I njohur si shkrimtar që gërsheton politikën me erotikën, Mario Vargas Llosa mbetet njëri ndër shkrimtarët më provokativë të letërsisë postmoderne, në fokus të së cilës, pos ironisë dhe intertekstit, janë edhe thyerja e tabuve dhe klisheve
Mario Vargas Llosa ishte lexues i pasionuar i shkrimtarëve të shekullit XIX, shkrimtar provokativ i shekullit XX dhe njëri nga prodhuesit e mëdhenj të materialit për studimet e shekullit XXI. Vetë Llosa thoshte se nuk mund t’i lexonte bashkëkohësit e vet, kështu u kthye në lexuesin e pasionuar të shkrimtarëve të shekullit XIX, si Flaubert, Balzac, Dostojevski, Tolstoi, Stendhal, Hawthorne, Dickens, Melville dhe Hugo. Kurse, gjatë shekullit XX u bë njëri nga shkrimtarët që provokonte kryesisht me dy tema, erotikën dhe politikën, të cilat u bënë materiali bazë për studiuesit e rinj të shekullit XXI, që kryesisht merren me studimin e letërsisë postmoderne. Kështu, për këta studiues, Llosa është njëri nga postmodernistët përfaqësues dhe nga shkrimtarët që thyen tabu.
Edhe pse Llosa njihet si njëri nga engjëjt mbrojtës të Kosovës, nga numri i madh i librave të tij të botuar, vetëm disa janë përkthyer në gjuhën shqipe. Lexuesi mund t’i gjejë në gjuhën shqipe librat si: “Shtëpia e gjelbër”, “Kohë të këqija”, “Festa e cjapit”, “Vajza e prapë”, “Letra një shkrimtari të ri”, “Kush e vrau Palomino Moleron?”, “Çështja e Kosovës”, “Lëvdatë për njerkën” dhe “Pesë qoshet”. Ndonëse janë një numër i vogël librash, këta libra e dallojnë M. V. Llosa-n në gjithë letërsinë botërore, si për nga përzgjedhja e temave, ashtu edhe për nga strukturimi letraro-artistik. Dy veprat e fundit, të botuara së pari më 1988 (novela “Elogio de la madrastra”) dhe 2016 (romani “Cinco esquinas”), pavarësisht se koha i largon nga njëra-tjetra, tema i bashkon. Novela flet për një histori atipike dashurie mes njerkës dhe thjeshtrit të mitur që shkatërron familjen, kurse romani flet për shantazhin mediatik për shkak të raporteve jokonvencionale të dy çifteve.
Krijimi si provokim
Tema erotike është nga temat e lashta të letërsisë, që asnjëherë nuk u venit pavarësisht përpjekjeve dhe propagandave gjatë historisë së njerëzimit. Si temë u kthye në problem e provokim nga mesjetarët dhe ky lloj perceptimi nuk ka ndërruar nga ajo kohë. Edhe në shekullin e kaluar, kur Llosa botoi novelën “Lëvdatë për njerkën”, edhe në shekullin tonë kur ai botoi romanin “Pesë qoshet”, horizonti i pritjes mbeti i njëjti. Veprat u pritën me një skepticizëm për shkak të erotizmit, që anonin kah temat tabu, si lidhja mes dy vajzave, orgjitë dhe lidhja me një të mitur. Për dallim nga Mesjeta, studiuesit nuk u munduan ta keqinterpretonin, veçse disa nuk e përkrahën dhe të tjerët e studiuan pikërisht për këtë qasje ndaj tabuve.
Për shkak që në fund të viteve ‘80 Vargas Llosa ishte tashmë emër i njohur i Boom-it Latino-Amerikan, sidomos me temat socio-politike, shumica prisnin një novelë tjetër që godiste politikën e kohës, kurse shkrimtari peruan botoi një novelë që do t’i interesonte edhe vetë Sigmund Freud-it. Lexuesi i atëhershëm e pa novelën si thyerje të rregullave zhanrore, siç po bënin të gjithë postmodernistët, dhe si novelë sfiduese ndaj konventave morale. Mirëpo, vepra nuk u dënua, meqë tashmë shoqëria, ashtu si edhe letërsia, kishte ndryshuar. Letërsia e tillë krijoi lexuesin model frojdist, që ta interpretojnë novelën “Lëvdatë për njerkën”, jo vetëm si roman postmodern që na kthen në Renesancë, por edhe si mënyrë për të hyrë brenda kokës së autorit dhe personazhit.
Ky shkrimtar provokon qysh në titull. Njerka si koncept tashmë ka marrë të gjitha atributet negative dhe që në paratekst kemi një lloj tërheqjeje, sepse tekefundit, kush do të shkruante lëvdatë për njerkën? Pra, logjika e së kundërtës krijon tërheqjen. Për më tepër, piktura e Agnolo Bronzino-s, “Alegori me Venerën dhe Kupidin”, nuk i le shumë hapësirë imagjinatës, duke na çuar drejt një romani erotik. Me thyerjen e tabusë së mosdiskutimit të lidhjeve të tilla, ani pse jo për herë të parë në letërsi, Llosa zgjodhi një lidhje njëkohësisht incestuoze dhe pedofilike për të hyrë në historinë e letërsisë botërore me një çekan të rëndë mbi moralin. Përgjatë 14 kapitujve njoftohemi me Lukrecian, Don Rigoberton dhe Alfonsiton, lidhjet mes këtyre treve dhe pikturat e Renesancës, që herë kthehen në zë narrativ, herë i japin domethënie narrativës. Megjithatë, si personazh, Alfonsiton nuk e njohim plotësisht përveç në epilog ku e kuptojmë që ai është i zhveshur nga të gjitha normat morale e sociale: “Të më vrasë ndërgjegjja?! – tha ai i çuditur me një zë të kristaltë. – Po për çfarë, Justina?”
Personazhi kthehet në personazh negativ për shkak të djallëzisë së tij, që më së miri kuptohet nga përshkrimi i të qeshurës së tij: “...dëgjoi Alfonsiton që qeshte përsëri. Jo me sarkazëm, as duke u tallur me turpin që i kishte shkaktuar asaj. Por, me gëzimin e tij të veçantë”.
Trampolina e realitetit
Meqë Llosa thotë që e përdor trampolinën e realitetit për të shkruar, dhe meqë novelës po i qasemi me një pikëpamje psikanalitike, nuk mund të mos e diskutojmë se ku u frymëzua për një histori të tillë, nëse jo nga jeta e vet. Edhe pse novela i kushtohet Luis García Berlanga-s, regjisor dhe skenarist spanjoll, nuk mund të krijojmë ndonjë lidhje me veprën. Kështu, siç na le vepra mundësi të shumta interpretimi ndaj lidhjes, edhe shkrimtari na le zbrazëti se nga ku u frymëzua.
Më 2010, kur Mario Vargas Llosa mori, pas shumë çmimesh, edhe çmimin Nobel për “hartografinë e strukturave të pushtetit dhe për imazhet rrëqethëse të rezistencës, revoltës dhe disfatës së individit”, tashmë kishte krijuar një famë botërore dhe njihej si autor i veprave provokuese politike, me një fije erotizmi. Kështu, kur u botua romani “Pesë qoshet”, lexuesit përsëri pritën një rikthim dhe angazhim në temat politike, si te romanet e tij më të famshme: “La fiesta del chivo” (Festa e cjapit) dhe “Conversación en La Catedral” (e papërkthyer në shqip). Në njëfarë mënyre shkrimtari jua plotësoi dëshirën lexuesve duke u marrë në roman me manipulimin mediatik dhe rrënimin shoqëror në Perunë e viteve ‘90. Kurse ajo fija e erotizmit fillon me fotografinë shantazhuese dhe një linje narrative mes dy shoqeve që e tejkalon lidhjen shoqërore. Në këto linja turpi publik dhe dëshirat private zhvillohen brenda një trileri (thriller), meqë pikërisht shantazhuesi vritet mistershëm. Shkrimtari sfidon kufijtë e lirisë personale dhe dëshirave brenda një vendi ku mbizotëron fryma shtypëse. Madje ai vetë thotë se “shtetrrethimet e detyrueshme dhe pasiguria e përhapur i shtynë individët të kërkonin ngushëllim dhe të shpëtonin përmes lidhjeve intime”. Një pjesë e studiuesve e panë romanin si luftë për lirinë, privatësinë dhe reagimin ndaj shtypjes, dhe studiues të tjerë e panë romanin e Llosa-s si një kritikë ndaj korrupsionit politik dhe gazetaresk, duke i vënë linjat erotike në rend të dytë, vetëm si pjesë përbërëse të narrativës.
Në këto dy vepra të Mario Vargas Llosa-s, erotizmi dhe politika nuk na dalin si tema të izoluara, por të ndërthurura. Ai diskuton probleme ekzistenciale si kufizimet që has individi në gjetjen e vetes në një botë të udhëhequr nga pushtetarët dhe morali shoqëror. Na paraqiten personazhe moralisht ambigë që nuk gjykohen nga vetë ai, por nga një shoqëri e sëmurë nga konventat. Përmes temave që sfidojnë tabutë dhe personazheve që veprojnë përtej pritjeve konvencionale, Llosa jo vetëm që e provokon lexuesin, por e vendos atë në pozitën e një vëzhguesi të dilemave etike dhe ekzistenciale. Kjo qasje ndërton një lloj tensioni mes dëshirës personale dhe normës kolektive duke e bërë Llosa-n njërin nga autorët më të rëndësishëm të letërsisë postmoderne, i cili jo vetëm e trazon ndërgjegjen morale të kohës së vet, por e shtyn letërsinë të rifillojë debatin mbi të ndaluarën, të papranuarën dhe të nënvetëdijshmen në të cilën insistonte Freud-i. Në këtë mënyrë, ai e kthen letërsinë në mjetin që lexon dhe kritikon shoqërinë dhe vetë njerëzimin.
© KOHA Ditore