“Albanezët e quajnë veten shkipetar. Të gjithë shqiptarët, myslimanët dhe katolikët flasin shqip, ndërsa në qytete flasin turqisht. Në Vilajetin e Kosovës ka shumë fshatra myslimane, por në fshehtësi ato janë fshatra katolike. Fshatarët kryqëzohen fshehurazi, e sigurojnë ujin e kripën e shenjtë prej priftërinjve katolikë, por edhe shkrimet fetare. Këta katolikë të fshehtë ua japin të bijat e tyre myslimanëve, por megjithatë, fëmijëve nuk u vendosin emra myslimanë, ndërsa priftërinjtë katolikë i varrosin ata me ritet e fesë katolike”, shkruante Martin Gjurgjeviq në vitet 1869-1870. Rrugëtimi i tij vijon në Graçanicë, Janjevë e Gjilan
Janë vitet 1869 – 1870. Martin Gjurgjeviq (1845 – 1913) vazhdon: “Shpeshherë, ndodh që të ketë ngatërresa e luftime midis fshatrave shqiptare dhe çerkeze… Atëherë për kajmekamin ka shumë punë, por ndodh që ndonjëherë këtu të mbërrij edhe valiu prej Shkupi me qëllim që t’i pajtojë fshatrat shqiptare me ato çerkeze. Të gjitha këto konflikte e luftime, marrin fund pa kurrfarë dënimesh, pasi shqiptarët nuk kënaqen me dënime që pushteti ua shqipton atyre, prandaj ata i kanë gjyqet e veta. Në Prishtinë, një hoxhë më rrëfeu – ishte imam fshati – se shumë pak shqiptarë vdesin nga vdekja e natyrshme, ndërsa është i madh numri i shqiptarëve që vdesin nga plumbat e armëve. Kështu, shumë gjakmarrje tashmë janë grumbulluar me vite ndër popullatën vendore. Ky hoxha më rrëfeu se thuajse çdo ditë i duhet të shkojë në ndonjërin prej fshatrave të rrethinës që t’i pastrojë dhe t’i përgatisë të vdekurit. Më tha sa ajo punë është e neveritshme, sepse kufomat lëshojnë aromë të rëndë, pasi në të shumtën e rasteve trupat e të vdekurve janë të shqyera nga plumbat! Një ditë kur dolëm në gjah, në anën tjetër të Fushës së Kosovës në brigjet drejt Gjakovës, në të djathtë të rrugës i pamë nëntë varre të shqiptarëve. Kur i pyetëm njerëzit për ato varre, mësuam, se jo më larg se para dhjetë ditëve mu në atë vend ishin takuar krushqit e dy dasmave. Kështu midis krushqve kishte nisur grindja se kush duhej të kalonte i pari dhe kush duhet ta lëshonte rrugën dhe menjëherë kishte plasur sherr i madh duke u përdorur edhe armët. Ishte fat që nusja me kunatat e saj ishte larguar anash dhe aty pranë kishin mbetur të vrarë nëntë veta. Albanezët e quajnë veten shkipetar. Të gjithë shqiptarët, myslimanët dhe katolikët flasin shqip, ndërsa në qytete flasin turqisht. Në Vilajetin e Kosovës ka shumë fshatra myslimane, por në fshehtësi ato janë fshatra katolike. Fshatarët kryqëzohen fshehurazi, e sigurojnë ujin e kripën e shenjtë prej priftërinjve katolikë, por edhe shkrimet fetare. Këta katolikë të fshehtë ua japin të bijat e tyre myslimanëve por megjithatë, fëmijëve nuk u vendosin emra myslimanë, ndërsa priftërinjtë katolikë i varrosin ata me ritet e fesë katolike”.
Prishtina pa kishë katolike dhe zbulimi i themeleve latine të Graçanicës
Martin Gjurgjeviq shkruante se shqiptarët nuk e kanë alfabetin e tyre, por shkruajnë me shkronja latine, mandej e kanë edhe gramatikën të cilën e kanë përpiluar priftërinjtë. Sipas tij klerikët e mësojnë shkencën në selitë ipeshkvnore, ndërsa Seminarin Teologjik e mbarojnë në Romë, në kolegjin “De propaganda fide”.
“Në Prishtinë nuk ka kishë katolike e as famullitar. Prandaj çdo të diel të dytë apo për ndonjë farë feste unë kam shkuar në Janjevë, në një qytezë që është tre orë larg Prishtinës dhe atje e kam përcjellë meshën. Duke shkruar për në Janjevë, në gjysmë të rrugës ndodhet vendbanimi pravosllavo – krishter Graçanica që ndodhet në një pozitë të volitshme, më një kishë të bukur dhe manastir. Duke gjuajtur në këtë vend e kam kaluar natën disa herë, ndërsa kallogjerët më kanë pritur dhe gostitur mirë. Kisha është ndërtuar në stilin gotik para 700 vjetëve. Muret e saj brenda janë përplot me fotografi (ikona) të shenjtorëve. Në lartësinë prej një metri, muret janë të dëmtuara, pasi më herët këtu janë mbajtur kafshët. Themelet e kishës janë të bëra prej pllakave romake të mbivarreve dhe tani pjesë të këtyre monumenteve aty – këtu mund të shihen me sy, prandaj edhe mund të lexohen emrat e vitet që në to janë shkruar në gjuhën latine. Nëpër luginën e gjelbër të Graçanicës, rrjedh një lumë i fuqishëm e i pashtershëm dhe në atë lumë ka shumë mullinj... Janjeva gjithashtu është qytezë e bukur, me rreth 250 shtëpi katolike dhe 30 myslimane. Në Janjevë është një kishë të re katolike me tri kambana dhe një xhami. Këtu janë famullitari, hoxha, pashallarët, kaditë, shefat dhe të gjithë të tjerët. Kur unë e vizitova Janjevën, famullitar ishte Don Toma i moshës 50-vjeçare. Famullitari ishte i veshur me veshje kombëtare shqiptare…Banesa e tij ishte e rregulluar mirë në stilin lindor, ndërsa për të kujdesej motra 45-vjeçare e famullitarit. Kjo është e vetmja grua që nuk ishte e mbuluar, pra nuk mbante jashmak dhe ferexhe. Me këtë rast më duhet të them se në tërë Shqipërinë dhe Vilajetin e Kosovës, të gjitha femrat e moshës mbi dymbëdhjetë vjet, pavarësisht përkatësisë fetare, myslimanet apo të krishterat, përveç romeve myslimane dhe krishtere, bartin ferexhe dhe janë të mbështjella mirë me jashmak ndërsa në shtëpitë e tyre ato nuk paraqiten para mysafirëve. Kështu në sokak, nuk mund të dallohet myslimania prej së krishteres, përveç se nga kopsa në ferexhe dhe myslimanet e kanë kopsën me ngjyrë të kuqe, ndërsa te gratë e krishtera ajo e ka ngjyrën e zezë. Asaj që e ka kopsën e zezë, në rrugë lirisht mund t’i thuhet: ‘Me lavd qoftë Jezu Krishti’.
Një natë më ftoi në darkë, një mik i imi, tregtar prishtinas, Jovani. Derisa isha te ai, Jovani zemërmirë e paraqiti para meje gruan e re të bukur pa ferexhe dhe pa veshje të femrave dhe i tha asaj që të ulej pranë meje! ‘Ta dini se kurrë nuk e kam bërë një gjë të tillë dhe tani po e bëj këtë për respektin që e kam për ty’ – më tha Jovani. Gruaja më puthi në dorë, ndërsa unë isha i ri dhe i kisha vetëm 22 vjet. Kot e tërhiqja dorën. Ajo ishte një e re e njomë dhe shtatbukur, me sytë blu, fytyrëgjatë e bardhë, gojën e kishte gjithnjë të gatshme për buzëqeshje, ndërsa bisteket i kishte të lëshuara deri te gjunjë. Përveç kësaj zonje, nëpër qytete nuk pashë kurrë gra tjera. Për çudi nëpër fshatra, qofshin ato myslimane apo krishtere, fshataret nuk mbuloheshin fare”, shkruante Gjurgjeviq.
Gjendja e katolikëve në Kosovës dhe pelegrinazhi në Karadakun e Gjilanit
Përshkrimi i Gjurgjeviqit për Janjevën nuk ndalet me kaq. Sipas tij, aty famullitari e mbante meshën në latinisht, ndërsa ungjillin dhe predikimin në gjuhën shqipe. “Banorët e atyshëm më rrëfyen se Janjeva dikur i ka pasur 80 000 banorë dhe ajo ka ekzistuar qysh në kohën e Filipit të Maqedonisë. Edhe gjetjet arkeologjike i vërtetojnë këto rrëfime. Këtu mund të shihen shumë mbetje të mureve, shtylla të ndryshme ndërsa rrënoja të vjetra ka gjithandej Janjevës. Në secilën shtëpi janjevase kishte shumë monedha të vjetra. Jo shumë larg Janjevës ndodheshin mbetjet e një qyteti të vogël dhe ai edhe tani quhej Maqedoni. Të gjithë janjevasit janë zanatlinj, më së shumti argjendarë të zbukurimeve të femrave, mjeshtër të bërjes së mullinjve të kafeve dhe llullave. Gjashtë muajt e dimrit ata punojnë nëpër shtëpitë e tyre, ndërsa në gjashtë muajt e verës shkojnë për t’i shitur prodhimet e punuara nëpër panaire në Bullgari, Maqedoni, Bosnje, Serbi, Rumani etj. Janjevasit merren edhe me bujqësi, prodhojnë edhe verë ashtu sikur prishtinasit, por ajo nuk është e ndonjë kualiteti të mirë, ta zamë jo sikur verë e anës së Drinit. Dhjetë orë larg Janjevës, prapa Gjilanit, drejt Vranjës dhe Shkupit, janë edhe shtatë fshatra të banuara me katolikë, ndërsa ajo krahinë quhet Karadak, Në ditën e Zojës së Bekuar më 15 gusht këtu vijnë në pelegrinazh besimtarë nga Shkodra, Selaniku, Manastiri, Prizreni, Novi Pazari. Vijnë burra e gra dhe ndër vite kishte ndodhur që këtu të ishin tubuar edhe deri në 10 000 njerëz. Në vitin 1870, Don Toma më bëri ftesë që edhe unë t’iu bashkëngjitesha pelegrinëve. E pranova ftesën. Kështu iu drejtuam vendit dhe ishim diku rreth 500 veta, disa në këmbë e disa hipur në kuaj. Rrugëtimi nuk ishte i bezdisshëm, sepse pije e ushqime kishte me bollëk, vetëm duhej pasur kujdes prej numrit të madh të fëmijëve, grave dhe këmbësorëve. Nata na zuri në fushë të Gjilanit, bile aty edhe e bëmë gjumin. Për çudi aty nuk kishte as zhurmë e as britma. Gjithkush i lutej Zotit në heshtje. Të nesërmen në mbrëmje arritën në njërin prej konakëve në Karadak. Mua më ra hise të isha mysafir i famullitarit Don Pedrit. Aty ishte edhe argjipeshkvi prej Prizreni me dymbëdhjetë priftërinjtë shqiptarë, ndërsa midis tyre ishte edhe një françeskan kalabrez prej Italisë. Me të vërtetë u habita kur e pash se argjipeshkvi dhe priftërinjtë mbanin në kokë kapela të oficerëve apo nëpunësve austriakë. I pyeta se çka janë ato, ndërsa ata m’u përgjigjën se të gjithë katolikët ishin nën protektoratin e Austrisë, prandaj edhe e kishin të lejuar bartjen e kapelave austriake.
Më herët në Shqipëri priftërinjtë ishin françeskanë, por tani prej Zagrebi kanë ardhur jezuitët bashkë me motrat e nderit, edhe atë në shpenzime të Austrisë. Austria i mban në Shkodër tri shkolla, një seminar, një jetimore dhe një spital me mjek. Më pastaj në Durrës, Austria e financonte një shkollë për djem dhe një për vajza, një shkollë të djemve në Tiranë, një të vajzave në Pejë, një të djemve në Gjakovë, një në Shirokë, një në Zadrime, në zonën e Hotit dhe në Kallmet. Përveç shkollave, Austria i ndihmon edhe ata studentë që e vijojnë mësimin në universitet apo në shkolla tjera në Cislatani. Gjithashtu Austria i financon edhe misionarët lazaristë francezë në qytetin e Manastirit. Shkollat e tyre gjithashtu i kanë edhe të krishterët lindorë me të cilat udhëheqin priftërinjtë, ndërsa hoxhallarët e predikojnë Kuranin nëpër mejtepe. Në fund mund të themi se shteti i Italisë i financon vetëm dy shkolla në bregdetin shqiptar.
Atë ditë ishte krezmimi. Të nesërmen, në orët e para të mëngjesit në kishë por edhe jashtë saj u lutën shumë besimtarë por ata njëherësh edhe u rrëfyen para priftit. U habita tej mase kur aty i pashë edhe 20 ushtarë turq të uniformuar, ku të gjunjëzuar qëndronin para priftit. E dija se në ushtrinë turke nuk ka ushtarë të krishterë, prandaj me padurim pyeta se çfarë do të thoshte kjo. Kështu më duhet të sqaroj se pse turqit kanë pranuar ushtarë të krishterë vetëm prej viseve të Kardakut... Kur pas Luftës së Krimesë sulltani e lëshoi fermanin (Tanzimati) dhe u shpall se secili njeri e ka të lejuar ta manifestojë besimin e vet në mënyrë publike, këta banorë të Karadakut e deklaruan veten si katolikë. Përfaqësuesit e pushtetit turk, kot ua sqaronin banorëve se Tanzimati ia lejon gjithkujt që ta manifestojë besimin e tij, por nuk e lejon kalimin prej një besimi në tjetrin. Pasi karadakasit nuk deshën që të ktheheshin sërish në Islam, atëherë pushteti i syrgjynosi 80 familje më autoritative në Azi, që mos vallë atje ta harronin krishtërizmin. Por, gjithçka doli të ishte e kotë. Më në fund pas dy vjetëve të syrgjynosjes së këtyre familjeve, në këtë çështje u përzie diplomacia e Stambollit, prandaj edhe u lejua kthimi i këtyre familjeve në Karadak. Por, megjithatë ishin disa kushte që ata duhet t’i plotësonin, së pari ata mund të mbeteshin në besimin krishterë por me të vetmin kusht, që në regjistrimin e popullatës duhej të evidentoheshin si myslimanë dhe së dyti të rinjtë e kësaj krahine duhej të shërbenin në ushtrinë turke. Mu për këtë në pelegrinazh këta ushtarë vinin prej viseve të largëta. Atë ditë në kishën e posandërtuar u mbajtën 15 mesha, ndërsa tri kambana me rëniet e tyre të harmonizuara qysh prej së largu e paralajmëruan këtë festë. Kur në ora 1 pasdite përfundoi mesha ponifikuese dhe krezmimi, argjipeshkvi u ul për të drekuar me 50 mysafirët më autoritativ, ndërsa rreth 8000 mysafirë të tjerë zunë vend në të dy brigjet e një lumi të pastër, që nën kishë rridhte mbi një gurishte të bardhë, me shpejtësi dhe më njëfarë zhurme shurdhuese. Përveçse që u këndua pa pushuar, prej kobureve u shkrepën edhe mbi 1000 fishekë”, shkruante kroati Gjurgjeviq, i punësuar në Zyrën Osmane të Ndërlidhjes, funksion që e ushtroi edhe në Prishtinë në vitet 1869 – 1870.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcë për kulturë