Shtojca për Kulturë

Rruga e zhvillimit të gjuhës letrare shqipe në Kosovë

Anët pozitive të pangegërishtes, siç na del te autori i saj, duken sheshazi te elementet që e bëjnë atë shumë të afërt me koinenë jugore, në plan të drejtshkrimit, në fushën e fonetikës, të gramatikës e të fjalëformimit

Disponimi pozitiv i të gjithë faktorëve për ta zgjidhur drejt gjuhën letrare shqipe, entuziazmi i të gjitha kategorive që atë të shtien në përdorim, guximi i madh i të gjithëve ta shkruajnë e ta flasin atë, janë garanci se procesi i përhapjes dhe i zotërimit te gjuhës letrare shqipe, në fazën e saj të dytë, do të bëhet me një ritëm shumë më të shpejtë sesa mund të mendohet

Rruga e derisotme e zhvillimit të gjuhës letrare shqipe ndër shqiptarët që jetojnë në Jugosllavi, ka pasur etapat e saj që janë njëkohësisht etapa historike të popullit shqiptar.

Procesin e pandërprerë të zhvillimit të gjuhës letrare, që mund ta quanim histori të gjuhës letrare shqipe, do ta ndanim në dy periudha të mëdha, në periudhën parakombëtare, atë para Rilindjes, që përfshin shekujt XVI-XVII dhe fillimin e shekullit XIX ndërsa etapa e dytë e historisë së gjuhës letrare shqipe nis me gjysmën e dytë të qindvjetëshit XIX e arrin deri në ditët tona. Këto periudha dallohen nga një varg veçorish te karakterit gjuhësor e historik.

Për historinë e gjuhës letrare shqipe “Meshari“ i Buzukut shënon një kapërcyell me rëndësi të dorës së parë; sepse me botimin e tij gjuha shqipe zë të ngrihet në shkallën e një gjuhe të shkrimit, kur shqiptarët nisin e kapin fillet e kulturës, atëherë me karakter fetar-laik. Lidhur me gjuhën e “Mesharit” të Buzukut do theksuar një moment i rëndësishëm, që këtu kemi të bëjmë me një traditë të shkrimit të kësaj gjuhe, përndryshe nuk mund të kuptohet, me gjithë lëkundjet dhe inkosekuencat, stabilizimi i formave fonetike-morfologjike dhe visari i veprës së përmendur.

Karakter të përgjithshëm ka edhe gjuha e shkrimtarëve që vijnë pas Buzukut e Budit, e Bogdanit, e të tjerëve, çka duhet të lidhet me qenien e një tradite shkrimi të gjuhës shqipe, para se të dalë kjo lagje shkrimtarësh me Buzukun në krye. Baza e gjuhës së tyre ishte, pa kurrfarë dyshimi, e folmja e secilit autor veç e veç, e karakteri i përgjithshëm i gegërishtes së tyre mbidialektore do kërkuar te qëndrimi i shkrimtarëve që zënë ngoje në krahina të tjera dhe njohja nga ana e tyre e ligjërimeve të tjera të shqipes.

Tipare themelore të gjuhës sonë letrare parakombëtare, sipas Androkli Kostallarit, mund të quhen këto:

a) “Copëzimi i madh i bazës dialektore të gjuhës së shkrimit dhe funksionimi paralel i disa varianteve letrare te tipit njëkrahinor a disakrahinor”;

b) “Mbizotërimi i zhvillimit të veçuar e divergjent te varianteve krahinore me njëfarë konvergjence kryesisht brendadialektore”;

c) “shkalla e ulët e normalizimit, qoftë brenda varianteve qoftë midis tyre, dhe afëria e madhe, për të mos thënë gati përputhja e strukturës fonetiko-gramatikore e leksikore të varianteve letrare me strukturën e të fo1meve e të nëndialekteve përkatëse.

E gjuha e shkrimtarëve gegë të Veriut të Kosovës të shekujve XVI-XVIl, na paraqitet më komplekse, një gegërishte më e përgjithshme, e ngritur në një gjuhë shkrimi mbidialektore.

Mirëpo, funksionet shoqërore të asaj gjuhe ishin ngushtësisht të kufizuara; gjuha e shkruar me karakter fetar përdorej në një rreth të ngushtë klerikësh dhe, meqë letërsia fetare e asaj kohe i drejtohej një pjese të kufizuar të shqiptarëve të besimit katolik, ajo s’kishte si të përhapej në masat e gjera të popullit shqiptar, përveç të tjerash edhe për arsye të karakterit fetar. Rendësi te madhe në plan funksional kishte mospërdorimi i shqipes së shkruar në këtë periudhë si gjuhë shtetërore, as si gjuhë themelore e arësimit, në mungesë të shtetit, së paku në kuptimin e atëhershëm të organizimit të tij me institucionet arësimore-kulturore dhe me mekanizma të ngritura të tjera; përkundrazi zhvillimi i gjuhës bëhej në kushtet e përndjekjeve politike dhe fetare.

Në periudhën e pushtimit osman gjuha shqipe zhvillohej duke u përdorur në kushte të veçanta. Në kushtet e forcimit të pushtetit, ngritja e institucioneve arësimore-kulturore të pushtuesit osman, kishte për qëllim nënshtrimin shpirtëror të popujve të Ballkanit, rrafshimin shpirtëror të të gjithë popujve, që përfshiheshin në gjirin e Perandorisë, errësimin e shuarjen e elementeve thelbësore të vetëdijes se kombësisë, sikundër janë gjuha dhe formimi shpirtëror, që mbështetet në tradita të vjetra e të thella popullore, dhe, më në fund, asimilimin e plotë të ekzistencës së institucioneve politike, kulturore që kishin një rrjete të gjerë në Shqipëri e kudo që gjëllinin shqiptarët brenda kufijve te Perandorisë Osmane. Letërsia që zhvillohej në atë kohë quhet zakonisht letërsi shqiptare me shkronja arabo-turke. Kjo letërsi kishte përmbajtje fetare, mbështetej tek dogma islame, te metafizika dhe fatalizmi dhe sillej në botën e misticizmit. Me tematiken dhe idetë e saj kjo letërsi ishte idealiste, prapanike dhe, u shërbente interesave të huaja, duke forcuar dhe duke u dhëne krah pushtuesve dhe feudalëve të vendit. Në anë tjetër letërsia me shkronja arabe turke duhet të gjejë vend të caktuar në historinë e letërsisë shqipe, si dhe në historinë e gjuhës shqipe, posaçërisht në dialektologjinë shqiptare.

Gjuha e asaj letërsie nuk mund të bëhej gjuhë e shkrimit as e shqiptarëve të besimit musliman, sepse me atë gjuhë nuk trajtoheshin punë dhe probleme të mëdha të popullit shqiptar, sikundër ishin ato të periudhës së Rilindjes. Rilindja kombëtare vuri para shqiptarëve, në ato turbullira të kohës, detyra të dorës së parë për ekzistencën e tyre si komb. Njëherë përpara tyre shtrohej detyra të çliroheshin nga zgjedha e rëndë e pushtuesit osman – e prej saj rridhnin probleme e detyrime të shumta në plan të ngritjes se ndërgjegjes kombëtare – dhe të lidheshin ngushtë me popullin, duke nxjerrë nga burimet e forcat prore këndellëse, që t'i bënin ballë luftës së egër kundër pushtuesit, duke u frymëzuar nga qëndrimi i tij stoik e trimëror në mbrojtje të trojeve të tija. Rezultatet e mëdha që u arritën në kohën e Rilindjes në fushën e gjuhës me të gjitha karakteristikat e saj, me prirjen e vazhdueshme konverguese të varianteve letrare shqipe – nuk gjetën shprehjen e tyre kudo, sepse në vilajetet që pas vitit 1912 u integruan në shtetin jugosllav, mungonin kushtet për një krijim e zhvillim të kulturës më elementare në gjuhën shqipe. Kontributi i shqiptarëve të krahinave që përfshiheshin në vilajetet e përmendura në veprën e madhe të Rilindjes kishte karakter të qëndresës së armatosur kundër pushtuesit dhe në fushën e kulturës dhe të afirmimit të gjuhës letrare shqipe, në punë të ndërveprimit, bashkëveprimit, bashkëveprimit midis varianteve letrare, për arësye të ditura, nuk mund të ishte kontribut në përpjekjet e faktorëve kulturorë në procesin e formimit të gjuhës sonë letrare.

Pas viteve 1912-1918, në kushte të reja historike shoqërore, shqiptarët që banonin në Jugosllavi, nuk mundnin të shtinin në përdorim gjuhën shqipe për ç’arsye ata nuk morën pjesë në punën e konvergjencës së përgjithshme gjuhësore. Ndonjë përpjekje sporadike individuale që shqipja në atë periudhë të përdorej në korrespondencën individuale nuk mund të peshonte në lëvizjen e madhe të të gjithë inteligjencës shqiptare për afirmim të kulturës së saj dhe për vënien në pah të vlerave pozitive popullore.

Letërsia me shkronja arabo-turke vazhdoi, në kushte të saja specifike, të jetojë në përpjekjen anakronike të ndonjë hoxhe a dervishi, e larguar si gjithherë nga trualli i popullit, nga problemet shoqërore reale, si dhe nga shqetësimet e detyrat e tij historike. Në anë tjetër, nga pikëpamja thjeshtë gjuhësore, shkrimet e asaj letërsie kanë rëndësinë e tyre, sepse na dalin të vetmet dokumente gjuhësore të kohës për këto vende (“Emni Vehbije” i Tahir Efendi Boshnjakut 1835; Mevludi i Tahir Efendi Popovës nga Vuçitërni, nga fundi i shekullit XIX, veprat e Rexhep Vokës nga Tetova fundi i shek. të kaluar dhe fillimi i këtij tonit; “Divani” i Hilmi Maliqit të Rahovecit.

Gjuha e letërsisë me shkronja arabo-turke ishte e trazuar me elemente të gjuhëve orientale, të sjella në shqipen nëpërmjet turqishtes, por ajo, sikundër u tha më parë, meqë na dilte e shkruar vetëm në atë letërsi, pasqyron shkallën e zhvillimit të ligjërimeve shqiptare të këtyre anëve me të gjitha karakteristikat e tyre e që nuk mund të mos ketë rëndësinë e vet në historinë e dialektologjisë shqiptare.

Në kohën e shkurtër gjatë Luftës së parë dhe të dytë botërore, kur shqipja u përdor në shkollat fillore dhe në të mesmet, nuk kishte se si të shtrohej çështja e madhe e gjuhës letrare. Në ata pak vjet gjatë Luftës së dytë botërore, kur në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore u hapën shkollat në gjuhën shqipe dhe punoi shqip administrata, u përdor bashkëvarianti letrar verior i mesëm. Dihet se kuadri mësimor i shkollave fillore kishte mbaruar Normalen e Elbasanit, dhe në shumicën dërmuese përdorte gjuhën e mesme a variantin letrar verior të mesëm.

Nga fundi i Luftës së dytë botërore, pikërisht në vitin 1944, u botua një libër që përmblidhte disa monografi, të cilat rrihnin të shpjegonin disa nga problemet e mprehta të gjuhës letrare shqipe, si dhe vetë çështjen e madhe të gjuhës sonë letrare.

Atje ngrihej teza mbi themelimin e gjuhës letrare të gegërishtes, e cila nuk pati mbështesë dhe nuk u tumir, as u kuptua nga shkrimtaret e lëvrues të gjuhës shqipe; teza e pangegërishtes i binte ndesh prirjes së përgjithshme konverguese të varianteve letrare te shqipes. Ngjallja e disa formave tashme të vjetëruara gramatikore, siç është pjesorja e adjektivuar, bie fjala i lani, i palani. i shrueni, i punuesi, dhe paraqitja e pretendimit që ajo lagje adjektiva të merreshin e të shtiheshin në gjuhën letrare, të themi më saktë, në variantin letrar verior, ishte shfaqje e një koncepti anakronik, që në efektet e tij të fundit kërkonte të hiqte dorë nga çdo përpjekje për njësimin e gjuhës letrare shqipe. Kjo tezë, sikundër dihet, pretendonte të kishte epërsi mbi dy variantet e tjera; të bashkëvarianteve letrare veriore: atij të mesmit dhe atij skajor. Ngritja e këtij pretendimi përkundër tendencave dhe prirjes konverguese të varianteve letrare shqipe, njehej shfaqje e një ndërmarrjeje që nuk i jepte krah bashkëveprimit ndërdialektor dhe nuk i favorizonte përpjekjet, procesin e stabilizimit dhe vendosjen përfundimtare të gjuhës njësore shqipe, meqë kërkonte veçimin dhe konstitucionalizimin e prerë të pangegërishtes letrare, duke arritur në përfundimin fatalist se “sikundër shkabën e flamurit e kemi me dy krerë, ashtu edhe gjuhën e kombit do ta kemi me dy kryedialekte”.

