Shtojca për Kulturë

Salvador Dalí për herë të parë në Indi

Salvador Dalí kishte shumë shtresa, ashtu siç ka edhe arti i tij

Salvador Dalí kishte shumë shtresa, ashtu siç ka edhe arti i tij

Edhe pse artisti surrealist spanjoll, Salvador Dalí, nuk e vizitoi kurrë Indinë, një ekspozitë e veprave të tij artistike u hap për herë të parë në këtë vend.

Ekspozita me titull “Dali comes to India” në kryeqytetin Delhi, solli një koleksion të gjerë të veprave të tij, të përbëra nga më shumë se 200 skica origjinale, punime me gdhendje dhe piktura me ngjyra uji.
Koleksioni është kuruar nga Christine Argillet, vajza e Pierre Argillet, një koleksionist francez që ishte gjithashtu mik dhe botues i Dalít.

“Dalí ishte i magjepsur nga India, veçanërisht nga fascinimi i Perëndimit për mistikën indiane në vitet ‘60 dhe ‘70”, thotë Argillet. 

Disa nga skicat në koleksion janë bazuar në fotografitë që babai i saj kishte realizuar gjatë një udhëtimi në Indi në vitet ‘70, kur lëvizja shoqërore e njohur si “hippie” ishte në kulmin e saj, dhe të rinjtë amerikanë që mbanin kitara dhe mohonin normat e shoqërisë normale, e vizitonin Indinë për kërkime shpirtërore.

India e Dalít përmban elefantë dhe tempuj, por sikur me të gjitha veprat e tij, ato nuk janë gjithmonë të lehta për t’u dalluar, pasi janë përshkruar në stilin e tij karakteristik surrealist.

“Gruaja lule në piano”, njëra prej skicave të Dalít në koleksionin e ekspozitës

Në veprat e tij, trupat njerëzorë mbijnë lule nga kokat e tyre dhe pjesët e copëtuara të trupit ndërveprojnë me botën përreth. Kur i shikon për më shumë se një minutë, këto forma të shkëputura fillojnë të krijojnë lidhje dhe kuptime të reja në mendje.

“Vlerësimi i artit të Dalít është si të largosh cipat e një qepe – çdoherë mund të gjesh diçka të re për t’u mahnitur”, deklaroi Argillet.

Sipas Akshitta Aggarwalit nga “Bruno Art Group”, galeria ndërkombëtare e artit që prezanton ekspozitën, sjellja e veprave të Dalit në Indi ishte një përpjekje e gjatë dhe e mundimshme. “Ky projekt zgjati pesë vjet, çdo skicë dhe vepër arti duhej të kontrollohej për vërtetësinë e tyre”.

Në fakt, kjo nuk është hera e parë që krijimet e Dalít vijnë në Indi. Salla e memorialit “Victoria” në qytetin Kalkutë, posedon dy punime me gdhendje me ngjyra të artistit.

Në vitin 1967, Dalí krijoi një set tavllash të duhanit të çuditshme për “Air India” – atëkohë linja kombëtare e fluturimeve në Indi – të cilat u shpërndaheshin pasagjerëve të klasit të parë. Në këmbim të punës, Dalí nuk kërkoi para, por një elefant të vogël. 

Uttara Parikh, zëvendësdrejtoresha e atëhershme tregtare e “Air India”, tregoi për gazetën “Times of India” se si fillimisht kishte shkuar për të blerë një elefant në një kopsht zoologjik në qytetin Mumbai, por u kthye duarbosh. Ajo përfundimisht e siguroi elefantin e vogël nga një kopsht zoologjik në qytetin Bangalore (tani Bengaluru), dhe kompania e fluturoi kafshën në Spanjë, ku u mbajt në një kopsht zoologjik. 

Kërkesa e Dalít mund të duket e pabesueshme, por ata e njohin artistin dhe trashëgiminë e tij e dinë se kjo ishte plotësisht në përputhje me personalitetin e tij.

I lindur në Spanjë në vitin 1904, Dalí u rrit në një botë që po përqafonte avangardën dhe po u përgjigjej pasojave të dy luftërave botërore. Artistët e kohës së tij si, Pablo Picasso, Joan Miró dhe André Breton, po gjenin mënyra të reja për të shprehur veten dhe idetë e stilet e tyre artistike ndikuan shumë te Dalí në moshë të re.

Lëvizja surrealiste, e cila pranohet gjerësisht se u themelua nga André Bretoni, rezonoi më shumë me të. Arti surrealist mbështeste një formë shprehjeje që, sipas Bretonit, ishte e diktuar nga mendimi, në mungesë të çdo kontrolli të ushtruar nga arsyeja.

“Qëndrueshmëria e kujtesës”, 1931, është njëra prej kryeveprave të Dalít

Dalí gjithashtu u frymëzua shumë nga Sigmund Freud dhe teoritë e tij rreth psikanalizës – një metodë e trajtimit të sëmundjeve mendore duke u përqendruar në konfliktet që kanë origjinën te psikika e një personi. Ëndrrat marrin një rëndësi të veçantë pasi besohet se shprehin mendimet dhe dëshirat e shtypura të një personi.

Si rezultat, arti i Dalít pasqyron shumë nga këto ide. Ato kanë një cilësi pothuajse ëndërruese dhe nëpërmjet ndërlidhjes së lirë, pamjet marrin kuptime që janë unike për shikuesin. Ka gjithashtu imazhe të brendshme, pothuajse tronditëse, njësoj sikur dëshirat e ndaluara, të fshehura në nënvetëdijen tonë.

“Dalí ishte një mendimtar i lirë dhe ai përqafoi të gjitha aspektet e gjendjes njerëzore, veçanërisht ato që ishin tabu dhe shqetësuese”, deklaroi Argillet.

Karakteri jashtëm i artistit pasqyronte pikëpamjen e tij për jetën plot ngjyra. Ai vishej në mënyrë madhështore dhe mbante mustaqe që shkonin aq lart saqë dukej sikur mund t’ia shponin sytë. Në një intervistë të realizuar në vitin 1955 për BBC-në, Dalí zbuloi origjinën e mustaqeve të tij të famshme.
“Hurmat, e njihni këtë frutë? Në momentin e fundit të darkës, unë nuk i pastrova gishtat dhe pastaj i preka pak mustaqet e mia. Dhe ato mbetën gjithë pasditen ashtu të ngritura me shumë efikasitet”, kishte deklaruar artisti, por më vonë zbuloi se e përdorte një dyllë të fortë për t’i dhënë formë mustaqeve.

Christine Argillet, e cila e njihte Dalín nga afër gjatë kohës së fëmijërisë dhe adoleshencës, dhe shpesh kalonte pushimet e verës në Spanjë me të atin, tregon se Dalí ishte një person me sens humori, të cilin i pëlqente të bënte shaka dhe të “trondiste borgjezët”. 

Një herë, ai e inkurajoi t’i merrte disa ëmbëlsira nga dhoma e tij e gjumit dhe me to t’i gjuante peshkatarët në një plazh aty pranë. Por ky veprim përfundoi duke i shqetësuar peshkatarët, dhe si pasojë ajo u detyrua të ikte nga vendi i ngjarjes për të gjetur strehim dhe për t’u mbrojtur nga peshkatarët.

Por ajo shton se Dalí ishte gjithashtu një person i turpshëm, me intuitë dhe vëzhgues, i cili kishte aftësinë të lexonte mendimet e njerëzve. Ai pikturonte në studion e tij me pantallona të shkurtra dhe sandale dhe, sipas Argilletit, ishte pikërisht ndrojtja e artistit ajo që e bënte të jetë i ekzagjeruar në publik.

“Ai u keqkuptua nga shumë njerëz. Dalí kishte shumë shtresa, ashtu siç kishin dhe pikturat e tij. Sa më afër i shikon pikturat e tij, aq më shumë e kupton Dalín e vërtetë”, thotë Argillet.

Ekspozita “Dalí vjen në Indi” qëndroi e hapur në Qendrën e Habitatit të Indisë nga 7 deri më 13 shkurt, ndërsa në galerinë “Masarrat” do të jetë në dispozicionin e publikut deri më 16 mars.