Ka qenë alamet lajmi kur u konfirmua se “Siparantumi” do të marrë pjesë në më të madhen garë botërore, “World Choir Games 2023” në Korenë e Jugut. Shpejt dolën telashe kur i rrezikohej pjesëmarrja sherri i mjeteve. Zgjidhja: udhëtimi me gjysmën e anëtarëve. Kori tashmë ka ateruar në destinacion dhe synon të bëjë histori
Kori “Siparantum” tashmë ka mbërritur në Korenë e Jugut ku ka nisur gara më e madhe ndërkombëtare e koreve në botë, “World Choir Games 2023”. I njohur për performancat dhe çmimet e shumta nëpër festivalet e ndërkombëtare korale, “Siparantum” kësaj here do të konkurrojë në dy kategori: “Musica Contemporanea” dhe “Mixed Choir”. Për shkak të vështirësive në sigurimin e të hollave, kori ka udhëtuar me vetëm 28 nga 45 anëtarët e saj. Ka qenë alamet lajmi kur u konfirmua se “Siparantumi” do të marrë pjesë, por shpejt dolën telashe kur i rrezikohej pjesëmarrja sherri i mjeteve. Zgjidhja: udhëtim me gjysmën e anëtarëve. Zëri i Kosovës do të dëgjohet atje në dy ditët e para të javës që vjen.
Me mbi 130 paraqitje, 60 në 10 shtete ndërkombëtare dhe 8 shpërblime të para përfshirë vendin e parë në kategorinë “Musica Contemporanea” në “World Choir Games 2021” në Belgjikë “Siparantum” ia ka mësyrë të fitojë edhe një betejë të re, a ndoshta dy. Kori, i cili pa dyshim është më i njohur në skenën e muzikës korale në vend në “World Choir Games 2023” çon Kosovën në mesin e 46 shteteve pjesëmarrëse që garojnë në qytetin e Gangneung të Koresë së Jugut. Nëpërmjet një komunikate për media, përfaqësuesit e korit janë shprehur të privilegjuar për pjesëmarrjen në atë që “është vlerësuar si konkursi më i madh ndërkombëtar i korit në botë”. Sivjet mbahet edicioni i 12-të.
Nisur nga fakti se “Siparantum” veçse ka rrëmbyer çmime nga kjo garë, dirigjenti i korit, Memli Kelmendi, është shprehur tejet optimist për një triumf të radhës.
“Pjesëmarrja në një garë të rëndësishme si ‘World Choir Games’ do të japë mundësinë për të prezantuar muzikën korale kosovare dhe veprat e kompozitorëve vendas, gjë e cila është vërtetuar tashmë nga kori ‘Siparantum’. Ne tashmë jemi pjesë e rrjetit, ajo çfarë i është dashur muzikës sonë. Gjithsesi duhet ende shumë punë. Ne në vitin 2021 kemi dalë fitues në kategorinë ‘Musica Contemporanea’ në Open Competition, jemi këtu për të përsëritur historinë, tani në Champion Competition. Kemi punuar gjatë dhe me shumë përkushtim. Jam tejet i bindur që puna jonë do të na shpërblehet”, ka Kelmendi të shtunën për KOHË-n nëpërmjet një komunikimi nga Koreja e Jugut.
Por rrugëtimi deri këtu nuk ka qenë aspak i lehtë. Kori kishte hasur probleme në sigurimin e fondeve, gjë që kishte rrezikuar udhëtimin e tyre për në Kore. Edhe pas përkrahjes që siguroi nga donatorë të shumtë, “Siparantum” ka arritur të marrë me vete vetëm gjysmën e anëtarëve të saj.
“Megjithatë, në këtë udhëtim të veçantë për ‘Lojërat Botërore të Korit 2023’ në Gangneung, kori ‘Siparantum’ ka pasur vështirësi në gjetjen e fondeve për të siguruar pjesëmarrjen e të gjithë koristëve. Për shkak të kostos së madhe të udhëtimit dhe sfidave financiare, kësaj radhe ne udhëtojmë me gjysmën e korit, me 28 anëtarë të korit. Ne sinqerisht ndiejmë keqardhje për koristet te të cilët jemi munduar të gjejmë mirëkuptim, pasi dëshira jonë ishte që të merrnin pjesë të gjithë anëtarët në këtë udhëtim”, ka thënë koordinatorja e projektit, Zekije Gacaferri- Kelmendi.
Përveç kompozitorëve të njohur botërorë, “Siparantum” do të çojë edhe tingujt e muzikës shqipe teksa do të ekzekutojë disa nga veprat më të njohura të kompozitorëve vendorë.
“Kjo ngjarje prestigjioze bashkon pjesëmarrës nga e gjithë bota, me rreth 324 grupe dhe përfaqësues nga 46 vende. Ai shërben si një dëshmi e fuqisë së pamasë të muzikës në nxitjen e shkëmbimit kulturor dhe promovimin e harmonisë midis kombeve. Programi do të jetë një kombinim i mahnitshëm midis krijimtarisë së artistëve të njohur dhe vlerave të veçanta të kulturës kosovare, duke përfshirë vepra të shquara të kompozitorëve si Mendi Mengjiqi, Baki Jashari dhe Memli Kelmendi”, thuhet në komunikatën që ka dërguar Kori të shtunën.
Drejtor artistik i korit “Siparantum”, Agron Shujaku, citohet të ketë thënë se puna që ka bërë kori ndër vite nuk ka qenë aspak e lehtë. Ka vlerësuar lart edhe kompozimet e dirigjentit të korit, Memli Kelmendi.
“Pjesëmarrja e korit ‘Siparantum’ në ‘World Choir Games 2023’ është rezultat i një pune të palodhshme dhe angazhimi të jashtëzakonshëm. Koristët kanë punuar me shumë përkushtim dhe dedikim për këtë garë të madhe ndërkombëtare. Veprat që janë punuar nga dirigjenti ynë, Memli Kelmendi janë vërtet komplekse dhe tregojnë një nivel artistik të lartë. Kori ‘Siparantum’ ka arritur të ngrihet në një nivel të lartë nëpërmjet kësaj pune të vështirë dhe të përkushtuar. Kjo tregon profesionalizmin dhe kualitetin tonë në skenën e muzikës korale ndërkombëtare”, ka thënë Shujaku, shkruhet në komunikatë.
Rrugëtimi i “Siparantum” për në “Lojërat Botërore të Korit” është parë edhe si një mundësi për bashkëpunime të reja. Memli Kelmendi është shprehur entuziast sa i përket përfaqësimit të Kosovës teksa ka thënë se një gjë e tillë ofron mundësi edhe për të shfaqur potencialin artistik.
“Pjesëmarrja në një ngjarje të rëndësishme, e cila njihet si gara më e fuqishme në botë, ‘World Choir Games’, ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për korin ‘Siparantum’, por për gjithë Kosovën dhe kulturën tonë. Është një ndjesi e jashtëzakonshme dhe entuziazëm për të përfaqësuar vendin dhe për t’u matur me koret e tjera nga e gjithë bota. Kjo i bën nder Kosovës, sepse vendi përfaqësohet në skenën ndërkombëtare dhe merr një pozicion të rëndësishëm në botën e muzikës korale. Kjo rrit nivelin e reputacionit të Kosovës dhe krijon një imazh pozitiv për talentin dhe arritjet kulturore të vendit”, ka thënë ai.
Edicioni i dymbëdhjetë i Festivalit “World Choir Games” që nisi më 3 korrik do të zgjasë deri më 13 korrik kur në “Gangneung Arena” do të bëhet edhe ndarja e çmimeve.