Fati i konsullit Prochaska ishte i ndërthurur me çështjen më të madhe të përparimit serb në detin Adriatik përmes Shqipërisë së Veriut dhe kundërshtimin e fortë austro-hungarez ndaj çdo pranie serbe në Adriatik. Sipas gazetës “Illustrierte Kronen Zeitung”, arroganca serbe inkurajohej nga qëndrimi i Rusisë, e cila në njërën anë shpërfaqte dashurinë për paqe, ndërsa nga ana tjetër diplomatët e saj nxisnin luftë kundër Austro-Hungarisë. Në këtë pikë, luftënxitësi më i keq duket se ishte z. Hartwig, ambasadori rus në Beograd, i cili serbëve u premtonte mbështetjen e carit, “edhe pse ai duhet ta dijë më së miri se kolosi rus është i kalbur, dhe i kalburi thyhet që në një përplasje me një fuqi të madhe”. Kjo situatë bëri që ushtria ruse të mobilizohej në rrethin ushtarak të Kievit dhe në një pjesë të rrethit të Varshavës në kufi me Austro-Hungarinë në mbështetje të Serbisë dhe masave përkatëse ushtarake austro-hungareze përtej kufirit në Galicia, gjatë nëntorit 1912
Në artikullin “Turpi nga Prizreni”, gazeta “Ilustrierte Kronen Zeitung”, e datës 19 nëntor 1912, duke iu referuar raporteve të konsullit Oscar Prochaska, në mes të tjerash shkruante për një gjakderdhje në mesin e burrave, grave dhe fëmijëve të pambrojtur, ku vetëm brenda dy orëve ishin ekzekutuar 154 shqiptarë. Meqë autoritetet serbe provuan t’i mohonin këto ngjarje dhe sjelljen brutale ndaj konsullit Prochaska, e njëjta gazetë ditë më vonë shkruante për gënjeshtrën (Das serbische Lügengewebe) dhe propagandën serbe, e cila krekosej me sjelljet dhe fitoret spektakolare të ushtrisë së saj. E gjithë kjo situatë e krijuar në Prizren, për shkak të rrethanave të krijuara si rezultat përfundimtar i luftërave ballkanike dhe i vendimeve të Konferencës së Londrës, mbeti e pasqaruar deri në fund, ose thënë më saktë, Vjena shmangej t’u kundërpërgjigjej këtyre provokimeve serbe si në Prizren dhe gjetiu.
Diplomacia ruse prapa agresionit serb
Në Vjenë e kishte të qartë se prapa kësaj politike agresive qëndronte diplomacia e Shën Peterburgut, veçanërisht ambasadori rus në Beograd, i cili e nxiste Serbinë që të mbante qëndrim të fortë ndaj monarkisë, e cila, në fakt, asokohe ndodhej në gjendje të rëndë ekonomike dhe arkat e saj të shtetit ishin pothuajse bosh.
Për t’iu ikur akuzave të Vjenës për cenimin e rregullave të së drejtës ndërkombëtare, më 8 nëntor serbët në stilin e tyre të njohur ngritën një protestë në lidhje me konsullin Prochaska, por ministri i Jashtëm austro-hungarez, konti Leopold Berchtold (1863-1942), mohoi akuzat serbe, dhe në të njëjtën kohë kërkoi që ngjarja të hetohej. Qeveria serbe, megjithatë, vonoi përgjigjen e saj ndaj kërkesave zyrtare nga Vjena për të filluar hetimin, respektivisht për lejimin e shkuarjes në Prizren të konsullit austro-hungarez Edl, i cili ishte caktuar për të hetuar ngjarjen. Diplomacia austro-hungareze synonte që e gjithë ngjarja në Prizren të hetohej, por pala serbe i shmangej ekzaminimit dhe vetëm vazhdonte me gënjeshtrat e saj. Megjithëse me 1 nëntor Pashiqi kishte deklaruar se ushtria serbe nuk i jepte leje konsullit austro-hungarez për të vajtur në Kosovë, e që Vjena e konsideronte si veprim që binte ndesh me të drejtën themelore ndërkombëtare, pas shumë negociatave, serbët, siç raportonte konsulli Ugron, “më 19 nëntor 1912, më në fund i kishin dhënë leje konsullit Edl për të shkuar në Shkup, Prizren dhe Mitrovicë”.

Qysh më 19 nëntor gazeta liberale “Die Zeit” do të botonte një njoftim ku thuhej se Ministria e Jashtme kishte arritur të binte në gjurmë të konsullit të humbur.
“Është një kartolinë e konsullit, nga e cila mësohet se ai jo vetëm se është në jetë, por edhe se është në gjendje të mirë. Ky informacion, i cili është shfaqur në rrethet diplomatike, është konfirmuar qartë nga zyra e nacionale e Graf Bertchold”.
Ndërkohë, thashethemet për fatin e konsullit Prochaska qarkulluan në të gjithë Monarkinë e Dyfishtë, duke përfshirë histori se ai ishte kastruar, plagosje me bajonetë ose kishte vdekur në paraburgimin serb. Pavarësisht disa komunikimeve nga Qeveria serbe dhe vetë konsulli se gjithçka ishte mirë, çështja mbeti në dyshim derisa konsulli Prochaska mbërriti në Shkup, më 26 nëntor 1912, dhe u takua me kolegun e tij. Në të njëjtën kohë, serbët ia pamundësuan punën edhe konsullit tjetër austro-hungarez në Mitrovicë, Ladislav Tahy, i cili u arratis në vendlindjen e tij në Hungari.
Lidhur me këto ngjarje, gazeta vjeneze “Fremden-Blatt”, në artikullin e datës 24 dhjetor 1912, njoftonte se kryeministri e ministër i Jashtëm serb, Pashiq, në takimin me të dërguarin austro-hungarez, Stefan fon Ugron, kishin biseduar për rastin e konsullit Oskar Prochaska në Prizren dhe zëvendëskonsullit Tahy në Mitrovicë, duke shtuar se udhëheqësi serb me këtë rast kishte shprehur keqardhjen e Qeverisë serbe për veprimin e gabuar të autoriteteve ushtarake.
Kthimi i konsujve në Kosovën e pushtuar nga serbët
Në të njëjtën kohë, Qeveria e Vjenës mori raportin zyrtar për incidentin. Autoritetet ushtarake serbe në Prizren pos që ia kishin kufizuar lirinë e lëvizjes Prochaskës, kishin hyrë brenda objekteve të Konsullatës në Prizren dhe kishin ekzekutuar civilët shqiptarë që kishin kërkuar strehim aty. Më pas Qeveria austro-hungareze kërkoi nga Beogradi një satisfaksion. Prandaj kryeministri serb Nikola Pashiq (1845-1926) u paraqit në legatën austro-hungareze në Beograd më 21 dhjetor 1912 dhe kërkoi falje. Ai gjithashtu u pajtua që ushtria serbe të salutonte konsujt austro-hungarezë në Prizren dhe në Mitrovicë. Prandaj, më 16 janar 1913, ushtria serbe kreu ceremoninë e kthimit të konsujve në Kosovën e pushtuar nga serbët. Por konsulli Prochaska nuk ishte i pranishëm në këtë ceremoni. Në vend të kësaj, ai ishte në rrugën e tij për të marrë detyrat e tij të reja si konsull austro-hungarez në Rio de Janeiro, Brazil. Megjithëse kjo ceremoni ishte një kompromis i beftë dhe nuk e riparoi plotësisht poshtërimin e Austro-Hungarinë në rastin e çështjes Prochaska, por kjo situatë e shtyri Vjenën të mos lëshonte pe në Konferencën e Londrës në kundërshtimin e saj të ndarjes së mundshme të Shqipërisë apo të daljes së Serbisë në Adriatikun shqiptar.
“Sekreti i Prizrenit”
Mirëpo gazeta “Volksblatt für Stadt und Land”, në numrin e saj të 5 janarit 1913, kishte ngritur dyshime dhe kritika për qasjen e Ministrisë së Jashtme të Austro-Hungarisë, e cila dihej botërisht se ndiqte një kurs më liberal ndaj Serbisë në krahasim me qarqet ushtarake që preferonin një përballje më frontale. Në artikullin me titull “Sekreti i Prizrenit”, kjo gazetë, mes të tjerash, me tone kritike fliste se në rrethet politike dhe në mesin e popullatës ekzistonte mendimi se zyrtarët e Ministrisë së Jashtme në Vjenë kishin bërë një punë në rastin Prochaska. Në këtë mes akuza kryesore i bëhet ministrit të Jashtëm, Graf Berthold, për taktikën e heshtjes për sjelljen e serbëve në Prizren dhe politikën e tij të gabuar. Realisht, Ballhasuplatz nuk kishte dhënë shumë informacione për ngjarjen në Prizren të Kosovës dhe kjo ishte arsyeja përse mediat ngritën spekulime për fatin e konsullit Oscar Prochaska. Kudo qarkullonin lajme se Prochaska madje ishte kastruar. Fakt ishte se Ministria e Jashtme në Vjenë për disa ditë e kishte humbur kontaktin me konsullin e saj në Prizren, pasi ai ishte izoluar dhe Konsullata në Prizren ishte pushtuar nga trupat ushtarake dhe nga bandat serbe, të cilat përfundimisht e detyruan atë të largohej për në Shkup. Edhe pse konsulli u shfaq i sigurt në Shkup dhe prej aty vendosi kontaktet me Vjenën, trajtimi i tij ishte një fyerje e madhe për një shtet perandorak.

Implikimet për marrëdhëniet austro-hungareze-serbe
Fati i konsullit Prochaska ishte i ndërthurur me çështjen më të madhe të përparimit serb në detin Adriatik përmes Shqipërisë së Veriut dhe kundërshtimin e fortë austro-hungarez ndaj çdo pranie serbe në Adriatik. Sipas gazetës “Illustrierte Kronen Zeitung”, arroganca serbe inkurajohej nga qëndrimi i Rusisë, e cila në njërën anë shpërfaqte dashurinë për paqe, ndërsa nga ana tjetër diplomatët e saj nxisnin luftë kundër Austro-Hungarisë. Në këtë pikë, luftënxitësi më i keq duket se ishte z. Hartwig, ambasadori rus në Beograd, i cili serbëve u premtonte mbështetjen e carit, “edhe pse ai duhet ta dijë më së miri se kolosi rus është i kalbur, dhe i kalburi thyhet që në një përplasje me një fuqi të madhe”.
Kjo situatë bëri që ushtria ruse të mobilizohej në rrethin ushtarak të Kievit dhe në një pjesë të rrethit të Varshavës në kufi me Austro-Hungarinë, në mbështetje të Serbisë dhe masave përkatëse ushtarake austro-hungareze përtej kufirit në Galicia gjatë nëntorit 1912. Miratimi i masave ushtarake në të dyja anët e kufirit austro-hungarez-rus rriti shqetësimet në të gjithë Evropën se mund të shpërthejë lufta. Kjo situatë u lehtësua pasi Pashiqi me dinakëri dhe me sugjerimin e rusëve i deklaroi përfaqësuesit austro-hungarez në Beograd, Ugron, se Serbia nuk do të kërkonte dalje në detin Adriatik në Shqipëri, por se kjo çështje do t’i lihej Konferencës së Londrës (1912/13). Në këtë linjë, një rol në zbutjen e kësaj krize luajti edhe takimi i ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër për të menaxhuar pasojat e Luftërave Ballkanike. Megjithëse gjatë kohës që po zhvillonte punimet kjo konferencë, Serbia u detyrua të tërhiqej nga Adriatiku shqiptar, sidomos pas kërcënimit austro-hungarez, ajo u përkrah nga Rusia në çështjen e ekspansionit territorial dhe si rrjedhojë e kësaj dhe kompromiseve të fuqive të mëdha, kufiri shqiptar u shty gjithnjë e më shumë në perëndim. Me këta kufij të vendosur në Londër me insistimin e Rusisë në prapavijë, lindi çështja e Kosovës para më shumë se njëqind vjetësh.
Çështja Prochaska ishte e para në një seri konfliktesh austro-hungareze me Serbinë, që rezultuan nga Luftërat Ballkanike. Më 10 prill 1913, Pashiq, nën presionin e Austro-Hungarisë dhe fuqive të tjera të mëdha, tërhoqi trupat serbe nga ndihma e malazezve në rrethimin e Shkodrës. Më vonë po atë vit, më 18 tetor 1913, ministri i Jashtëm austro-hungarez, Berchtold, i dërgoi një ultimatum Beogradit duke kërkuar që trupat serbe të evakuonin territoret shqiptare të përkufizuara nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës për shtetin e ri shqiptar. Edhe pse Pashiqi zyrtarisht përmbushi kërkesën austro-hungareze, disa forca serbe mbetën në veri të Shqipërisë. Në këtë kuptim, ultimatumi austro-hungarez i 23 korrikut 1914, i cili nisi Luftën e Parë Botërore, ishte përpjekja e katërt e tillë në më pak se dy vjet për të ruajtur ndikimin në Evropën Juglindore.

Apeli i Ismail Qemalit
Vetëm pak ditë pas vizitën së Ismail Qemalit në Vjenë, ku “Qeveria perandorake dhe mbretërore shprehu simpatinë e thellë për zhvillimet kombëtare të popullit shqiptar dhe shfaqte shpresën se prej ngatërresave të tanishme ballkanike ai do të dilte si një entitet me të drejta të barabarta me popujt e tjerë ballkanikë, duke ruajtur integritetin e tij”, ndodhi çështja Prochaska, për të cilën në shtypin austriak u deklarua edhe Ismail Qemali. Sipas gazetës vjeneze “Neue Freie Presse”, në nëntor 1912, Ismail Qemali, me të arritur në Vjenë, pas takimeve që kishte pasur në Budapest me personalitete politike shqiptare dhe evropiane, më 19 nëntor 1912 e kishte shprehur qëndrimin e tij lidhur me incidentin diplomatik të autoriteteve ushtarake serbe me konsullin austro-hungarez në Prizren, Oscar Prochaska. Edhe pse autoritetet serbe kishin shkelur parimet e të drejtës ndërkombëtare, kishin hyrë me forcë brenda objektit të ndërtesës dhe kishin grabitur edhe arkivin e Konsullatës, ato sërish bënin akuza dhe më vonë e dëbuan konsullin Prochaska me justifikimin e sajuar se ishte vënë në mbrojtje të shqiptarëve të Kosovës dhe se i kishte nxitur ata për rezistencë ndaj depërtimit të ushtrisë pushtuese serbe në Prizren.
“Serbët e kanë izoluar nga bota konsullin Oscar Prohaska në mënyrë që bota të mos kuptojë përmes tij se çfarë mizorish ata u kanë sjellë shqiptarëve. Un apeloj në tërë botën e civilizuar, që sa më parë që të jetë e mundur të ndërmerret gjithçka për mbrojtjen e shqiptarëve. Serbët nuk kanë as më të voglën të drejtë që në dëm tonin të qëndrojnë/pushtojnë Adriatikun. Populli ynë ka vuajtur shumë gjatë kohërave të kaluara. Evropa nuk guxon që tani të shikojë duarkryq se si ata do të shkatërrohen sistematikisht nga serbët”, deklaronte Ismail Qemali për gazetën “Neue Freie Presse”
Për shkakun se çështja Prochaska u bë problem i madh diplomatik, kjo çështje do të diskutohej edhe në takimin e ministrit austro-hungarez, Braun, në Athinë dhe Elefterios Venizelos, kryeministër dhe ministër i Greqisë për Luftën dhe Marinën (1910-1915). Në bisedën e tyre më 8 nëntor 1912, Nevizelos kishte “stigmatizuar sjelljen serbe ndaj konsullit Prochaska”, por njëkohësisht i kishte shprehur mendimin se “një Shqipëri e vogël dhe e cunguar do të jetë një foshnjë e dështuar, kurse një Shqipëri e madhe, punë që s’bëhet”.
Një pararendës i konfliktit të së ardhmes
Çështja Prochaska, me rritjen e histerisë së luftës bazuar në abuzimin e ushtrisë serbe ndaj një diplomati austro-hungarez në Vilajetin e Kosovës, rriti tensionet midis Austro-Hungarisë dhe Serbisë në Ballkan dhe njëkohësisht i përshkallëzoi tensionet midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Kjo tregoi brishtësinë e marrëdhënieve ndërkombëtare midis blloqeve të Fuqive të Mëdha në fillim të shekullit XX. Çështja Prochaska ofroi gjithashtu një shabllon të frikshëm që tregon se si rivaliteti midis Austro-Hungarisë dhe Serbisë mund të shndërrohej në një incident ballkanik në të cilin me shpejtësi do të përfshihej edhe Rusia. Megjithatë, ngjarja e konstruktuar nga Serbia dëmtoi reputacionin e monarkisë danubiane. Ngjarje të ngjashme tetëmbëdhjetë muaj më vonë rezultuan në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore.
Megjithatë, edhe pas këtij incidenti rivalitetit austro-hungarez dhe ai serb u thellua edhe më shumë dhe prapa këtij rivaliteti qëndronte Rusia, që prej shekujsh e konsideronte veten si padron të ortodoksisë në Ballkan, dhe këtë ia kishte njohur Perandoria Osmane. E mundur nga Japonia në Azinë Lindore, po kërkonte rikonfirmimin për prestigj të vet në Evropë, sidomos pas Marrëveshjes së Myrcshtegut (1903), ku ishin marrë për veprime të përbashkëta, si pasojë e kryengritjeve në Ballkanin Jugor. Kur bëhet fjalë për interesat e Austro-Hungarinë, në Kosovë dhe në territoret e tjera shqiptare, si levë ndikimi politik përdorej protektorati kulturor e Adriatiku, po ashtu, ishte me rëndësi strategjike për rrugën e Otrantos dhe për ndikim në Ballkanin Jugperëndimor osman. Për këtë arsye, në Kosovë dhe në vilajetet e tjera shqiptare nën shtetin osman zhvillohej një politikë e rivalitetit të ashpër ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Në këtë kontekst, nën patronazhin rus, Serbia ndiqte dy qëllime: daljen në Adriatik përmes pushtimit të Shqipërisë Veriore dhe pushtimin e Kosovës, si dhe disa pjesë të pellgut të Vardarit.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë