Gjetja arkeologjike në qendrën historike të Prizrenit që prej 2014-s ishte lënë jashtë kontrollit nga shteti, është vënë në funksion me projektin për rigjenerim, duke e vënë atë në funksion të komunitetit dhe vizitorëve. Projekti lë prapa një histori neglizhence, përplasjesh së institucioneve e konstatimeve se lokaliteti po shkatërrohej dita-ditës përkundër faktit se ky thesar i trashëgimisë kulturore dëshmon qytetërimin që ka ekzistuar prej shekullit III-IV në Prizren
Lokaliteti arkeologjik në qendër të Prizrenit, që ishte lënë pas dore nga shteti për gati një dekadë qëkur u zbulua, është vënë në dispozicion të vizitorëve prej së premtes mbrëma, duke e bërë atë pjesë integruese të sheshit të Lidhjes falë rigjenerimit që i është bërë. Ata që janë angazhuar në realizimin e projektit që e prezanton këtë lokalitet arkeologjik kanë vlerësuar se ky thesar i trashëgimisë kulturore dëshmon qytetërimin që ka ekzistuar prej shekullit në Prizren dhe që njëherësh plotëson edhe mozaikun e atraksioneve turistike në qytetin e vjetër.
Përurimit të këtij projekti i ka paraprirë aktiviteti me fëmijët, ku të vegjlit përmes vizatimit kanë paraqitur lokalitetin ashtu siç e imagjinojnë të jetë dukur në të shkuarën.
Në qendër të Prizrenit këtu e gati një dekadë më parë, do të dilnin në pah ato që arkeologët i cilësuan si gjurmë të objektit romak të vilës “rustica-e apo urbana-e”, pjesë të një kompleksi më të madh, të ndërtuara në shekullin III-IV. U cilësua si lokalitet arkeologjik i periudhës klasike romake, dëshmi e Therandës antike. Mbijetuan me shekuj, por nisën të shkatërrohen kur u nxorën në pah e u harruan prej institucioneve. U mbuluan, rizbuluan, u mbajtën debate e tryeza, u shpalosën ide e u shkëmbyen akuza midis autoriteteve, përderisa përditë konstatohej se lokaliteti po shkatërrohet.
Tash është hapur një kapitulli i ri për këto gjetje.
Profesionistët e angazhuar në jetësimin e këtij projekti kanë përkujtuar se si lokaliteti arkeologjik është hasur rastësisht gjatë punimeve për rregullimin e sheshit të Lidhjes më 2014, me ç’rast janë ndërprerë punimet dhe janë bërë hulumtime arkeologjike nga dr. Shafi Gashi atë vit dhe në vitin 2015.
Zana Rama, arkeologe, ka sqaruar se në shtatë vjetët në vijim ka pasur intervenime të vogla, të mirëmbajtjes, dhe se pak a shumë gjendja në këtë lokalitet ka qenë jashtë kontrollit, deri në krijimin e grupit punues ndërinstitucional në vitin 2022, gjë që ka hapur rrugën për konservimin e lokalitetit këtë vit.
“Sipas raportit të kolegut tim këtu kemi të bëjmë me një vilë, supozohet se është një vilë e periudhës romake të shekullit III-IV, ndërsa kjo strukturë e ndërtuar prej tullave, e cila është struktura kryesore e ekspozuar këtu, është e ndërtuar prej tullave edhe është e bërë me lidhje të lloçit dhe horasanit. Ne i kemi përdorur metodat e njëjta, të cilat janë përdorur edhe 16-17 shekuj më parë”, ka thënë Rama.
Vesel Hoxhaj, arkeolog në Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, ka thënë se bashkëpunimi i institucioneve, profesionistëve dhe komunitetit ka mundësuar realizimin e këtij projekti, që plotëson mozaikun e trashëgimisë kulturore të qytetit të vjetër.
“Në zemër të Prizrenit është zbuluar një lokalitet arkeologjik i periudhës romake që është një ndër gjetjet më të rëndësishme arkeologjike të Prizrenit, që i shton Prizrenit një pikë ose një pjesë në mozaikun shumë të pasur të trashëgimisë kulturore të Prizrenit”, ka thënë Hoxhaj.

Edhe zyrtarët e lartë të pushtetit qendror dhe atij lokal kanë vënë në pah rëndësinë e prezantimit të këtij lokaliteti për komunitetin dhe vizitorët e Prizrenit.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e ka cilësuar këtë hap si një moment të rëndësishëm në rrugëtimin kulturor, i cili dëshmon trashëgiminë e lashtë të vendit dhe që plotëson mozaikun e destinacioneve turistike. Sipas tij, kjo është arritur falë bashkëpunimit institucional dhe përkushtimit të profesionistëve.
“Kur ka profesionalizëm, kur ka bashkëpunim mes institucioneve rezultatet nuk mungojnë. Ta gëzojë Prizreni këtë lokalitet, por jo vetëm Prizreni, krejt Kosova! Ashtu siç e tha edhe Veseli, ky zbulim është shumë i rëndësishëm edhe për disa beteja tona të tjera, jo vetëm për një hapësirë për vizitorë dhe për qytetarë”, ka thënë ministri Çeku.
Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, ka theksuar se kjo pasuri arkeologjike është dëshmia më e qartë për lashtësinë e qytetit të Prizrenit.

“Jam shumë i bindur që ky lokalitet do t’u hyjë në punë shumë arkeologëve, shumë historianëve, studiuesve dhe hulumtuesve dhe po besoj që Prizreni përmes këtij lokaliteti po e dëshmon që është vatër e trashëgimisë kulturore”, ka thënë Gashi.
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, është shprehur i kënaqur që kjo hapësirë e trashëgimisë kulturore e integruar në një hapësirë publike është vënë në shërbim të komunitetit, të grupmoshave të ndryshme.
Projekti është realizuar në kuadër të “Programit për integrimin e trashëgimisë̈ kulturore në planifikim hapësinor” të financuar nga MKRS, i mbështetur nga UN-Habitat Kosovë, përmes Programit për Zhvillim Gjithëpërfshirës të financuar nga Qeveria e Suedisë.
Sipas arkeologëve, gjatë gërmimeve me karakter shpëtimi, të zhvilluara vite më parë, në këtë lokalitet është hasur në dy shtresime kulturore përkatësisht rrënojat e periudhës klasike romake, të cilat besohet se janë struktura të një vile të shekullit III-IV si dhe rrënojat e periudhës osmane, të cilat prezantojnë muret e pazarit të bulmetit, i cili ka ekzistuar deri në mesin e shekullit XX.
Lidhur me mbetjen jashtë kontrollit të këtij lokaliteti në vitet e shkuara ka pasur reagime nga aktivistët e shoqërisë civile, sikurse edhe nga Këshilli për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit që pati kërkuar mbrojtjen e këtij aseti të trashëgimisë kulturore, me ndërmarrjen e masave adekuate drejt konservimit dhe prezantimit të tij. Këshilli në vitin 2020, kishte konstatuar se mbetjet arkeologjike në këtë lokalitet janë dëmtuar e shkatërruar si pasojë e mospërkujdesjes adekuate.

Në shkresën dërguar Institutit Arkeologjik të Kosovës, që funksionon në kuadër të MKRS-së dhe organeve komunale, pati përkujtuar se në fund të vitit 2014, gjatë gërmimeve të dheut për ndërtimin e një fontane si pjesë të “Sheshit të Lidhjes”, është zbuluar lokaliteti arkeologjik. Sipas KTK-së, zvarritja disavjeçare lidhur me këtë projekt ka bërë që si rezultat i temperaturave të larta në verë dhe të ulëta në dimër mbetjet arkeologjike të shkatërrohen deri në masë të mosnjohjes.
“Efektet negative atmosferike, veçanërisht dielli i fortë, ka rezultuar me tharje dhe plasaritje të tullave, llaçit gëlqeror dhe higroskopik (horasan), që kanë qenë lidhës të muratimit dhe tani më janë jofunksionale. Lagështia e mbledhur në pjesën e themeleve ka ndikuar në formimin e mykut dhe kripërave që kanë shpejtuar shkatërrimin e objektit. E gjithë kjo situatë gjatë viteve është shoqëruar me rritjen e pakontrolluar të vegjetacionit që më tej dekompozon mbetjet e llacit dhe shtresave të lokalitetit”, thuhej në shkresë, teksa më tej shtohej se lokaliteti ngadalë, por sigurt, është shndërruar në një deponi mbeturinash. Tash ka një tjetër pamje.