Mbase të revoltuar me vlerësimet kritike që Ibrahim Rugova mbante edhe publikisht prej vitesh lidhur me krijimtarinë e real-socializmit në Shqipëri, e shtyjnë oficerin e Sigurimit të Shtetit që lidhur me Rugovën menjëherë të jepen vlerësime me tone negative. Në dokumentin sekret njëherazi jepet ky qëndrim spekulativ: “Njerëzit që e njohin nga afër thonë se është shumë karrierist dhe shumë negativ”. Është e kuptueshme se vlerësimi i lartshënuar ishte rezultat i informatave që do të vinin nga Sigurimi i Shtetit. Ky konstatim konfirmohet edhe nga dokumenti i 21 korrikut 1985, që ishte hartuar nga punëtori operativ, për figurën e Rugovës, në të cilën flitej me tone superlative. Ndër të tjera, në këtë dokument shkruante: “Doktor Ibrahim Rugova, një poliglot, estet, kritik letrar, njeri i punës dhe i penës, i cili, edhe pse i ri nga mosha, çmohet shumë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në qarqet letrare dhe në radhët e intelektualëve”
Ibrahim Rugova edhe nga autoritetet shqiptare konsideroj studiues i talentuar dhe një “përkrahës i rrymës moderniste në letërsi që krijohej në Kosovë e në përgjithësi në Jugosllavi”, prandaj ai nuk shprehte ndonjë konsideratë për letërsinë e realizmit socialist. Rugova i takonte korpusit të njërit prej shkencëtarëve të formatit të madh, i cili, siç do të thoshte kritiku letrar Ramadan Musliu, inauguronte vetëdijen mbi vlerën e traditës, siç do ta quante ndryshe medievisti dhe linguisti Dmitry Likhachov “memorien letrare” të kombit.
Në vitin 1981, për herë të parë Sigurimi i Shtetit Shqiptar kishte arritur të siguronte informacionin se Ibrahim Rugova kishte shfaqur kritika ndaj regjimit të Tiranës zyrtare dhe pozitës së vështirë në të cilën ndodheshin krijuesit e artit, të kulturës dhe të shkencës në Shqipëri.
Rugova: “Në Shqipëri nuk ka liri krijuese. Shkrimtarët janë shndërruar në burokratë”
Dokumenti i titulluar “Ekstrakt nxjerrë nga informacioni 15-ditor, nr. 78, datë 19.1.1981, për Ibrahim Rugovën”, sjell informacionin e punëtorit operativ I.G., sipas të cilit bëhet me dije se Ibrahim Rugova, i cili kishte marrë pjesë në diskutimin për një roman që u bë vitin e kaluar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Arteve të Shqipërisë, kishte deklaruar: “Tani u binda përfundimisht se në Shqipëri nuk ka liri krijuese. Shkrimtarët janë shndërruar në burokratë. Krijuesve u jepen klishetë ku ata punojnë”.

Kjo deklaratë e Rugovës kishte shkaktuar hidhërim tek autoritetet shqiptare, të cilat menjëherë kishin urdhëruar të merreshin këto masa operative:
“Do të grumbullohen të dhënat për Ibrahimin dhe do të shikohet besueshmëria e tyre për të marrë në përpunim 1/A;
Do të kontrollohet në kartotekë nëse ka materiale për t’i studiuar e vendosur;
Sipas shënimeve të shokut Ministër, do të merren masa dhe Rugova do të përpunohet nga ana jonë”.
Por, pavarësisht nga qëndrimi i shprehur në këtë ekstrakt, në fashikullin e Rugovës figuron vetëm edhe një dokument në vitin 1981 dhe më pas kemi një mungesë të raporteve e informacioneve deri në vitin 1985, kur për Rugovën dhe aktivitetet e tij, si dhe për shkuarjen në Sorbonë bashkë me muzikologun Rexhep Munishi jepen disa informacione të përgjithshme.
Urdhri për thellimin e njohjes së figurës së Rugovës dhe Rexhep Munishit
Kështu, në vitin 1985, në një informacion të sistemuar në fashikullin e Rugovës, dërguar nga Parisi për Drejtorinë e Tretë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i datës 16.5.1985, renditen një varg të dhënash që tashmë njihen se si ai dhe Rexhep Munishi ishin nga familje patriotike, se Rugova kishte qenë në Shqipëri në vitet 1971, 1974 dhe 1980. Më tej përshkruhet se në masë kishin bërë jehonë diskutimet që kishte bërë Rugova në Kongresin e 9-të të Lidhjes së Shkrimtarëve të “Ferres” (Jugosllavisë), i cili ishte mbajtur në muajin prill të vitit 1986.
“Nisur nga më sipër, nëpërmjet studentëve tanë aty dhe nga ju vetë direkt, bëni përpjekje për të thelluar më tej njohjen e figurës së tyre (Rugovës dhe Munishit), si dhe për t’i shfrytëzuar për situatën e problemet aktuale në ‘Ferrese’ në ‘Shqiponjë’ (Kosovë)”, është shënimi me të cilin përmbyllet kjo informatë që nuk sjell ndonjë të dhënë të veçantë, veçuese. Në dokumentin vijues të së njëjtës datë kërkohej, nëse ia vlente, të takoheshin edhe legalisht dy studiuesit kosovarë të ardhur në Paris, për të cilët reagimet kishin qenë pozitive. Por, në një dokument tjetër, që mban datën 27 maj 1985, shkruan se Ibrahim Rugova ishte përkrahës i rrymës moderniste në letërsinë që krijohej në Kosovë dhe, në përgjithësi, në Jugosllavi, duke shtuar se ndaj letërsisë së realizmit socialist, që krijohej në Shqipëri, ai fliste me përçmim dhe përbuzje.
“Ai dhe Rexhep Qosja janë eruditë... e nesërmja do të dëshmojë”
Mbase të revoltuar nga këto vlerësime kritike që Rugova mbante edhe publikisht prej vitesh lidhur me krijimtarinë e real-socializmit në Shqipëri, e shtyjnë oficerin e Sigurimit të Shtetit që lidhur me Rugovën menjëherë të jepen vlerësime me tone negative. Në dokumentin sekret njëherazi jepet ky qëndrim spekulativ: “Njerëzit që e njohin nga afër thonë se është shumë karrierist dhe shumë negativ”. Pak a shumë, ky është thelbi i këtij dokumenti i cili i drejtohet bashkëpunëtorit të Sigurimit të Shtetit Shqiptar vetëm pak kohë pas mbërritjes së Rugovës në Paris. Është e kuptueshme se vlerësimi i lartshënuar ishte rezultat i informatave që do të vinin nga Sigurimi i Shtetit, i cili kishte njohuri të mëhershme se Rugova nuk kishte simpati për sistemin politik dhe as për krijimtarinë e realizmit socialist, se kishte pohuar publikisht që studiuesit dhe krijuesit shqiptarë nuk kishin liri krijuese në Shqipëri. Ky konstatim konfirmohet edhe nga dokumenti i 21 korrikut 1985, që ishte hartuar nga punëtori operativ, për figurën e Rugovës, në të cilën flitej me tone superlative. Ndër të tjera, në këtë dokument shkruante: “Doktor Ibrahim Rugova, një poliglot, estet, kritik letrar, njeri i punës dhe i penës, i cili, edhe pse i ri nga mosha, çmohet shumë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në qarqet letrare dhe në radhët e intelektualëve”, duke shtuar më tej se ai është “i drejtë, i pakompromis në punë shkencore dhe në jetë, në përgjithësi”.
Dokumenti përmbyllet pothuajse me tone solemne dhe me vlerësimet më të larta për Rugovën dhe Qosjen.
“Ai dhe Rexhep Qosja janë eruditë, e nesërmja do të dëshmojë se sot, kur them kështu, kam të drejtë, jo pse e njoh e më njeh mirë, por sepse është e vërtetë. Ibrahimi është i guximshëm e patriot. Në këtë rrugë e mban puna e drejtë e pa lajka”, konstatohet në informatën e punëtorit operativ, e nxjerrë nga raporti informativ bp.”3103”.
Rugova dhe Munishi “nuk kanë bërë asnjë pyetje apo nuk kanë treguar interesim për vdekjen e udhëheqësit tonë”
Dokumenti tjetër, i sistemuar në fashikullin për Ibrahim Rugovën, që administrohej nga Drejtoria e Tretë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, vazhdonte me shënimin e dt. 9 shtator 1988, ku paraqitet një tablo gjithëpërfshirëse për gjendjen politike dhe ekonomike në Jugosllavi, përkatësisht në Kosovë. Në këtë dokument janë interesante tri gjëra: çështja e largimit të serbëve nga Kosova, zhvillimi i kapaciteteve ekonomike në Kosovë dhe qëndrimi i Rugovës dhe i Munishit lidhur me vdekjen e udhëheqësit komunist, Enver Hoxha.
Sa i përket problemit të serbëve në Kosovë, Rugova dhe Munishi i kishin deklaruar bashkëbiseduesit shqiptar se nuk ishte gjendja siç e përshkruante shtypi serb, duke nënvizuar se ata nuk kanë asnjë presion nga shqiptarët, por largohen me vetëdëshirë për një jetë më të mirë.
Në aspektin ekonomik, në dokument përmendet realizimi i tri objektivave ekonomike në Kosovë: ndërtimi i “Ferronikelit” (shumë modern dhe rentabël), “Teci Kosova” nr.3 dhe sistemi i ujitjes “Ibër-Lepenc”, i cili asokohe ndodhej në fazën përfundimtare. Më tej, në dokument flitet edhe për programet e studimeve albanologjike në Kosovë, duke u ndalur veçanërisht te plani botues ambicioz i Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Dhe momenti tjetër pikant është kur hartuesi i dokumentit thekson se bisedat e Rugovës dhe Munishit ishin të kufizuara dhe se ata nuk dëshironin të zgjeroheshin dhe nuk kishin shprehur “asnjë dëshirë për t’i vazhduar kontaktet”. Në mënyrë të veçantë është interesant shënimi në fjalinë e fundit, ku thuhet se Rugova dhe Munishi “nuk kanë bërë asnjë pyetje apo nuk kanë treguar interesim për vdekjen e udhëheqësit tonë”.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë