Filmi lidh dy paralele mes të tashmes dhe vitit 1941, kur në malet e veriut shqiptar bëhej luftë e përgjakshme. Komandanti jugosllav, që luhet nga Adem Karaga, është ndër ata që ka lënë të vdekur më së shumti shqiptarë në këto male. I plagosur përfundon në oborrin e Sofie Lekës, e cila e strehon dhe ia mjekon plagën. Në të tashmen, urrejtja midis dy popujve nuk fashitet dot, por Sofia ia mësynë Shqipërisë me qëllim që të vrasë paragjykimet. Aty lind një dashuri e pamundur me shqiptarin
Në një ambient shtëpie në familjen serbe shikohet ndeshja e futbollit Serbi-Shqipëri e vitit 2014. Në media e kudo kishte bërë goxha bujë. Me brohoritje ishte komentuar në Kosovë e Shqipëri ngritja me dron e flamurit me simbole etnike – por ndryshe shihet ky moment në ambientet e një familjeje. Është skena hapëse e filmit “Sofia”. Familjarëve serbë ky moment goxha ua ngrys fytyrën e shpërthejnë komente negative.
Kryefamiljari i portretizuar nga aktori Bajrush Mjaku u kundërvihet atyre duke thënë se lojtarët serbë u përballen me lloj-lloj fyerjesh para lojës dhe gjatë saj. Ua rikujton atyre historinë e shpëtimit të babait të tij nga një grua shqiptare, tetë dekada më parë. Shton se duhet mençuri dhe zemër e madhe për ta mposhtur urrejtjen. Mosha thotë se ia pamundëson vizitën në Shqipëri – gjë që do t’i mbetej peng për gjithë jetën. Këtë ëndërr s’mundi ta realizonte gjatë kohës së komunizmit në Shqipëri. Por mbesa e tij, Sofia, që në emër mban vulën e një historie shpëtimi këtu e tetëdhjetë vjet më parë, është e bindur t’i shkojë në fund dëshirës së gjyshit. Ajo niset për ta vizituar Tiranën – për të gjurmuar historinë e stërgjyshit të saj që në vitin 1941 u mbrojt nga të huajt në Shqipëri e u vra nga të tijit, sepse nga kulla shqiptare doli me bujari e plis në kokë.
Në filmin “Sofia”, nën regji të Eduart Grishajt, trajtohen dy ngjarje paralelisht të cilat lidhin hallkat e një historie gati shekullore. Filmi i parë i metrazhit të gjatë i Grishajt ka ardhur në kinemanë “Cineplexx” në Prishtinë, dy ditë pasi që është shfaqur premierë në Tiranë. Ekranizimi i kësaj historie i ka rrënjët në librin “Rrno për më tregue” të Atë Zef Pllumit.
Grishaj, pas premierës të premten në Prishtinë, ka treguar për KOHËN se me këtë film ka përcjellë histori reale e ka pasur për synim të nxjerrë në pah anën pozitive të shqiptarëve veçmas për gjeneratat e reja.
Meqë thotë se shumë prej filmave të regjisorëve të huaj trajtojnë më shumë tema si gjakmarrja e vrasjet – “Sofia” e ekranizon mikpritjen si veçori me të cilën shqiptarët nuk bënin kompromis, as kur rëndoheshin nga barra e madhe e dhimbjes dhe paragjykimeve.
“Është një histori që përcjell shumë vlera që tregon se kombi ynë ka pasur virtyte të jashtëzakonshme që fatkeqësisht me kalimin e viteve kanë filluar edhe të veniten, por ato zakone dhe tradita që i kemi pasur unë jam munduar që t’i bëj pjesë të filmit”, ka treguar Grishaj për KOHËN.
Filmi lidh dy paralele mes së tashmes dhe vitit 1941, kur në malet e veriut shqiptar bëhej luftë e përgjakshme. Komandanti jugosllav, që luhet nga Adem Karaga, është ndër ata që ka lënë të vdekur më së shumti shqiptarë në këto male. I plagosur përfundon në oborrin e Sofie Lekës, e cila e strehon dhe ia mjekon plagën. E ushqen pranë zjarrit të kullës së saj të gurtë në malet e Thethit. Për banorët përreth kjo ngjall shqetësim, saqë lajmi i kumtohet edhe fratit të fshatit. Burrat asaj ia kumtojnë se ky ishte vrasësi i birit të Sofie Lekës. Ajo portretizohet në rolin e Rita Gjekës. Ka pamjen tipike të një gruaje malësore. Bindja me të cilën flet, ia përforcon edhe më hijen e një malësoreje. “Shtëpia është e Zotit dhe e mikut”, e përsërit këtë frazë për t’i larguar ushtarët malësorë për t’u hakmarrë ndaj komandantit jugosllav që ajo i bën konak. Në njërën anë vajton të birin e vrarë – në anën tjetër e strehon vrasësin e tij. Në një dhomë me shumë pak dritë, nën zërin kumbues të malësorëve – e vajtimin me dënesë të grave, Grishtaj ka shpërfaqur traditën që e mposht edhe dhimbjen. Këtë histori të shkruar në letër nga komandanti, stërmbesa e tij vjen në Shqipëri për ta gjurmuar. Ajo ka studiuar gjuhën shqipe në Beograd, saqë vështirë dallohet që s’është nga ndonjë vend shqiptar.
Disa pjesë të filmit janë xhiruar edhe në Beograd, por që shfaqja atje, sipas Grishtajt, është e pamundur.
“Ne e xhiruam një pjesë të filmit aty, por fatkeqësisht filmi nuk pranohet që të jepet në Beograd, sepse ata mendojnë që ka nota nacionaliste shqiptare që filmi flet mirë për Shqipërinë dhe jep ca dobësi për Serbinë, por ky nuk ka qenë qëllimi im. Unë kam bërë një film që tregon se Shqipëria është ashtu siç është”, ka thënë ai për KOHËN.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Sofia, që interpretohet nga Rozafa Çelaj, dashurohet në Arbrin, një djalë shqiptar që luhet nga Antonio Kodrinaj, i cili e shoqëron atë gjatë udhëtimit të saj në Shqipëri.
Mikja e tij, moderatorja Arbana Osmani i ndihmon për të gjetur vendin në Shkodër ku prehet Sofie Leka. Pranë varrit të saj të rinjtë vulosin dashurinë e tyre – pa i menduar fort barrierat. S’do shumë mend për të kuptuar se Çelaj është e mishëruar me rolin e filmit. Kjo del në pah në çdo sekuencë të lojës së saj. Për vetë aktoren ky rol ka qenë më ndryshe nga rolet e tjera e goxha sfidues profesionalisht.

“Ka qenë sfidues sidomos në aspektin profesional pasi që më është dashur ta flas edhe gjuhën serbe, të cilën unë nuk e flas dhe më është dashur t’i mësoj disa rreshta përmendsh. Mendoj që në krahasim me rolet e tjera, kjo ka qenë një metodë dhe punë më ndryshe dhe kjo më ka sfiduar”, ka thënë ajo për KOHËN. Lajmet atje kumtohen nëpërmjet këngëve të majëkrahut – kjo e ka integruar në film edhe këngëtarin Nikollë Nikprelaj. Kasta e aktorëve përbëhet edhe nga: Mateo Curri, Agron Dizdari, Vahid Xhankoviq, Angela Halili, Bajrush Mjaku, Tinka Kurti, Çun Lajçi, Bajrush Mjaku, Ilire Vinca e të tjerë.
Aktori Çun Lajçi, që luan rolin e Martinit, në premierë ka marrë me vete edhe librin e tij “Kopilja” për të ngritur një paralele mes tij dhe filmit. Sipas tij, mënyra e ndërtimit të rrëfimit ngjason me atë me të cilën ai pëlqen ta ndërtojë raportin me lexuesit e tij.
“Filmi – mund të jem shumë subjektiv por më ka pëlqyer jashtë mase, sepse jam adhurues i të shkruarit të tillë të romaneve të mia që sapo futem në ngjarje tërhiqem, sepse nuk dua ta lodhi lexuesin që është i ri dhe nuk e njeh vitin apo ndodhinë dhe kaloj në përditshmëri”, ka thënë Lajçi për KOHËN. Tutje e ka vlerësuar filmin sa bashkëkohor, aq edhe klasik, ku aktorët janë bindës në lojën e tyre. Aktorja Adriana Matoshi ka thënë se filmi i ka dhënë shumë emocione dhe ka arritur ta kapë fort lidhjen mes paraleleve kohore ku zhvillohet ngjarja.
“Më pëlqej lidhshmëria e viteve. Historia ishte e rrjedhshme, vija dramaturgjike ishte shumë e mirë, xhirimi i aktorëve fantastik dhe vendet ku është xhiruar filmi të kthente në kohë”, ka thënë ajo për KOHËN.
Filmi “Sofia” pas Prishtinës dhe Tiranës do të ketë disa premiera edhe për diasporën shqiptare.