“Me paralajmërimet për organizim mitingjesh serbomëdha të organizuara nga shteti i Serbisë dhe Kisha Ortodokse serbe qëndrimi luftënxitës bëhet i qartë dhe i rrezikshëm”, shkruhet në apelin e anëtarëve të PEN-Qendrës Ndërkombëtare, shkrimtarë nga hapësirat e ish-Jugosllavisë ku i bëhet thirrje faktorit ndërkombëtar të reagojë urgjentisht që flakët e luftës të mos ndizen sërish në Ballkanin Perëndimor”
Tash e disa vjet, narrativi i nacionalistëve serbë, i ndihmuar prej regjimit në Beograd dhe prej një pjese të klerikëve të Kishës Ortodokse serbe e destabilizon rajonin para së gjithash Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi e Kosovën, është konstatimi i një pjese të “anëtarëve të PEN-Qendrës Ndërkombëtare, shkrimtarë nga hapësirat e ish-Jugosllavisë” në krye të apelit me të cilin “paralajmërojnë opinionin botëror për rrezikun e qartë dhe aktual të konflikteve të luftës në territorin e Ballkanit Perëndimor”. Ani pse një apel si ky është nismuar qysh në fundprill, tek tash ka nisur të shpërndahet në qarqe shkrimtarësh, përderisa nuk ka bërë fort bujë.
Në apel, shkruhet se me shpërthimin e invazionit rus në Ukrainë, “retorika e Serbisë së Madhe po fuqizohet gjithandej ish-Jugosllavisë”. “Regjimi në Beograd dhe ai në Banja Llukë (entiteti Republika Srpska në Bosnjë-Hercegovinë) nuk e fshehin simpatinë për apetitet imperialiste të Rusisë, njashtu siç e vlerësojnë përkrahjen ndaj regjimit të Kremlinit.
“Në shtator të vitit 2023 përshkallëzimi i armatosur nisi me sulmin terrorist në Banjskë (të Kosovës) e kur po afrohej votimi i Rezolutës në Kombet e Bashkuara për gjenocidin në Srbrenicë, kërcënimet e Millorad Dodikut për shkëputje të Republika Srpskas veç u shtuan dhe nuk do të duhej të nënvlerësoheshin”, shkruhej në apel kur përmendej edhe mundësia e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si një “pikë kritike” sepse regjimi i “Aleksandar Vuçiqit nuk shpreh kurrfarë gatishmërie për bashkëpunim, paqe, e kompromis”.
“Përkundrazi me paralajmërimet për organizim mitingjesh serbomëdha të organizuara nga shteti i Serbisë dhe Kisha Ortodokse Serbe qëndrimi luftënxitës bëhet i qartë dhe i rrezikshëm”, shkruhet në apel.
Po aty shkruhet se regjimi agresiv i Beogradit “i cili pa u fshehur e haptazi armatoset, është burimi kryesor i jostabilitetit në Ballkanin Perëndimor”. Dhe një imazh i tillë, sipas apelit, nuk është i panjohur.
“Dikur në të kaluarën, një narrativë identike nga të njëjtat qarqe na shtyu në një luftë të përgjakshme dhjetëvjeçare në territorin e ish-Jugosllavisë. Nuk duhet ta lejojmë të ndodhë sërish. Duhet të njohim rrezikun dhe të ngremë qartë zërin kundër konflikteve të armatosura në territorin e Ballkanit Perëndimor”, shkruhet në apel ku i bëhet thirrje “regjimit në Beograd që të pranojë pajtimin si opsionin e vetëm të mundshëm politik në hapësirat e ish-Jugosllavisë”.
“Gjithashtu, i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë urgjentisht ndaj rrezikut dhe të bëjë gjithçka që ka në dorë që flakët e luftës të mos ndizen sërish në Ballkanin Perëndimor”, shkruhet në apelin i cili përfundon me: “Të shqetësuar, ju lusim për bashkëpunim e paqe”.