Edhe pse dhjetëvjetëshi i parë i shekullit XX, është përplot me ngjarje të përgjakshme dhe ekspedita të mëdha të pushtetit ndaj shqiptarëve, megjithatë edhe revolucioni i Turqve të Rinj nuk kaloi pa pjesëmarrjen kyçe të faktorit shqiptar. Në rrjedhën e ndryshimeve që i solli revolucioni edhe në kryeqendrën kosovare në Shkup, nisi zhvillimi i aktiviteteve të bujshme të partive politike. Kuptohet se shqiptarët ishin të përfshirë në partitë ekzistuese dhe rrjedhimisht pozicionimi i tyre ishte në favor të Turqve të Rinj por megjithatë kishte edhe polarizime midis tyre
Si forcë politike shpresëdhënëse, Turqit e Rinj e synonin ruajtjen e tërësisë së Perandorisë Osmane, duke shpresuar në një bashkim të popujve të saj që do ta bënin këtë perandori edhe më të fortë. Në anën tjetër, revolucionarët jomyslimanë nuk ishin fare të interesuar për ruajtjen e integritetit të shtetit osman. Pra, mu ashtu siç u dëshmua në rastin e arritjes së besës në nahinë e Gjilanit dhe mund të thuhej se të gjithë të krishterët si nënshtetas rezidentë osmanë ishin kundër reformimit dhe angazhoheshin por edhe luftonin për shpërbërjen e Perandorisë Osmane.
“Ndërkohë turku qesh në heshtje...”
Në anën tjetër, në Ballkanin e turbulluar të fillimit të shekullit XX, as midis vetë nënshtetasve të krishterë të përkatësive të ndryshme kombëtare nuk ekzistonte uniteti dhe urrejtja mes tyre, lëre që ishte e madhe, por ato ushqenin edhe ambicie që skajshmërisht ishin të papajtueshme me vetë kapacitetet e tyre, por edhe me rrethanat ekzistuese. Prandaj në këta faktorë duhet kërkuar dështimin e reformave të planifikuara nga ndërkombëtarët, e jo në akuzat që u drejtoheshin shqiptarëve.
Për dallim prej Prishtinës si qendër kombëtare ku tashmë në mënyrë të vazhdueshme mbaheshin tubime të rëndësishme, gjendje e brishtë ishte në kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës në Shkup, pasi qyteti vlonte nga propagandistë të ndryshëm, ndërsa lufta më e madhe zhvillohej midis ekzarkistëve bullgarë dhe patriarshistëve serbë, që me karremat e tyre përpiqeshin të kapnin sa më shumë të krishterë, që akoma nuk kishin arritur të përcaktonin identitetin e tyre fetar, por edhe kombëtar.
“Problemi i vërtetë para atyre që e synojnë mirëqenien e popujve ballkanikë, nuk ka të bëjë me të korrigjuarit e paaftësive të turkut, me qëllim të gjetjes së mjeteve për të kontrolluar luftën civile, e cila ka filluar të shpërthejë midis kishave rivale të krishtere. Ithtarët e këtyre kishave kryejnë mizori po aq të ndyra dhe çnjerëzore sa turqit kanë kryer ndonjëherë… Ndërkohë turku qesh në heshtje. Pse duhet t'i vriste të krishterët, kur ata janë kaq të zënë me vrasjen e njëri-tjetrit?”, e shtronte pyetjen autori i njohur John Foster Fraser (1868 – 1936). Megjithatë në këtë kohë jeta zhvillohej nën ethet e revolucionit të Turqve të Rinj, por megjithatë në përkrahjen e këtij revolucioni aq të pritur nuk mund të mohohej edhe ndihma nga jashtë.
“Në sferën intelektuale, borxhi më i madh i Turqisë së Re është ndaj Francës. Pikërisht nëpërmjet librave në frëngjisht ose përkthimet nga anglishtja në frëngjisht të tyre, përmes marrëdhënieve me francezët, përmes ideve dhe traditave të demokracisë franceze, më në fund u arrit që mendja e Turqisë të zgjohej”, ka shkruar Bruxton Charles (1875 – 1942) në librin “Turkey in revolution”.
Edhe pse dhjetëvjetëshi i parë i shekullit XX, është përplot me ngjarje të përgjakshme dhe ekspedita të mëdha të pushtetit mbi shqiptarët, megjithatë edhe revolucioni i Turqve të Rinj nuk kaloi pa pjesëmarrjen kyçe të faktorit shqiptar. Ky revolucion në toka shqiptare u shënua me emrin e majorit shqiptar nga Resnja, Ahmed Nijazi Beu, i cili më 4 korrik 1908, për herë të parë e ngriti flamurin e revoltës.
“Dëgjova deputetët myslimanë të flisnin për ngjarjet e lavdishme që kishin çuar në një epokë barazie për të gjitha racat e panumërta të perandorisë. Pashë hoxhallarë turq me çallma, priftërinj grekë, bullgarë të turpshëm dhe rabinë hebrenj që të bashkuar drejtonin proceset triumfale, ndërkohë që ajri ishte i rrëmbyer nga thirrjet ‘Vëllazëri’”, dëshmonin të huajt që ato ditë ishin gjetur në Stambollin e revolucionarizuar.

Në anën tjetër, revolucioni i Turqve të Rinj, sidoqoftë kishte ndikuar në liberalizimin e jetës. Kjo mund të vërehej edhe në vendkalimet kufitare të Vilajetit të Kosovës.
“Një oficer i doganës më urdhëroi që të hapja çantën. Por sa e hapa, para tij u shfaqën disa gazeta në bullgarisht dhe fatkeqësisht në njërën prej tyre ishte publikuar karikatura e sulltanit!”
“Deri kohë më parë nuk lejonim gjëra të tilla”, ma ktheu ai duke më kërkuar leje që t’ia jepja atë gazetë. Pasi e pa karikaturën e sulltanit, ai sërish më tha ‘Haj haj, shihe se çfarë ka ngjarë me të’”, dëshmonte një propagandist bullgar rreth kësaj ngjarjeje të ndodhur në pikën kufitare të Zhbefcit në Kazanë së Preshevës, ku thuajse të gjithë nëpunësit kryesorë në këtë pikë kufitare ishin preshevarë.
Në rrjedhën e ndryshimeve që i solli revolucioni edhe në kryeqendrën kosovare në Shkup, nisi zhvillimi i aktiviteteve të bujshme të partive politike. Kuptohet se shqiptarët ishin të përfshirë në partitë ekzistuese dhe rrjedhimisht pozicionimi i tyre ishte në favor të Turqve të Rinj, por megjithatë kishte edhe polarizime midis tyre.

Në pikëpamje të organizimit politik, anash nuk qëndruan edhe krerët e pakicës serbe në Vilajetin e Kosovës. Kështu në muajin shkurt të vitit 1909 në Shkup u formua “Organizata Popullore Serbe në Perandorinë Osmane”. Megjithatë, qarqet qeveritare serbe ishin shumë rigoroze sa i përket organizimit të siç i quanin ata “serbëve osmanë”.
“Në tokën e Perandorisë Osmane nuk mund të ekzistojë organizatë tjetër e popullit serb. As serbët në Perandorinë Osmane nuk mund të jenë anëtarë të ndonjë organizate (partie – S. L.) të ndonjë kombësie tjetër, por edhe anëtarët e cilësdo organizatë tjetër (kombësie tjetër) nuk mund të jenë anëtarë të organizatës serbe”, thuhej prerazi në programin e “Organizatës Popullore Serbe në Perandorinë Osmane”. Megjithatë, rregullat e mësipërme ishin kamufluar nga krerët e “serbëve osmanë“ në pjesën përfundimtare të sqarimeve që jepeshin në lidhje me formimin e kësaj organizate ku thuhej se “Serbët osmanlinj në aspiratën e tyre për zhvillim të gjithanshëm të atdheut të përbashkët, në mirëqenien e të cilit ata e shikojnë edhe mirëqenien e vetë, do të pranonin punën me marrëveshje të sinqertë me të gjitha elementet vendëse. Puna e këtillë e përbashkët, sipas bindjes sonë të thellë, është garancia më e sigurt e ardhmërisë sonë të bukur. Lufta dëshpëruese e të gjithëve me të gjithë, e cila në atdheun tonë është zhvilluar deri sa nuk ishin kushtet themelore për zhvillim të lirë, patjetër t’ia lëshojë rrugën punës me marrëveshje vëllazërore në shtetin kushtetues osman”.
Në rikonfigurimin e ri politik në spektrin politik shqiptar, rol të veçantë në këtë kohë kishin klubet shqiptare, që u ngritën gjithandej duke nisur nga Shkupi, Manastiri, Selaniku e të tjera. Më pastaj, nuk ngeli anash as organizimi politik i vllahëve dhe ai u vërejt sidomos në qendrën e Manastirit dhe zonat për rreth.
Megjithatë sa u përket shqiptarëve, situata midis tyre dhe pushtetit acarohej në çastin kur në Stamboll arrinin lajme se shkak i pakënaqësive të tyre apo kryengritjeve shqiptare ishte influenca që Austro-Hungaria e kishte mbi ta.
“Interesat e Austro-Hungarisë karshi Turqisë janë shumë miqësore. Austro-Hungaria është shumë e kënaqur me rendin dhe paqen në Ballkan”, thuhej në një raport të konsullit austro-hungarez, dërguar nga Selaniku në pranverën e vitit 1910 me çka sikur i jepeshin garanci Stambollit zyrtar se kjo fuqi nuk ishte në krahun e luftimit apo largimit të pushtetit dhe prezencës osmane nga vendet e Ballkanit”.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë