Shtojca për Kulturë

Serbia në fshehjen e kufomave të shqiptarëve dhe ndërhyrja e NATO-s

Analiza e proceseve kundër udhëheqjes serbe në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë tregon natyrën institucionale të organizimit dhe realizimit të krimeve dhe vrasjeve masive në Kosovë në harkun kohor 1998/1999. Kjo ndërmarrje e përbashkët kriminale tregon për dimensionin kolektiv të krimeve të kryera në Kosovë. Dhe sikur të mos ndodhte ndërhyrja ushtarake e NATO-s, për shkak të vetos ruse në Këshillin e Sigurimit, Millosheviqi do ta realizonte planin e tij për spastrimin etnik të Kosovë në rrjedhën e kryerjes së gjenocidit

Në vitin 2007 e përditshmja e Zagrebit “Jutarnji List” kishte botuar një letër të dërguar nga ish-prokurori i Sllobodan Millosheviqit, Sir Geoffrey Nice, në të cilën ai akuzonte kryeprokuroren e ICTY-së, Carla Del Ponte, për fshehjen e provave kryesore në rastin e Serbisë dhe rolin e saj në luftën 1992–1995 në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci. Nice pretendon se Serbia dorëzoi një pjesë të madhe të arkivit të Këshillit të Lartë të Mbrojtjes në vitin 2003, duke shtuar se Carla del Ponte bëri një marrëveshje me ministrin e atëhershëm të Jashtëm, Goran Svilanoviq, për të vendosur një pjesë të arkivit nën masa mbrojtëse gjatë përdorimit të tij para Gjykatës.

Marrëveshja në favor të Serbisë

Nice akuzoi Del Ponten se bëri marrëveshjen me Beogradin pa u konsultuar as me të, as me Prokurorinë e Hagës. Ai thotë gjithashtu se marrëveshja i dha favor Serbisë kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e shfajësoi Serbinë nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë për gjenocidin gjatë luftës së viteve 1992–1995. Sipas tij, se ai nuk mund t'i kuptonte motivet e saj për “arritjen e një marrëveshjeje të panevojshme me Beogradin”. Nice thoshte gjithashtu se marrëveshja është arritur para se ekipi i Prokurorisë të ketë qasje në të gjithë dokumentacionin.

Si rrjedhojë e këtij qëndrimi të Del Pontes, edhe gjyqtarët e GJND-së, të cilët trajtuan padinë e Bosnjë-Hercegovinës për gjenocid kundër Serbisë, nuk kishin qasje në të gjitha dokumentet e Këshillit Suprem të Mbrojtjes, megjithëse ishin në dijeni të ekzistencës së tyre. Carla del Ponte ia kishte konfirmuar gazetës “New York Times” se i kishte shkruar Svilanoviqit në maj 2003 dhe se, në fund, ajo kishte rënë dakord për masat mbrojtëse, sepse dokumentet ishin prova të rëndësishme për dënimin e Millosheviqit. Kjo marrëveshje e Del Pontes me zyrtarët e Beogradit shënonte jo vetëm politizim të Prokurorisë, por edhe krijoi përshtypjen se TPNJ-ja nuk respektonte transparencën dhe vendosjen e drejtësisë, as të drejtën e viktimave dhe publikut për të ditur se çfarë kishte ndodhur gjatë luftës dhe si. Me këtë veprim Del Ponte dëmtoi TPNJ-në dhe njëkohësisht i solli përfitim Serbisë.

Tribunali, pavarësisht miliona dokumenteve të mbledhura, mund ta gjykonte vetëm një numër të vogël të kryesuesve, porositësve dhe frymëzuesve më të shquar të krimeve. Një gabim tjetër i Tribunalit të Hagës ishte se më shumë u kujdes të kontribuonte në pajtimin e kombeve që ishin në konflikt, edhe pse një gjykatë nuk është një gjendje ta bëjë këtë dhe as nuk është detyrë e saj.

”Motivi është i qartë që Serbia ishte agresore dhe nuk është çudi që ka më shumë të akuzuar. Ajo udhëhoqi katër luftëra”, thotë Popoviq. Prandaj, një gabim i madh i TPNJ-së dhe vendeve perëndimore ishte se ato nuk e dënuan Armatën Popullore të Jugosllavisë dhe Millosheviqin për atë që ata vërtet janë fajtorë, e që është gjenocidi. Madje, gjenocid i përsëritur – pas gjenocidit të kryer në Bosnjë dhe më pas edhe gjenocidi në Kosovë.

Refuzimi shtetëror për identifikimin e viktimave

Vrasjet masive dhe varrosja ose transportimi i kufomave të vrarëve për në varre kolektive jashtë territorit të Kosovës janë veprime që mund të klasifikohen në kategorinë e krimeve të luftës. Ky veprim është një refuzim shtetëror për identifikimin e viktimave dhe të atyre që mbajnë përgjegjësinë. Sipas gjetjeve të Tribunalit të Hagës, Operacioni “Dubina” për fshehjen e trupave të kosovarëve të ekzekutuar ishte një ndërmarrje e organizuar kriminale në të cilën ishin të përfshirë Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe ushtria serbe. 6 mijë e 50 persona konsideroheshin të zhdukur menjëherë pas përfundimit të luftës. Nga ky numër edhe 1617 kosovarë janë të pagjetur, të cilët gjatë luftës ishin rrëmbyer, kidnapuar ose vrarë nga forcat serbe. Varrezat masive në Serbi kanë qenë dhe mbesin adresë për gjetjen e personave të zhdukur nga lufta e fundit. Batajnica, Petrovo Selo, Liqeni i Peruqacit, Rudnica e Rashkës e së fund edhe Kizheraku kanë qenë vendet të cila Serbia i kishte shfrytëzuar për t’i fshehur trupat e personave që paraprakisht i kishin vrarë në Kosovë. Ishte ky tentimi i Serbisë për ta varrosur krimin, sepse Serbia e dinte se trupat ndërkombëtare do te dislokoheshin vetëm në territorin e Kosovës.

Sipas ligjeve të luftës, në rastin e depërtimit të civilëve ose të burgosurve, të gjithë pjesëmarrësit në një veprim të tillë të organizuar të përbashkët janë përgjegjës, edhe pse në shkallë të ndryshme të fajësisë. Por, deri më tani zyrtarët serbë kanë provuar të pengojnë zbulimin e varrezave masive në Serbi, ku gjendeshin trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Konstatimi i nobelistes Hertha Müller se nuk ka ekzistuar kurrfarë opozite serbe kundër krimeve të saj të luftës në Kosovë, Bosnjë dhe Kroaci, pati nxitur një reagim të ashpër dhe histerik të publikut serb. Po aq të ashpër sa me Müller serbët janë treguar edhe me Natasha Kandiqin, Sonja Biserkon, Milosh Miniqin e të tjerë emra që kanë pasur guximin t’i përmendin krimet e ish-udhëheqjes serbe, të bëra ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Ç‘të bëjmë me serbët, që denoncojnë te shqiptarët dhe kroatët, flasin budallallëqe të ndryshme, u tregojnë ku janë varrosur shqiptarët në të gjithë Serbinë”, ka deklaruar kryetari i Parlamentit serb, Ivica Daçiq.

Operacioni për fshehjen e kufomave “Thellësia” do të mbetej sekret shtetëror i Serbisë sikur kamioni frigorifer me trupat e shqiptarëve nuk do të dilte përmbi ujë. Më 4 prill 1999, një kamion frigorifer që i përkiste thertores “PIK Progress Export” nga Prizreni i ra në sy një peshkatari serb që lundronte nëpër lumin Danub në territorin e Serbisë. Shumë shpejt u kuptua nga policia lokale se brenda në kamion ishin 86 trupa të shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe në Kosovë në vitin 1999. Që nga viti 2001 e deri më sot, në territorin e Serbisë në pesë varrezat masive në Serbi janë gjetur 941 trupa të kosovarëve të vrarë në Kosovë.

Djegia e kufomave

Me qëllim që të pamundësohej identifikimi, trupat e civilëve të Kosovës të gjetura në varrezat masive në Batajnicë ishin dëmtuar qëllimisht nga drejtuesit e operacionit, të cilët kishin përdorur goma dhe karburant për t’i djegur kufomat para se t’i mbyllnin në varrin masiv. Gjatë proceseve gjyqësore të zyrtarëve të lartë të Serbisë në Hagë është vërtetuar se vendimi për kryerjen e këtij operacioni ishte marrë në nivelin më të lartë politik dhe ushtarak, i cili çonte te Millosheviqi dhe bashkëpunëtorët e tij. Në aktgjykimin e shpallur nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë kundër ish-shefit të Departamentit të Sigurisë Publike, Vllastimir Gjorgjeviq, i cili kishte qenë njëri nga organizatorët e këtij operacioni për mbulimin e krimit, jepen detaje për atë se si ishte organizuar “spastrimi i terrenit”. Dhoma e Gjykatës e rastit “Kosova 6” gjeti se ishin bërë përpjekje të mëdha për t’i fshehur vrasjet e shqiptarëve nëpërmjet zhvarrosjes, transportimit, rivarrosjes të trupave të tyre, duke vërejtur se fakti që këto dëshmi ishin fshehur, theksonte natyrën kriminale të operacionit në Kosovë. Porse përgjegjësia për këtë fshehje sistematike nuk u përcaktua. Por më pas, në maj të vitit 2010 Gjykata dënoi ish-ministrin e Brendshëm serb, Vlastimir Gjorgjeviq, për rolin që pati në udhëheqjen e operacionit të zhvarrosjes dhe të transportimit të trupave me qëllim të fshehjes së tyre në masë, në Batanjicë, në Petrovo Selo dhe në liqenin Peruqac. Dhoma e Gjykatës gjeti se operacioni kishte qenë i koordinuar për ta pastruar terrenin nga dëshmitë e krimeve serbe të kryera kundër shqiptarëve.

“Operacioni, fshehja e trupave”

Detajet për mënyrën e fshehjes së trupave të vrarë jepen edhe në dosjen “Operacioni, fshehja e trupave”, të përgatitur më 2017 nga Qendra për të Drejtën Humanitare. Aty bëhet e ditur se vendimi për t’i fshehur gjurmët e krimeve në Kosovë ishte marrë në vitin 1999 në nivelin më të lartë shtetëror dhe se Sllobodan Millosheviqi kishte kërkuar nga ministri i Brendshëm, Vlajko Stojiljkoviq, që të bënte gjithçka për t’i zhvendosur kufomat e varrosura të civilëve në Kosovë. Qendra për të Drejtën Humanitare pati deklaruar se dokumentet e policisë dhe ushtrisë tregojnë se në fshehjen e kufomave të shqiptarëve të vrarë morën pjesë dhjetëra pjesëtarë të Ministrisë të Brendshme të Serbisë dhe ushtrisë jugosllave. Mirëpo, për fshehjen e trupave të civilëve të vrarë në Kosovë është dënuar vetëm Vlastimir Gjorgjeviq, por jo të tjerët që morën pjesë në të. Deri më sot asnjë nga urdhërdhënësit për fshehjen e trupave të shqiptarëve nuk ka dalë para gjykatës në Serbi.

Analiza e këtyre proceseve kundër udhëheqjes serbe në TPNJ tregon natyrën institucionale të organizimit dhe realizimit të krimeve dhe vrasjeve masive në Kosovë në harkun kohor 1998/1999. Kjo ndërmarrje e përbashkët kriminale tregon për dimensionin kolektiv të krimeve të kryera në Kosovë. Dhe sikur të mos ndodhte ndërhyrja ushtarake e NATO-s, për shkak të vetos ruse në Këshillin e Sigurimit, Millosheviqi do ta realizonte planin e tij për spastrimin etnik të Kosovë në rrjedhën e kryerjes së gjenocidit.

Fytyra e drejtësisë

Një problem madhor për gjykimin e përgjegjësve për krimet e kryera në Kosova ka qenë mungesa e bashkëpunimit të autoriteteve të Serbisë me gjyqësinë kosovare dhe atë ndërkombëtare. Për më tepër, Serbia edhe sot konsiderohet si strehë e sigurt për autorët e krimeve të bëra në Kosovë. Rrjedhimisht, në Kosovë numri i ndjekjeve penale aktive për krimet e luftës vazhdon të mbetet i ulët. Prej tetorit të vitit 1999 deri në qershor 2020 janë dënuar nga gjyqtarë të UNMIK-ut, EULEX-it dhe ata vendorë, me aktgjykime të formës së prerë gjithsej 40 persona. Prej tyre 35 janë shqiptarë dhe katër serbë etnikë. EULEX-i gjatë kësaj periudhe ka ngritur aktakuza për krime lufte kundër 11 serbëve, 39 shqiptarëve, një malazezi dhe një personi nga komuniteti RAE (rom, ashkali dhe egjiptian). Ndërsa pas kalimit të kompetencave tek autoritetet e Kosovës, në vitin 2014, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur deri në qershor të vitit 2020 aktakuza për krime lufte kundër 39 personave. Por mbetet tepër i ulët numri i personave dënuar me vendim të prerë.

Një prioritet i padeklaruar i drejtësisë ndërkombëtare, UNMIK dhe EULEX, ka qenë vënia para përgjegjësisë e ish-drejtuesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe kjo gjë është pohuar edhe nga vetë prokurorët ndërkombëtarë. Ndërkaq, mungesa e gjykimeve për ushtarakët e lartë të Serbisë përbënte një ndërmarrje të përbashkët kriminale që synonte modifikimin e ekuilibrit etnik të Kosovës, siç përfundoi GJPNJ-ja, ka krijuan përshtypjen se gjyqësia ndërkombëtare po provon të krijojë një simetri në mes krimit shtetëror serb dhe krimeve hakmarrëse pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Vetëm në vitin 2015 pala kosovare ka marrë në kompetencë hetimin dhe trajtimin e krimeve të luftës. Por, Kosova e ka të pamundur t’i gjykojë përgjegjësit për krime e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovës, ngase ata jo vetëm se ndodhen në Serbi, por gëzojnë mbrojtjen dhe privilegjet e shtetit, madje janë edhe në pozita publike shtetërore. Beogradi jo vetëm se nuk do t’i dorëzonte ata që janë arratisur nga Kosova, por në mënyrë permanente e ka dënuar çdo përpjekje për dënimin e tyre. Rasti i fundit sinjikativ është reagimi Qeverisë së Serbisë në mars 2022 lidhur me vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës për dënimin e Zoran Gjokiqit me 12 vjet burg për kryerjen e krimeve të luftës në qytetin e Pejës në vitin 1999. Sipas kësaj qasjeje e glorifikimit të kriminelëve të luftës si heronj, si dhe riemërimi i tyre në pozita të larta drejtuese paraqet një model të keq për gjenerata e reja. Ky refuzim i autoriteteve zyrtare të Serbisë për t’i pranuar krimet e viteve 1990-të është një qasje e rrezikshme dhe gjithsesi një barrierë e pakalueshme në shtegun e gjatë drejt normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi. Gjithashtu, kjo qasje e minon dhe njëkohësisht zhvlerëson krejt procesin e dialogut të gjatë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë