Shtojca për Kulturë

Skenimi kreativ i Shqipërisë në tranzicionin e habitshëm

Edi Hila

Ansamblimi i këtyre pamjeve nga Edi Hila nuk është imazhineri dosido me vlera dokumentuese të rendit të tretë. Në procesin krijues të artistit, si dhe në gjenezën e pikturave ku regjistrohen fragmentet e gjendjeve të një realiteti lëvizës, që tanimë është zhdukur ose po transformohet, këto pamje e kanë rëndësinë primordiale

Në renditjen ontologjike të ngjizjes së imazheve, letrat e formatit A4 kanë status thuajse primordial në regjistrimin e fenomeneve që paraqiten në to, të realizuara përmes një procesi ku syri, truri, fokuset e kuadrimeve dhe momentet e shkrepjeve të foto-aparatit në dorën e artistit Edi Hila, përbëjnë një zinxhir ingjenioz të skenimit kreativ me pamje nga Shqipëria, si një vend me tranzicion tejet të habitshëm

Ekspozita me skica në letër formati A4 që piktori Edi Hila i ka shfrytëzuar si makete për realizimin e pikturave, nuk është paraqitje publike e zakonshme. Aq më shumë që pikturat tashmë janë parë nëpër galeri e bienale prestigjioze dhe reflektuar dhe komentuar në libra e katalogë. Pastaj, kur dihet se maketet janë fotokopje me ngjyra të kursyera në letër të thjeshtë për dokumente ordinere, dikush do të mund të thoshte se ato qenkan kopje kopjesh të kopjeve, me distancë të madhe nga origjinali.

Por jo, është e kundërta. Në renditjen ontologjike të ngjizjes së imazheve, letrat e formatit A4 kanë status thuajse primordial në regjistrimin e fenomeneve të paraqiten në to, të realizuara përmes një procesi ku syri, truri, fokuset e kuadrimeve dhe momentet e shkrepjeve të foto-aparatit në dorën e artistit, përbëjnë një zinxhir ingjenioz të skenimit kreativ me pamje nga Shqipëria, si një vend me tranzicion tejet të habitshëm.  

Ansamblimi i këtyre pamjeve nga Edi Hila nuk është imazhineri dosido me vlera dokumentuese të rendit të tretë. Në procesin krijues të artistit, si dhe në gjenezën e pikturave ku regjistrohen fragmentet e gjendjeve të një realiteti lëvizës, që tanimë është zhdukur ose po transformohet, këto pamje e kanë rëndësinë primordiale. Kështu që, në opusin e autorit, ato bëhen jo vetëm plotësim, por edhe të barasvlershme me pikturat.

Ka një përputhje ndoshta jointencionale të praktikës së Edi Hilës, me teoritë dhe praktikat e artit konceptual botëror që është afirmuar nga mesi i shekullit 20. Konceptualizmi e ka pasë bartur kuintesencën e arteve pamore nga piktura ose “vepra”, si produkt final i krijimit, tek ideja dhe koncepti që ngjizet në trurin dhe shpirtin e artistit. Koncepti është primar, sepse vetëm në atë stad arti shquhet me kreativitet të pastër, si burim dëlirësie dhe sinqeriteti të pakorruptueshëm kundrejt statusit që arti e ka në botën kontemporane, ku çmohet para së gjithash si vepër e realizuar dhe kornizuar si pikturë, ose artefakt tjetër, pasi që pos vlerave ideo estetike, i nënshtrohet edhe tregut dhe vlerës monetare. Si reagim ndaj komercializimit që e alienon artin, arti konceptuar shquan momentet e dëlirësisë, sinqeritetit dhe  pakorruptueshmërisë së ideve dhe imazheve primordiale.

Nga ky këndvështrim ndriçohet dhe vlerësohet edhe vlera ideo-stilistike e artit të Edi Hilës. 

Autori është filozof, kurator i ekspozitës “A4 Print” të Edi Hilës e hapur në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë