Shtojca për Kulturë

Shqiptarët në Mal të Zi në kohën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë

Ata nuk luftuan kundër Turqisë për të kaluar nën një okupim të ri. Shqiptarët luftuan për të qenë të lirë e të pavarur sikurse popujt e tjerë. Madje Pavarësia e Shqipërisë e shpallur në Vlorë më 28 nëntor 1912 nuk është shpallur për gjysmën e territoreve shqiptare të cilat u pranuan ndërkombëtarisht në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, por ajo është shpallur për tërë territoret e banuara më shqiptarë në hapësirën e tyre etno-gjeografike në Siujdhesën Ballkanike

Në aspektin gjeopolitik për opinionin e gjerë është e njohur se në saje të vendimeve të Kongresit të Berlinit (1878), harta politike e Siujdhesës Ballkanike pësoi ndryshime, sepse nga principatat e dikurshme autonome u krijuan shtetet e pavarura, ku bënte pjesë edhe Mali i Zi. Në vend që Fuqitë e Mëdha të kohës të insistonin që Malit të Zi si shtet i ri i njohur ndërkombëtarisht t’i takonin vise dhe popullsi sllave nga ana perëndimore e tij, duke marrë për bazë kriterin etnik, u vendos e kundërta, duke i dhuruar këtij shteti edhe vise me popullsi shqiptare. Andaj nga kjo kohë me fillimin e rrudhosjes së hapësirës shqiptare në favor të fqinjëve, “çështja shqiptare” u cilësua si dimension i veçantë, sepse në rastin konkret raportet shqiptaro-malazeze morën një kah tjetër.

Viset shqiptare nën administrimin e Malit të Zi pas vitit 1878

Ishin vendimet e Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit të cilat legjitimuan fillimin e copëtimit të trojeve shqiptare, fillimisht me pranimin e pavarësisë së shteteve fqinje, siç ishin Mali i Zi dhe Serbia. Edhe pse aspiratat për zgjerim territorial të Malit të Zi gjatë dhe pas luftërave kundër Turqisë (1876-1878) ishin më të mëdha, nën administrimin e tij kaluan krahina e Trieshit, Koja, Podgorica, Zhabjaku, Tivari dhe pjesa VP e Krajës. Edhe pse në Kongres u vendos që edhe Krahina e Plavës dhe Gucisë t’i jepet Malit të Zi, një vendim i tillë nuk u realizua në saje të angazhimit ushtarak të popullatës shqiptare në organizim të LSHP-së, ku u zhvillua edhe beteja e njohur e Nokshiqit në dhjetor të vitit 1879. Si kompensim për të u bënë pazare nga Fuqitë e Mëdha që t’i jepej Krahina e Grudës, por ishte LSHP-ja që organizoi mbrojtjen ushtarake në prill të vitit 1880, duke mos lejuar aneksimin e territoreve shqiptare nga ana e Malit të Zi. Por, të ndodhur në situatë të tillë, Fuqitë e Mëdha arrijnë kompromisin e fundit për kompensimin e Plavës dhe Gucisë, e ky është qyteti i Ulqinit me rrethinën e tij të ngushtë, ku edhe pas rezistencës së popullsisë vendore, ky territor iu dorëzua Malit të Zi nga Perandoria Osmane në prani të forcave ndërkombëtare në fund të nëntorit të vitit 1880.

Viset shqiptare të cilat kaluan nën administrimin e Malit të Zi edhe në rrethana të reja shoqërore dhe politike arritën të mbajnë komunikimin e vet ndërkrahinor me kryeqendrën e veriut shqiptar që ishte qyteti i Shkodrës.

Edhe pse kufiri i ri në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, e cila ishte nën administrimin e Perandorisë Osmane në këto pozicione qëndroi 32-34 vjet varësisht prej krahinës, pushteti i Malit të Zi kishte plane për pushtimin e territoreve të banuara me popullsi shqiptare. Me një fjalë, territoret e përfituara nga Kongresi i Berlinit ishin fillimi i një politike ekspansioniste në dëm të trojeve dhe popullsisë shqiptare. Një dukuri e tillë u hetua në mënyrë praktike me rastin e kryengritjes në Malësi të Madhe në vitin 1911. Ishte kjo një situatë e pavolitshme për shqiptarët, por dhe një sinjal se çka është duke u përgatitur kundër tyre, e dhënë kjo e cila do të jetë transparente në vjeshtën e vitit 1912 dhe më pas.

Ofensiva pushtuese e Malit të Zi ndaj tokave shqiptare dhe rrethimi i Shkodrës: tetor 1912 – prill 1913

Shtetet ballkanike duke parë sukseset luftarake të shqiptarëve kundër ushtrisë së Perandorisë Osmane, veçanërisht kryengritjet e vitit 1910-1912, shpejtuan me formimin e Aleancës Ballkanike, për fillimin e luftës kundër Portës së Lartë. Kështu, aleancë në mes vete lidhën Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia. Bisedat e fshehta në mes shteteve ballkanike ishin iniciuar nga Rusia në vitin 1911, duke përfunduar në shtator 1912, me realizimin e aleancës në mes tyre.

Ndërsa aleanca e arritur midis Malit të Zi dhe Serbisë në Lucern të Zvicrës (27 shtator 1912), me nënshkrimin e marrëveshjes politike dhe ushtarake ku e nënvizuar është se “atë që secili vend e çliron nga turqit, ajo edhe i takon“, dëshmon qartë për objektivat e tyre shteteve. Një konstatim i tillë është transparent dhe nuk meriton koment, nga del se shqiptarët ishin para sfidave të mëdha, ndaj pushtuesve të rinj të cilët gjoja në emër të luftës kundër Perandorisë, si orientim final kishin okupimin e territoreve të reja. Rasti i rrethimit të Shkodrës dhe lufta e zhvilluar (tetor 1912 – prill 1913) janë të veçanta, ku edhe pse kishte filluar Konferenca e Ambasadorëve në Londër, ku informatat ishin se ky qytet do të jetë në kuadrin e shtetit të pavarur të Shqipërisë, rrethimi i saj dhe lufta e zhvilluar në mes ushtrisë turko-shqiptare dhe asaj malazeze vazhdonte gjithnjë. Një veprim i tillë shpjegohet me faktin se Shkodra për Malin e Zi paraqiste një çështje të veçantë në filozofinë dhe në aspiratat e tyre ushtarake e politike, e cila ishte e bazuar në mitet mesjetare e jo në realitetin gjeografik dhe historik. Madje mbreti Nikolla ka ëndërruar se po t’i realizohej projekti i zgjerimit territorial në lindje, madje deri të lumi Drin, Shkodra do të ishte kryeqyteti i Mbretërisë së tij. Ai shprehej se “nuk do t’i ulë armët para se lumi Drin të bëhet kufiri jugor i Malit të Zi”. Ndërsa gjatë Luftës I Ballkanike (1912-1913) në bisedimet që u zhvilluan fshehurazi në mes të Serbisë dhe Malit të Zi (në pjesën e dytë të nëntorit 1912) mbreti Nikollë kërkoi ndarjen e territoreve në Shqipëri. Mali i Zi kërkonte të merrte rajonet deri në lumin Mat, ndërsa Serbia prej Matit deri te Shkumbini.

Image
Hartë e vitit 1913 me kufijtë e tokave shqiptare

Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (dhjetor 1912 – korrik 1913), delegacioni serbo-malazez kërkonte që Shqipëria të ngushtohej sa më tepër, sepse në këtë formë do t’i mundësohej Serbisë për të realizuar ëndrrën e tyre për dalje në bregdetin e Adriatikut. Nga ana tjetër delegacioni malazez kërkonte me këmbëngulje Shkodrën. Në kërkesë thuhej se po qe se nuk do të merrej një vendim i tillë, Mali i Zi për qytetin e Shkodrës do të jepte edhe njeriun e fundit, që dëshmohet edhe me parullën e mbretit Nikollë “ose Shkodrën, ose vdekjen”.

Ndërkohë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në luftën diplomatike për caktimin e kufirit shqiptaro-serb dhe shqiptaro-malazez, më 22 mars 1913 u vendos që Shkodra me rrethinë t’i mbetet Shqipërisë. Por malazeztë kishin aspiratat e tyre mitomane dhe vazhdonin gjithnjë ta mbanin të rrethuar Shkodrën duke vazhduar operacionet luftarake të bindur se çka fitohet me luftë edhe do t’u takojë. Por, pasi Mali i Zi hezitonte të respektonte vendimin e Londrës, me nismën e Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë, kundër tij filloi demonstrimi detar, i cili më 5 prill 1913 arriti para Tivarit dhe pas disa ditësh bllokoi bregdetin prej atij qyteti deri në grykën e Drinit. Megjithatë, forcat malazeze e pushtuan Shkodrën më 24 prill 1913, pasi atë ua dorëzoi Esat Pashë Toptani. Por veprimi energjik dhe presioni i Fuqive të Mëdha ku duhet veçuar sidomos Austro-Hungarinë pas qëndrimit trejavësh, forcat malazeze më 14 maj 1913, pasi e plaçkitën u larguan nga Shkodra ku menjëherë u vendosën forcat ndërkombëtare.

Por edhe pse humbi Shkodrën pas luftërave ballkanike, Mali i Zi u zgjerua territorialisht duke përfituar një territor me sipërfaqe prej 4958 kilometrash katrorë, që është më tepër se 48 për qind të territorit pas Kongresit të Berlinit (9475km2). Nga një e dhënë e tillë del se Mali i Zi pas çdo lufte është zgjeruar vazhdimisht, ku një pjesë e konsiderueshme e këtyre territoreve është e hapësirës etnogjeografike shqiptare.

Rrethanat e luftës dhe emigrimi i popullsisë shqiptare

Në rrethana të tilla të luftës, nuk ka dilemë se popullsia shqiptare u gjend në pozitë të pavolitshme, andaj ajo u detyrua të shpërngulej nga vendbanimet e tyre. Kështu, një dukuri e tillë ndodhi fillimisht nga viti 1878 e më pas, ku si shembull tipik shërben rasti i Ulqinit, ku me kalimin e këtij qyteti nën administrimin e Malit të Zi (nëntor 1880) pothuaj një e treta e popullsisë së qytetit emigroi duke u vendosur kryesisht në Shkodër, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Politika shtetërore e Malit të Zi në territoret e aneksuara kishte vendosur objektiva të qarta në lidhje me territoret e reja, ku çështje kyç ishte ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë. Me urdhër të Simo Popoviqit, i cili ishte në funksionin e guvernatorit të parë të Ulqinit, organet e pushtetit malazez ia filluan punës për regjistrimin dhe matjen e sipërfaqes tokësore që duhej të kolonizohej.

Në lidhje me këtë çështje, po ashtu, në mënyrë transparente dëshmon deklarata e tij që ia dërgonte ministrit të Punëve të Jashtme, ku thuhet: “Rrethi i Ulqinit për ne është i huaj. Të gjithë këtu janë turq (shqiptarë të konfesionit islam-N.D.) dhe malësorë. Kujdesi ynë i parë, për arsye të shumë shkaqeve, duhet të jetë që banorët vendës t’i asimilojmë dhe atë sa më parë në dy mënyra: me anë të kolonizimit, duke vendosur këtu 4-5 mijë familje malazeze dhe me anë të hapjes së shkollave. Kolonizimi do të arrihet kur shpërngulen malësorët nga ky vend. Kur të realizohet ky projekt, atëherë ky rajon i bukur dhe i pasur do të jetë krejtësisht dhe përgjithmonë i Malit të Zi. Derisa të mos realizohet ky qëllim, nuk kemi se çka të gëzohemi”.

Një përmbajtje e tillë nuk ka nevojë të analizohet, sepse çdo gjë është transparente, por mbetet të realizohet në praktikë, ku si qëllim final ishte ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë me të gjitha mjetet.

Kështu, kolonizimi në Fushën e Ulqinit ka zgjatur deri në mesin e vitit 1893, me ç’rast gjithsej janë vendosur 400 familje kolonësh, të cilave u janë ndarë 5000 rrallë tokë, nga del se një ekonomi shtëpiake ka fituar nga 12,5 rrallë tokë (që është e barabartë me 22.450m2). Për të krijuar kushte më të mira për kolonët, pushteti planifikonte të hapte toka të reja, duke planifikuar në këtë drejtim tharjen e Liqenit të Zogajve dhe të Kënetës. Në këtë drejtim janë angazhuar ekspertë të ndryshëm, të cilët kanë përgatitur projektet për tharjen e tokave përkatëse, ku në plane afatgjata është planifikuar të fitohen toka të reja me sipërfaqe prej 20.000 rrallë, por rrethanat shoqërore të kohës sidomos luftërat ballkanike ndërprenë punimet në ketë drejtim, më ç’rast nuk u realizuan objektivat “për kolonizimin masiv në këtë pjesë të Malit të Zi”.

Aspiratat ekspansioniste ndaj këtij mjedisi i ka shprehur edhe vetë princ Nikolla, i cili theksonte: “...me vendosjen e malazezve prej Mozhurit e deri te Buna, tërë qarkun e Ulqinit e malazezojmë”, duke vazhduar se “...tërë qyteti dhe rrethina është i banuar me banorë shqiptarë të konfesionit islam dhe katolik. Gjuha serbe në ketë anë të Mozhurit nuk është ndier. Me vendosjen e malazezve zhduket tipi shqiptar i kësaj ane”.

Dhe nga një situatë e tillë politike e shoqërore në këto mjedise kemi një emigrim të dhunshëm në saje të pakënaqësisë ndaj pushtuesve të rinj, më ç’rast një pjesë e konsiderueshme e viseve dhe vendbanimeve shqiptare u shpopulluan.

Veprimi i politikës shtetërore malazeze ishte identik edhe pas Luftës së Parë Ballkanike, ku zyrtarizimi i aneksimit të territoreve të pushtuara dëshmohet me miratimin e Ligjit për kolonizim të tokave të reja të çliruara në Kuvendin Popullor në vjeshtë të vitit 1913. Një vendim i tillë nuk ka dilemë se ndikonte drejtpërdrejt në ndryshimin e strukturës nacionale të popullsisë e po ashtu rrudhoste hapësirën etnogjeografike shqiptare, e cila ishte në kundërshtim flagrant me të drejtën legale dhe legjitime të çdo populli për të qeverisur territorin e vet.

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe viset shqiptare në Mal të Zi

Shqiptarët nuk luftuan kundër Turqisë për të kaluar nën një okupim të ri. Ata luftuan për të qenë të lirë e të pavarur sikurse popujt e tjerë. Madje Pavarësia e Shqipërisë e shpallur në Vlorë më 28 nëntor 1912, nuk është shpallur për gjysmën e territoreve shqiptare të cilat u pranuan ndërkombëtarisht në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, por ajo është shpallur për tërë territoret e banuara më shqiptarë në hapësirën e tyre etnogjeografike në Siujdhesën Ballkanike.

Shqiptarët pritnin vendimet definitive të kësaj konference, me shpresë se përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha do të marrin parasysh kriterin etnik, homogjenitetin e hapësirës etnogjeografike shqiptare, luftërat e vazhdueshme për t’u çliruar nga okupatori, por çdo gjë mbeti vetëm iluzion, sepse vendimet ishin subjektive kryesisht sipas intrigave dhe interesave të klaneve të ndryshme të shteteve përkatëse, duke ndarë përgjysmë hapësirën etnogjeografike shqiptare. Madje një konstatim të tillë e pranon edhe vetë ministri i Jashtëm anglez E.Grey i cili thotë: “Jam i bindur se, kur të dihen të gjitha, ky veprim do të kritikohet me të drejtë nga shumë anë, prej çdo njeriu që e njeh vendin dhe e shikon çështjen vetëm nga pikëpamja e popullsisë së tij. Por duhet të kemi parasysh se, në bisedimet rreth kufijve të Shqipërisë, qëllimi kryesor ishte të mos hapej konflikt midis Fuqive të Mëdha. Prandaj, në qoftë se marrëveshja mbi Shqipërinë u arrit duke mbajtur harmoninë midis Fuqive të Mëdha, mund të themi se ka qenë një sukses i plotë për interesin jetësor të paqes në Evropë”.

Ndërsa kufiri në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë do të përcaktohej nga KNK-ja në vitin 1914, i cili fatkeqësisht legjitimoi aneksimin e territoreve shqiptare pa përfillur kriterin etnik dhe aspiratat e vazhdueshme të popullsisë në rajonet përkatëse për bashkim me shtetin e pavarur shqiptar.

Përfundim

Pas Kongresit të Berlinit (1878), vitet 1912/13 ishin vendimtare në përcaktimin e hartës së re politike të shteteve ballkanike, që u legjitimua në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Në saje të këtyre vendimeve përfundimisht u bë edhe njohja ndërkombëtare e Shqipërisë, e cila si e tillë u përgjysmua si në aspektin territorial dhe atë populativ.

Nga ana tjetër, ishin fqinjët malazezët, serbët dhe grekët të cilët dëshmuan politikën e tyre ekspansioniste. Një politikë e tillë nuk ka dilemë se bazohej në mitomani dhe në mbështetjen diplomatike e ushtarake të disa shteteve pansllaviste me në krye Rusinë cariste, të cilët në emër gjoja të luftimit të Perandorisë Osmane, si qëllim final kishin të aneksonin sa më shumë pjesë të territorit etnik të populluar nga shqiptarët. Tashmë është e qartë se një veprim i tillë kishte prapavijë strategjike, në mënyrë që shteti i ri i pavarur i Shqipërisë të jetë sa më i vogël në sipërfaqe e në numër të popullsisë dhe pa ndonjë ndikim të veçantë politik në të ardhmen në Siujdhesën Ballkanike.