“Sing for Gold”, titullohet gara botërore e koreve në Spanjë ku “Siparantumi” i Kosovës pret të artësohet me medalje, por tashmë e ka shtruar rrugën e artë të shpalosjes së identitetit nëpërmjet muzikës e rrëfimeve që përthekohen në vepra. Atje shpalos histori, thyen paragjykime, krijon një tjetër imazh midis shteteve që e njohin e s’e njohin Kosovën por që tash, kultura e zëri i saj nuk janë të heshtura
Dirigjenti Memli Kelmendi ka dalë nga salla e Konservatorit të Muzikës në Barcelonë me çehre që tregon krenari e njëkohësisht mban veshët katër për ndonjë koment në raport me performancën e ansamblit koral që e udhëheq. Ka barrë jo të vogël, pasi kori “Siparantum” është pjesë e organizimit me karakter garues “Sing for Gold” që sivjet mbahet në Calella e Barcelonë të Spanjës. Megjithëse krenaria i vërehet fort, edhe përgjegjësia i del në pah. Kelmendi merr frymë thellë dhe thotë se kanë bërë më të mirën që kanë mundur.
Salla e Konservatorit të njohur është prej më profesionaleve dhe aty janë mbajtur garat për kategorinë e “të rriturve”. Kori nga Kosova është në konkurrencë me tetë kore të tjera nga vende të ndryshme të botës. Në sallën me ngjyrë të artë të mbylltë, të shtunën mbrëma pas korit korean, ka qenë radha e “Siparantumit”.
Të veshur me të zeza, anëtarët e këtij formacioni, koncertin e tyre e kanë nisur me “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr”. Vepra e Baki Jasharit është aso që nuk i del kurrë boja. Në një përshkrim ku vijnë në shprehje simbolikat ajo u qëndron krejt furtunave të kohëve e të trendëve, pasi vetë paraqet fortunë. Shpërfaq tragjedinë e një populli e ambicion për të qenë të lirë. Duke qëndruar midis viktimave personazhet kërkojnë paqe. Ka shumë dimensione për të cilat do të mund të flitej gjatë. Në sallën me auditor shumë profesional e përballë një jurie ndërkombëtare, “Pakëz në ëndërr e pakëz në zhgjëndërr” është më shumë se rrëfim vokal. Me tekst të Din Mehmetit e kompozim të maestro Jasharit, duke shtuar lëvizjet koreografike të “Siparantum”, vepra ka edhe format drame. Aso drame që popujt e Ballkanit, e sidomos shqiptarët e Kosovës, e njohin shumë mirë. Dyshemeja me plot viktima e ringjallja e tyre vjen me akt shprese e mesazhe paqeje. E në raste kur porositë e tilla vijnë prej një populli që luftën e ka në kujtesë të afërt – veç 25 vjet më përpara janë shumë përmbajtësore. Shprehin ndjeshmëri të njëmendët jo veç interpretative.
Energjia që ka sjellë “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” është përcjellë me veprën “Te na Solbici” të kompozitorit Samo Vovk. Kjo vepër i shkon shumë për shtati formatit të korit “Siparantum” edhe shkaku i koreografisë që koristët aplikojnë gjatë interpretimit. Më pas vepra e kompozitorit Jan Van der Roost, “Amor, io fallo” hyn te lista e interpretimit që nxjerr në pah potencialin e zërave të formacioneve korale e po ashtu teknikën profesionale. Si e tillë ka qenë më sfiduesja profesionalisht për koristët. Është po ashtu një rrëfim që kryqëzon dhunën e dashurinë përderisa përfundon me lutje për ditë më të mira. Karakteri dramatik i saj çon edhe te besëtytnitë ku lutja është fjala e fundit. Kurse “Nyon Nyon” e kompozitorit Jake Runestad, ka qenë e fundit sa i përket koncertit garues. Më pas koristët kanë dalë nga salla për t’u lënë radhë koreve të tjera. Konkurrenca është e fortë, përderisa përtej saj ka edhe njëfarë gare për të treguar vendin e vet secili formacion koral. Janë 50 kore nga 32 vende të ndryshme që në situata të tilla kanë një egoizëm pos profesional edhe identitar. E sa i përket identitetit, “Siparantum” nuk bën pak.
Dirigjenti Memli Kelmendi pak pasi ka fshirë djersët pas koncertit ka thënë se është jashtëzakonisht i lumtur me atë që kanë arritur të nxjerrin në skenë. Sipas tij, dilemat gjithnjë ekzistojnë pasi flitet për muzikë të gjallë.
“Normalisht që ky program nuk është aspak i lehtë pasi pos anës vokale ka edhe atë koreografike dhe të bëhen të dyja njëkohësisht është ngarkesë jo e vogël. Tash natyrisht mbetet në kompetencë të jurisë vlerësimi por fuqishëm besoj se prezantimi sonte është nivel tjetër”, ka thënë ai.
Në gara të tilla koret kanë për detyrë që të paraqiten edhe me një vepër vendore. Kelmendi ka thënë se prej të paktave vepra që ka muzika korale në Kosovë, “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” e Baki Jasharit është një prej pasurive më të mëdha në muzikën korale.
“Kompozitori drejtpërdrejt prek motivet e sakrificën shekullore të popullit tonë. Ky është një adaptim ndryshe që e kemi bërë si kor me lejen e kompozitorit dhe kemi dashur që të tregojmë historinë tonë por edhe të kemi mesazh paqeje me vete”, ka thënë ai. Veprën e dytë e ka përshkruar si atraktive, përderisa të tretën si mjaft të vështirë e që tregon potencialin dhe përgatitjen e korit.

“Andaj mendoj se nëpërmjet kësaj vepre e kemi treguar nivelin e korit. Janë këto vepra që i kam zgjedhur qëllimisht pasi e tregojnë korin tonë. Ka shumë paragjykime për vendin tonë dhe mendoj se nëpërmjet artit mund të tregojmë që jemi të barabartë me popujt e tjerë dhe shpeshherë tregojmë se jemi të barabartë edhe me ata që kanë traditë të gjatë. Këtë e them me shumë përgjegjësi”, ka thënë ai.
Gara që organizohet nga rrjeti koral “Interkultur” është prej më seriozeve në botë. Në fund ndahet
“Kupa e artë e koreve”. Por në anën tjetër nikoqirllëku i sivjetshëm në Calella e Barcelonë për një ansambël nga Kosova ka edhe karakter të fortë simbolik. Normalisht, politika spanjolle zor të ndërrojë mendje që ta njohë Kosovën shkaku i artit, por nëpërmjet kulturës është lënë një shenjë në shtetit iberik. Është treguar identitet.
“Ne kemi pasur ftesë për të interpretuar në Spanjë edhe para dy vjetësh, por shkaku i probleme politike, pra sigurimit të vizave nuk kemi mundur të marrim pjesë”, ka thënë Kelmendi.
E për të marrë pjesë në këtë garë është dashur të plotësohen disa kritere, midis tyre rangimi në listën botërore të koreve e ku “Siparantum” hyn te 25 më të mirat.
“Tash jemi pjesë e kategorisë me nivel më të lartë të garës. Krejt kjo është bërë me punë prej më pak se 8 vjetëve. Krejt kjo është bërë me punë të të gjithë anëtarëve. Besoj se kemi hapur dyer që edhe në të ardhmen koret tjera nga vendi ynë të kenë referenca për të interpretuar në vende të ndryshme të botës”, ka thënë Kelmendi.
Koristja Fëllanza Taraku i pëlqen garat. Është asi tipi që sfidat e ndezin.
“Është kënaqësi e madhe ky rrjetëzimi që bëjmë me vende e organizata kulturore të tjera. Ne në këto raste shohim se nga po ecën muzika korale në botë e në Barcelonë ishte një përvojë shumë e vlefshme. Këtë punën tonë e shoh si shumë të vlefshme dhe prezantimet tonë janë një histori që jemi duke e shkruar”, ka thënë ajo.
Kurse koristi Lavdrim Morina, ka thënë se ishte një garë e mahnitshme dhe beson që e kanë dhënë më të mirën duke prezantuar atë për të cilën kanë punuar për shumë kohë.
“Besoj shumë se paragjykimet do të lihen anash pasi kemi treguar se çfarë mund të japim për kulturën botërore të koreve. Besoj që kemi një stil të veçantë dhe ato janë pikat kyçe që na mbështjellin në raport me atë që prezantojmë brenda e jashtë vendit”, ka thënë ai. Gara është sfidë më vete, por “Siparantum”, ka edhe njëfarë qëllimi tjetër – atë të prezantimit të traditës interpretuese, por edhe krijuese.

Në ato që njihen si “koncerte miqësie” kësaj radhe në Calella, 53 kilometra larg Barcelonës, Kori nga Kosova sivjet është paraqitur me koncert përballë një publiku në numër jo të vogël. Qirinjtë trengjyrësh në krejt korridorin midis dy palë ulësesh e kanë shndërruar ambientin kishtar në një hapësirë të veçantë. E ndërtuar në shekullin e 18-të por e rindërtuar pas Luftës Civile në Spanjë, ndërtesa është dëshmitare e shumë historive. E prej të enjtes mbrëma edhe e muzikës shqipe.
Midis veprave të interpretuara ka qenë ajo “Një lule” e Rexho Mulliqit e “Të falemi o dhe” e Rauf Dhomit. Përderisa vepra e parë ka treguar një kompozim të njërit prej kompozitorëve më të mirë shqiptarë, e dyta ka sjellë para të pranishmëve një kompozim që i kushtohet dashurisë për atdheun. Në të shpërfaqet edhe fakti se shqiptarët ndër shekuj edhe i kanë kënduar atdheut edhe nga mërgimi. Këto vepra bashkë me të tjerat kanë përcjellë energji jo të vogël te të pranishmit. Interpretime të ndryshme bëhen në qytetin bregdetar këto ditë qoftë në hapësira të hapura apo të mbyllura. Është njëfarë gare më vete që koret të tregojnë pak nga vendi i tyre. Ta zëmë, ansambli nga Zimbabve tërheq shumë vëmendje shkaku i veshjeve e formave tradicionale që aplikon në lojë. Ansamblet nga Evropa kanë më tepër koncepte profesionale të muzikës korale.
Por “Sing for Gold” ka hapësirë për krejt. Gara shkon përtej sfidës së pikëve, është hapësirë ku kulturat e njohin njëra-tjetrën. E në këtë rast pak nga kultura e Kosovës është e pranishme në Spanjë. Një shenjë e saj tashmë është në Kataloni. Dhe krejt kjo është bërë nga një ansambël koral vullnetar.
“Siparantum” tashmë ka një lloj bajraku të shpërfaqjes së kulturës së Kosovës në botë. Edhe në vende që s’e njohin shtetin më të ri të Evropës. Por të paktën, i njohin pak art e kulturë.