falënderuese për këtë”, ka thënë ajo për KOHËN kur e ka përfunduar koncertin e parë të saj në Prishtinë. 

Në shtator të 2009-s, Sofya Gulyak u nderua me çmimin e parë dhe Medaljen e Artë të Princeshës Mary në Konkursin Ndërkombëtar të Pianos në Leeds ku u bë gruaja e parë në historinë e konkursit që arriti këtë sukses. Që atëherë ajo është shfaqur në të gjithë botën duke marrë vlerësime të larta nga kritika e muzikës klasike. 

Ka fituar çmime në shumë ngjarje prestigjioze për piano me karakter garues. Është fituese e çmimit të parë të “William Kapell International Piano Competition” në SHBA, në “Maj Lind Helsinki International Piano Competition”, në “Tivoli Piano Competition” në Kopenhagë, “Isang Yun International Piano Competition” në Korenë e Jugut, “San Marino Piano Competition”, fituese e “Busoni Competition” në Itali si dhe e çmimit “Marguerite Long Piano Competition” në Francë.
Mban ligjërata në universitete në Kinë, Itali, Australi, Zelandën e Re, Filipine, Meksikë, SHBA dhe Gjermani.

Në pjesën e dytë të koncertit ka interpretuar “Prelude op.45”, “Rondo a la Mazur op.5” dhe “Liszt, Meine Freuden, Maiden’s Wish” të austriakut Friderich Chopin. 

Preludi ngjan në një lloj improvizimi humoresk. Një përmbysje e rrjedhës së tingujve sikur zgjon nga përjetimi i një ëndrre të thellë. 
Drejtoresha artistike e “Chopin Piano Fest”, Lejla Pula, e ka konsideruar pianisten Gulyak si artiste të vërtetë e njeri të veçantë e cila i kishte injoruar totalisht pyetjet për kushte të sallës e për pianon me të cilën do të interpretonte. 

“Është një pianiste e jashtëzakonshme, mund të them e kulmit të perfeksionimit të pianizmit botëror. E kemi parë një program që nuk e hasim, nuk e dëgjojmë shpesh. Janë vepra monumentale, kapitale të literaturës pianistike siç ishte Bach-Busoni, mandej përpunime të tjera si dhe Franck që është dëgjuar për herë të parë, por mendoj se njëjtë ngjan edhe me këtë të parën. Së paku prej vitit 2000 e këndej, pjesa e parë e programit interpretohet për herë të parë”, ka thënë Pula, profesoreshë e pianos. 

Pianisti Andi Duraku i ka theksuar aftësitë e Gulyak në interpretimin e veprave shumë kërkuese. 

“Ishim dëshmitarë të një mbrëmjeje të jashtëzakonshme pianistike. Një program i cili është me kërkesa të jashtëzakonshme i cili u interpretua me një lehtësi të jashtëzakonshme nga një pianiste që ne veçse prisnim të ishte i tillë, por ishte komplet ndjenjë tjetër ta dëgjonim nga afër. Me të vërtetë jam shumë i lumtur që isha sonte prezent ta dëgjoja një koncert të tillë”, ka thënë Duraku. 
Krejt në fund ajo ka interpretuar “Hungarian Rhapsody no.2” të Franz Liszt e cila ka sjellë imazhe magjike nëpërmjet tingujve harmonikë. E ka përmbyllur kështu koncertin në mënyrë romantike duke lënë shije të veçantë muzikore për publikun që koncertet i shijon skutave, ndërsa muzikantët janë kontrasti i krejt rrëfimit.