Shtojca për Kulturë

Shkrimtari – urë midis kujtesës individuale dhe kolektive

Panairi Leipzig

“Ata që i kanë përjetuar këto histori tragjike nuk mund t’i bëjnë të famshme historitë e tyre, madje edhe kur i rrëfejnë, i rrëfejnë me kod, me emra falsë, për shkak të natyrës së ndjeshme të rastit. Prandaj autori bën diçka që e kalon historinë e tyre në një përgjegjësi që pavarësisht nacionalitetit të lexuesit, vepra do të komunikojë me të gjithë”, ka thënë shkrimtari Ag Apolloni, në diskutimin me Blerina Rogova-Gaxhën, drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare, përkthyer nga Zuzana Finger, të shtunën në Panairin e Librit në Leipzig

Kosova ka jo pak dëshmi se shkrimtari është urë lidhëse midis kujtesës individuale dhe asaj kolektive. Njëri prej tyre është Ag Apolloni. E ai e ka konfirmuar këtë edhe me krijimtarinë e tij, e cila është prezantuar në ditën e tretë të Panairit të Librit në Leipzig. “Kujtesa individuale dhe kolektive” e “Gjuha, Migrimi dhe Letërsia në Kosovë” kanë qenë dy panelet e radhës që ka organizuar Kosova në ngjarjen madhore të librit

Kanë qenë dy panele të ndara me të cilat Kosova është prezantuar në ditën e tretë të Panairit të Librit në Leipzig, por emërues i përbashkët i tyre ka qenë pesha e fjalës për krijimin e memories kolektive.

Krijimtaria e shkrimtarit Ag Apolloni është zbërthyer nën temën  “Kujtesa individuale dhe kolektive”. Sfidat e letërsisë bashkëkohore dhe jo vetëm janë diskutuar në panelin “Gjuha, Migrimi dhe Letërsia në Kosovë” midis autores Jehona Kicaj dhe drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha.

Institucioni qendror bibliotekar i vendit veçse e ka bërë traditë prezantimin e krijimtarisë letrare në këtë Panair. Nga incizimet e publikuara nga BKK-ja në rrjete sociale vërehet prani e kënaqshme e publikut në ngjarjet që organizon. Të shtunën është zhvilluar diskutim me shkrimtarin Ag Apolloni, moderuar nga drejtoresha Rogova-Gaxha. E publiku atje kupton më qartë mesazhet e shpjegimet e autorëve me përkthim të Zuzana Finger e cila ka bërë që librat e shumë autorëve të flasin në gjermanisht. Në këtë listë janë edhe ato të Apollonit.

“Kësulëkuqja – përrallë për të rritur” i pozicionuar si doku-roman ka qenë qendra e këtij diskutimi. Drejtoresha Blerina Rogova-Gaxha e ka nisur ngjarjen me një prezantim të shkurtër të shkrimtarit para publikut në Panair.

“Ag Apolloni është autor nga Kosova, është shkrimtar, dramaturg dhe profesor në Universitetin e Prishtinës. Autor i romanëve të shumtë, librave poetikë dhe studimeve letrare. Po ashtu një ndër autorët më të njohur të letërsisë bashkëkohore shqipe me vepra të përkthyera në gjuhë të shumta si ‘Ulurima e ujkut’ dhe ‘Një fije shprese, një fije shkrepëse’”, ka thënë ajo para se të nis me pyetjen e parë.

“Qëllimi i këtij libri është të reflektojë rreth memories individuale dhe kolektive dhe fuqisë së letërsisë për të mbajtur gjallë memorien kolektive të luftës. E dimë se kjo vepër e prezanton pikërisht këtë tematikë, cili ishte motivi në kontekst të bartjes së memories së luftës, çfarë përfaqëson ky roman?”, ka pyetur ajo në vazhdim.

Shkrimtari e ligjëruesi në Universitetin e Prishtinës, Ag Apolloni, ka thënë se shkrimtari është një urë midis kujtesës individuale e kolektive.

“Ky roman synon t’i gërshetojë të dyja dhe të tregojë rëndësinë e kujtesës, fiksimin e saj nëpërmjet shkronjave dhe qëllimi është që historitë tragjike që trajtohen në këtë roman, të mos kthehen në përrallë, siç janë kthyer në ‘Kësulëkuqen...’, e cila fillimisht ka qenë një histori përdhunimi e më pas një histori argëtimi e edukimi”, është shprehur Apolloni.

Sipas tij, detyra e misioni i shkrimtarit janë t’u japë zë atyre që nuk kanë dhe që të shfrytëzojnë emrin e talentin për t’i bërë historitë të njohura.

“Ata që i kanë përjetuar këto histori tragjike nuk mund t’i bëjnë të famshme historitë e tyre, madje edhe kur i rrëfejnë, i rrëfejnë me kod, me emra falsë, për shkak të natyrës së ndjeshme të rastit. Prandaj autori bën diçka që e kalon historinë e tyre në një përgjegjësi që pavarësisht nacionalitetit të lexuesit, vepra do të komunikojë me të gjithë”, ka thënë shkrimtari Apolloni.

Ka thënë se historitë e dashurisë në romanin “Kësulëkuqja...” janë fiksion, ndërsa pjesa historike është e gjitha faktike. Duke u ndërlidhur me romanin e tij “Një fije shprese, një shkrepëse” shprehet se faktet që shpalosen aty janë lehtë të verifikueshme.

“Gjithçka bazohet në fakte, në dëshmitarë, në arkiva, dokumente dhe është i shkruar në zhanrin dokumentar. Romani ‘Kësulëkuqja...’ të cilin e kam shkruar në Hungari nuk është në formë të romanit por më shumë ‘dopio-roman’ për shkak se gërsheton dy domene, dy zhanre, dy forma, mbase edhe më shumë forma dhe e merr faktin tragjik, por nuk është se është e lidhur me një histori erotike dramatike”, ka thënë Apolloni.

Dokumentet janë trampolina prej ku ai hidhet me rrëfim, siç deklaron autori. Ai rrëfehet në roman.

“Sikur njerëzit që kanë një hall që nuk e mbajnë brenda dhe shkojnë te prifti ta rrëfejnë, unë mbyllem në dhomë dhe e rrëfej nëpërmjet letërsisë. Ky rrëfim nëpërmjet letërsisë shpesh është i obligueshëm dhe çlirues nga traumat që mund të kesh”, është shprehur Ag Apolloni.

“Kësulëkuqja – përrallë për të rritur” i Ag Apollonit dy vite më parë, po në Panairin e Librit në Leipzig qe përuruar, bashkë me dy botime të tjera:  “No Man’s Lands: eight extraordinary women in Balkan history” të  Elizabeth Gowing e Robert Wilton si dhe “Një amerikane në Kosovë 1981-1997” nga Janet Reineck.

“Kësulëkuqja…” ka për bazë historitë reale të përdhunimeve të luftës së fundit në Kosovë. Me anë të kësaj vepre Apolloni sikur bën thirrje që një temë e tillë të mos mbetet larg letërsisë, sepse letërsia nganjëherë di të thotë të vërteta edhe më të mëdha se vetë historia. Veprën, siç kishte bërë të ditur edhe të shtunën në Panair, do të niste ta shkruante në Debrecen të Hungarisë, ku verën e 2022-s qe në një rezidencë shkrimtarësh. Tema e përdhunimeve të shumta gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë është boshti rreth të cilit thuret vepra e Apollonit.

Kapitull tjetër për prezantimin e letërsisë së Kosovën në ditën e tretë të Panairit ka qenë edhe diskutimi me autoren Jehona Kicaj dhe përkthyesen Zuzana Finger për sfidat për letërsinë bashkëkohore kosovare në sfondin e përvojave traumatike të luftës dhe mërgimit.

Kosova po e vazhdon traditën e përfaqësimit në Panairin e Librit në Leipzig të nisur në vitin 2019. Edhe sivjet, pos shtandit ku prezantohen mbi 100 tituj, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka fuqizuar prezantimin direkt të autorëve nëpërmjet paneleve të diskutimit dhe takimeve. Të premten “Letërsia nga Kosova” me autorin Qerim Ondozi dhe botuesen Feride Berisha, me përkthim nga Zuzana Finger, kishte qenë prezantimi i parë në Panair, i cili me “Fjalët që lëvizin botët” synon që kjo të mos jetë thjesht moto, por realitet në ngjarjen me traditë gati 400-vjeçare. Rreth 200 mijë vizitorë në vit, dy mijë e 500 ekspozues nga më shumë se 40 vende, mbi 3 mijë e 600 ngjarje në 550 skena, janë shifrat e Panairit të Librit në Leipzig, i cili përmbyllet sot (e diel).

LEXO EDHE: