“Mbreti Charles III, tani në cilësinë e udhëheqësit të fronit, ka peshë më të madhe dhe vërtet shpresoj që një ditë ai ta gjejë mundësinë që ta vizitojë vendin tonë, i cili ka nevojë për miq dhe inkurajim nga ta”, thotë arkeologu Vesel Hoxhaj, i cili në vitin 2016 bashkë me Arbnor Morinën patën shoqëruar ish-Princin e Wallesit gjatë ecjes nëpër Qendrën Historike të Prizrenit
Kujtimet i ka të freskëta nga marsi i vitit 2016. Pavarësisht nga distanca kohore, njohësit të trashëgimisë kulturore, Vesel Hoxhaj, në mendje i sillen ende edhe detajet më të imëta nga shoqërimi i atëhershëm i mysafirit të veçantë në Prizren.
Madje, në ditën që ish-Princi i Wallesit, Charles, bëhet Mbreti Charles III, Hoxhaj ka emocione të mëdha, meqë konsideron se monarku britanik nga afër ka parë ngrohtësinë e popullatës lokale ndaj tij dhe Mbretërisë së Bashkuar. Njëherësh shpreson që një ditë ta mirëpresë Mbretin Charles III në Prizren dhe ta shëtisë sërish nëpër qytet, duke ia shtuar itinerarit edhe vizitën në Muzeun Arkeologjik të rajonit të Prizrenit.
Arkeologu Hoxhaj shpresën për vizitën e mundshme të Mbretit Charles III në kryeqytetin kulturor të Kosovës e bazon në përshëndetjen e lamtumirës, të bërë para më shumë se gjashtë vjetësh.
“Por mirë e ke, se vendi më ka pëlqyer shumë...”
“Pasi dolëm nga Kisha Katolike, duke u përshëndetur, madhërisë së tij i thashë që shpresoj të shihemi përsëri. Ai para se të hipte në veturë u kthye edhe njëherë dhe më pyeti nëse vërtet mendoj kësisoj. Unë ia konfirmova dëshirën që sërish të shihemi në Kosovë dhe në Prizren. Madhëria e tij më tha: ‘Ndoshta, Zoti e di? Por mirë e ke, se vendi më ka pëlqyer shumë’. Pastaj hodhi një vështrim rrotull, na falënderoi për pritjen dhe na uroi gjithë të mirat”, tregon Hoxhaj.
Ai konsideron se vizita e mbretit britanik do të ishte një shtysë për Kosovën.
“Mbreti Charles III, tani në cilësinë e udhëheqësit të fronit, ka peshë më të madhe dhe vërtet shpresoj që një ditë ai ta gjejë mundësinë që ta vizitojë vendin tonë, i cili ka nevojë për miq dhe inkurajim nga ta”, thotë Hoxhaj.
Sipas tij, marrja e fronit nga ish-Princi i Wallesit, pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II, ngjall emocione të shumta për të, shkaku i përvojave nga viti 2016.

Përgatitjet e gjata dhe thyerja e protokollit
“Ka qenë një kohë interesante, një periudhë e gjatë e provave, e përgatitjes për ardhjen e Princit, itinerarin nga do të ecim, rregullat mbretërore që duhen respektuar e zbatuar. Por përshtypja ime më e madhe nga vizita e ish-Princit, tani Mbretit Charles III, ka qenë që ai e ka ndier aq shumë ngrohtësinë e popullatës lokale, sa që ai vetë e ka thyer protokollin dhe ka vazhduar në mënyrën më të thjeshtë të mundshme me u taku dhe me bisedu me qytetarët, sikurse edhe me dëgju me interesim për gjërat që ka pyetur, sikurse për trashëgiminë kulturore, qendrën historike, legjendat, pastaj investimet e Ambasadës Britanike dhe direkt prej fondit të Princit. Pos kësaj edhe pirja e kafes dhe bozës jashtë protokollit, më ka lënë përshtypjen se ndihet i relaksuar si në shtëpinë e vet dhe se nga pritja e njerëzve e ka kuptuar se është një person i dashur për vendin tonë, derisa edhe ai e ka shprehur afërsinë ndaj tyre, pasi ka dëshmuar se vizitën nuk e ka bërë sa për sy e faqe, duke treguar seriozitet dhe interesim të jashtëzakonshëm për të gjitha informatat”, shprehet ai.

Nisja nga Ura e Gurit, thirrja për pajtim
Princi, tani Mbreti Charles, në vitin 2016, gjatë qëndrimit në Kosovë, kishte vizituar edhe komunitetet fetare dhe kishte marrë pjesë në Konferencën ndërfetare në Prizren. Pasi kishte dëgjuar për tmerret e së kaluarës, ai kishte shprehur qëndrimin se ekziston mundësia ideale që të rindërtohen urat e pajtimit dhe të faljes, që do ta mundësonin një fillim të ri. Gjatë fjalimit përshëndetës, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare Ndërfetare, kishte theksuar se duhet siguruar që këto ura të jenë të qëndrueshme.
“Nëse ka një gjë që ne mund të mësojmë nga ky tmerr është se vetëm me anë të pajtimit dhe faljes mund të nisë fillimi i ri", kishte thënë madhëria e tij. Kishte theksuar se e kupton dhimbjen e krijuar, porse për rimëkëmbjen e vendeve që kanë përjetuar tragjedi të tilla, sipas tij, nevojitet vendosja e një themeli të ri.
“Lutem që ata njerëz të guximshëm që e kalojnë urën në anën tjetër të fitojnë në fund”, qe shprehur anëtari i familjes mbretërore.
Figurativisht edhe vizitën e tij, në qendrën historike të Prizrenit, e kishte nisur me një qëndrim të shkurtër mbi Urën e Gurit. Aty qe pritur nga njohësit e trashëgimisë kulturore, Vesel Hoxhaj dhe Arbnor Morina, që i patën treguar disa të dhëna mbi trashëgiminë kulturore të qytetit dhe sfidat për ruajtjen e tyre. Madhëria e tij nga kjo pikë pati parë Kalanë, si dhe shtëpitë e rindërtuara për të kthyerit serbë në lagjen e Nënkalasë, në saje të mbështetjes së Qeverisë britanike. Nga Ura e Gurit ai ishte përcjellë te Keji i Lumëbardhit, ku nxënësit prizrenas e patën përshëndetur me flamuj të Kosovës dhe të Mbretërisë së Bashkuar. Në këtë hapësirë publike ishte njoftuar me drejtuesit e “DokuFestit”. Nga aty, me vëmendjen e madhe të qytetarëve, pati mbërritur në Xhaminë e Sinan Pashës, ku është pritur nga krerët e Bashkësisë Islame të Kosovës. Më pastaj ka shkuar në Kishën e Shën Gjergjit, ku peshkopi i Dioqezës së Rashka-Prizrenit me bashkëpunëtorë e ka pritur mysafirin e lartë. Në oborrin e kishës, madhëria e tij pati biseduar me të kthyerit, shtëpitë e të cilëve janë rindërtuar me mbështetje financiare nga Qeveria britanike. Ecjen e pati vazhduar deri te Katedralja e Zonjës Ndihmëtare, ku po ashtu qe pritur me lule nga fëmijët, derisa krerët e Kishës Katolike të Kosovës e kanë njoftuar me historikun e komunitetit katolik në këtë qytet. Në oborrin e Katedrales qe njoftuar me projektin e “Caritas Kosova” për fuqizimin e ekonomisë rurale, ku ka pasur rastin që të kërkojë edhe ushqimet vendore dhe të bisedojë me fermerë e bletarë.
Përgjatë gjithë ecjes së tij në qendër të qytetit, madhëria e tij ishte treguar i afërt me qytetarë të shumtë, që e kanë pritur anëtarin e familjes mbretërore në mënyrë të përzemërt. Qëndrimin në Prizren do ta përmbyllte me pjesëmarrjen në Konferencën Ndërkombëtare Ndërfetare, me porosinë për bashkëjetesë dhe tolerancë.
Kishte nënvizuar se lutet që Kosova ta ketë një të ardhme me të vërtetë të veçantë. “Jam shumë krenar për vendin tim, Mbretërinë e Bashkuar, që luajti një pjesë të vogël në rilindjen e Kosovës”, kishte thënë madhëria e tij.
Pas paraqitjes në Konferencën Ndërkombëtare Ndërfetare, ai kishte vizituar edhe ekspozitën e punimeve të artistit të ndjerë, Simon Shiroka, gjë që pati shënuar edhe fundin e qëndrimit të tij në Prizren.
Njëri prej shoqëruesve të atëhershëm, Vesel Hoxhaj, pret që një ditë ai ta vizitojë Kosovën në rolin e ri, atë të Mbretit të Mbretërisë së Bashkuar.
“Shpresoj që Mbreti Charles III në të ardhmen ta vizitojë Kosovën. Në qoftë se vjen, po besoj se vjen patjetër edhe në Prizren, pasi ky qytet i ka lënë mbresa të mëdha. Nëse kam rast përsëri, sepse kjo varet prej faktorëve të tjerë, por nëse më jepet rasti me e taku, patjetër që do të kisha dëshirë me e shoqëru në Muzeun Arkeologjik, për me ia shpjegu historinë e rajonit të Prizrenit”, ka përfunduar Hoxhaj.