Gjashtë muaj pasi iu futën ekskavatorët, banorët e fshatit Runik të Skenderajt janë bërë bashkë për të diskutuar për të ardhmen e Shtëpisë së Kulturës, monument i viteve ’50 të shekullit të kaluar. Propozimet janë të ndryshme por, e sigurt është se do të rijetësohet për kulturë. Për ta bërë këtë janë zotuar 880 mijë euro
E rrethuar me “mur” llamarine, e shkatërruar e pa dritare, Shtëpia e Kulturës në Runik – monumenti i viteve ’50 të shekullit të kaluar i cili në verën e vitit të kaluar i shpëtoi rrënimit – pret t’i caktohet e ardhmja. “E ardhmja shtëpisë së kulturës” ka qenë titulli i ftesës për bashkëbisedim me qytetarët, e cila të shtunën ka bërë bashkë personalitete fushash të ndryshme për destinimin që do të ketë monumenti. Është njëri prej hapave që i paraprin konkretizimit të projektit për restaurim e rivitalizim, e që vjen gjashtë muaj pasi në emër të një projekti madhor, Komuna e Skenderajt ia mësyu rrënimit të objektit të mbrojtur me ligj. Shenjat e kësaj ndërhyrjeje janë evidente, përderisa në shkollën “Shotë Galica” – të cilën me objektin për të cilin është diskutuar i ndanë vetëm një rrugë – janë dhënë propozime të ndryshme: prej sallë teatri e koncertale e deri te hapësira ekspozuese. Nuk ka një vendim konkret, përderisa për restaurim e rivitalizim janë zotuar 880 mijë euro. Ministria e Kulturës ka paraparë 250 mijë euro për sivjet, 300 mijë për vitin e ardhshëm e Komuna e Skenderajt, 300 mijë euro. Me 30 mijë euro e mbështet edhe fondacioni “Hajde”, i cili e ka organizuar diskutimin, por jo vetëm. Ka qenë po kjo organizatë, që u bë sebep që objekti të shpallej monument në vitin 2018.
Në diskutim ka marrë pjesë edhe artisti me nam botëror, Petrit Halilaj, që kishte propozuar restaurimin e funksionalizimin e Shtëpisë. Ai është themelues i “Hajde”. Ka thënë se qëllimi themelor i kësaj nisme është që më në fund hapësira t’u rikthehet banorëve të vendlindjes së tij. Sipas tij, Runiku ka pasur një “komplet kulturor” që dhunshëm është ndalur.
“Sot mungesa e kulturës në Runik është shumë e përhapur. Nga vitet e ‘80 kur dhunshëm është mbyllur shtëpia e kulturës. Unë si gjeneratë e viteve ’90 mbaj mend se ajo ka qenë gjithmonë e mbyllur dhe nuk kemi guxuar të hyjmë brenda. Sipas meje, ky është gjenocidi i vërtetë kulturor që ka ndodhur te ne. Ajo çfarë po duam të bëjmë ne, është të ringjallim dhe të sjellim prapë një komplet kulturor, art, memorie kolektive, të ardhmen ku idetë e të rinjve praktikohen”, ka thënë artisti Halilaj. Në këtë kontekst, Shtëpia e Kulturës nuk ka vetëm vlerë si objekt. Ajo dëshmon edhe kapitullin e jetës kulturore në këtë fshat. Funksiononte si bibliotekë e teatër.
“Gjatë periudhës së Jugosllavisë, Shtëpia e Kulturës në Runik funksiononte si bibliotekë me 7000 libra, me teatër, si dhe kooperativë bujqësore. Gjatë kësaj kohe, ajo kishte mbledhur rreth saj aktivitete kulturore e artistike dhe si të gjithë komunitetin. Ajo ka shërbyer si hapësirë aktive deri në vitet e ‘90, kur situata politike u përkeqësua dhe ndërtesa u mbyll padrejtësisht, ndërsa gjatë luftës ishte zhveshur nga përmbajtja e saj”, shkruhet për Shtëpinë e Kulturës në Runik.
Qe e harruar deri në vitin 2018 kur Halilaj për disa ditë e ringjalli me projektin artistik “Shkrepëtimë”. Pak kohë më vonë, shteti i kujtua ta marrë në mbrojtje si objekt i mbrojtur i trashëgimisë kulturore.
Idetë se në çfarë mënyre të ringjallet janë gati të përafërta.
Profesoresha e gjuhës, Sala Ahmetaj, ka thënë se do të donte që Shtëpia e Kulturës të ishte shumëfunksionale sa i përket interpretimit artistik.
“Do të doja të shihja çdo segment që ka të bëjë me kulturën në të gjitha variantet e mundshme. Të kemi një sallë për shfaqje teatrale dhe një ku do të mund të mbahen koncerte, aktivitete të tjera, ku do të mund të mbaheshin ekspozita. Një hapësirë të veçantë do të ishte mirë ta kishim për trashëgiminë arkeologjike që e ka Runiku si lokalitet. Gjithashtu një bibliotekë ku edhe ne do të mund të sillnim libra e dokumente”, ka thënë Ahmetaj, e cila tash e një kohë jeton e vepron në Prishtinë.
Ka thënë se kthimi në Runik ia rikthen kujtimet e kohës së viteve ’70, kur, sipas saj, kishte nisur të marrë hov arsimi. Por përtej përgatitjes profesionale, ka thënë se është kultura ajo që e fisnikëron njeriun.
“Mund të jesh gjithçka për nga profesioni, është punë teknike por kultura e fisnikëron njeriun, kombin, shoqërinë. E ndërgjegjëson në kuptimin e gjerë, në rrafshin e letërsisë, dramës, teatrit, të gjitha fushave që kanë të bëjnë me kulturën. E kultivon një vetëdije të lartë te njerëzit. Gjithmonë nëpërmjet kulturës i ofron të bukurën, ai e sheh të mirën përballë të keqes, e promovon dashurinë në vend të urrejtjes. Në këtë mënyrë e ndërtojnë njeriun çfarë do të duhej të ishte”, ka thënë Ahmetaj.
Sopranoja Urta Haziraj që vjen nga ky vend, ka propozuar organizimin e klasave të muzikës për të rinjtë.
“Kam disa ide që do të mund të kontribuoj për Shtëpinë e Kulturës në Runik. Ndoshta fëmijët e vegjël t’i mësojmë mbi muzikën, jo veç klasike, por për muzikën në përgjithësi. Kështu që për çfarëdo që u nevojitet të rinjve mbi muzikën, jam shumë e gatshme të kontribuoj”, ka thënë ajo.
Bashkë me të edhe kuratorja Hana Halilaj, kanë shprehur gatishmëri për të kontribuar në aktivitetet e Shtëpisë.
“Po shpresoj se kontributi im do të mund të jetë për Shtëpinë e Kulturës dhe Runikun, vendin ku jam rritur dhe inspiruar”, ka thënë Halilaj, kuratore në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Kishte qenë artisti Petrit Halilaj në emër të fondacionit “Hajde”, që në muajin gusht kishte zhvilluar takime me autoritetet qendrore dhe lokale. Kishte ndërmjetësuar që Shtëpia e Kulturës në Runik të jetë një qendër kulturore. Dhe ia ka arritur. Ka thënë që synojnë ta mbajnë gjallë institucionin kulturor edhe me ngjarje kulturore nga jashtë si festivale e organizime të ngjashme.
“Ideja jonë është që gjatë procesit të rivitalizohet me evente të ndryshme kulturore të cilat i përkujtojnë dhe u ndihmojnë qytetarëve të Runikut se çfarë do të ndodhë. Kemi shumë biseda me organizime, festivale, kjo është diçka që e parashikon fondacioni ‘Hajde’ e që mund ta realizojmë shumë lehtë. Jam shumë i lumtur nëse plani bëhet si mendojmë ne”, ka thënë artisti Petrit Halilaj.
Ka thënë se planifikohet që Shtëpia të jetë nën menaxhimin e institucioneve publike, por që gjithashtu banorët të krijojnë një fond që do t’i shërbente për ngjarjet që organizohen aty. Sipas Halilaj, një vit parashihet të zgjasë përgatitja e projektit e një vit tjetër të zgjasin punimet.
“Në plan kemi që në verën e vitit 2025 idetë e propozimet e banorëve të futen në një lloj libri me tekst që do ta përpunojmë dhe editojmë. Do ta dërgojmë në një studio të arkitekturës dhe dikush do ta bëjë planin. Do të bëhet në bazë të funksionit si po e kërkojmë ne, qytetarët e Runikut. Ne si ‘Hajde’ të mundohemi që këto ide t’i organizojmë në mënyrën më të mirë që kur ta kemi inaugurimin në verën tjetër, këto dëshira të reflektojnë në planin e shtëpisë së Kulturës”, ka thënë ai.
Drejtori ekzekutiv i fondacionit “Hajde”, Adrian Berisha, ka thënë se është organizuar takimi me qytetarët në mënyrë që të ketë gjithëpërfshirje dhe të jenë transparent sa i përket ideve mbi Shtëpinë e Kulturës në Runik.
“Është shumë e rëndësishme për ne që të ketë qasje të duhur duke pasur parasysh se është monument i mbrojtur me ligj duke pasur parasysh rëndësinë historike që e ka. Në bashkëpunim me Komunën e Skenderajt dhe me Ministrinë e Kulturës kemi bërë një plan të punës. Po na shkon shumë mirë, falënderojmë të gjithë bashkëpunëtorët”, ka thënë Berisha.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe kryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura, në fund të gushtit të kaluar kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëfinancim të projektit për gjithsej 850 mijë euro buxhet.
Por kanë qenë qasjet e kundërta për monumentin, që kishin përplasur Komunën me Ministrinë. E para iu mësyu me ekskavator kur i kishin mbetur dhjetë ditë që ta shënonte pesëvjetorin si monument, në korrikun e vjetëm. Asokohe e prerë kishte qenë Ministria e Kulturës në reagim. E kishte konfirmuar se po bëhej fjalë për ndërhyrje të jashtëligjshme, njësoj siç kishte bërë edhe Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore e Mitrovicës.
Kryetari i komunës kishte tjetër version tek thoshte se ajo pjesë “ka mundur vetvetiu të rrënohet”, përderisa ekskavatorët e mjete të rënda ishin parkuar një ditë pasi dëmi ishte shkaktuar.
“Nuk është e vërtetë. Unë hiç më larg se dje kam qenë dhe e kam vizituar. Mund të ketë, se ai objekt ka qenë i dëmtuar nga lufta dhe ka mundur vetvetiu të rrënohet. Është i dëmtuar, është e vërtetë. Por, që ne nuk e kemi rrënuar dhe nuk e kemi në plan”, kishte thënë asokohe Nura.
Në një prononcim për KOHË-n, një ditë pasi ishte rrënuar një pjesë e murit të Shtëpisë së Kulturës, nuk kishte lënë pa e përmendur se në diskutime me qytetarë të asaj ane, “deri në 95 për qind e 100 për qind kanë qenë që ai objekt, Shtëpia e Kulturës, të hiqet tërësisht”.
Diskutimi i së shtunës për të ardhmen e Shtëpisë së Kulturës, e ka dëshmuar të kundërtën. Takimi i parë ka qenë një lloj punëtorie për procedurën se si do të projektojnë qytetarët idenë e tyre në letër.
“Shumë i rëndësishëm është programi që do të implementohet pas rivitalizimit. Takimet me qytetarë janë të rëndësishme, që të shihet gjendja reale që ekziston në fshatin Runik. Ne mendojmë se këto takime do të na hyjnë në punë për nga aspekti i mendimit se çfarë do të ketë dhe duhet të ketë ndërtesa e shtëpisë së kulturës në Runik”, ka thënë Adrian Berisha, drejtor i fondacionit “Hajde”.