Nga dokumentet mësojmë se murgjit serbë në Malin e Shenjtë dhe në Manastirin e Hilandarit nuk ndihmoheshin vetëm nga sunduesit dhe bujarët serbë, por edhe nga ata shqiptarë. Në një akt të vitit 1426 shkruan se Gjon Kastrioti së bashku me katër djemtë e vet: Stanishën, Reposhin, Kostandinin dhe Gjergjin (Skënderbeun) i dhurojnë Manastirit të Hilandarit dy fshatra të Shqipërisë, Radostushën dhe Trebishtin
Në rrethana të ndryshme të disfavorshme për shqiptarët, kur janë përkufizuar kufijtë gjeopolitikë, shumë monumente të rëndësishme shqiptare kanë mbetur brenda hapësirave të shteteve fqinje: në Greqi, Maqedoni, Mal të Zi apo Serbi. Në qytetin e Ohrit dhe rreth e përqark tij ka shumë mbetje arkeologjike – nekropolet ilire të Trebenishtit, arkitektonike – kisha e manastire, kështjella, pastaj pasuri etnografike të trashëgimisë shqiptare, që janë krijuar gjatë lashtësive të mijëvjeçarëve. Kështu, në kështjellën e vjetër të Ohrit, në vitin 1295, ishte fisniku shqiptar Progon Zguro, i cili ndërtoi njërën nga kishat më të vjetra dhe të bukura të Ohrit - Kishën e Shën Klementit, të njohur si Nëna e Shenjtë e Zotit - Perivleptos. Atëbotë ishte fisniku tjetër shqiptar, Andrea Gropa, i cili sundonte qytetin e Ohrit.
Ndërkaq, gjenerali shqiptar i ushtrisë bizantine, Progon Zguro, ishte dhëndër i Perandorit bizantin, Andronikut II Paleolog. Zguroja ishte baxhanak me mbretin serb Milutin, i cili gjithashtu ishte martuar me vajzën tjetër të Perandorit, Simonidën. Në tekstin autentik të kësaj kishe, ndër të tjera, dokumentohet: “Kjo faltore hyjnore e më së shenjtës zonjës Nënë e zotit Peribleptos është ndërtuar me ndihmën dhe shpenzimet e Imzot Progon Zguros, Eteriarkut të Madh dhe bashkëshortes së tij zonjës Evdoki, dhëndrit të më të fuqishmit dhe më të devotshmit tonë, perandorit të romanëve, Andronikut Paleolog…”. Ndërkaq, Milutini serb kishte rindërtuar Manastirin e Graçanicës në afërsi të Prishtinës mbi rrënojat e një tempulli të lashtë me gurët e Ulpianës antike - rreth 26 vjet pas ndërtimit të kishës së Progon Zguros në Ohër. Për pikturimin e afreskave të Graçanicës sunduesi serb kishte angazhuar të njëjtit piktor vendas, Mëhill Astrapën dhe Eutihun, të themeluesit shqiptar të kishës së Ohrit.

Në Malin e Shenjtë, të cilin e quajnë republikë të vetme të manastireve në botë, gjenden 20 manastire ortodokse: 17 greke, një rus (Shën Pantelejmon) një bullgar (Zografu) dhe një serb (Hilandar). Vetë Mali i Shenjtë, apo si quhet ndryshe Mali Athos (Greqi) me majën më të lartë piramidike 2.000 metra, shtrihet në kepin më lindor të tre kepave të Gadishullit Halkidiki, të cilin e lagin valët e detit Egje mes golfeve Theramik dhe Strimonik. Sipërfaqja e tij shtrihet në 60 kilometra gjatësi dhe në 8-12 kilometra gjerësi me gjithsej 360 kilometra katrorë. Për emrin e tij ekzistojnë disa legjenda. Me emrin Athos, fjalë parahelene, quhej një gjigant thrakas, i cili ia kishte hedhur gjithë masivin shkëmbor Posejdonit gjatë një përleshjeje mes perëndive dhe gjigantëve. Sipas një legjende tjetër, të cilën së pari e shënon Straboni e pastaj e përsërit edhe Plutarku, Dinokrati (i cili ishte arkitekt i Aleksandrit të Madh) dëshironte ta transformonte tërë Malin Athos në një figurë vigane të Aleksandrit të Madh. Legjenda tjetër thotë, siç e tregojnë tash murgjit e Athosit, se rreth vitit 49 të erës sonë Shën Mëria Panagia, e vërteta Nënë e Zotit - kur ajo gabimisht kishte arritur këtu, duke vështruar majën e lartë e të thepisur, kishte thënë: “Ky mal është truall i shenjtë. Le të bëhet tash pjesë imja. Le të mbetem këtu”. Atëbotë Shën Mëria kishte pagëzuar tërë njerëzit dhe historia madhështore e Malit të Shenjtë kishte filluar. Ja kështu thotë legjenda.

Manastiri i Hilandarit është ndër monumentet më të rëndësishme dhe më të bukura të artit mesjetar në Athos. Në vistrin hierarkik të 20 manastireve të Malit të Shenjtë ai zë vendin e katërt. Në gërmadhat e një manastiri të lashtë me emrin Hilandarios, sunduesi serb Stefan Nemanja dhe biri i tij, Rastko (i cili kishte braktisur jetën princore dhe ishte bërë murg me emrin Shën Sava) themelojnë manastirin Hilandar, më 1198. Sot ky manastir mburret me koleksionin e shkëlqyeshëm të thesareve. Shumica e tyre janë vendosur tash në ndërtesën e restauruar që gjendet në të majtë të Katholikonit (kishës kryesore). Aty ruhen 181 kodikë grekë dhe 809 sllavë. Prej 20.000 librave të shtypur, 3.000 janë grekë e të tjerët sllavë. Arkivi ka mbi 400 dokumente: 165 krisobula janë greke-bizantine, 160 serbe, 9 ruse, 2 bullgare dhe 31 moldo-vllehe si dhe 70 fermanë turq.
Në mesin e këtyre dokumenteve gjenden edhe disa që kanë rëndësi të veçantë për historinë e popullit shqiptar. Nga këto dokumente mësojmë se murgjit serbë në Malin e Shenjtë dhe në Manastirin e Hilandarit nuk ndihmoheshin vetëm nga sunduesit dhe bujarët serbë, por edhe nga ata shqiptarë. Në një akt të vitit 1426 shkruan se Gjon Kastrioti së bashku me katër djemtë e vet: Stanishën, Reposhin, Kostandinin dhe Gjergjin (Skënderbeun) i dhurojnë Manastirit të Hilandarit dy fshatra të Shqipërisë, Radostushën dhe Trebishtin.
“Dhe kështu”, thuhet në aktin e dhurimit, “unë i liroj ata nga çdo angari e madhe dhe e vogël, me të gjitha detyrimet për haraçin mbretëror dhe për taksat e shtetit dhe të gjitha këto ia jap manastirit të shenjtë të mos ketë në këtë krahinë as qefali, as zot, as psarë, të mos u japin atyre të dhjetat as për drithë, as për verë, as për mjaltë, as dhuratë në dinarë, as para për kullotë, as të dhjetat e bagëtisë, kështu që kisha t’i marrë të gjitha të drejtat mbi këto fshatra sipas ligjit”.

Nga një kartë tjetër e Hilandarit mësojmë se igumeni Athanas, së bashku me kuvendin e Hilandarit, i jep Gjon Kastriotit, për 60 florinë, Pirgun e Shën Gjergjit dhe ia shet katër adelfate, duke u obliguar ta ruajë kujtimin e Gjonit dhe të katër djemve të tij “derisa të rrojë Hilandari”. Adelfatet merren për Gjonin dhe tre djemtë e tij (pa Stanishën): pas vdekjes së tyre pirgu i rikthehet Hilandarit. Pirgu i Shën Gjergjit edhe sot e kësaj dite quhet Pirgu Shqiptar (Arbanaški pirg). Kallogjerët serbë janë kujdesur për familjen e Kastriotëve dhe në disa dorëshkrime gjendet kujtimi për ta. (Šišićev zbornik, Zagreb 1929, 648).

Në kohën e depërtimit turk, në dekadën e tretë dhe të katërt të shekullit XV, Gjon Kastrioti kishte blerë këtë pirg (kullë), si vend strehimi po të ishte nevoja për vete dhe për familjen e tij. Gjatë qëndrimit në Hilandar, njëri nga të katër djemtë e tij, Reposhi, vdes dhe e varrosin në nartheksin e kishës qendrore të mbretit Milutin. Pikërisht pranë murit verior, ku gjendet varri i Reposhit, akrosoliumi i të cilit është i stolisur me piktura murale. Afresket shfaqin Shën-Mërinë Odigitria, së cilës ia rekomandojnë shpirtin e Reposhit, Shën Gjergji, Shën-Simeon Nemanja dhe Shën-Sava. Mbi ta gjendet Krishti Emanuel, i cili bën bekimin mes dy engjëjve. Nuk dihet kush ishte piktori i këtyre afreskeve, të cilat janë mjaft të zbehta. Mbishkrimi që gjendet në të djathtë të kompozicionit është i shkruar në gjuhën e vjetër sllave: “Këtu shtrihet Reposhi, Duka i Ilirisë, në vitin 6939 (1430/31)”. Por, enigmë edhe më tutje mbetet çështja e trashëgimisë shumë të rëndësishme të familjes mbretërore të Kastriotëve, e cila duhet të ketë mbetur në këtë manastir në kompleksin e të cilit gjendet Pirgu Shqiptar i Kastriotëve.
Ndërkaq, në Novi-Pazar të trevës së Sanxhakut në Serbi, gjendet një monument shumë i rëndësishëm dhe nga më të vjetrit, Kisha e Shën Apostujve Pjetër e Pal. Data e saktë e themelimit të kësaj kishe paleokristiane ende nuk është përcaktuar me saktësi. Ndërkohë, studiuesit kanë konstatuar gjatë gërmimeve se ky vend fillimisht ishte një varrezë princore ilire e shek. V p. e. s. Gërmimet (1957-1958), nën dyshemenë e kishës kanë zbuluar artefakte - bizhuteri ari e argjendi, maska, rruaza dhe qeramikë. Në shek. IX kjo kishë përmendet si seli e dioqezës së Serbisë (Eparkia e Rasit). Përreth kishës gjenden varreza të periudhave të ndryshme. Gjetjet gjenden aktualisht në Muzeun Kombëtar të Serbisë, në Beograd.
Qyteti i bukur i Kosturit ngrihet mbi një shpat shkëmbor buzë liqenit me emër të njëjtë. Është ndër lokalitetet më të rëndësishme të Greqisë Veriore me monumente bizantine e postbizantine, si dhe me godina të tjera të vjetra karakteristike. Në mesin e një konglomerati faltoresh, gjithsej 38 sosh, gjenden edhe dy kisha të rëndësishme, të cilat janë me interes për historinë dhe kulturën shqiptare: Shën Apostujt, kishë kjo në të cilën ka pikturuar artisti i madh shqiptar i shekullit XVI Onufri, dhe Shën Athanasi i Muzakajve, të cilën e kanë ngritur vëllezërit Muzakaj.
Kisha e pagëzuar Shën Athanasi i Muzakajve (apo siç quhet në greqisht Hagios Athanasios tou Mouzaki), u ndërtua nga vëllezërit shqiptarë Stojë dhe Theodor Muzaka, më 1384-85. Për familjen e njohur bujare shqiptare të Muzakajve kemi të dhëna burimore në veprën Historia e Genealogia della casa Musacchia, 1510, Napoli (Historia dhe gjenealogjia e shtëpisë së Muzakajve), vepër kjo e quajtur “margaritar” për historinë mesjetare shqiptare (të cilën e botoi në Berlin, më 1873, historiani Karl Hopf në librin e tij “Chroniques greco-romanes”, shkruar nga Gjon Muzaka (bashkëluftëtar i Skënderbeut) dhe plotësuar nga biri i tij, Kostandin Muzaka. Në pjesën e parë të shekullit XIV bujari Andrea Muzaka (1280-1319) i kishte pronat midis lumenjve Shkumbin e Vjosë dhe mbante titullin Despot i Arbërisë. Ndërkaq, më vonë, do të shquhet Theodor Muzaka, zoti i Beratit dhe sundimtari i Myzeqesë, i cili mori pjesë edhe në Betejën e Kosovës, më 1389, së bashku me Gjergjin II Balsha dhe me feudalë të tjerë shqiptarë në përbërje të koalicionit të popujve të krishterë të Ballkanit. Në monografinë reprezentative “Kastoria”, të botuar më 1985, në Athinë, në gjuhën angleze, autor i së cilës është bizantologu i njohur grek, Manolis Haxhidakis, janë përfshirë vetëm shtatë kishat më të rëndësishme të Kosturit, në mesin e të cilave edhe kisha e Muzakajve. Në faqen 106, autori shkruan: “Kisha e vogël që i kushtohet Shën Athanasit gjendet afër Metropolisit. Me përmasa 6.25x3.45 m, ajo është njëkrahëshe, me kulm lëndësh druri dhe ka një nartheks më të vonshëm. Mbishkrimi i themeluesit, kaligrafik, por i komponuar gabimisht dhe i keqrrokjezuar mbi murin perëndimor, shënon se kisha ishte ndërtuar dhe dekoruar me piktura murale në vitet 1384-85, nga vëllezërit Stoia dhe Theodor Muzaka, sundues lokal të kohës, dhe nga kryemurgu Dionis… kur qyteti sundohej nga familja e vjetër shqiptare e Muzakajve”. Gjendja në të cilën është tash faltorja e Muzakajve, vërteton se mbi 600 vjet ajo ka mundur t’i ruajë me sukses pikturat murale nga dhëmbi brejtës i kohës.
Seria e teksteve “Kujt i përkasin, në të vërtetë, tempujt fetarë në Kosovë?” të Shyqri Nimanit (6 maj 1941 – 22 qershor 2023), u botua për herë të parë në Shtojcën për kulturë, prej korrikut deri në gusht të vitit 2014