Shtojca për Kulturë

Shqipëria e Luftës së Dytë Botërore zbardhet edhe në Mitrovicë

Libri “Qeverisja e Shqipërisë gjatë Luftës II Botërore 1939-1944” i historianit dhe ish-drejtorit të Arkivit Shtetëror të Shqipërisë, Gjet Ndoj, është përuruar të shtunën edhe në Mitrovicë. E përzgjedhja e saj si stacion i dytë nuk është vetëm simbolike. Libri i cili me dokumente arkivore përmbys historiografinë e ngjyrosur politikisht në kohën e komunizmit, zbardh edhe rolin e nacionalistëve mitrovicas në ribërjen e Shqipërisë shtet dhe zgjerimin e kufijve të saj. Përbiron edhe tek arsyet e themelimit të “Divizionit SS”, e njëra prej figurave të atij kapitulli të historisë është edhe Xhafer Deva

Lufta e Dytë Botërore ka lënë gjurmë të thella në historinë plot trazira të Shqipërisë, duke shpërbërë dhe ndryshuar rrjedhën e fatet e popullit të saj. Shqipëria, e kapur nga forcat italiane në fillim dhe më pas e pushtuar nga forcat gjermane, kishte një identitet pothuajse fantom që la hapësirë për kthesa që shkruan historinë tutje.

Në këtë kontekst, librat që analizojnë këtë periudhë të ndjeshme ofrojnë një hapësirë të rëndësishme diskutimesh e analizash mbi sfidat dhe vendimet që formuan fatin e vendit në ato kohë.

Libri “Qeverisja e Shqipërisë gjatë Luftës II Botërore 1939-1944” i historianit dhe ish-drejtorit të Arkivit Shtetëror të Shqipërisë, Gjet Ndoj, synon ta bëjë pikërisht këtë. Mbështetur në fakte dhe argumente të nxjerra prej dokumenteve arkivore, krahas interpretimit e analizave të tij, lexuesit i jep edhe 630 referenca të nxjerra nga arkiva të ndryshme shtetërore të vendit, e deri në ato të institucioneve angleze që shërbyen për të ndërtuar këtë renditje faktesh. Studiuesit kanë mundësinë që të marrin informacione krejt të veçanta e të panjohura më parë, për ngjarje pak ose aspak të njohura, madje dhe nga ato të cilat qenë shtrembëruar përgjatë historisë. “Shqipëria Etnike u bë nga nacionalistët” është nëntitulli i librit.

Si organizator i promovimit të këtij libri në Mitrovicë fill pas Tiranës, politologu Nexhmedin Spahiu u shpreh i lumtur që arriti të realizohej ky promovim teksa komentoi rreth rëndësisë që bart ky publik i Ndojit.

“Pata kënaqësinë të jem organizator i këtij promovimi të këtij libri, i cili mbështetet në dokumente origjinale nga arkivi të cilat nuk janë përdorur fare nga historiografia e deritanishme shqiptare, e krijuar nga historianët e Enver Hoxhës, me gënjeshtrat e tyre të cilët paraqesin historinë e asaj kohe krejt ndryshe nga ajo se çfarë nxënësit dhe studentët tanë mësojnë në Kosovë e Shqipëri”, ka thënë Spahiu, duke ilustruar intervenimin e shtetit komunist në shkrimin e historisë edhe me shembullin e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë.

“Dokumenti origjinal i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë edhe sot vazhdon të jetë i zhdukur, sepse aty ishin dashur të fshiheshin ca emra si Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Tefik Mbroja, e Mustafa Kruja si emra të rëndësishëm që morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë”, ka thënë ai.

Menjëherë pas fjalës së nikoqirit, Edmond Kumnova ka lexuar recensionin Menduh Dërguti, studiues e ish-rektor i Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.

“Tema e përzgjedhur nga Zef Ndoj ‘Qeverisja…’, që bën fjalë për administrimin e Shqipërisë, është jo vetëm unike, por dhe ezaurohet në librin e tij më e plotë se asnjëherë më parë nga historiografia shqiptare…”, është cituar Kumnova.

Libri hapet me një përshkrim të thukët të ngjarjeve gjatë fazës së parë të pushtimit italian të Shqipërisë. Aty flitet për formacionet shtetërore, institucionet, simbolet, figurat e përveçme e Partinë Kombëtare Fashiste Shqiptare. Një kapitull u kushtohet edhe ideve nacionaliste shqiptare dhe krijimit të Shqipërisë Etnike. Shkruhet dhe për qeveritë e Vërlacit, Libohovës, Bushatit e Krujës. Nuk anashkalohen as aspektet e tjera, si arsimimi i shqiptarëve në atë gjashtëvjeçarësh, shpëtimi i hebrenjve, e Divizoni SS “Skandërbeg”. “Qeverisja...”, siç shkruhet edhe në paralajmërimin për përurimin e librit, ndriçon edhe rolin e nacionalistëve mitrovicas në ribërjen e Shqipërisë shtet dhe zgjerimin e kufijve të saj.

“E kam ezauruar këtë temë për arsye se ‘Divizioni SS’ ka qenë një detaj për ta vërtetuar karakterin bashkëpunues me nazistët për qeveritaret shqiptarë si Xhafer Deva e Bedri Pejani”, ka thënë Ndoj. Sipas tij, “Divizioni SS” është krijuar për interesat gjermane në Ballkan.

“Koha kur Gjermania po shihte në sytë e saj afrimin e humbjes dhe ushtarakët me sa duket e kanë ndier dhe filluan dezertimin në Ballkan, në Shqipëri, në Kosovë e në Mitrovicë. E nga këto dezertime, kondicionohej nevoja e madhe për të rekrutuar dhe për të mos rënë fuqia e tyre ushtarake dhe të ribëhej ajo. Ata kërkuan që të krijohet një Divizion SS te myslimanët në Ballkan, sipas dokumenteve arkivore që kam gjetur”, ka thënë ai.

Image
Libri hapet me një përshkrim të thukët të ngjarjeve gjatë fazës së parë të pushtimit italian të Shqipërisë. Aty flitet për formacionet shtetërore, institucionet, simbolet, figurat e përveçme, e Partinë Kombëtare Fashiste Shqiptare. Një kapitull u kushtohet edhe ideve nacionaliste shqiptare dhe krijimit të Shqipërisë Etnike

E, gjithë këtë vëllim informacionesh në libër e vlerësoi dhe studiuesi Alfred Uka, i pranishëm në panel.

“Kjo punë përbën një kontribut të rëndësishëm në fondin e vështrimit objektiv të historiografisë shqiptare gjatë kësaj periudhe të sundimit fashist. Nën paradigmën se historinë e shkruan vetëm fituesi ndoshta ka ardhur koha për ta përballur atë me një pasqyrë si një alter ego e periudhës me të meta e dështime në kurriz të së vërtetës”, ka thënë Uka duke e cilësuar këtë botim si të rrallë.

“Sot shqiptarët kanë në dorë një botim, të vetmin, guxoj të them, që përfshin gjithë shtrirjen kohore të kësaj periudhe shqiptare të administrimit fashist”, ka shtuar ai, duke përgëzuar autorin për punën e tij të cilën e vlerësoi si dinjitoze, pavarësisht se konsideron se është e vonuar si temë e trajtuar për historinë shqiptare.

Auditoriumi i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, si vend nikoqir për këtë përurim nuk qe i rastësishëm, nisur nga fakti se shumë figura nga qyteti i Mitrovicës kishin dhënë kontribut të madh për historinë shqiptare në periudhën e trajtuar në librin “Qeverisja...”. Në libër autori u bën homazhe personazheve të tilla me shpalosjen e fakteve historike në të cilat protagonistë kanë qenë vetë ata.

Njëri prej tyre, Xhefer Deva një figurë që nxit debat edhe sot e kësaj dite. Qe ministër i Brendshëm i Shqipërisë prej vitit 1943 deri më 1944, në kuadër të Këshillit të Regjencës. Deva është figurë polarizuese e historiografisë. I takoi Qeverisë, që për disa historianë synonte një Shqipëri të Madhe, e për disa të tjerë ishte bashkëpunëtor i pushtuesve nazistë.

Për autorin e librit “nuk ka mundësi që Xhafer Deva të ketë qene kriminel lufte”.

“Qe një njeri që rrezikonte pushtetin e këtyre që e kishin marrë, nga komunistët serbë e malazezë që e kishin sjellë atë në Shqipëri”, ka thënë Ndoj. E krejt në fund ka folur edhe për ardhjen e tij në Mitrovicë.

“Sot kishte një interesim të madh dhe një mikpritje të veçantë këtu në Mitrovicë në promovimin e librit tim. E prisja që do të ketë interesim nga ajka intelektuale e këtij qyteti, salla ishte plot, natyrisht unë e kam pasur në mendje që stacioni i parë pas Tiranës të jetë Mitrovica, si qendra më patriotike që i ka dhënë jetë patriotizmit shqiptar së paku në 100 vjetët e fundit”, ka thënë autori Ndoj, duke shtuar se e kishte ndier si një lloj amaneti shkrimin e këtij libri dhe se Mitrovica kishte qenë stacion i paramenduar që në fillim të shkrimit të librit, të cilin synon që shumë shpejt ta sjellë në një promovim dhe në Prishtinë. “Qeverisja...”, është libri i tetë i tij.

Shkrimtari e historiani Jusuf Buxhovi, i pranishëm në panel, për veprën e Gjet Ndojt ka thënë se ka një rëndësi të veçantë në kuadër të shkrimeve mbi konceptet ideologjike shqiptare.

“Historiografia jonë ka nevojë për fakte dhe argumente dhe publikimet e tilla si ky sot, kanë rëndësi të madhe mbi kuptimin më të saktë të kësaj periudhe të historisë sonë”, ka thënë ai.