Shtojca për Kulturë

Shtëpia ku Shaban Aga i bënte konak Isa Boletinit

Shtëpia-monument e Shaban Agës në tashmë gëzon mbrojtje të përkohshme si pjesë e listës së trashëgimisë kulturore të Ministrisë së Kulturës

Edhe pak vjet i duhet të shënojë një shekull e gjysmë. Në kohën e Perandorisë Osmane do të kushtonte të ndërtohej tetëdhjetë lira të arit. Sot shtëpia e Shaban Agës ruan qindra rrëfimeve, pos kujtimeve e shenjave të brezave. Njëri prej tyre lidhet edhe me heroin kombëtar

Muhamer Shabani, ish i burgosur politik që jeton në Zvicër, e ka modernizuar një pjesë të shtëpisë së ndërtuar në 1880 nga stërgjyshi Shaban Aga, që t’i kalojë pushimet në vendlindje në Përlepnicë të Gjilanit.

“Shaban Aga ka qenë djali i Ahmet Spahisë, që ka jetuar në atë kohë dhe ka pasur prona të valavicës dhe të mullinjve”, thekson Sami Shabani, vëllai i të zotit të shtëpisë. “Edhe kjo ka qenë arsyeja pse ka pasur mundësi me ndërtu një shtëpi të përmasave kësisoji”, shton mësimdhënësi i artit në shkollën fillore të fshatit. Para shtëpisë dykatëshe me çardak, Sami Shabani tregon se ndërtimi i saj kishte kushtuar tetëdhjetë lira të arit në kohën e Perandorisë Osmane dhe se ishin dashur gjashtë muaj derisa do të përfundonte shtëpia prej guri e druri.

Image
Shtëpia në Përlepnicë të Gjilanit ka pësuar deri tani tri renovime të mëdha. Së pari do të rinovohej në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar për shkak të rritjes së familjes

Dhurata e Shaban Agës për Isa Boletinin

Samiu prin përgjatë hyrjes së ekipit të televizionit KTV në katin e parë, por në të dytin pas një dyorësh me xhirime rrëfimesh, Shabani këmbëkryq në odë përmbledh rrëfimin e bartur brez pas brezi për vizitat e Isa Boletinit në konakun e Shaban Agës në Përlepnicë.

“Isa Boletini ka qenë pronar i një fabrike të gurëve të mullirit. Në fshatin tonë ka pasur shumë mullinj dhe si duket ai ka ardhur për punë të tregtisë me gurë të mullirit dhe si duket stërgjyshi ka mbajtur lidhje shoqërore me Isa Boletinin”, thotë Sami Shabani në ballë të odës së restauruar në vitet e fundit nga vëlla Muhameri. Në raftin e lartë në murin përballë janë plisat e babait të tyre.

Teksa vazhdon kthimin në kohë, tregon për atkinë me të cilën, sipas rrëfimit gojor, Shaban Aga shkonte e kthehej nga Gjilani, duke u ngjitur shkallëve përpjetë deri në katin e dytë. Kjo e kishte mahnitur Boletinin. “Njëherë kur Isa Boletini ka qenë në shtëpinë tonë, e ka pa atkinë dhe e ka lutur t’ia shesë. Stërgjyshi nuk ka dashur t’ia shesë, por ia ka dhanë falas atkinë”.

Sami Shabani thotë se për vizitat dhe dhuratën për heroin kombëtar i kishte rrëfyer xhaxhai mësues, Sabit Shabani.

Modernizimi i shtëpisë pa prishur të vjetrën

Shtëpia-monument tashmë gëzon mbrojtje të përkohshme si pjesë e listës së trashëgimisë kulturore të Ministrisë së Kulturës. Shtëpia ka pësuar deri tani tri renovime të mëdha. Së pari do të rinovohej në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar për shkak të rritjes së familjes.

“Pjesa e poshtme, ku jemi tash, është adoptu për banim”, thekson Sami Shabani në katin e parë, ku tashmë shkallët e drunjta ndajnë dhomën e pritjes dhe kuzhinës. Për të ruajtur lidhjen me traditën, kuzhina është punuar qëllimshëm me dërrasa të një hambari të vjetër që të mos dallohet fort nga tavanet me dërrasa. Në vitet 1970 do të rinovohej edhe njëherë, kur shtëpia do të lyhej përjashta. E Muhamer Shabani do të niste renovimin e tretë më 2013, pasi që ngulmonte që shtëpia të pasqyronte historinë e familjes dhe një hise të historisë së përgjithshme të shqiptarëve në kohë të ndryshme. “Vëllau është munduar që të përdorë sa më shumë materiale që i përshtaten edhe shtëpisë”.

Por në kauçë modernë ulet teksa kujton kur dhoma e ndejës ishte me shilte e jastëkë.

“Dhe gjithmonë ndeja është ba në tokë”, thotë Sami Shabani. “Dhe kur njeriu gjendet në vendin ku ka kaluar një pjesë të gjatë të jetës, natyrisht se është më i natyrshëm edhe kthimi i kujtimeve”.

Anash e përballë kauçëve janë vendosur mjete të ndryshme tradicionale për kuzhinë e nevoja elementare të anëtarëve të familjes. Samiu thotë se Muhameri qysh në rini – para se të arrestohej në vitin 1982 për shkak të aktivitetit si pjesë e Ilegales – kishte nisur mbledhjen e mjeteve të ndryshme të punës. Në fllanikun e dikurshëm – prapa kuzhinës e dhomës së ndejës – janë vendosur me kujdes mjete pune – prej një patkoi për të nderuar mundin e babait mbathtar – deri te një antenë satelitore, që në dekadën e fundit të shekullit të kaluar ishte ndër dritaret e pakta të informimit në Kosovë për të komunikuar me botën.

Image
Edhe kjo dhomë jep ndjesinë e autenticitetit

Çardaku i gëzimit në kohë pushtimi

“Po gjithkush kur vjen këtu, pyet për çdo artefakt – nëse mund t’i quajmë ashtu – pyet për historikun e tij, apo për prejardhjen”, thekson Sami Shabani, duke shtuar se të rinjve iu “duket e pabesueshme” se ato vegla ishin përdorur prej prindërve të tyre. E Muhameri kishte marrë një dritare të ruajtur në tavan për t’i konstruktuar edhe të tjerat para se t’ia kthente shtëpisë së vjetër gjallërinë. Dy dhomat në pjesën e pasme në katin e dytë i ka kthyer në dhoma gjumi kur me familje kthehet për pushime. Dy të përparmet – përfshirë odën e Shaban Agës – shpërfaqin si rrallëkund mënyrën e jetesës së një kohe jo edhe fort të largët të shqiptarëve nën pushtim.

Por Samiu e lë për fund çardakun, ku familja e madhe freskohej në mbrëmjet e ngrohta verore. “Hapësira më e këndshme e shtëpisë dhe ku netëve të verës ke mundur me ndejtë dhe me përjetu shtëpinë në mënyrën më të mirë të mundshme”, thekson Sami Shabani. “Jo rrallë, këtu kemi kalu netët e verës, jemi shtri, kemi lujtë, kemi ba mubabet dhe është një gja që më së shumti e kujtoj prej kësaj shpije”.