Anët pozitive të pangegërishtes, siç na del te autori i saj, duken sheshazi te elementet që e bëjnë atë shumë të afërt me koinenë jugore, në plan të drejtshkrimit, në fushën e fonetikës, të gramatikës e të fjalëformimit.

Pas Luftës së egër e të rendë katërvjeçare, në të cilën edhe shqiptarët e atyre anëve dhanë kontributin e tyre duke marrë pjesë aktive në të me sakrifica, - në rendin e ri shoqëror që u vendos pas saj në bashkësinë e re të popujve të Jugosllavisë, ndër të drejtat e para që shqiptarët zunë të gëzonin, ishte edhe hapja e shkollave të profileve të ndryshme në gjuhën shqipe. Gjuha e shkollave dhe e administratës vazhdoi të mbetet bashkëvarianti letrar i mesëm, po ai variant i gegërishtes që në kohen e luftës shihej në përforcim në ato pak shkolla dhe në administratë.

Varianti letrar verior, i mesmi, që po përdorej në shkolla, në shtypin e përditshëm dhe në atë periodik, në administratë, si edhe në të gjitha mekanizmat zyrtare të Krahinës në punën e drejtshkrimit, nuk mund të hiqte dorë menjëherë nga shumëformësia e gjuhës letrare, që, në instancë të fundit, nuk i jepte krah konvergjencës gjuhësore dhe përpjekjes që të çonte në vendosjen e njësisë njëformëshe të gjuhës së përbashkët letrare. Problemi i madh i mesëm, po ai variant i gegërishtes që në kohën e luftës shtihej i natyrshëm në ata vetët e parë pas çlirimit, nuk shtrohej në plan të parë të veprimtarisë kulturore-shkencore. Arësyet duhen kërkuar në qenien e pamjaftueshme të eksperteve të gjuhës që ishin të kënaqur me ç’ishte arritur në punën gjuhësore, prandaj çështja e mësimit të gjuhës së përbashkët letrare nuk i shqetësonte. Zhvillimi spontan i gjuhës së përbashkët letrare ishte rruga e saj e natyrshme për ta, që një dite do të çonte në vendosjen e njësisë njëformëshe të gjuhës letrare shqipe. Ata harronin që në proceset e zhvillimit historik dhe në punën e përcaktimit të normës dhe kristalizimit të gjuhës letrare, faktor gjithherë i pranishëm është ndikimi subjektiv. Kështu në luftën shumëvjeçare e shpeshherë të rreptë për vendosjen e gjuhës letrare serbokroate deri në fitoren e saj përfundimtare, rolin kryesor të saj e luajti Vukë Karaxhiçi.

Është vështirë ta mendosh formimin e një gjuhe letrare që të mos t’i jetë nënshtruar këtij apo atij ndikimi subjektiv të shoqërisë përkatëse. Duke u rritur vazhdimisht niveli i kuadrove të arsimit fillor e të mesëm, këto kuadro nuk mund të pajtoheshin me lëkundjet drejtshkrimore që po dukeshin. Kjo shpuri në formimin e dy lagje pikëpamjesh në fushën e drejtshkrimit të gjuhës letrare. Inteligjenca e atëhershme nuk mund të shikonte, pra, në mënyrë pasive një lëkundje që sa vinte po zgjerohej në punën e drejtshkrimit të letrarishtes dhe intuitivisht ndjente nevojën e madhe te ndikimit mbi te faktorit subjektiv, që në emër të shoqërisë, si rregullues normalizues i gjuhës letrare, t’i priste hovin procesit të vetëvetishëm të variantit letrar, ne përdorim. Kujdesi i madh ndaj stabilizimit të normës së gjuhës letrare kombëtare në Shqipërinë e re, trajtimi i shpeshtë e sistematik i problemeve të gjuhës letrare kombëtare, që shërbente si forcë e gjallë dhe që ndihmonte me të madhe e fuqimisht ecjen përpara te shoqërisë socialiste, - nuk mund të mbetej pa ushtruar ndikim, me gjithë pengesat dhe vështirësitë e kohës, mbi procesin konvergues gjuhësor, që në instance të fundit, ishte ndikim ne përpjekjet e kuadrove të arësimit e të kulturës që lëvronin kulturën gjuhësore dhe përhapnin shprehjen e gjuhës letrare shqipe në rininë shkollore të fshatrave e të qyteteve të Kosovës dhe të viseve të tjera të Jugosllavisë ku banojnë shqiptarë.

Problemit të drejtshkrimit të gjuhës letrare shqipe iu kushtua një mbledhje në nëntor të vitit 1952 (në Prishtine), me ç’rast u trajtuan disa çështje të ortografisë shqipe, për të cilat ne praktikën e përditshme të variantit tonë letrar, nuk kishte një mënyre të njësishme shkrimi. Pika kryesore e drejtshkrimit mbi të cilën u këmbyen mendimet në mbledhjen e parë të ekspertëve të gjuhës, përveç tjerash, ishte përdorimi i gjysmëzanores ë në gjuhën letrare shqipe, për shkrimin e së cilës largoheshin pikëpamjet e gjuhëtarëve. Për problemin gjithnjë të mprehtë të gjuhës letrare shqipe, të shtruar në mbledhjen e përmendur, thuhej sa vijon: “Meqenëse pakica kombëtare shqiptare në RFPJ flet në dialekt të gegënishtes, gjuha e shkrimit për ne nuk mund të jetë veçse gegërishtja”.

Në konkluzionet, në të cilat u përmblodhën diskutimet dhe u bënë në mbledhjen e përmendur të 1952-së, Komisioni prej nëntë vetash, në emër të delegatëve të mbledhjes së gjuhëtarëve dhe letrarëve e punonjësve të tjerë të kulturës së shqiptarëve të atyre anëve, për drejtshkrimin e shqipes letrare, në formë porosie, propozoi sa vijon:

“... Gegënishtja e përdorun ndër ne në pjesën e saj mâ te madhe, âsht tashmâ e përcaktume si për kah trajtëfjalet, ashtu përkah drejtshkrimi, si shifet kryesisht në të përkohshme ‘Jeta e re’. Prej pikave ku nuk mbreton ende nji njajtësi e plotë, mâ të randësishmet, mbas mendimit tanë janë këto që vijojnë:

1) Trajta jam shkue, jam ardhë etj. duhet të mënjanohet si prodhim i nji evolute partikulariste.

2) Gjthashtu kosovarizmat po vijka, po shkojka, e tjera, në vend te ardhka, shkueka, bleka, e tjera, janë për t’u mënjanue si prodhim i nji evolute partikulariste.

3) Komisioni âsht i mendimit që trajta e imperfektit punonja dhe punojsha të lejohen me u përdore krahas, simbas parapëlqimit të shkrimtarit,

4) Detyrimi i përtardhun: kam me pasë mund të përdoret vetëm gabimisht në vend të kohës së përtardhun (futur) do të kem.

5) Komisioni rekomandon gjithashtu që akordimi logjik, për shembull shtetet e mëdhej, të lejohet me u përdorë shtetet e mëdha.

6) Krahas me trajtat libër i shkruem, letër e shkrueme, duhet të përdoren trajtat libër i pasun, letër e ndrydhun.

7) Janë të drejta vetëm trajtat: kam shkue, kam fole, kam ndejte e tjera e jo kam shkruem ose shkruejtë, kam folun, kam ndejtun etj.

Përsëritja pleonastike e nji objekti - emëni i pashquem - si për shembull: e bleva nji pulë, asht gabim (njizanit). Kur objekti âsht emen i shquem, shumica prej gjashtë kundër treve rekomandonte mbajtjen e pleonazmit vetëm atëherë kur objekti emën i shquem vjen para foljes, për shembull: librin e lexova, kështu që mbas kësaj shumice do t’ishte gabim me shkrue: e lexova librin.

9) Foljet që n'infinitiv mbarojnë me “ye” e me “-a” në vehten e tretë t'aoristit mbarojnë me “-u” për shembull: kthye-ktheu, kercye-kerceu, la-lau.

10) Janë të drejta vetëm orthografinat “mundësi”, kurse “i mundëshëm”, e “mundëshme” (me fjalë tjera prej dy ë-ve postonike që vijnë mbas theksit tonik, e parafundit bije).

11) Me lëvrue, lëkurë, me lëvdue, me lëshue jane orthografina të drejta.

12) Janë të drejta vetëm orthografinat këndue etj.

13) Janë të drejta orthografinat: i haptë, i lagtë, i përbashktë etj. e jo i hapët, i lagët, i përbashkët.

14) Janë të drejta orthografinat: i vetëm, e vetëme, punë, punëtuer, kangë, kangëtar.

15) Me nji shumicë prej pesë kundër katër janë të drejta vetëm orthografinat: liris, Jugosllavis etj.

16) Komisioni me shumicë prej 7 mbi 2 rekomandon drejtshkrimet e pronarëvet: t'im t'and, me apostrof, dhe përdorimin e nyjës “i-e” në nominativ; për shembull: libri i im, motra e jote.

Mbetet për diskutim t'anë e t'onë për njejsin e mashkullores...”

Kur shikohen me kujdes të veçantë disa nga pikat e konkluzioneve të dala nga Mbledhja e 1952-së, bien në sy menjëherë dy rryma që ortografinë e gegërishtes letrare e përudhnin në drejtime të ndryshme: njëra përpiqej që ajo të shkonte duke u përputhur, qoftë edhe vetëm në punë të drejtshkrimit, me gjuhën letrare kombëtare që ishte në përdorim në të gjitha fushat e veprimtarisë krijuese të shoqërisë socialiste të Shqipërisë së re; ishin, ata përkrahës të vetëdijshëm të vijës konverguese të gjuhës letrare shqipe, që nesër do ta kishin të gjithë shqiptarët; lagja tjetër e gjuhëtarëve dhe e punonjësve të tjerë në punë të kulturës nuk shihnin rëndësinë historike të tezës që karakterizohej nga përpjekjet që, mbi baza dialektore të ndërtohet një gjuhe njëformëshe letrare shqipe; ata mendonin që gjuha letrare shqipe duhet të ketë një zhvillim të lirë e spontan; një palë tjetër e kësaj teze perspektivat e gjuhës letrare i shihnin në zhvillimin e dalluar e të prerë të gegërishtes letrare nga “toskërishtja” sikundër thoshin ata.

Ana pozitive e kësaj Mbledhjeje qëndron në faktin që, duke u krijuar kushtet dhe mundësitë, problemi i gjuhës letrare po shtrohej vazhdimisht dhe po kërkoheshin shtigje të drejta e efikase që gjuha letrare e shqiptarëve në Jugosllavinë e re, duke u stabilizuar e duke u bërë gjuhë e njësishme, të kryejë një rol të madh shoqëror në ngritjen e masave shqiptare, në bashkësinë e atjeshme.

Pas pesë vjetësh, në vitin 1957, prapë u shtrua puna e ortografisë së gjuhës letrare shqipe (Prishtine, 30-31 maj 1957). Ne Rekomandimet, që porosiste Mbledhja e gjuhëtarëve thuhej shprehimisht... “Mbas shqyrtimit të githanshëm e pik' për pikë të secilës çashtje të parashtrueme në referate e tue pasë parasysh përfundimet e Mbledhjes se parë, kjo Mbledhje pat për qëllim së pari me thjeshtue sa të jetë e mundun ortografin shqipe, por gjithnji tue u kujdesë që të mos cenohet aspak karakteri shkencuer i saj. Për shembull, në lidhje me ë-në, mbledhja që e mendimit që ajo të përdoret vetëm aty ku ashtë e domosdoshme. Nji qëndrim i këtillë përligj vetëvehten e i jep dorë zhvillimit të gjuhës bashkëkohore, tue qenë në përputhje të plotë me ortoepin, rrugë kjo që medoemos evolucioni i gjuhës do të kalojë nëpër të për me mbërrijtë zhvillimin e vet të fundit”.

Mbledhja e gjuhëtarëve dhe e punonjësve të arsimit e të kulturës e 1957-ës, mori në shqyrtim e trajtoi një numër të madh çështjesh nga te gjitha kategoritë gramatikore të shqipes; se dyti, u propozua që ë-ja te hiqet nga të gjitha pozicionet ku ajo del e pathekshe bie fjala: randësi rekomandohet të shkruhet randsi; jo mundësi po mundsi; jo punëtuer por puntuer, jo kangëtar por kangtar, nuk lejohet të përdorej imperfekti asigmatik: punonja a punoja, por vetëm punojsha.

Mbështetja vetëm e vetëm në ortoepinë, si shprehen gjuhëtaret në konkluzionet që nxorën nga Mbledhja ku merrnin pjesë punonjës të arësimit dhe të kulturës, u binte ndesh edhe fort, prirjeve kryesore të zhvillimit të mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe dhe te drejtshkrimit të saj. Është e vërtetë se parimi themelor i drejtshkrimit të gjuhës sonë mbështetet në shqiptimin më të përgjithshëm të saj, por krahas me to rrihet që në shkrim të ruhet njësia e trajtave te pjesëve te ndryshme të ligjëratës, me fjalë të tjera të ruhen morfemat fjalëformuese. “Thjeshtimi”, si shprehen përpiluesit e konkluzioneve të Mbledhjes së përmendur të gjuhëtarëve dhe të punonjësve të kulturës, sipas nesh, synonte në punë të trajtimit të problemeve gjuhësore një rruge që, sikundër thamë, nuk përputhej me vijën tradicionale të ndjekur nga inteligjenca shqiptare që nga Rilindja e këtej. Kundër tendencave diverguese të atyre konkluzioneve dhe rekomandimit të tyre u ngritën reagime, e nder të parat në “Përparimin” 1958; 7-8, u botua artikulli: “A ka gja má punë në ortografinë e shqipes”.

Në atë punim të shkurtër, autori ngrihej kundër konceptit që synon të ecet në një rrugë që dialektet letrare shqipe i largoi njërin nga tjetri.

Këshillimi i tretë i lëvruesve të gjuhës shqipe, i arësimtarëve dhe intelektualeve të tjerë rreth problemeve të drejtshkrimit të gjuhës letrare shqipe, zhvilloi punimet e tij pikërisht më 14, 15 16 kallnor 1963. Në Mbledhje merrnin pjesë, sikundër u tha, lëvrues dhe profesorë të gjuhës ndër shkolla të mesme, përfaqësues dhe profesorë të gjuhës ndër shkollat e mesme, përfaqësues redaksish të revistave dhe fletoreve të ndryshme të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Beogradit.

Dokumenti “Ortografia e gjuhës shqipe” (Prishtine 1964), që u përgatit një kohë të gjatë para Mbledhjes si dhe pas saj nga një komision ekspertësh të gjuhës, është dëshmi e mirë se studimi i gjuhës letrare shqipe kishte arritur si nga sasia, si nga cilësia në një shkallë të mirë dhe se funksioni i saj shoqëror sa vinte e po merrte përpjestime të gjera në masat e popullit shqiptar (në Jugosllavinë e pasluftës). Dokumentin e karakterizonte rrahja e një kompleksi problemesh nga fusha e drejtshkrimit të gjuhës letrare shqipe dhe nga ana tjetër, orientimi që ne të marrin zgjidhje çështjesh drejtshkrimore me synime konverguese, që në instancë të fundit favorizonte zgjidhjen pozitive të gjuhës letrare shqipe, duke përfunduar në të ardhmen në një fizionomi njëformëshe.

Nga kjo pamje e shkurtër mbi historiatin e drejtshkrimit të gjuhës letrare shqipe, nga kujdesi e interesimi i shoqërisë që ajo të studiohet e të përpunohet gjallërisht, si fenomen shoqëror që është – gjuha po behet mjet i fuqishëm në punën e ndërtimit të gjithanshëm të shoqërisë. Intensiteti i zhvillimit të saj dhe orientimi që merrte ajo në drejtim të konvergjencës me variantin letrar gjuhësor, vareshin nga faktori subjektiv: nga kushtet që sa vente e po krijoheshin duke u vënë në plan të parë aftësimi i gjuhës letrare shqipe, që me efikasitet e shpejtësi t’u përgjigjet nevojave në fushën e veprimtarisë krijuese të shoqërisë.

Pas një kohe jo të gjate, më 22 e 23 prill 1968, në kushtet që sa vinin e po krijoheshin duke u thelluar e zgjeruar ditë për ditë, në vitin 1968, me inisiativën e Institutit Albanologjik dhe të Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik u bë Konsulta e përfaqësuesve të arësimit, të kulturës, të shkencës e të publicistikës të shqiptarëve në Jugosllavi, në të cilën u aprovua kërkesa që gjuha letrare kombëtare shqipe e kohës sonë të merret e të zbatohet edhe nga shqiptarët e atjeshëm. Edhe pse atë kohë nuk shihnim mundësinë e përhapjes së shpejtë të gjuhës se njësishme letrare shqipe, ngulmi me të cilin u shtrua çështja e saj nga ekspertë dhe nga përfaqësues të tjerë të pranishëm në Konsultë, disponimi i parezervë i tyre të përdorin gjuhën e përbashkët letrare shqipe, na jepte shpresa të mëdha se, me t’u miratuar, ajo të përhapej shpejt në shkolla, në botime dhe në programe të emisioneve të radios e të televizionit.

Vitin pasues 1969, redaksitë e të gjitha ndërmarrjeve botuese të zbatojnë vendimin e marrë në Konsultën e gjuhës, duke botuar dhe ribotuar libra shkollorë në gjuhën letrare shqipe; gjuhën letrare e shtinë në përdorim në të gjitha botimet zyrtare, në shtypin e përditshëm dhe në atë periodik si dhe në botimet shkencore.

Vetëm Enti i botimit të librave shkollore që nga viti 1969, kur zuri ta përdorte në botimet e veta gjuhën letrare shqipe, botoi me se 500 tituj librash shkollore me një tirazh prej më se 5 milionë ekzemplarësh. Edhe krijimtaria artistike, me përjashtime fare të vogla, shkruhet e botohet në gjuhen letrare shqipe. Në përhapjen e gjuhës letrare shqipe, faktor me rendësi të dorës së parë del sidomos shtypi i përditshëm. Dyqindmijë nxënës të shkollave fillore të Krahinës lexojnë shprehjen e shkruar dhe dëgjojnë tingullin e fjalës letrare nga mësuesi i tyre. Truall i përshtatshëm realizimi të gjuhës letrare shqipe janë 25 mijë nxënës të shkollave të mesme. Vatra të rëndësishme të zotërimit të gjuhës letrare shqipe janë edhe fakultetet e Universitetit të Prishtinës, dhe shkollat e larta dyvjeçare pedagogjike, ku mësojnë në letrarishten më se 8000 studentë të rregullt.

Si faktor i dorës së parë në punën e përvetësimit të gjuhës letrare, paraqiten mjetet e komunikimit: radjoja dhe televizioni; në Krahinë ka 45000 radioaparate të regjistruara dhe 60000 televizorë, në qoftë se gjysma e tyre janë pronë e shqiptarëve të Krahinës, del se 50000 familje me nga shtatë anëtarë që bëjnë 350000 banorë, dëgjojnë fjalën në gjuhën letrare shqipe.

Disponimi pozitiv i të gjithë faktorëve për ta zgjidhur drejt gjuhën letrare shqipe, entuziazmi i të gjitha kategorive që atë të shtien në përdorim, guximi i madh i të gjithëve ta shkruajnë e ta flasin atë, janë garanci se procesi i përhapjes dhe i zotërimit te gjuhës letrare shqipe, në fazën e saj të dytë, do të bëhet me një ritëm shumë më të shpejtë sesa mund të mendohet.

Ky punim është marrë nga libri “Pararendësi” (përmbledhje punimesh nga akademik Idriz Ajeti, në përkujdesjen e Akademik Rexhep Ismajlit), botuar nga Botimet KOHA, në dhjetor 2011