Si uratë e moçme, “Rrnofsh sa malet!” në ekspozitë vjen si thirrje për ndërgjegjësim në mbrojtje të natyrës. Aty janë peizazhet idilike, por njëkohësisht ndjellin kthimin në realitet që është kontrasti i tyre. Ekspozita e hapur në Galerinë e Fakultetit të Arteve, e kuruar prej Övül Ö. Durmuşoğlu i ka prirë maratonës së koncerteve të edicionit të tretë të Festivalit ndërkombëtar të operës, “Ramë Lahaj”, që vjen me moton, “Operë për liri”. Ekspozita në një formë kërkon “çlirimin” e natyrës nga shkatërrimi
Ndryshe prej edicioneve të kaluara, i treti i “Ramë Lahaj International Opera Festival” ka nisur me art pamor. Me ekspozitën “Rrnofsh sa malet!” ka përcjellë mesazhin për mbrojtjen e ambientit. Është një lloj kontrapunkti në raport me gjendjen e natyrës në realitet.
Janë vepra me shumë ngjyra, si rrëfime të bukura. Por përbrenda ngërthejnë histori jo aq të këndshme. Flasin edhe për shkatërrimin. Nga kjo pikë synohet rritja e ndërgjegjësimit për çështjet ekologjike nëpërmjet së parës ngjarje të Festivalit, të premten kur janë bashkuar vepra të dimensioneve të ndryshme, me kombinime ngjyrash e mediumeve të ndryshme. Në dukje janë kontraste mes njëra tjetrës, por jo edhe për nga koncepti. Të gjitha vizualizojnë peizazhe në forma të llojllojta: disa më reale e disa me prirje abstrakte. Madje njëra prej veprave – ajo e Agron Blakçorit – edhe e sjell një copë peizazhi brenda Galerisë së Fakultetit të Arteve në Prishtinë.
“E bukura” e artistit Anton Krasniqi, duket tejet imagjinare dhe e largët me realen, sikurse peizazhet e Kosovës. Vepra vaj në pëlhurë, ngjyrat e natyrës, bashkë me efektet që krijon perëndimi i diellit, tërheqin lehtë vëmendjen. Një pikturë i vjen si kontrast. “Imaginative Landscape” e Miradije Ramiqit e punuar me akrilik në pëlhurë krijon iluzionet për gjelbërimin, shtëpinë, zjarrin e shkatërrimin.
Ajo që ngjan në panoramë të vërtetë është piktura “Sharr Mountains” e Bajram Mehmetit. Malet me borë që në zbritje mbulohen gradualisht me gjelbërim, me vijat e hijezimet e formimit të tyre, me shtëpitë dhe drunjtë nga afër që e përthekojnë pamjen, e bëjnë si një fotografi e hapësirë imagjinare.
Pikturë më lehtë e perceptueshme dhe që nuk lë shumë për të eksploruar është edhe vepra tjetër e tij “Roma Woman Carries Wood on Her Back” e Mehmetit. Pamja e pikturës përfshin një grua që ka dru të ngarkuar në shpinën e saj dhe vjen nga ai kënd ku vëmendja më e madhe përqendrohet në peizazh. Dy prej veprave të tij, “Ravens from Imagination” dhe “Sharr Mountains seen from Photograph” janë shfaqur edhe në tavolina ekspozuese.
Më anën tjetër, pamjet nga “Peizazhi” i Zymer Mulliqit ngjajnë në një hapësirë më të përafërt me atë të sotmen. Shihet një përrua i formuar prej ngjyrave më të zymta me plot mbetje përreth tij. Imagjinare vjen edhe vepra e Miradije Ramiqit të cilën e kishte emërtuar “Imaginative Landscape” në vitin 2001. Me pjekje të lehta të laramanisë së ngjyrave akriliku dhe vaji në pëlhurë, formësohet pamja e barishteve të thata dhe gjallëri japin shpezët.
Një copë peizazhi vendoset brenda hapësirës ekspozuese. Prej murit të njërës dhomë ekspozuese, prej dy sa kanë qenë, “buron” një ujëvarë prej najloni. Kjo është pika e parë ku materiali me konceptin bien në kundërshtim. Tjetra janë degët e varura pa një trung, që duken si një pjesë e shkëputur e peizazhit, si diçka pa kuptim. Pjesë metali në formë shkallësh sikur paraqesin diçka të paarritshme e copa materiali me shumë ngjyra që janë shpërndarë kudo duken si mbeturina që kanë ngulfatur edhe instalacionin si peizazh në miniaturë. A mund ta imagjinosh këtë si diçka të bukur?), pyet Blakçori me titullin e instalacionit.

Kuratorja e ekspozitës “Rrnofsh sa malet”, turkja Övül Ö. Durmuşoğlu ka thënë se të gjitha punimet paraqesin peizazhe të bukura dhe që synojnë të hapin pyetje ekologjike për gjendjen e natyrës sot.
“Kur hyjmë brenda këtyre hapësirave kuptojmë se trajtohen shumë keq. Me anë të këtyre vizioneve shumë të bukura që na sjellin artistët, ne do të donim të krijonim prapë atë imazh dhe ta zhvillojmë në mënyra të ndryshme, ta kuptojmë ekologjinë nga një tjetër perspektivë, pasi natyra është shumë e bukur, na jep shumë dhe ne duhet ta trajtojmë më mirë që ajo të vazhdojë të na trajtojë ashtu”, ka thënë Durmuşoğlu.
Ajo ka thënë se mediumet që përdoren janë të ndryshme, por se pika që i bashkon është bukuria e peizazheve të Kosovës. Sipas saj, arti ka fuqi për të ndikuar në ndryshimin e gjendjes së pyjeve kudo.
“Ndryshimi mund të mos bëhet aq shpejt, natyrisht se një ekspozitë mund të mos e bëjë këtë por mund të shtojë një efekt, një perspektivë për të diskutuar dhe që mund të krijojë qëndrime të ndryshme dhe t’i bëjë njerëzit të kuptojnë se malet e bëjnë çdo ditë të mirë, jo veç për ta, por edhe për pasardhësit e tyre”, është shprehur kuratorja turke për të cilën skena artistike në Kosovë nuk është e panjohur. Bashkë me polaken Joanna Warsza ka kuruar programin e edicionit të sivjetmë, atij të katërt, të “Autostrada Biennale” në Prizren. Në rolin e kuratores ka qenë edhe në edicionin e kaluar të “Autostrada...” në vitin 2021.

Bashkëkuratore e ekspozitës ka qenë edhe organizata “The Balkan Artists’ Guild” e udhëhequr prej Kristale Ivezaj-Rama, e cila ka thënë se paraprakisht janë dashur hulumtime për të sjellë artistë të gjeneratave më të vjetra. Ka thënë se ka qenë hera e parë që institucioni artistik është përfshirë në një ngjarje në vend.
“Është një platformë nomade nëpërmjet së cilës shfaqet arti në hapësira të ndryshme në Londër, por është hera e parë që kam punuar në Kosovë. Mendoj se është bukur të kesh një thënie të ekspozitës nga vendi yt, mendoj se është një frazë e bukur që uron njerëzit nëpërmjet artit dhe përshtatet edhe në anglisht”, ka thënë Ivezaj-Rama e cila “The Balkan Artists’ Guild” e themeloi në vitin 2013. Bashkëkuratore e ekspozitës është edhe Blerta Sejdija.
Presidenti i “RLIOF”, tenori me famë botërore Ramë Lahaj, në fjalimin e tij të shkurtër ka adresuar falënderime për mbështetësit e Festivalit, të cilët i ka vlerësuar si motorë që e gjenerojnë krejt idenë e organizimit.
“Faleminderit shumë që keni ardhur. Sonte nuk do të veçoja askënd, sepse kam një përshtypje dhe një bindje që para Zotit dhe para artit jemi të gjithë të barabartë. Kështu që faleminderit të gjithëve për kontributin”, ka thënë Lahaj.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, derisa ka folur për ekspozitën ka thënë se natyra është esenca e jetës dhe se është liri. Sipas tij, peizazhet kanë qenë gjithmonë pjesë integrale e artistëve vendorë.
“Jam i sigurt se keni pasur mundësinë të shihni të gjitha pikturat këtu që janë të bëra prej krijuesve të mrekullueshëm, të gjithë nga Kosova. Disa prej tyre kanë vendosur të pikturojnë peizazhe në mënyrë më reale, disa të tjerë me prekje më abstrakte, por peizazhe që shpalosin bukuritë e natyrës. Gjatë luftës, vendet e para që preken janë peizazhet”, ka thënë Rama, sipas të cilit luftërat janë një prej shkaqeve të shkatërrimit të natyrës. “Luftërat sjellin shumë vdekje, shumë gjëra të tmerrshme, krijojnë ndotje, janë të rrezikshme, ndotin ajrin, vrasin florën e faunën dhe gjithë kjo është bërë edhe nga luftërat e botës, jo vetëm nga ajo e vendit tonë”, ka shtuar kryetari Rama. Sipas tij vendi është tejet i pasionuar ndaj artit, por edhe më shumë ndaj vetë vendit.

Indira Khartallozi, themeluese e organizatës “Sustainability Leadership Kosova”, e cila jeton në Londër, ka thënë se lëvizja ndërtuese ka ndikim të jashtëzakonshëm në ekologji. Para të pranishmëve ka ndarë të dhënat e një prej hulumtimeve që kanë realizuar për malet e Kosovës.
“Filluam tri vjet më parë të kuptojmë se çfarë po ndodhë me malet e Kosovës, si mund të kuptojmë më së miri se cili është dëmi që u është shkaktuar atyre në 22 vitet e kaluara. Kemi mbledhur të dhënat duke përdorur pamjet satelitore, kemi analizuar ato, kemi siguruar se ato janë të sakta. Rezultat nuk janë shumë premtuese. Gjatë 22 vjetëve të fundit kemi humbur më shumë se 11 hektarë male në Kosovë”, ka treguar Khartallozi para të pranishmëve.
Se efekti i shkatërrimit të maleve është shumëdimensional e ka përmendur edhe fotografi Arian Mavriqi, dokumentues i botës së egër edhe në KTV me emisionin “Wildlife”.
“Burime nga zjarrfikësit kanë thënë se kur ndizen malet, dëgjojnë klithmat e shtazëve që digjen për së gjalli. Ne nuk mund të ekzistojmë pa kafshë”, ka thënë Mavriqi. Ka shtuar se nuk duhen shkatërruar kushtet ekologjike ku gjallesat nuk kanë ku të kthehen pas shtegtimit.
“Unë jam dokumentues i botës së egër. Deri më tash kam arritur të dokumentoj gati 200 lloje të ndryshme. 12 prej tyre janë të regjistruara për herë të parë në të dhënat e Qeverisë. Si fëmijë jam rritur pranë lumit të Kamenicës dhe aty kam parë rëndësinë e maleve dhe lumenjve. Mijëra shpezë ushqeheshin në atë lum që ishte i pasur edhe me specie ujore”, ka thënë Mavriqi.
Punimet e Merita Myderrizi-Malokut, Zana Ramadanit, Vigan Nimanit e Hysni Krasniqit kanë qenë prej atyre që kanë përforcuar mesazhin për jetëgjatësinë e maleve. Kanë ardhur nëpërmjet “Rrnofsh sa malet!”, urimit tradicional që tashmë vjen në një frazë më poetike, por më pak e zëshme.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë deri më 31 korrik, aq sa zgjat Festivali.
“RLIOF” e nisi programin muzikor të shtunën mbrëma me gala mbrëmjen “Ramë Lahaj &Friends” me solistë sopranon Yulia Sulejmanova, tenorin Alessandro Safina, baritonin Massimo Cavalletti, nën përcjelljen e Orkestrës e Filharmonisë së Kosovës dirigjuar prej Pier Giorgio Morandi në sheshin “Skëndërbeu” në Prishtinë.
Nën temën “Opera për Liri”, në edicionin e tretë “RLIOF” sjell pesë mbrëmje muzikore me muzikantë vendorë e të huaj. Edhe sivjet mbrëmjet “Ensemble Evening” që mbahet më 25 korrik dhe “Opera Night” më datë 27, do të mbërthejnë kryeqytetin me ngjyra operistike. Më 29 korrik me “New Generation”, skena e “RLIOF” u dedikohet artistëve të rinj derisa një mbrëmje e veçantë, sikurse vjet, mbahet në nderim të këngëtares ikonike Nexhmije Pagarusha më 31 korrik, kur edhe mbyllet edicioni i tretë i “Ramë Lahaj International Opera Festival” në kryeqytet.
Kur ishin zbuluar datat e koncerteve, ishte bërë e ditur se kjo periudhë është përzgjedhur për t’iu përshtatur pushimeve të diasporës. Në faqen e “RLIOF” shkruhej se “diaspora mbetet gjithmonë surpriza më e bukur e vitit”.