Shtojca për Kulturë

Shqiptarët nën Jugosllavi – barrierë e përhershme midis Tiranës dhe Beogradit

Pavarësisht ngritjeve dhe rënieve ndërmjet këtyre dy shteteve fqinje, çështja e shqiptarëve nën Jugosllavi ishte një barrierë e përhershme ndërmjet Tiranës dhe Beogradit. Interesat e ndryshme nacionale e bënë të paarritshëm një kompromis politik për çështjet nacionale edhe në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, edhe pse deri atëherë elita komuniste ishte zotuar për afirmimin e parimit të vetëvendosjes

Një argument tjetër i qëndrueshëm që Oliver Schmitt e përdor në librin “Ballkani në shekullin XX: Një perandori post-perandorake” është se afër një shekull histori e çështjes së Kosovës dhe e shqiptarëve në Jugosllavi nuk duhet të shihet si e pandashme e historisë së Jugosllavisë, por si një histori e raporteve të paqëndrueshme bilaterale ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë.

Pra, pavarësisht ngritjeve dhe rënieve ndërmjet këtyre dy shteteve fqinje, çështja e shqiptarëve nën Jugosllavi ishte një barrierë e përhershme ndërmjet Tiranës dhe Beogradit. Interesat e ndryshme nacionale e bënë të paarritshëm një kompromis politik për çështjet nacionale edhe në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, edhe pse deri atëherë elita komuniste ishte zotuar për afirmimin e parimit të vetëvendosjes. Shikuar në këtë kontekst, mbase edhe Rezoluta e Konferencës së Bujanit, që premtonte respektim të synimeve të Kosovës për bashkim me Shqipërinë, më shumë mund të ketë qenë vetëm si një instrument për neutralizimin e ndikimit të rrymave dhe grupeve nacionaliste e antikomuniste në Kosovë, të cilat angazhoheshin për një vetëvendosje të Kosovës, përkatësisht për bashkim të Kosovës me Shqipërinë.

Integrimi i shqiptarëve në Jugosllavi, ashtu si edhe i grupeve të tjetra etnike në vendet ballkanike, ishin edhe përpjekjet e dështuara për të vendosur një sistem rendi post-perandorak brenda-rajonal, bazuar në parullën “Ballkani popujve të Ballkanit”, pasi, siç vëren autori, as federalizmi ballkanik i komunistëve dhe as ballkanizimi i jokomunistëve nuk ishin në gjendje t’i kapërcenin dallimet nacionale në rajon. Ashtu sikur edhe sot, prapa projekteve të tilla fshiheshin interesat nacionale të shteteve të caktuara, në këtë rast të Jugosllavisë, e cila synonte që përmes përfshirjes së Bullgarisë dhe Shqipërisë në federatën jugosllave të fitonte një fuqi vendimtare rajonale dhe të merrte një rol global.

Ndërhyrja e NATO-s dhe hapja e rrugës për Pavarësinë e Kosovës

Më tej, në librin e tij Schmitt, duke analizuar rrjedhojat e shpërbërjes së Jugosllavisë, i bën një vlerësim lapidar ndërhyrjes së parë ushtarake të NATO-s në parandalimin të spastrimit etnik të Kosovës në fund të shekullit XX, ngjarje kjo që sipas autorit, i hapi rrugën deklarimit të Pavarësisë së Kosovës. Po ashtu është sinjikativ, dhe deri diku edhe paralajmërues, fakti kur autori pohon se “shtetet më të forta postosmane të Ballkanit, Kosova, Maqedonia dhe Bosnja dhe Hercegovina, formojnë një zonë të shtetësisë së brishtë dhe të jostabilitetit gjeostrategjik”(f. 561).

Nga këndvështrimi im, përshkrimi i historisë së Kosovës ka disa mangësi të vogla, të cilat mund do të mund kompensohen në rast ribotimit: për shembull, për audiencën gjermanofone mbetet e paqartë çfarë është organizata “Xhemiet”, organizatë myslimanë apo shqiptare, pasi autori lë të kuptohet se është një formacion politik mysliman. Si në rastin e shpjegimit të qëllimeve të organizatave VMRO-në apo JMO, edhe në rastin e “Xhemijetit”, autori ka mundur me një fjali të saktësojë se qëllimi i saj programor dhe kombëtar ishte për mbrojtjen e identitetit shqiptar. Është dashur të evidentohet fakti se në kohën e Mbretërisë Jugosllave, kur shqiptarëve jo vetëm se nuk u lejohej edukimi në gjuhën shqipe, por u mohohej çfarëdo shpërfaqje apo identifikim publik i etnicitetit të tyre kombëtar, e vetmja mundësi ishte regjistrimi i një organizate me emërtim mysliman, “Xhemiet”. Përveç kësaj, autori ka mundur ta përmendë shkurtazi edhe fenomenin shtytjes së paraqitjes së shqiptarëve si turq, si në periudhën në mes dy luftërave botërore, ashtu edhe dy dekadat e para pas Luftës së Dytë Botërore, krahas aksioneve ndëshkuese ndaj shqiptarëve siç ishte i ashtuquajturi “aksion për grumbullimin e armëve” etj.

Propaganda e Beogradit – identifikimi i shqiptarëve myslimanë si turq

Një fenomen postperandorak që u keqpërdor nga qarqet shtetërore dhe propaganda e Beogradit, ishte çështja e identifikimit zyrtar të shqiptarëve myslimanë si turq. Për shembull në vitet 1950 është i njohur fenomeni i shfaqjes krejt papritmas i “çështjes turke”, të cilën qeveria komuniste e Beogradit nëpërmjet favorizimit dhe inkurajimit të shqiptarëve turqishtfolës për t’u regjistruar si pjesëtarë të pakicës turke provoi të rriste në mënyrë artificiale numrin e turqve në Kosovë. Është fakt se si pjesë e trashëgimisë perandorake osmane, shumë shqiptarë kishin emra turq, apo fetar dhe se përdorimi i turqishtes ishte ende gjuha lingua franca, që nënkuptonte status më të lartë shoqëror. Këtë rrethanë e shfrytëzuan qeveritarët jugosllavë dhe derisa në vitin 1948 si turq në Kosovë ishin deklaruar vetëm 1.315 (0,18 për qind), në vitin 1953 si turq u deklaruan 34, 583 (4.28 për qind). Duke u nisur nga preteksti i “zbatimit konsekuent” të parimit të njohjes së plotë të drejtave kombëtare për çdo popullsi, e shtriu propagandën dhe veprimtarinë në hapjen e shkollave në gjuhën turke në Kosovë dhe në rajonet e tjera me shumicë shqiptare dhe me qëllim të shkombëtarizimit të shqiptarëve. Manipulimet rreth numrit të popullsisë me kombësi turke në dëm të asaj shqiptare kishin për qëllim të krijonin dispozitat ligjore “mbi mundësinë e shpërnguljes së përhershme në Turqi të pjesëtarëve të grupit etnik turk” (“Rilindja”, Prishtinë, 28 prill 1983).

Ky diskurs politik përdorej pas vitit 1945 me qëllim që në momentin e përshtatshëm të justifikohej ajo që projektohej për rifillimin e procesit të shpërnguljes me dhunë të shqiptareve, gjë e cila edhe ndodhi në vitin 1953 me rastin e riaktualizimit të Konventës së vitit 1938 për shpërnguljen e “turqve” nga Jugosllavia në Turqi (Petrit Imami: “Serbët dhe shqiptarët ndër shekuj”, Vëllimi II, “Samizdat-B92”, Beograd 2017, f. 32-37).

Për shembull, këtë dukuri më së miri e shpjegon gazeta “Flaka e Vëllazërimit”, që botohej në Shkup, e cila theksonte se propaganda dhe presioni për ta zvogëluar artificialisht numrin e popullsisë shqiptare në Maqedoni dhe Kosovë me anë të përcaktimit të së ashtuquajturës kombësi myslimane dhe rritjes po ashtu artificiale të turqve, ishte shprehje e politikës shkombëtarizuese të shqiptarëve (“Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 4 prill 1945).

Për këtë arsye, shqiptarët gjithmonë kanë treguar ndjeshmëri dhe tepër kujdes që përkatësia e tyre të mos ndërlidhej me apo pa keqdashje edhe me përkatësinë e tyre religjioze, mbase edhe për shkak se është parë si refleksi kolonial i politikës serbe dhe si një term i ngarkuar politikisht, për shkak se kur dhe si është përdorur në histori ka nënkuptuar dominimin dhe represionin serb. Për më tepër, edhe gjatë luftës për emancipim kombëtar, për dallim nga popujt e rajonit, elita shqiptare e Rilindjes e zhvilloi nacionalizmin kulturor në formën e nacionalizmit gjuhësor e të prejardhjes, pra gjuha shqipe dhe prejardhja ilire u bënë bazamentet më të rëndësishme të identitetit nacional të shqiptarëve. Në këtë kontest, nëse nuk është gabim përkthimi apo lëshim teknik, kur flitet për shqiptarë dhe popujt e tjerë myslimanë (boshnjak apo turq) autori, në disa vende përdor termin “popullatë myslimane”, “refugjatët myslimanë” (f. 42) apo myslimanë shqiptarë”, gjë që për lexuesin gjermanofon mund të krijojë paqartësi, ndërkohë që shqiptarët e shpërngulur në vende të ndryshme i përkisnin konfesionit ortodoks dhe katolik në Maqedoni apo në Kosovë. Dhe, po të mos ndodhnin Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, përmasat e dëbimeve të shqiptarëve do të ishin me pasoja fatale për shqiptarët. Politikat e tilla shkombëtarizuese janë evidente edhe pas Luftës së Parë Botërore, kur Serbia dhe disa shtete të tjera të Ballkanit vazhduan me dëbimet masive dhe transferime të popullsive (Traktati i Lozanës mes Turqisë dhe Greqisë, 1923), të cilat ishin të motivuara nga intenca për homogjenizimin etnik në këtë periudhë.

Pasaktësia me “popullsi myslimane shqiptare”

Një term jo shumë preciz përdoret edhe në rastin e trajtimit të kryengritjeve antiosmane të shqiptarëve në fillim të shekullit XX, kur autori flet për “shtimin e kryengritjeve të popullsisë myslimane shqiptare”(f. 28), që për audiencën perëndimore krijon një perceptim të gabuar, pasi thelbi i kryengritjeve ishte me karakter kombëtar dhe jo i natyrës religjioze. Për më tepër, edhe në burimet arkivore të proveniencës perëndimore apo lindore të kësaj periudhe shqiptarët përmenden qoftë si “Albanians” ose si “Arnauts” për tri konfesionet fetare. Kur flet për dëbimin e shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike 1912/13, autori nxjerr një konstatim (nëse nuk është gabim përkthimi) të pasaktë, kur thotë: “shumë turq dhe shqiptarë dëshironin të shpërnguleshin në Perandorinë Osmane” (64-65).

Fenomenin e keqpërdorimit të religjionit, përkatësisht të përkatësisë fetare myslimane, autori e evidenton në këtë libër, duke zbërthyer intencat e politikave shkombëtarizuese të Beogradit. Këtë gjë autori e nënvizon në mënyrë më eksplicite kur: “Një edukim i theksuar fetar duhej të parandalonte shfaqjen e një vetëdije kombëtare, veçanërisht në mesin e shqiptarëve myslimanë – shkolla duhej të prodhonte myslimanë, jo shqiptarë dhe kështu i parandalonte përpjekjet e shqiptarëve për pavarësi” (f. 225-226).

Në kontekstin e trajtimit të organizatave politike dhe paraushtarake ballkanike autori ndalet kalimthi edhe në përmendjen e organizatës politike shqiptare Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, e cila rreth vetes mblidhte figurat kyçe të elitës politike shqiptare, kryesisht të Kosovës dhe hapësirës tjetër shqiptare. Lidhur me këtë organizatë politike, në nënkapitullin “Para-shteti dhe para-ushtarakët”, Schmitt ka dhënë këtë shpjegim në një fjalie të shkurtër: “Në Mbrojtjen e Kombëtare të Kosovës ishin bashkuar politikanë postosmanë si Hasan Prishtina dhe Bajram Curri” (f. 174), por që për një lexues të huaj është i pamjaftueshëm për të krijuar një ide të saktë se për çfarë angazhohej ajo dhe cilat ishin objektivat e saj. P.sh. Noel Malcom, kur flet për njërën nga figurat kryesore të kësaj organizate, Hasan Prishtinën, pohon se ai kishte bërë përpjekje aktive për të ndikuar në qeverinë amerikane për ta përfshirë Kosovën në shtetin e ri të Shqipërisë, si dhe i kishte dërguar letra proteste Konferencës së Paqes në Paris, për shkak të vrasjeve të shqiptarëve nga Kosova nga autoritetet të qeverisë mbretërore të SKS” (Noel Malcom, “Kosovo: A Short History”, London, 1998, f.232)

Pavarësisht boshllëqeve dhe nuancave të përmendura më lart, e që në një libër të tillë ku trajtohet historia njëqindvjeçare e shteteve të Ballkanit, pothuaj është e pamundur të evitohen, libri “Ballkani në shekullin XX” është një studim serioz që ofron një përmbledhje të shkëlqyer për zhvillimet post-perandorake të shteteve të Ballkanit gjatë shekullit XX.

Autori ka sjellë njohuritë e tij të thella për popujt e Ballkanit: shqiptarët, serbët, bullgarët, grekët malazezët, kroatët, rumunët dhe myslimanët e Bosnjës, si dhe pakicat turke, rumune, gjermane, vllahe, hebreje dhe rome. Në këtë kuptim, ky libër mund të konsiderohet një enciklopedi më vete për periudhën dhe temën që ka trajtuar. Schmitt ia del me sukses të na prezantojë një sintezë gjithëpërfshirëse dhe interpretim të paanshëm të historisë postperandorake të Ballkanit në shekullin XX. Në këtë mënyrë, ky studim me shumë vlera bëhet një burim i pashmangshëm historiografik dhe një burim themelor referimi për gjithë studiuesit dhe ekspertët që do të merren me Ballkanin dhe historinë e tij.