Dikur ishte një zanat i zakonshëm, më vonë u bë trashëgimi, në një periudhë u harrua, por tash po jep shenjat e rikthimit në trend. Poçarët e moçëm numërohen në gishta, por ata që i rreken artit në qeramikë – qoftë thjesht për rekreacion – po bëhen më të numërt përditë e më shumë. Nëse është qetësia që ofron përballë një përditshmëri të vrullshme, është vetëm njëra pyetje. Dikush te poçaria sheh edhe nevojën për rilidhje me tokën nëpërmjet një arti të moçëm sa edhe vetë njerëzimi
Është diçka mrekullibërëse: një copë balte e vendosur mbi një rrotë që nga lëvizjet e fërkimet me duar shndërrohet në diçka të dobishme a vepër arti. Një zanat i vjetër sa njerëzimi, thuhet për poçarinë. Ky lloj arti po përjeton edhe njëherë shenjat e momentit të lavdisë së dikurshme. Interesimi në vend, për punime të punuara nga deltina, është duke u rritur çdo herë e më shumë në dekadën e fundit. Gjenerata të reja kanë marrë përsipër pjekjen në furrë dhe kanë “ndezur” një trend të ri.

Natyrshmëria në lojë me baltën
Për shumëkënd, kontakti me argjilë, nënkupton lidhjen me tokën. Ndërsa puna me këtë material të butë, shihet si diçka që ka përfitime fizike, por edhe shpirtërore.
“Kur fillon të modelosh dhe thellohesh në punë i gjithë koncentrimi është tek ajo që ti modelon, është një punë që të relakson, të bën që për atë kohë të shkurtër të qëndrosh larg stresit. Gjithashtu, është një kënaqësi e madhe kur sheh se ke krijuar diçka vetë”, thotë artisti Veli Blakçori.
Blakçori, që prej fundit në fund të viteve ’90, merret me punime në qeramikë. Puna me deltinë, artistit që kryefjalë e ka skulpturën, i kishte ardhur krejt natyrshëm.
“Kam kureshtje të eksploroj dhe të provoj veten në fusha të ndryshme të artit, qeramika është njëra nga to”, shprehet artisti 66-vjeçar. E konsideron kombinim të zanatit e të artit.
Së fundi ai ka mbajtur një punëtori me qeramikë në galerinë e tij “Monet - Art and Books”. Lokacioni i ri i galerisë – në “Emshir” e që ka një hapësirë më të madhe – ka dalë të jetë i përshtatshëm edhe për aktivitete të tilla. Punëtoria ishte një test pasi që u zhvillua për herë të parë. Interesimi i njerëzve i kishte habitur, por sipas Blakçorit, ishte edhe dëshmi se mungojnë aktivitet të tilla. Tani, i ka vënë vetes detyrë për të organizuar punëtori të tilla edhe në vazhdim. Njëra u mbajt edhe gjatë këtij muaji.
“Kam vizituar shumë vende të botës, punëtori të tilla mbajnë pothuajse në çdo lagje, është pjesë e kulturës. Gjërat e mira dhe të dobishme duhet t’ua imponojmë njerëzve, ndonëse respekti dhe dashuria për artin duhet të kultivohen që nga fëmijëria”, thotë artisti i lindur në fshatin Letanc të Podujevës.
Ka treguar se pjesëmarrësit ishin të moshës madhore dhe të profesioneve të ndryshme dhe se shumica prej tyre ishin fillestarë.
“Që nga fëmijëria ne njoftohemi me konceptin e modelimit me dorë për shembull me plastelinë, dhe kur fillon të modelosh me baltë të vjen shumë natyrshëm. Gjithashtu, stimulon kreativitetin dhe të jep mundësi pa fund për t’i realizuar idetë që ke”, sqaron tutje ai.
Kur flet për pjesëmarrësit, tregon se pothuajse të gjitha ishin gra. Por kundërshton atë se kjo është një punë që u përshtatet vetëm grave, e madje i fton burrat të bëhen pjese e punëtorive. Sipas tij, puna me qeramikë nuk njeh moshë e as gjini.

Vendi i merituar i deltinës në art
Në fakt, paragjykimi sa i përket gjinisë është veç njëra anë. Për shumë vjet, puna me argjilë ishte parë vetëm si një zanat. Vonë nisi të marrë vëmendje si formë arti. Zë i dhanë edhe burrat.
Në Britani ishte Bernard Leach, ai që u konsiderua si babai i poçarisë. Për të poçari ishte një nga njerëzit e paktë që mund të përdorë në të njëjtën kohë e në balancë të përkryer zemrën, duar dhe kokën.
E britaniku Robin Welch, një poçar tjetër i zoti do të potenconte se nuk ka dallime në mes të artit dhe zanatit.
“Kur vendos të jesh artist mund të përdorësh çdo gjë. Nëse mbetesh në një ishull të braktisur, përdor drunjtë që t’i sjell deti në bregdet”, kishte thënë artisti tash 85-vjeçar për “The Guardian”.
Mandej, ishte poçari Grayson Perry, ai që në vitin 2003 fitoi çmimin “Turner”, një çmim prestigjioz që u ndahet artistëve më me nam në Britani. Kështu, këto ngjarje, një nga një nisën të tregonin fuqinë që po merrte ky lloj mediumi në art.
Së fundi, në Kosovë, në piedestal të fushës artistike këtë medium e vendosi 66-vjeçarja, Lirije Buliqi. Pejania, ishte ndër punëtorët e parë të Galerisë Kombëtare të Kosovës (GKK) – aplikoi gjersa ishte në vitin e tretë të studimeve për juridik – dhe punoi aty për katër dekada, deri në dalje në pension.
Ishte piktori Engjëll Berisha, ai që kishte vënë re vizatimet që ajo i bënte gjatë kohës së punës, dhe ia kishte sugjeruar të studionte për art. Më pas studioi për skulpturën në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.
Buliqi u orientua në artin e qeramikës në vitin 2003, kur në galeri u mbajt një punëtori për punime në qeramikë nga mjeshtri i madh kroat Hanibal Salvaro. Disa vite pas, në maj të 2021-s, hapi edhe ekspozitën e parë, tërësisht me punime nga qeramika pikërisht në institucionin më të lartë publik që merret me promovimin e artit modern dhe bashkëkohor.

Midis artit e zanatit
Buliqi, tash njohuritë që i ka po i ndan edhe me të tjerët. Së fundi, mbajti një punëtori pikërisht për punime me qeramikë. “Arti i qeramikës”, organizuar nga Iniciativa për Histori Gojore në Kosovë, u mbajt gjatë tetorit të kaluar në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.
Erëmirë Krasniqi, drejtoresha ekzekutive e kësaj organizate - njëherësh edhe kuratore e ekspozitës personale të Buliqit, në GKK – ka treguar se kjo ishte punëtoria e tyre e parë e kësaj natyre.
Pasi që arkivi i tyre është i qasshëm online, komunikimi i tyre me publikun ndodh vetëm kur publikojnë ndonjë libër a organizojnë ndonjë ekspozitë me bazë në hulumtim. Por, gjatë këtyre kohërave të izolimit, Krasniqi ka thënë se edhe ata kanë pasur nevojë që të krijojmë raporte të reja dhe më direkte me audiencën e tyre. Duket se kanë goditur në pikën e duhur.
Mbi 100 aplikantë i ishin përgjigjur thirrjes për 15 vende të lira. Organizata përfundoi me dy orare e 30 pjesëmarrës të grupmoshave dhe profesioneve të ndryshme nga 4 deri 68 vjeç. Sipas Krasniqit, poçaria është një ftesë për t’u futur në procese kreative që ai i cili merret me to, nuk i ka nën kontroll të plotë.
“Përgjatë këtij procesi të punës në qeramikë gjithnjë shpërfaqen nuanca dhe forma të papritshme, dhe shpeshherë impresive të cilat nuk i ke arritur me paramendim”, thotë ajo. E konsideron si diçka mjaft komplekse, që kërkon kohë dhe durim.
“Si e tillë ka shumë faza të cilat gjithsecila kërkon nga një javë. Modelimi i argjilës dhe terja e saj, pjekja, ngjyrosja, dhe pjekja e dytë, që të gjitha kërkojnë kohë. Si përvojë të mëson shumë të planifikosh afatgjatë”, thotë ajo. E si praktikë artistike kërkon shumë shkathtësi. Për Krasniqin puna me qeramikë është skulpturale, por po ashtu pikturale. Për mendimin e saj, globalisht ka një interesim të shtuar për artin e qeramikës, dhe gjithnjë më shumë ka shembuj impresiv të formave dhe glazurave në qeramikë.
“Mirëpo, lokalisht nuk është që ky art mund të zhvillohet shumë pasi që të paktë janë artistët që mund të të udhëzojnë nëpër të gjitha stadet në realizimin e punëve në qeramikë”, thotë ajo.
Poçarët, sensacion në treg e rrjete sociale
Se interesimi është rritur edhe në vendet e tjera ka shumë të drejtë. Madje veprat, e Jean Cocteau dhe Hans Coper që ishin pionierë të punës me qeramikë edhe pse kishin stile të ndryshme kanë shënuar rekord të ri në shitjet e tyre të fundit në ankande. Në vjeshtën e kaluar vepra e të parit, “Aries two faces” është shitur për më shumë se 47 mijë euro. Kurse vepra “Coco de mer” e vitit 1968 e artistit gjermano-britanik, për rreth 611 mijë euro.
Befasuese ishte edhe një shitje e vitit 2018. Një pensioniste kishte shitur një punim në qeramikë për më shumë se 448 mijë euro. Bëhej fjalë për një punim të Coper, që bashkëshorti i saj e kishte blerë për rreth 300 euro. Artikulli i publikuar në mars nga “The Guardian”, në lidhje me këtë shitje, tregon se kjo kishte befasuar krejt tregun dhe jo vetëm gruan e moshuar.
E kur jemi te tregu, artistë të ndryshëm të qeramikës kanë hapur kurse online për t’ua mësuar gjeneratave të reja këtë zanat. E disa përdorin postime hipnotizuese në “Instagram” për të promovuar punën e tyre. 45-vjeçari Eric Landon, është njëri prej tyre. Ka mbi një milion ndjekës në “Instagram”.
Danezo-amerikani është bashkëthemelues i studios “Tortus” dhe fitues edhe i çmimeve prestigjioze. Ai është një nga poçarët që njihet si influencues në rrjetet sociale. Fama që mori në “Instagram” dërgoi në interesim e kërkesa të jashtëzakonshme për t’u bërë pjesë e punëtorive të tij dhe ua rriti vlerën edhe punimeve të tij.

Argjila në duart e gjeneratës së re
Duke lundruar në internet e shikuar materiale të ngjashme me ato që Landon poston, kishte qenë edhe Ardita Krasniqi. 22-vjeçarja, që studion pikturë në Universitetin e Prishtinës, para se të bëhej pjesë e punëtorisë tre-javore “Arti i qeramikës”, i ishte rritur dashuria për gjëra antike. Krasniqi, e cila jeton në Milloshevë, kishte nisur kërkimet në lidhje me qeramikën. Sikur piktura, edhe puna me baltë i ngjallte një ndjenjë gjallërie.
“Sikur po frymoja më lirshëm e më me kuptim”, thotë ajo.
Sipas saj, në ditët e sotme, ku njerëzit bëjnë një jetë të vrullshme, kanë shumë punë, angazhime, pra një proces i përcjellë me stres të vazhdueshëm, shfaqet nevoja për aktivitete të ndryshme.
“Dhe puna me qeramikë është një ndër ato punët që është shpëtim, qetësi, çlodhje, apo një formë meditimi për ne. Këtë po e them nga përvoja që kisha gjatë periudhës së punëtorisë së qeramikës. Me padurim prisja të punoja me baltë”, tregon ajo.
Modelimi me argjilë, e ka magjepsur edhe Ninën. 7-vjeçarja, ishte po ashtu pjesë e punëtorisë “Arti i qeramikës”. “Më pëlqen, sepse duket sikur jam duke punuar me plastelinë dhe ka brushë”, thotë ajo.
Kështu, me rekordet në shitje në ankande, me poçarët që konsiderohen influencues në rrjetet sociale, dhe me rritjen e punëtorive gjithandej, balta po rikthehet për art.