Ylli i flautit, Andrea Griminelli, i ka dhënë shkëlqim koncertit me Filharmoninë e Kosovës teksa ka hijezuar mangësitë e sallës, duke sjellë frymën e skenave më të mëdha botërore. Në këtë rrugëtim, në dialog muzikor i është bashkuar edhe flautistja Venera Mehmetagaj-Kajtazi, e në fakt ky ka qenë një ribashkim i dyshes në skenë pas koncertit në Paris këtu e 43 vjet më parë. Me dirigjentin Dario Salvi, Orkestra e ridëshmon mjeshtërinë e profesionalizmin dhe me emra si Griminelli
Ylli i skenave botërore, flautisti italian Andrea Griminelli, ka qenë kryefjala e koncertit të radhës të Filharmonisë së Kosovës. Magjinë e flautit e ka sjellë edhe në duet me Venera Mehmetagaj-Kajtazin, flaut i parë i formacionit, që ka reflektuar edhe në karrierën e një gjysmëshekulli në skenën muzikore. Me dirigjentin Dario Salvi, Orkestra e ridëshmon mjeshtërinë e profesionalizmin, në kushte që secilën herë më shumë bëhen alarmante.
Për muzikantët vendorë, mjafton streha për të transmetuar shprehjet muzikore. Për të projektuar kryevepra botërore e për të shijuar përgjigjet e ngrohta të publikut që mezi mban duartrokitjet midis veprave. Në këtë aspekt, shpesh emocionet triumfojnë, e ngjashëm ka ndodhur edhe në koncertin e së premtes mbrëma.
Por për atë që vlerësohet si një prej muzikantëve më të mëdhenj në botën muzikore të kohës në të cilën jetojmë, salla është e domosdoshme.
Kalimi i skenave madhështore në dyshemenë në të njëjtin nivel me publikun, është kontrasti absolut i performancave të tij. Por ajo nuk ia lëkund kapacitetin e interpretimit. As interesimin e publikut në Prishtinë i cili i ndjek skutave koncertet e Filharmonisë së Kosovës, në hapësira përherë të improvizuara. I shumtë ka qenë edhe në koncertin e radhës ku përveç që shumë mbetën në këmbë në pjesën e hyrje-daljes së Ateliesë së Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, korridori i sipërm qe i rrethuar nga shikues që kanë shijuar koncertin.
Derisa koncerti ka nisur në kohën e paraparë, publiku ende ka qenë duke u pozicionuar për të mundur ta shohë lojën e formacionit. Kësaj here, midis kryeveprave botërore është përfshirë një vepër e repertorit vendor klasik. Koncerti ka nisur me “Rush hour 2” të Lum Halabakut. Veprën për orkestër harkore e kanë dominuar dinamikat dhe tensioni.
Në skenë është shfaqur si solist flautisti Griminelli në interpretim të “Koncertit për flaut nr.1 në G-dur, K. 313” të Mozartit. Pjesa e solistit paraprihet nga Orkestra, e së bashku kombinohen mrekullueshëm. Lojën me flautin e tij të veshur me ar e bën të kapërcehet lehtësisht e pa sfida. Atraktive janë pjesët e tij. Në kohën e parë “Allegro maestoso” ai shprehet pa ndërhyrje duke transmetuar pikën e ndjerë solistike.
Në “Adagio ma non troppo” hyrja i përket Orkestrës. Solisti në pauza të tilla të performancës së tij shpesh kthehet nga instrumentistët dhe e ndjek lojën e tyre. Është si një lloj vlerësimi e shijimi i lojës së tyre. Derisa i vjen koha për t’u përfshirë në vepër, shikimin e hedh te krejt publiku, edhe në korridoret e sipërme të mbushura përplot.
“Audienca ishte e mahnitshme. Është hera e parë që jam këtu në Kosovë. Ishte atmosferë dhe energji e mrekullueshme. Ata e duan muzikën. Gjithashtu e falënderoj Orkestrën, drejtorin dhe dirigjentin. Për mua ishte kënaqësi e madhe të jem këtu dhe shpresoj të kthehem”, është shprehur flautisti Andrea Griminelli.
Ai është mjeshtër në skenë. Koha e dytë e veprës është pjesa ku solisti e Orkestra bashkëveprojnë qetas, pa vrull. Flautisti italian madje vështron publikun teksa luan në instrument. Ka thënë se për ta do të donte që herën tjetër të interpretonte në kushte më të mira.
“E di që është një projekt për një sallë të re. Ajo do të ishte e mrekullueshme sepse ju e meritoni sallën. Kishte përplot njerëz që qëndruan edhe lart. Shpresoj të kthehem dhe të luaj në sallë të re, apo kudo që të ndodhë”, ka thënë flautisti 66-vjeçar.
Në pjesën e fundit “Rondo: Tempo di Menuetto moderato”, është një lloj humoreske e harmonie e mahnitshme që përcillet nga Orkestra e flauti solo veçse e bën më të theksuar këtë frymë të pjesës.
Flautisti i skenave botërore ka thënë se vepra është mjaft sfiduese dhe kërkon përpikëri në zbërthimin e partiturave. Veprat e Mozartit i konsideron hyjnore.
“Mozarti është shumë sfidues, është një prej koncerteve më të vështira pasi kurrsesi nuk mund të humbësh një notë, nuk mund të bësh një interpretim ndryshe. Mozarti dhe Bachu për mua janë kompozitorët më të mirë të historisë. Çfarë ata kanë shkruar, secila notë është hyjnore, kështu që nuk mund ta ndryshosh. Për këtë arsye nuk mund ta ndryshosh. Edhe për orkestrën është një lloj harmonie, kështu që është shumë e vështirë ta interpretosh, por kurrë nuk lodhesh duke e luajtur”, është shprehur Griminelli për KOHËN pas koncertit.
Për interpretimet e tij të ndjeshme dhe teknikën mahnitëse është vlerësuar pothuaj nga çdo cep i botës muzikore – përfshirë çmimin “Grammy”, “Prix de Paris” dhe “Kalorësi Italian”. Flautisti legjendar Sir James Galway e përshkroi atë si “flautisti më i madh që ka dalë në pah në skenën muzikore prej shumë vjetësh”. Gjatë një karriere 34-vjeçare si solist, Griminelli ka performuar në La Scala, Carnegie Hall dhe Suntory Hall dhe salla të tjera në Evropë, Azi dhe Amerikë.
Në vitin 1984, në moshën 25-vjeçare, u ftua nga Luciano Pavarotti për të performuar në koncertin e famshëm në “Madison Square Garden” të New Yorkut. Ky shënoi fillimin e një bashkëpunimi mes dy artistëve që zgjati në një cikël prej 200 koncertesh, duke përfshirë performanca në “Hyde Park” të Londrës, Central Park të New Yorkut, Kullën Eiffel në Paris dhe Sheshin e Kuq në Moskë.
Në koncertin e fundit të Filharmonisë së Kosovës, Venera Mehmetagaj-Kajtazi që mban rolin e flautit të parë të orkestrës u zhvendos si soliste në interpretim bashkë me Griminellin duke sjellë duetin e flauteve edhe si shenjë simbolike e vlerësimit të veprës e kontributit të saj në institucionin shtetëror të muzikës klasike dhe përtej, për 50 vjet karrierë.
“Aq shumë kam pasur emocionet sonte saqë nuk e mbaj mend që gjatë 50 vjetëve të kem pasur më shumë. Secili koncert ka qenë koncert më vete, por sonte jam ndier krejt ndryshe pasi edhe Andrea erdhi për dëshirën time”, është shprehur Mehmetagaj-Kajtazi.
Ajo është një nga flautistet më të shquara shqiptare, e njohur si soliste dhe pedagoge me ndikim të jashtëzakonshëm në kulturën muzikore. Pas diplomimit në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, specializoi në Tiranë dhe Paris duke ndërtuar karrierë të suksesshme ndërkombëtare. Ka performuar me orkestrat më prestigjioze në Evropë dhe botë, duke përfaqësuar muzikën shqiptare në skena të njohura. Në vitin 2004 publikoi CD-në e parë të muzikës klasike për flaut në Kosovë dhe Shqipëri, duke festuar 30-vjetorin e karrierës.

Koncerti në Prishtinë e ka bërë bashkë dyshen në skenë pas 43 vjetësh. Ata studiuan së bashku në Konservatorin e Parisit e përgjatë kësaj kohe patën edhe koncerte të përbashkëta.
“Gjithmonë më ka dhënë kënaqësi profesioni im, e kam bërë me kënaqësi, e kam dashur. Sonte ishte edhe dëshira e Andreas, shokut tim me të cilin kemi studiuar bashkë në Francë, që ta luaj një pjesë me të”, është shprehur ajo.
Ka kujtuar edhe fillet e angazhimit të saj në atë që sot si vazhdimësi funksionon Filharmonia e Kosovës.
“Prej moshës 14-vjeçare kam filluar ai anëtarja më e re e orkestrës simfonike që ka funksionuar në Radiotelevizionin e Prishtinës dhe kështu pastaj kanë vazhduar koncertet janë radhitur si nxënëse, si studente, specializimet në Francë”, ka thënë Mehmetagaj-Kajtazi.
Me flautistin Griminelli ka interpretuar kohën e tretë të “Koncertit për dy flaute në G-dur, G. 1077” “Rondo. Allegretto ma non tanto”, të italianit Domenico Cimarosa. Vepra ka stil melodik ku vijnë në shprehje serioziteti e shkathtësitë teknike. Dy solistët zhyten në pjesët orkestrale, të cilat përcjellin një humor e temë relaksuese që ngrohet nga solistët.
“Secili program e ka vështirësinë e vet në interpretim. Profesori im në Francë thoshte se edhe një tingull të gjatë ta mbash, edhe ajo është e vështirë. Këtë koncert e pata luajtur edhe pas lufte me profesorin tim francez. E kam pasur pak a shumë të njohur, megjithatë çdo koncert është sfidë më vete”, është shprehur flautistja Mehmetagaj-Kajtazi.
E Griminelli si dedikim për të ka interpretuar veprën “The Flight of the Bumblebee” të kompozitorit rus Nikolai Rimsky-Korsakov. Derisa është shprehur se muzika është moment lumturie e miqësie, ka kujtuar koncertet e dikurshme të tyre.
“Kemi performuar së bashku në Paris kur ishim studentë. Quhej ‘Muzikantët e rinj’ dhe aty kishte muzikantë nga e gjithë bota. Bëmë disa koncerte bashkë dhe më pas u shkëputëm, nuk kishte internet, nuk kishte telefon. Humbëm kontaktet. Me internet tani, u takuam”, ka thënë Griminelli.
Ka thënë se ka marrë vesh se Filharmonia e Kosovës do të jetë në Itali në nëntor, andaj shpreson ta ndjekë koncertin atje.

Me të, dirigjenti skocezo-italian Dario Salvi që tash e një kohë po e drejton orkestrën, nuk ka punuar më parë. Ka thënë se gjuha muzikore i ka bërë një.
“E njoh, është një prej flautistëve më të njohur në botë, është mik i mirë i shumë prej pop-yjeve të rëndësishëm të skenës. Është nga veriu i Italisë nga vij edhe unë. Nuk kemi punuar kurrë më parë së bashku. Ishte kënaqësi absolute të punoj me të në prova, u bëmë si vëllezër që në fillim sa i përket gjuhës muzikore dhe të kuptuarit e muzikës”, ka thënë Salvi.
Krejt në fund është interpretuar “Simfonia nr.8 në F-dur, Op. 93” e Beethovenit. Është sjellë e plotë me kohët e saj: “Allegro vivace e con brio”, “Allegretto scherzando”, “Tempo di menuetto” dhe “Allegro vivace”.
Sfidues e ka konsideruar programin dirigjenti Dario Salvi.
“Mendoj se audienca ka filluar të më njohë më mirë. E kuptojnë se e jap më të mirën nga vetja në secilin koncert, entuziazmi i tyre është përherë më i madh. Sot patëm një repertor interesant që filloi me veprën e kompozitorit kosovar. Pjesë shumë sfiduese për ne, punuam shumë, ai ishte shumë i lumtur, unë isha gjithashtu i lumtur. Gjithashtu Venera dhe Andrea luajtën veprat e Mozartit dhe Cimarosas, me të cilat u munduam të rikrijojmë stile e në fund patëm ‘Simfoninë e tetë’ të Beethovenit. Shkoi shumë mirë, jam shumë krenar”, ka thënë ai.
Koncertin e ardhshëm Filharmonia e mban me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, nën drejtimin e Baki Jasharit. Solistë të koncertit janë pianisti Shkëlzen Baftijari dhe mexosopranoja Flaka Goranci. Filharmonia e Kosovës ka bërë të ditur se koncerti tjetër mbahet më 27 shkurt nën drejtimin e Antoine Marguier, me solistë saksofonistin Vitaly Vatulya dhe sopranon Besa Llugiqi.