Shtojca për Kulturë

Serbia në luftë për fshehjen e së vërtetës së Reçakut që alarmoi botën

Pretendimeve serbe për të deformuar të vërtetën mbi Reçakun u janë kundërvënë edhe hulumtimet e Tribunalit të Hagës dhe të organizatave ndërkombëtare, në mesin e tyre edhe Human Rights Watch. Pamjet e viktimave të masakrës në Reçak ngjallën reagim dhe protestë të madhe në botën perëndimore. Menjëherë u zgjuan kujtimet e ngjarjeve të Bosnjë dhe Hercegovinës, të sulmeve në tregun e Sarajevës, të vuajtjeve të popullsisë civile, të masakrave dhe të spastrimit etnik. Për të gjithë u bë e qartë se duhet vepruar menjëherë

Qeveria serbe në Beograd në refuzimin e saj vazhdimisht ngulte këmbë se konflikti i Kosovës është çështje e brendshme e shtetit, e kjo nuk mund të ishte çështje e bashkësisë ndërkombëtare. (“Berliner Zeitung”, 18.1.1999). Megjithatë, dy rezolutat e OKB-së nga viti 1998 (datë 23 shtator 1998, 1203 të datës 24 tetor 1998), qartazi ia njihnin Tribunalit të Hagës kompetencat për hetime në Kosovë. Edhe letrat dhe reagimet, të cilat Arbour dhe kryetarja e Gjykatës, Gabriel Kirk McDonald, ia drejtuan Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nuk sollën asgjë. Për më tepër, autoritetet serbe në Beograd menjëherë e shpallën William Walkerin persona non grata dhe urdhëruan që ai të largohej nga Kosova dhe territori i Jugosllavisë së mbetur, por që SHBA-ja dhe OSBE-ja e shpërfillën. Ndërsa, në mesin e shqiptarëve Wallker u bë hero dhe vazhdon edhe sot të vlerësohet si shpëtimtar dhe si njeriu që i dha vulë angazhimit ndërkombëtar për Kosovën.

Jon Drewienkiewicz, një mbikëqyrës tjetër i OSBE-së, lidhur me këtë masakër mbi civilët shqiptarë kishte deklaruar se “kjo nuk është luftë, secili e di, këta janë pleq, shumica e të cilëve me rroba të punës”.

Një masakër në serinë e krimeve

Pretendimeve serbe për të deformuar të vërtetën mbi Reçakun u janë kundërvënë edhe hulumtimet e Tribunalit të Hagës dhe të organizatave ndërkombëtare, në mesin e tyre edhe Human Rights Watch. Kjo organizatë kishte “biseduar me së paku 15 dëshmitarë dhe gjetjet e saj janë mjaft precize. Policia e dinte se në fshat kishte edhe civilë dhe aksioni u zbatua krejtësisht në mënyrë joselektive. Nuk është konstatim i saktë se civilët janë vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, por është shtënë edhe në shtëpinë ku ata ishin strehuar”, shkruante Natasha Kandiq, ish-drejtoresha e Fondit joqeveritar për të Drejtën Humanitare në Serbi.

Reçaku ishte një masakër në serinë e krime të bëra nga policia dhe ushtria serbe që nga fillimi i luftës së armatosur në shkurt 1998. Për më tepër, mënyra e ekzekutimit ishte identike me krimet masive në Kroaci dhe në Bosnjë e Hercegovinë. Ky ishte një akt i paramenduar i vrasjeve dhe i dizajnuar për të mbjellë frikë në mesin e popullsisë shqiptare të Kosovës. Për palën shqiptare, Reçaku, si masakrat e mëparshme, ishte një tjetër përpjekje e autoriteteve serbe për të projektuar fuqinë e tyre dhe për të shtypur të gjithë përpjekjet e tyre për liri dhe të drejta kombëtare. UÇK-ja kishte pranuar se kishte humbur shtatë luftëtarë gjatë përleshjeve, por këta ishin vrarë dhe varrosur. Ndërsa kufomat e civilëve ishin vetëm civilë, gjë me të cilën vërtetohej se për shkallëzimin e ri nuk ishte përgjegjës pala shqiptare, por Beogradi. Prandaj, i bëhej thirrje bashkësisë ndërkombëtare, përkatësisht NATO-s që të vepronte shpejt për të shmangur shkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit. Në një komunikatë të veten, UÇK-ja shprehte pikëpamjen se KVM-ja nuk ishte në gjendje të garantonte sigurinë e popullsisë shqiptare në Kosovë.

Krimin në Reçak e dënuan të gjitha partitë politike në Kosovë, ndërsa Këshilli i për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut (KMLDNJ) në Prishtinë, përmes një letre dërguar Prokurores së Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për Krime të Luftës në Ish-Jugosllavi, Louis Arbour, kërkoi që sa më parë të bëheshin hetimet nga përfaqësuesit e Tribunalit të Hagës për krime të luftës, juridiksioni i të cilit ishte paraparë edhe me Rezolutën 827 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në nderim të viktimave civile, lideri i Kosovës, Ibrahim Rugova, po ashtu kishte shpallur ditë zie për territorin e Kosovës.

Përderisa Beogradi po bënte krejt çka mundet për të fshehur dhe penguar hetimin e masakrës në Reçak, monitoruesit ndërkombëtar po përpiqeshin të zbulonin të vërtetën për masakrën e mbi 40 fshatarëve shqiptarë në Reçak të Kosovës, duke dhënë shenja se ata kanë dëshmi fajësuese, të cilat i kanë siguruar nga vetë goja e varësve. “Washington Post” ka dhënë fragmente nga bisedat telefonike në mes të ministrit serb të Punëve të Brendshme, gjeneralit Sreten Lukiq, dhe zëvendëskryeministrit “jugosllav”, Nikolla Shainoviq, i cili në mënyrë të qartë urdhëroi forcat qeveritare të sigurimit të “veprojnë ashpër” në Reçak. Sipas burimeve të kësaj gazete, “vrasja e 45 e civilëve ishte kryer me urdhrin e zyrtarëve më të lartë të qeverisë së Beogradit, të udhëhequr nga serbët, e cila pastaj me kujdes rregulloi fshehjen e Masakrës pas protestave të bashkësisë ndërkombëtare, sipas përgjimit të bisedave telefonike nga qeveritë perëndimore. Meqenëse numri i civilëve të vrarë ishte i madh dhe përballë dënimit ndërkombëtar, zëvendëskryeministri “jugosllav”, Nikolla Shainoviq dhe gjenerali i forcave të sigurimit serb në Kosovë, Sreten Lukiq, u munduan në mënyrë sistematike të fshehin atë çfarë kishte ndodhur atje, duke u bazuar në bisedat telefonike në mes këtyre të dyve. Detajet mbi bisedat, të cilat ishin bërë të ditura nga qeveritë perëndimore, hidhnin në sipërfaqe informata të reja për sulmin dhe nga këto biseda telefonike del më pas se udhëheqësit e lartë serbë Shainoviq dhe Lukiq shprehnin brengosje për sa u përket reagimeve ndërkombëtare mbi ngjarjen e Reçakut dhe si ata kishin diskutuar se si t’i bënin këto vrasje që ato të dukeshin si pasojë e luftimeve në mes të trupave qeveritare serbe dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Qëllimi ishte që të kundërshtoheshin pohimet nga të mbijetuarit, të cilat më pas u mbështetën nga vëzhguesit ndërkombëtarë, se viktimat janë vrarë në një masakër të tipit të ekzekutimit.

Siç pritej, serbët e mohuan se vrasjet e 15 janarit të vitit 1999 në Reçak ishin një masakër, por sipas tyre, kjo ishte një betejë kundër “terroristëve” të cilët kishte vrarë policinë e RFJ-së javën e kaluar. Serbët, menjëherë pas sulmit, lëshuan një deklaratë për shtyp që pretendoi sukses në Operacioni i Reçakut, i cili përfshinte vrasjen e 15 luftëtarëve të UÇK-së dhe një sekuestrimi i armatimeve. Njëkohësisht, Milosheviqi e mohonte plotësisht masakrën e Reçakut.

James Pardew, i cili ato ditë e kishte takuar personalisht liderin serb, thotë se “ai pretendoi se vetë UÇK-ja i kishte qëlluar në kokë luftëtarët e saj pasi kishin vdekur”. Milosheviqi njëkohësisht po i kundërvihej kanadezes Louise Arbour, kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, e cila kërkonte hetime ndërkombëtare rreth ngjarjeve në Reçak. Diplomatët perëndimorë, pas debateve konfrontuese me Milosheviqin në këto momente, ishin të bindur se ai nuk dëshironte të negocionte rreth Kosovës, siç kishte bërë me Bosnjën.

Pas masakrës në Reçak, bota vërshoi nga lajmet dhe imazhet e tmerrshme të krimeve të forcave policore dhe njësitë ushtarake të brigadës së mekanizuar të brigadës së mekanizuar 243 të ushtrisë serbe. Për të shumtën e herëve, qeveritë perëndimore nxorën përfundimin se diplomacinë duhet mbështetur me forcat e NATO-s.

Clinton: Kjo është një masakër e qëllimshme e forcave serbe

Pamjet e viktimave të masakrës në Reçak ngjallën reagim dhe protestë të madhe në botën perëndimore. Menjëherë u zgjuan kujtimet e ngjarjeve të Bosnjë dhe Hercegovinës, të sulmeve në tregun e Sarajevës, të vuajtjeve të popullsisë civile, të masakrave dhe të spastrimit etnik. Për të gjithë u bë e qartë se duhet vepruar menjëherë. Bashkësia ndërkombëtare, e cila në vlerësimin e ngjarjes në Reçak, u nis nga deklaratat zyrtare të OSBE-së me anë të një note drejtuar qeverisë së Beogradit, shprehu indinjatë dhe neveri ndaj veprimeve të forcave serbe mbi civilët shqiptarë.

“Kjo është një masakër e qëllimshme e forcave serbe”, kishte deklaruar presidenti amerikan, Bill Clinton, vetëm një ditë pas vrasjes së civilëve shqiptarë në Reçak të Kosovës, duke shtuar se nuk ka asnjë justifikim për këtë “akt të qëllimshëm dhe diskriminues të vrasjes”. “Me fjalët më të fuqishme të mundura e dënoi masakrën kundër civilëve shqiptarë të forcave serbe të sigurimit, që u bë natën e kaluar në fshatin Reçak, në Kosovë. Ky ishte një akt i qëllimshëm dhe indiskriminues i vrasjes, i disejnuar që të mbjellë frikë ndër njerëz të Kosovë. Është një përdhunim i qartë i premtimeve, që autoritetet serbe i bënë NATO-s. Nuk mund të ketë asnjë justifikim për këtë”, do të deklaronte Clinton në një deklaratë për shtyp, duke shtuar se ai ishte në kontakt me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana, dhe se do të punohet në ndalimin e represionit në Kosovë. (“Presidenti amerikan deklaron se nuk ka justifikim për atë që ndodhi në Reçak”, Koha Ditore, 17 janar 1999).

Në radhë të parë, kryesuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Knut Vollebeak, i dha mbështetje deklaratës së dhënë nga kryesuesi i Misionit Verifikues të Kosovës William Walker, lidhur me vrasjet në Reçak, por bëri thirrje për verifikimin për “verifikim” të ngjarjes, në të cilën dyshohej se 45 shqiptarë etnikë ishin masakruar nga forcat e sigurimit serb.

“Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe unë mbështesim Walkerin në reagimin e tij të fuqishëm ndaj asaj çka pa në Reçak”, deklaroi Vollebeak, duke shtuar se ishte i sigurt se “ambasadori Walker ka arsye për të besuar se ajo çka ai ka parë ose çka ka deklaruar janë të vërteta, por është shumë me rëndësi që kjo të verifikohet”. Disa ditë më vonë edhe Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara kishte dënuar masakrën në Reçak dhe kishte bërë thirrje për hetimin e menjëhershëm të vrasjeve të civilëve shqiptarë. Këshilli gjithashtu i kishte bërë thirrje Beogradit që të shfuqizojë vendimin për dëbimin e Walkerit.

Nën drejtimin e ambasadorit austriak, Wolfgang Petritsch, ambasadorët e Trojkës së BE-së, të drejtuar nga Gjermania dhe të Grupit të Kontaktit menjëherë pas ngjarjes i paraqitën Ministrisë së Jashtme “jugosllave” një notë proteste, përmes së cilës dënohej shumë ashpër sulmi i forcave të sigurisë kundër popullsisë civile shqiptare dhe kërkohej hetimi i plotë i ngjarjes në bashkëpunim me Gjykatën Ndërkombëtare për Krime të Luftës në Hagë. Më tej u kërkua pezullimi i komandantëve të policisë dhe ushtrisë, të cilët ishin përgjegjës për masakrën. U protestua gjithashtu kundër fushatës denigruese që media e kontrolluara nga regjimi i Milosheviqit po ndërmerrnin kundër Misionit Verifikues të Kosovës të OSBE-së. Ndërsa SHBA-ja ishte për një goditje të menjëhershme ushtarake, përfaqësuesit e tjerë të Grupit të Kontaktit dhe të BE-së zgjodhën fillimin e bisedimeve dhe vënien e menjëhershme në jetë të rezultateve të bisedimeve.

“Human Rights Watch” kategorikisht hodhi poshtë pohimet e qeverisë së Beogradit se viktimat e sulmit të 15 janarit në Reçak ishin luftëtarë të UÇK-së të vrarë në luftime ose civilë të gjetur në mes të zjarrit. Pas hetimeve të hollësishme, kjo organizatë kishte akuzuar forcat speciale të policisë serbe dhe ushtrinë “jugosllave” për sulmin mbi civilët pa dallim, torturimin e të arrestuarve dhe për ekzekutime pa gjyq. Po ashtu, “Human Rights Watch” i kishte bërë thirrje Grupit të Kontaktit që të insistonte që t’i lejohej hyrja kryeprokurores së Tribunalit Ndërkombëtar për Krime të Luftës për rajonin e ish-Jugosllavisë, Louis Arbour, në Reçak, dhe në vende të tjera ku janë kryer krime mizore në Kosovë.

Ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, i tha Milosheviqit se zgjidhja paqësore e problemit të Kosovës ishte e domosdoshme në interes të paqes dhe të stabilitetit në Evropë. Ai shtoi se Evropa ia kishte parashtruar shtatë kërkesa Beogradit. Ato ishin: anulimi i vendimit për dëbimin e Walkerit, përmbushja e pakushtëzuar e Misionit Verifikues në Kosovë, bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës dhe ekspertët e teknikës kriminalistike (forensikës) të BE-së lidhur me vrasjet në Reçak, garancia se do të bëhet ndjekja penale e atyre që janë përgjegjës për rastin e Reçakut, pezullimin e oficerëve të policisë, të cilët ishin në detyrë më 15 janar në Reçak dhe përkrahja konstruktive ndaj përpjekjeve të BE-së dhe të Grupit të Kontaktit për zhvillimin e bisedimeve për Kosovën me ndihmën ndërkombëtare.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë