Shtojca për Kulturë

Skënderbeu si Aleksandër i ri

Edhe pse aq i njohur sa ç‘është, shumica e të dhënave që qarkullojnë mbi të prej shekujsh i referohen gjerësisht një biografie të vetëm të asaj kohe, asaj të Marinus Barletius (Marin Barletit) nga Shkodra, instrumentalizimi i Skënderbeut si hero kombëtar shqiptar, pothuajse aspak s’e ka çuar përpara dijen mbi këtë figurë historike

Bregdeti lindor i Adriatikut, në jug të Quiarneos, nuk zë ndonjë vend të rëndësishëm në historinë kulturore të Evropës së shekullit XV. Ndërsa në qytete të veçanta të Dalmacisë, veçanërisht në Raguza, ushtronin ndikim më së shumti humanistët me prejardhje nga Italia, në jug të hapësirës shqiptare mbizotëron një errësirë e thellë. Shqipëria e shekullit XV është e lidhur zakonisht me emrin e Skënderbeut. Edhe pse aq i njohur sa ç‘është, shumica e të dhënave që qarkullojnë mbi të prej shekujsh i referohen gjerësisht një biografie të vetëm të asaj kohe, Marinus Barletius (Marin Barletit) nga Shkodra, edhe instrumentalizimi i Skënderbeut si hero kombëtar shqiptar, pothuajse aspak s’e ka çuar përpara dijen mbi këtë figurë historike. Derisa në dhjetëvjeçarët e fundit, si brenda dhe jashtë Evropës Juglindore, në fokusin e kërkimit shkencor janë vënë strukturat shoqërore e ekonomike të Ballkanit Perëndimor në mesjetën e vonë, hulumtimi për zhvillimin kulturor lë për të dëshiruar.

Qëllimi i këtij punimi është që ta trajtojë kontaktin kulturor arbëror-italian të mesjetës së vonë në Adriatikun qendror dhe jugor. Në qendër të vëmendjes është Shqipëria e mesme, pak a shumë rajoni midis portit të Durrësit në perëndim dhe kufizimit aktual shtetëror shqiptaro-maqedonas në Drinin e Zi në lindje, midis lumit Shkumbin, përgjatë të cilit shkonte rruga e vjetër Via Egnatia në jug, dhe Matit në veri, domethënë në jug të kështjellës Alessio (Lezha). Objekt shqyrtimi është jehona sipas shembullit të epokës së atëhershme të Humanizmit italian. Qasja ndaj temës bëhet në tre hapa: fillimisht jepet skicë e madhe e kushteve të përgjithshme, e rrethanave kulturore e politike në hapësirën e banuar shqiptare të shekullit XV. Pastaj, analizohet rrethi i bartësve të komunikimit kulturor me Italinë e Renesancës. Dhe, në përfundim do të komentohen format e jehonës të antikitetit dhe rëndësia e tyre për stilizimin propagandistik të Skënderbeut.

Përshtatja e aristokracisë shqiptare me sistemin serb

Ashtu si e tërë treva e banuar shqiptare që në pikëpamje gjeografike ishte pikëtakimi i tri rretheve kulturore – bizantin, latin dhe sllav – edhe shtresa fisnike e rajonit prej nga rridhte familja e Skënderbeut, Kastriotët, duhet kuptuar si rezultat i një simbioze kulturore intensive midis sferave të sipërpërmendura të influencës. Kështu qytetet bregdetare, veçanërisht Durrësi, luajtën në vazhdimësi rolin e portës hyrëse ndaj ndikimit italiano-perëndimor. Në veri të hapësirës shqiptare – territori midis Antivarit/Bari dhe rrjedhës së poshtme të Matit me qendër në Shkodër, zonë e cila prej fundit të shekullit XII bënte pjesë në formacionin shtetëror të Nemanjidëve, u evidentuan ndikime të fuqishme sllave, ndërsa në jug – territori i Epirit – u vu re në radhë të parë ndikimi i rrymave kulturore greko-bizantine. Në rrjedhë të shekullit XIV e tërë hapësira e banuar shqiptare në Ballkanin Perëndimor kishte rënë nën sundimin serb, por pa ndryshuar struktura e pushtetit të saj vendor. Aristokracia shqiptare u përshtat me sistemin serb po aq mirë si dikur me atë bizantin. Ajo ishte mësuar që të komunikonte njëlloj me areale të ndryshme kulturore, dhe këtë nuk e shpjegon asgjë më sesa prania e kancelarive shumëgjuhëshe – greke, latino-italiane – të aristokracisë shqiptare. Edhe në vetë fushën kishtare, kufijtë midis dy konfesioneve, të cilat brenda territorit shqiptar kufizoheshin drejtpërdrejt me njëri-tjetrin, nuk dalloheshin aspak qartë.

Kështu rreth mesit të shekullit XV, ipeshkvi katolik i kështjellës së Krujës të Skënderbeut do të nënshkruante në Napoli një dokument në gjuhën greke. Format e simbiozës kulturore gjetën pasqyrimin e tyre institucional në Kishën uniste, e cila u ngrit rreth mesit të këtij qindvjeçari në trevën e Krajës, në bregun perëndimor të liqenit të Shkodrës.

Suksesi i përkohshëm i kësaj kishe është për një konstantë në historinë shqiptare, në një zonë transitore fetare, e cila tërheq vëmendjen për indiferencën e madhe konfesionale.

Pasojat e ideologjisë në shkencën shqiptare dhe jugosllave

Mirëpo, zvogëlimi i ndikimit bizantin e dobësoi kishin ortodokse si institucion: kështu vendin e Mitropolitit të Durrësit e zuri një argjipeshkëv katolik. Dhe këta argjipeshkëv së bashku me klerin katolik të Shqipërisë së Veriut do të luanin një rol vendimtar në luftën e Skënderbeut kundër osmanëve. Për shkaqe ideologjike shkenca shqiptare, por edhe ajo jugosllave e ka lënë mënjanë plotësisht këtë aspekt.

Hapësira shqiptare – ndërmjet Antivarit në veri, Naupaktos/Lepanto në jug, bregdeti Adriatik në perëndim dhe një vijë imagjinare prej Liqenit të Ohrit dhe përgjatë Drinit të Zi në lindje – ishte e ndarë politikisht në tri zona influence: Jugu kryesisht ortodoks dhe principatat e tij të vogla shqiptare dhe italiane u pushtuan pa mund të madh nga osmanët midis viteve 1417 e 1448 dhe u organizuan si një provincë e madhe, sanxhaku Arvanit. Me këtë mori fund jehona e traditës së antikitetit që ishte ruajtur gjer në shekullin XIV – kujtojmë parafrazimin e Homerit nga Konstantinos Hermoniakos – dhe për këtë arsye kjo hapësirë mbetet jashtë vëmendjes. Veriu i hapësirës shqiptare, domethënë zona bregdetare nga Lezha (Alessio) në jug deri sipër në Antivar e më tej në Kotor (Cattaro) në veri, dhe që në lindje shtrihej deri në rrëzë të maleve shqiptare – përfshirë Durrësin si kryeurë e izoluar në Shqipërinë e Mesme – ra nën sundimin e Republikës së Venedikut midis 1392 e 1421. Në lindje të kësaj zone, para së gjithash në pjesën e mbetur të Shqipërisë historike, këtu e quajtur si Shqipëria e Mesme, u ruajtën familjet fisnike, zanafillën e të cilave shpesh që nga koha bizantine – domethënë, nga periudha paraserbe. Kurse, familja e Skënderbeut, Kastriotët, ishin homines novi, të cilët kishin zgjeruar sundimin vetëm pak kohë pas vitit 1400. Durrësi ishte qendra e vetme qytetare e Shqipërisë së Mesme. Kurse Shkodra si vend qendror në veri, që ishte rrethuar nga një mori qytetesh më të vogla, me ipeshkvi të varfra, por me traditë të pasur. Kjo strukturë urbane pati një rëndësi të padiskutueshme në pranimin e mendimit kulturor të antikitetit. Për jetën e oborreve të vogla të familjeve fisnike në Shqipërinë e Mesme, nuk dihet asgjë, dhe një hipotezë do të ishte transmetim në Shqipërinë e Mesme i krijimtarisë poetike popullore greke të familjes Tocco të Despotëve të Janinës.

Kjo të çon te pyetja tjetër mbi premisat shoqërore e ekonomike të jehonës së traditës së antikitetit dhe përçuesve potencialë të transmetimit kulturor. Në Shqipërinë e mesjetës së vonë, tregtia dhe ekonomia gjendeshin kryesisht në duart e tregtarëve venedikas e raguzianë. Vendësit, qofshin shqiptarë, sllavë, romanë apo grekë në sistemin ekonomik kishin marrë funksione të larta për furnizimin me lëndë të para ose të transportimit të mallrave në nivel rajonal. Familjet patrice, të cilat ekzistonin në qytetet e veriut dhe në shumë aspekte – si për shembull përpjekja për një serrata (vetëdiferencim) – ndiqnin shembullin e homologëve të tyre venedikas, në pjesën të tyre ishin të varfra. Të shkruarit dhe arsimimi ishin përqendruar te noterët e qyteteve, shpesh të huaj dhe kryesisht italianë; por po shtohej presioni i vendësve, që donin të shtinin në dorë këtë nyjë kyç të pushtetit komunal. Siç dihet, noteri kryente edhe mësimdhënien në shkolla. Kush kishte mundësi ekonomike – dhe të tillë ishin tepër pak edhe në elita – i dërgonte fëmijët në shkollat më të mira në Dalmaci.

Bartësit e shkrimit në Shqipërinë mesjetare

Shumë pak dihet mbi shkruesit e kancelarive të zotërinjve fisnikë në fshat gjatë shekullit XV. Megjithatë, si shtresë bartëse e mirëfilltë e të shkruarit duhet konsideruar kleri, dhe për zonën e interesuar, veçanërisht kleri katolik.

Është për të shënuar se po ashtu si për shtresat laike, materialet burimore janë jashtëzakonisht të varfra. Nga statutet e ruajtura rastësisht të kryekatedrales së qytetit të vogël të Drishtit, del se kanonikëve u kërkoheshin njohuri të gramatikës latinishte. Një studim i hollësishëm i bartësve të shkrimit në Shqipërinë mesjetare, tregon se klerikët drishtianë luajtën një rol vendimtar në pranimin e trashëgimisë intelektuale antike prej Italisë dhe në krijimin e një portreti të Skënderbeut të orientuar sipas modeleve të antikitetit.

Në shikim të parë kjo duket e habitshme, sepse Drishti ndodhet larg dhe vetë rrugëve tregtare ndërballkanike, në hyrje të një lugine lumore, që të çon drejt malësisë shqiptare të veriut. Por, deri në pushtimin turk të vitit 1478, në Drisht ishte ruajtur një qytetari ballkano-romake, e cila në shekullin XV zbuloi rrënjët e saj “romake” dhe e përdori këtë për t’u veçuar prej popullsisë shqiptare e sllave të krahinave përreth, si dhe prej qyteteve fqinje, veçanërisht Shkodrës (Skutari). Një element i dytë themelor që nxiste jehonën (pranimin) e traditës së antikitetit ishte katolicizmi i theksuar i Drishtit, që luante rolin e bastionit të kishës perëndimore në kufirin kishtar me ortodoksinë dhe me kishën e boshnjakëve. Pozita kufitare etnike dhe fetare nga njëra anë, dhe mbizotërimi i familjeve të vjetra të Kanonikëve në qeverisjen e qytetasve nga ana tjetër, krijuan kushtet e veçanta për hapjen e qytetit ndaj ndikimeve që vinin nga Italia. Kësaj i shtohet edhe fakti, që varfëria e Drishtit detyroi shumë qytetarë të tij të emigronin qysh herët dhe me ç’rast Raguza, por edhe Venediku ishin destinacionet më të preferuara; ajo që bie në sy është veçanërisht numri i madh i klerikëve drishtianë, të cilët u vendosën përfundimisht në dhe të huaj, por që nuk i ndërprenë lidhjet me vendlindjen. Prej Drishtit dhe Shkodrës, e cila ndodhej më afër, që të dy nën administrimin venedikas në shekullin XV, rrjedhin edhe ata autorë që hartuan tekstet, të cilave u kushton vëmendje punimi në vijim.

Pal Engjëlli si prijës në shoqërinë shqiptare

Si figurë e shquar shfaqet Pal Engjëlli (Paul Angelus), pjesëtar i një dere të vjetër patricësh drishtianë. Si shumë bashkëqytetarë të tij, ai u largua nga vendlindja si klerik i ri dhe shkoi në Durrës, porti i rëndësishëm i Shqipërisë, i cili administrohej nga Venediku që prej 1392-s. Durrësi ishte i njohur edhe në Venedik për shkak të ndërtimeve dhe statujave të tij të shumta antike. Fillimisht si arqixhakon dhe prej vitit 1460 si argjipeshkëv, Pali mori një rol prijës në shoqërinë shqiptare. Tashmë ishte krijuar një traditë dekadash, që Skënderbeu përdorte priftërinj katolikë, para së gjithash abatë të manastireve të Shqipërisë së Mesme dhe asaj Veriore, për mbarëvajtjen e marrëdhënieve me Italinë. Por, askush prej tyre nuk arrin formatin intelektual të Pal Engjëllit. Për shkollimin e tij dihet shumë pak, thuhet se ai ka mësuar greqisht në Konstandinopojë; njohuritë latinisht do t’i ketë marrë qysh në Drishtin e tij të vendlindjes. Udhëtimet e shumta në Itali, në Romë, Napoli, Milano dhe Venedik i krijuan atij mundësinë që mbi bazën e njohurive të fituara të merrte kontakt të drejtpërdrejtë me rrymat e reja intelektuale në Itali gjatë viteve 1460. Mjerisht nuk ekzistojnë hollësi të mëtejshme mbi vizitat e tij te Papa Piu II, te Ferrante i Napolit, te Francesco Sforca dhe në qytetin Lagunor (Venedik), para senatit të të cilit ai u paraqit disa herë; kështu nuk dihet asgjë tjetër përveçse kontakteve politike të tij. Por nëse vështrohet nga afër vepra e kryeipeshkvit, e cila paraqitet unike në kuadrin e krijimtarisë intelektuale të deritashme në vendlindjen e tij, dhe nëse kihet parasysh koha kur u shkrua vepra, kohë e cila korrespondon me dekadën më të ngjeshur me udhëtime të jetës së tij midis viteve 1460 dhe 1469, atëherë fiton besueshmëri supozimi se prifti drishtian do të ketë marrë në Itali stimulime të rëndësishme intelektuale. Edhe në vetë Shqipërinë ai gëzonte reputacion shumë të madh: njerëzit e quanin atë orakulli i shqiptarëve, dhe biografi i Skënderbeut, Marin Barleti, e krahasonte Palin me Achates.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Ky studim është botuar te F. Fuchs (Hrsg.): “Osmanische Expansion und europäischer Humanismus” (Pirckheimer Jahrbuch Bd. 20). Wiesbaden, 2005, fq. 123-144. Fusnotat janë hequr nga redaksia dhe janë shtuar mestitujt. Përktheu nga gjermanishtja: Sylë Ukshini\

https://www.koha.net/shtojca-kulture/273207/shqiptaret-e-privilegjuar-ne-venedik/