Shtojca për Kulturë

Shqipëria pas komunizmit e braktisur nga 1.7 milionë shqiptarë

Çështja e migrimit në librin e Bernd J. Fischer dhe Oliver Jens Schmitt: “A Concise History of Albania” përmendet si një dukuri shqetësuese shqiptare për faktin se, në tri dekadat pas rënies së komunizmit, nga Shqipëria janë larguar 1.7 milionë shqiptarë. Ndërkaq sa u përket marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë, Fischeri dhe Schmitti nënvizojnë se qasja e Ramës ndaj Kosovës pothuajse është identike me politikën e ndjekur nga Zogu, Hoxha, Berisha dhe nga liderë të tjerë, pas shembjes së komunizmit, të cilët asnjëherë nuk kanë ndjekur ndonjë projekt konkret për bashkimin kombëtar dhe gjithmonë, në plan të parë, kanë kultivuar imazhin e politikave stabilizuese dhe të moderuara kundrejt Perëndimit

Në kapitullin “Përpjekja për të ndërtuar një demokraci prej vitit 1989” – i fundit në librin e Bernd J. Fischer dhe Oliver Jens Schmitt: “A Concise History of Albania”, Cambridge University Press, 2022, f. 440 – përshkruhet dështimi i sistemit njëpartiak komunist në Shqipëri, në kontekstin e ndryshimeve gjithandej Evropës Lindore dhe rruga e vështirë e transicionit shqiptar për përballje kritike me pasojat dhe me të kaluarën, si parakusht për krijimin e një demokracie funksionale, ekonomie vibrante të orientuar në treg dhe integrimin euroatlantik.

Në këtë kuadër, autorët trajtojnë periudhën e qeverisjes së presidentit Sali Berisha, gjatë viteve 1992-1997, e cila, pas një fillimi euforik dhe disa sukseseve në politikën e jashtme, u ballafaqua me sfidat e shumta në fushën ekonomike, të politikës dhe të prapambetjes së reformave në shumë sektorë.

Pritjet e mëdha nga qeveria demokratike

Fischeri dhe Schmitti, gjithashtu, shpjegojnë se, me gjithë pritjet e mëdha, qeverisja e qeverisë së parë demokratike pësoi kolaps pas zgjedhjeve të diskutueshme të vitit 1996 dhe të kolapsit të një varg skemash në investimet piramidale. Për më tepër, trajtohet kolapsi i institucioneve shqiptare, si dhe shmangia e një lufte civile pas krijimit të së ashtuquajturës Qeveri e Pajtimit Kombëtar, dhe vendosja e trupave evropiane e italiane nën ombrellën e operacionit “Alba”, në pranverë të vitit 1997. Por ajo që Berisha nuk ia doli të arrinte suksese të prekshme, evidentohet në periudhën e qeverisjes së dytë 2005-2013, nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizimit-Asociimit (2006), anëtarësimi në NATO (2008) dhe liberalizimi i vizave (2010).

Përveç kësaj, autorët kanë bërë një vështrim përmbledhës për qeverisjen e së majtës, në vitet e qeverisjeve 1997-2005, nën kryeministrat e PS-së, Fatos Nano, Pandeli Majko dhe Ilir Meta, gjatë viteve 1997-2005, periudhë kjo që përkon edhe me luftën e Kosovës dhe intervenimin ushtarak të NATO-s. Libri përmbyllet me një shpalim të shkurtër të qeverisjes së “Rilindjes” shqiptare, nën kryeministrin aktual Edi Rama, duke nënvizuar dobësitë e demokracisë disfunksionale shqiptare, sundimin e brishtë dhe korrupsionin galopant, por, në të njëjtën kohë, edhe hapat pozitivë të qeverisjes socialiste. Gjithashtu, çështja e migrimit përmendet si një dukuri shqetësuese shqiptare për faktin se, në tri dekadat pas rënies së komunizmit, nga Shqipëria janë larguar 1.7 milionë shqiptarë. Ndërkaq sa u përket marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë, Fischeri dhe Schmitti nënvizojnë se qasja e Ramës ndaj Kosovës pothuajse është identike me politikën e ndjekur nga Zogu, Hoxha, Berisha dhe nga liderë të tjerë, pas shembjes së komunizmit, të cilët asnjëherë nuk kanë ndjekur ndonjë projekt konkret për bashkimin kombëtar dhe gjithmonë, në plan të parë, kanë kultivuar imazhin e politikave stabilizuese dhe të moderuara kundrejt Perëndimit.

Rrëfim brilant të cilit i mungon Kosova

Si përfundim, libri “A Concise History of Albania” nuk është parësor vetëm për akademikët dhe studiuesit e historisë, por edhe për lexuesit e huaj, të cilët aktualisht dinë pak për historinë e Shqipërisë dhe për shqiptarët në përgjithësi. Libri është një sintezë për historinë e Shqipërisë nga dy studiues me renome ndërkombëtare, të cilët, po ashtu, konsiderohen njohës të shkëlqyeshëm të periudhave të ndryshme të historisë së shqiptarëve.

I vetmi boshllëk i librit është se Fischer dhe Schmitt nuk janë përqendruar mjaftueshëm në trajtimin e historisë shqiptare jashtë kontekstit gjeografik të Shqipërisë aktuale, pasi, në të vërtetë, Kosova, që nga fundi i shekullit nëntëmbëdhjetë dhe fillimi i shekullit njëzet, ka qenë epiqendër e lëvizjeve dhe e luftërave që çuan në ndërtimin e shtetit të parë shqiptar. Forca shtytëse e nacionalizmit shqiptar dhe e lëvizjes drejt shtetësisë ka qenë Kosova dhe çështja e saj politike. Kosova, po ashtu, ka qenë kryeqendra e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe e kryengritjeve të vitit 1910/1912, të cilat ishin shtrati mbi të cilin u krijua shteti i parë shqiptar. Pra, historia e Shqipërisë deri në përfundimin e sundimit perandorak osman, pa Kosovën në epiqendër, është e paplotë. Megjithatë, me këtë libër Fischer dhe Schmitt na ofrojnë një rrëfim brilant për njohjen më të mirë të Shqipërisë, shtetit dhe kombit shqiptar në Ballkanin Perëndimor dhe, për më tepër, vendosin një standard të lartë në fushën e studimeve historike, përkatësisht për sintezën historike mbi historinë e Shqipërisë në kontekstin rajonal dhe atë evropian.