Shtojca për Kulturë

Shqiptari i plagosur mblodhi gjithë inatin, e goditi për vdekje Sulltan Muratin

Edhe pse përshkrimet e betejës nga abati Vincent Mignot janë episodike e të shkurtra, megjithatë për lexuesin shqiptar më i rëndësishëm mbetet momenti i vrasjes së Sulltan Muratit

Edhe pse përshkrimet e betejës nga abati Vincent Mignot janë episodike e të shkurtra, megjithatë për lexuesin shqiptar më i rëndësishëm mbetet momenti i vrasjes së Sulltan Muratit

Vincent Mignot u lind në Paris midis viteve 1725 dhe 1730. Ishte nipi i filozofit të njohur francez Volter (1694 -1778) me të cilin mbante raporte të shkëlqyera. Si abat, Mignot shërbeu në abacinë e Sellières en Champagne, madje aty u angazhua edhe si këshilltar-nëpunës i Këshillit të Lartë. Në vitin 1765 dha dorëheqje nga kjo detyrë. Ndër veprat e njohura të abatit Vincent Mignot është edhe “Histoire de l’Empire ottoman” e botuar në vitin 1771 në Paris, ku përveç përshkrimeve të përgjithshme lidhur me historinë e Perandorisë Osmane autori ka ofruar detaje nga Beteja e Kosovës e së martës së 28 qershorit të vitit 1389, duke e theksuar në mënyrë të qartë se Sulltan Muratin e vrau një shqiptar i ri. Titujt dhe nëntitujt janë të përkthyesit Skënder Latifi

Vincent Mignot 
(1725 -1791)

Amurati I apo i dërguari i Zotit

Amurati I ishte dyzet e një vjeç kur babai i tij ia la skeptrin dhe ai e drejtoi Perandorinë Osmane në vitet 1360 – 1389. Që në ditët e para të mbretërimit, si vendqëndrim i tij u caktua Adrianopoja, por me t’u vendosur aty ai u detyrua të kthehej në Azi për të shtypur një rebelim që në atë kohë shpërtheu atje, edhe pse burimet historike nuk e përmendin emrin e udhëheqësit të kryengritjes. Dihet vetëm se disa pashallarë, duke besuar se Amurati I ishte shumë i zënë me pushtimet e tij në Evropë, u përpoqën të shkundnin zgjedhën e tij dhe se sulltani, i cili sapo e kishte lidhur një traktat me perandorin bizantin Gjon Paleologun, menjëherë e kaloi ngushticën e Galipolit dhe marshoi kundër kryengritësve duke i mposhtur ata në një betejë të vetme. Në të vërtetë, sulltani shumë shpejt u rishfaq në Evropë, ku Calcondile (historiani bizantin –S. L.) pretendon se atij i bëri ftesë dashuria! Në vitin e dytë të mbretërimit, ai e futi nën kontroll qytetin Phere (sipas të gjitha gjasave qytetin e Serresit) nga princër fisnorë (bullgarë dhe serbë) të cilët më parë e kishin marrë këtë vend nga perandori grek! Më pas, Amurati I e sulmoi dhespotin e Serbisë duke e falur këtë armik të dobët, kurseu trupat dhe vendin e tij, me kusht që si fitues të martohej me të bijën e tij. Është e sigurt se Amurati I kurrë nuk e kishte parë këtë princeshë, pasi atëbotë gratë greke (të krishtera) ishin pothuajse të paeskpozuara po aq sa ishin edhe gratë myslimane. Nëse Amurati I e bleu dorën e princeshës së Serbisë me çmimin e një krahine, padyshim që në pyetje ishte vetë reputacioni i asaj bukurosheje. Veç kësaj, Amurati I ishte i sigurt se do ta pushtonte Serbinë qysh në momentin kur ai vendosi ta ndërmarrë një veprim të tillë. Fillimisht ai i nënshtroi disa dhespotë dhe fisnikë, më pastaj vendosi taksa individuale për ata nënshtetas që këmbëngulnin të ngelnin në krishterim, ndërsa ata që kishin mbajtur armë dhe donin të bëheshin myslimanë u regjistruan në mesin e spahinjve. 
Organizimi i pushtetit osman

Kështu në frymën e zgjerimit të sundimit osman, sulltani u ndau tokë disa fisnikëve dhe njëkohësisht i hodhi bazat e timareve. Në shërbimin e tij ai i përfshiu timariotët, të cilëve iu lejua që t’ua kalonin bijve të tyre pronat e fituara nga sulltani dhe tani këto përfitime ushtarake, të ndara nga Amurati I ose nga pasardhësit e tij, bëjnë aq shumë në dorën e tyre, sa që një timariot ka frikë të humbasë trashëgiminë e fituar, ashtu siç do të humbiste një pagë ditore nga pakënaqësia apo nga teka e tij më e vogël. Amurati I, u kujdes shumë edhe për këmbësorinë e tij (jeniçerët), që me të drejtë i konsideronte si forcën kryesore të ushtrisë. Ai krijoi korpusin e jeniçerëve në gjendjen që është tani. Me këshillën e vezirit të tij të madh, Ali bej Karamanliogllu, Amurati I urdhëroi që një e pesta e të gjithë skllevërve të armikut (sepse turqit nuk i quajnë ndryshe robërit e luftës) t’i takonin sulltanit dhe se këta të huaj, pas përqafimit të islamit nga ana e sulltanëve shiheshin si nënshtetas osmanë dhe nënshtrimi ndaj Kuranit gjithmonë e bartte privilegjin e natyrshmërisë, prandaj ka ndodhur shpeshherë që një renegat të arrinte edhe në postin e kryeministrit të perandorisë. Prandaj nëse skllevërit e marrë në luftë ishin të stërvitur që nga rinia e tyre në fe ose disiplinë ushtarake, qoftë në saraj ishin shumë më të sigurt se do t’ia dilnin të ngjiteshin në ndonjë funksion të rëndësishëm, sesa që këtë mund ta arrinin borgjezët e qyteteve. Duke dashur që asaj këmbësorie t'i jepte reputacion të madh për trimëri, Amurati I vendosi ta bekonte këtë formacion me një ceremoni të organizuar fetare enkas për të. Të regjistruarit e parë iu dërguan një dervishi, të cilin shenjtëria e jetës së tij e bëri të lavdërueshëm. Prandaj kur të saporegjistruarit e rinj u përulën para tij, ndërsa ai me një ton profetik e vuri mëngën e mantelit në kokën e jastëkut të tyre duke thirrur: “Qofshin jeniçerë” dhe duke vazhduar “fytyrat e tyre qofshin krenare, duart e tyre gjithnjë fitimtare, shpatat e tyre gjithnjë të mprehta, shtizat e tyre gjithnjë gati për të goditur kreun e armikut dhe guximi i tyre qoftë shkaku i begatisë së tyre”. Që nga ajo kohë këtij korpusi i ngeli emri jeniçer, që do të thotë ushtar i ri, por edhe kapelat e tyre e kanë ruajtur formën e mëngës. 

“Kur gjenerali po fliste akoma, një shqiptar i plagosur, i cili kafshoi dheun pranë vetes, e mblodhi tërë fuqinë, ose më saktë gjithë inatin e tij, për ta goditur Sulltanin... Vrasësi shqiptar u copëtua në vend...”


Feja dhe shteti në kohën e Amuratit I dhe turpërimi i perandorit bizantin

Në vijim abati Mignot ka ofruar shembuj konkretë të rëndësisë që feja ka pasur në kohën e Amuratit I. 
“Edhe pse Amurati ishte absolutist, ai këmbënguli që nënshtrimi ndaj praktikave fetare të ishte i plotë. Prandaj, në fazën e parë të vendosjes së administratës osmane kadiu, ishte arbitër fuqiplotë në mosmarrëveshjet eventuale që lindnin midis individëve. Dëshmitë e suksesit konkret të organizmit të shtetit nga ana e Amuratit I, abati Mignot sidomos i ka vërejtur në organizmin e korpusit të jeniçerëve dhe ai rishtas e ka potencuar se qysh në vitin e parë kur u themelua ky formacion “jeniçerët dhanë prova të mjaftueshme të trimërisë”. 

“Kur Gjon Paleologu e shpalli si trashëgimtar të fronit Manuelin të birin e tij të dytë, princi i ri e vendosi selinë në Selanik. Por, me të mbërritur atje ai u dëshpërua kur e pa se Greqia binte pre e turqve, prandaj e mori përsipër t’i rimarrë disa qytete të afërta me forcë ose me hile. Por, ndërmarrjet e Manuelit nuk ishin aq të fshehta sa Amurati I të mbetej i painformuar. Pa humbur kohë sulltani osman dërgoi atje njërin prej gjeneralëve më me përvojë të tij – Karatinin i cili e rrethoi Selanikun. I zënë ngushtë, perandori i ri i kërkoi ndihmë babait dhe ky i fundit iu përgjigj të birit se jo vetëm që nuk do t’i dërgonte trupa ushtarake, por edhe nëse ai do të shfaqej para Kostandinopojës portat e këtij qyteti do të mbylleshin për të! Më të marrë këtë përgjigje Manueli i ri nuk hezitoi dhe ia ktheu Selanikun gjeneralit turk ndërsa më të arritur në Adrianopojë ai u paraqit me lutje para Sulltanit, i cili pa ndonjë qortimi të ashpër e shprehu gatshmërinë që të falte Manuelin, pasi ai ia kishte afruar mundësinë gjeneralit osman që të pushtonte Selanikun pa ndonjë përpjekje të madhe. I turpëruar, Gjon Paleologu ua la qeverisjen të bijve dhe e mori rrugën drejt Perëndimit, me qëllim të kërkimit të ndihmës nga princërit e krishterë dhe ai shpresonte në ndihmën e perëndimorëve për luftërat e ardhshme vendimtare që do të zhvilloheshin kundër barbarëve. Por, gjithçka përfundoi me urimet, bekimet dhe këshillat që ai duhej t’i kërkonte në oborret e princërve të tjerë të krishterë dhe ato ia ofroi perandorit të dëshpëruar bizantin vetë Papa Urbani V. Në fund rezultoi se udhëtimi i perandorit Paleolog në Perëndim ishte vetëm një sprovë e zakonshme pa ndonjë rezultat apo sukses. Aq më keq që gjatë kthimit nëpër Itali Manueli u arrestua në Venedik për borxhet që kishte kontraktuar atje dhe bijtë e tij ia shlyen ato vetëm pas disa kohësh. Pas këtij poshtërimi Paleologu, u kthye në atdhe, duke e sjellë bekimin e Papës dhe lejen e tij për mbajtjen e meshës në një altar lëvizës nga ana e një prifti latin. Derisa Paleologu bëri përpjekje të kota për t’i zbutur humbjet e Perandorisë Bizantine, në anën tjetër Amurati I e forcoi dhe e zgjeroi pushtetin e tij”.

Edhe pse abati francez Vincent Mignot në librin e tij “Histoire de l’Empire ottoman” të botuar në vitin 1771 në Paris, nuk e përmend me emër shqiptarin që e vrau Sulltan Muratin, falë librit të tij që u përkthye në rusisht me titullin “Историja турецкаjа сочиненаjа Абатом Минотом”, të botuar në Shën Peterburg në vitin 1789, edhe opinioni i atëhershëm rus e mësoi se vrasësi i sulltanit ishte shqiptar kosovar

E marta e 28 qershorit 1389 në Kosovë

Lidhur me fazën parapërgatitore të Betejës së Kosovës, Vincent Mignot ka shkruar “se me qëllim të kundërshtimit të përparimit të osmanëve, një ushtri e bashkuar e popujve ballkanas e përbërë midis të tjerëve edhe prej shqiptarëve dhe që sipas tij nuk u ishin nënshtruar deri në atë kohë më pastaj vllehëve, hungarezëve, dalmatëve, tribalëve të vendosur nën komandën e princit Llazar të Serbisë, ishin të vendosur ta ndërpritnin përparimin osman”. Ndërsa nuk kishte munguar edhe përgjigja e Sulltan Amuratit të I, i cili u vu menjëherë në krye të trupave të tij duke u ndeshur me konfederatën e ushtrive ballkanike në rrafshinat e Kosovës. 

Edhe pse përshkrimet e betejës nga abati Vincent Mignot janë episodike e të shkurtra, megjithatë për lexuesin shqiptar më i rëndësishëm mbetet momenti i vrasjes së Sulltan Muratit. 
“Goditja ishte shumë e fortë nga të dyja anët”, ka shkruar Mignot për rrjedhat e betejës, duke shtuar se “jeniçerët dhanë dëshmi të mjaftueshme për guximin dhe disiplinën, në të cilën kishte llogaritur edhe vetë Sulltan Amurati I. Spahinjtë, të armatosur me shtiza të gjata e të stolisura, i shkaktuan goditje vdekjeprurëse kalorësisë hungareze, e cila nuk ia doli që të mbulohej me armë mbrojtëse dhe dukej se ajo ishte e hapur ndaj goditjeve të fituesit. Më në fund fitorja u vendos për turqit”.
Ndërsa vetë momentin e vrasjes së Sulltanit Vincent Mignot e ka përshkruar si në vijim: “Kur u besua se fitorja ishte e sigurt, Amurati i zbriti kalit dhe duke ecur nëpër fushëbetejë i habitur, vuri re se pothuajse të gjitha kufomat e armikut ishin djem të rinj e pa mjekër. Me këtë rast, gjenerali i ushtrisë Karatine i tha sulltanit se luftëtarët ballkanas ishin të rinj e të pamartuar, por megjithatë ata e kishin marrë guximin t'i afroheshin shpatës së myslimanëve! Kur gjenerali po fliste akoma, një shqiptar i plagosur, i cili kafshoi dheun (pluhurin) pranë vetes, e mblodhi tërë fuqinë, ose më saktë gjithë inatin e tij, për ta goditur sulltanin, të cilin e njohu nga madhështia e armëve dhe nga respekti i thellë që pasuesit e manifestonin ndaj tij. Vrasësi shqiptar u copëtua në vend, ndërsa sulltani i rrethuar midis prijësve ushtarakë, të cilët sinqerisht e mallkuan këtë fitore të përgjakshme, vdiq pas dy orësh...” 
      
Vincent Mignot dhe opinioni rus rreth vrasësit shqiptar të sulltanit      

“Për më tepër, respekti që Amurati I e kishte për fenë kishte kontribuar jo pak për ta bërë atë të respektuar”, ka shkruar Mignot duke shtuar: “Ky sulltan kurrë nuk ndërmori ndonjë gjë të rëndësishme pa iu lutur Zotit me zë të lartë dhe duke i drejtuar duart drejt qiellit. Për më tepër, Amurati I e sinjalizoi zellin e tij përmes disa institucioneve të dobishme, pasi pothuajse në të gjitha qytetet e mëdha që i kishte shkatërruar më parë, ai themeloi medrese apo shkolla publike, imarete e spitale. Ai u balsamos dhe u transferua në qytetin e Bursës, ku deri atëherë ishin varrosur të gjithë princat e shtëpisë sunduese”. 

Në fund mund të themi se edhe pse abati francez Vincent Mignot në librin e tij “Histoire de l’Empire ottoman”, të botuar në vitin 1771 në Paris, nuk e përmend me emër shqiptarin që e vrau Sulltan Muratin, falë librit të tij që u përkthye në rusisht me titullin “Историja турецкаjа сочиненаjа Абатом Минотом”, të botuar në Shën Peterburg në vitin 1789, edhe opinioni i atëhershëm rus e mësoi se vrasësi i sulltanit ishte shqiptar kosovar edhe pse në literaturën ruse disa vite më vonë emri i tij u lakua si Milezi Korbilla, Milosh Obila, Milosh Kobileva, Milosh Obileva etj.
 

Përgatiti: Skënder Latifi