Vetëm pas ndarjes së udhëheqjes shqiptare me atë sovjetike, në vitin 1961, marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave patën një lloj përmirësimi. Veçanërisht këto marrëdhënie bilaterale i karakterizon nga një lloj ngritjeje, sidomos pas invazionit ushtarak sovjetik në Çekosllovaki në vitin 1968. Ishte koha kur Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës, e cila deri atëherë me të intensitet të lartë e akuzonte Jugosllavinë si shtet revizionist, sakaq e ndali këtë propagandë dhe shprehu një gjuhë pajtuese përballë rrezikut të mundshëm e të përbashkët sovjetik
Duke shfrytëzuar “shkrirjen e akujve” të bashkëpunimit ndërmjet RPS të Shqipërisë dhe RSF të Jugosllavisë, drejtuesit e institucioneve të Kosovës i kishin intensifikuar raportet dhe komunikimet politike, kulturore dhe ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Në këtë kuadër, pa dyshim moment që duhet shënuar është ftesa e dhjetorit 1967 e komitetit për Marrëdhënie Kulturore me Botën e Jashtme të RPSh-së dërguar Kuvendit të Kosovës, nëpërmjet së cilës ftohej një delegacion i shqiptarëve të Kosovës për të marrë pjesë në kremtimin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Njëkohësisht Kosova ftoi një delegacion nga Shqipëria për të marrë pjesë në kremtimin e përvjetorit historik të Skënderbeut në Prishtinë, në maj të vitit 1968. Këto vizita të ndërsjella të delegacioneve nga Kosova dhe Shqipëria po realizoheshin pas dy dekadash marrëdhënieje të ngrira ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë.
Heqja dorë nga rrëzimi i Enver Hoxhës
Në fakt, këto marrëdhënie të tendosura midis dy vendeve fqinje u normalizuan vetëm pas vdekjes së Stalinit, përkatësisht vetëm pas ndarjes së udhëheqjes shqiptare me atë sovjetike, në vitin 1961, marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave patën një lloj përmirësimi. Veçanërisht këto marrëdhënie bilaterale i karakterizon nga një lloj ngritjeje, sidomos pas invazionit ushtarak sovjetik në Çekosllovaki në vitin 1968.
Ishte koha kur Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës, e cila deri atëherë me intensitet të lartë e akuzonte Jugosllavinë si shtet revizionist, sakaq e ndali këtë propagandë dhe shprehu një gjuhë pajtuese përballë rrezikut të mundshëm e të përbashkët sovjetik. Një rëndësi e tillë njihej edhe nga Titoja, sipas të cilit Jugosllavia dhe Shqipëria kishin rëndësi të madhe për stabilitetin në Ballkan dhe çdo acarim i raporteve fqinjësore do të krijonte mundësi për ndërhyrjen e vendeve të tjera. Në këtë frymë ishte edhe vendimi i tij që të ndaleshin të gjitha aktivitetet e emigracionit politik nga Shqipëria në Jugosllavi dhe gjatë viteve ‘60 afro 2.000 emigrantë nga Shqipëria ishin detyruar ta braktisnin shtetin jugosllav. Me këtë hap Jugosllavia dha një shenjë të qartë se ishte e interesuar të stabilizonte marrëdhëniet fqinjësore me Shqipërinë dhe kishte hequr dorë për rrëzimin e regjimit të Hoxhës në Shqipëri.
Shtendosja e marrëdhënieve midis vendeve të Ballkanit
Si rezultat i kësaj, Shqipëria dhe Jugosllavia më 1969 në nivel të ministrave të punëve të jashtme kishin të nënshkruar protokollin për bashkëpunim ekonomik; që sipas disa parallogaritjeve parashihej një shkëmbim deri në 350 milionë dollarë, në një periudhë prej 5 vjetësh. Ndërsa, më 1970 të dyja vendet fqinje kishin ngritur përfaqësitë e tyre diplomatike në Beograd, gjegjësisht në Tiranë, në rang të ambasadave dhe i kishin shkëmbyer ambasadorët. Në këtë këndvështrim mund të thuhet se këto marrëdhënie bilaterale kushtëzoheshin edhe nga faktorët e sigurisë, pasi të dyja palët e kishin të qartë se pavarësia e Shqipërisë ishte faktor sigurie për Jugosllavinë, ashtu edhe pavarësia e Jugosllavisë që ishte e lidhur me pavarësinë e Shqipërisë.
Gjithashtu në planin ndërkombëtar tensionet e Luftës së Ftohtë kishin rënë, erërat e detantës përfshinë edhe rajonin e Ballkanit, ku marrëdhëniet ndërmjet vendeve ballkanike përjetuan një lloj shtendosjeje. Pra, raportet shqiptaro-jugosllave realisht bazoheshin në disa elemente të natyrës së qëndrueshme, si është pozita gjeopolitike dhe strategjike e vendeve tona, rrethanat e ngjashme të zhvillimit të luftës nacionalçlirimtare; synimet reale dhe strategjike të zhvillimeve ekonomike e politike të dy vendeve dhe faktori i banorëve shqiptarë në Jugosllavi. Faktori gjeopolitik është i lidhur ngushtë me ecuritë në skenën ndërkombëtare.
Veç kësaj, edhe situata e brendshme politike në Jugosllavi, ku në mesin e viteve ‘70 ndryshimet kushtetuese sollën me vete kalimin e një varg kompetencash të Federatës në republikat dhe krahinat autonome, i krijuan mundësi shqiptarëve të Kosovës dhe klasës politike të asaj kohe të shtronin një varg kërkesash për avancimin e marrëdhënieve të Kosovës me vendet e ndryshme të botës, natyrisht me prioritet të lartë ishin ato me Shqipërinë.
Duke pasur parasysh se në planin e përgjithshëm të orientimit të politikës së jashtme jugosllave, deri më 1974 pozita Kosovës ishte e rregulluar me qëndrimin që marrëdhëniet me jashtë ishin punë vetëm e Federatës dhe me mekanizëm konkret të vendosjes për këtë çështje, nga e cila nuk merrej parasysh ndonjë kërkesë a nevojë specifike e Kosovës. Por, kjo pozitë u përmirësua në masë të madhe me aprovimin e amendamenteve kushtetutare e sidomos me aprovimin e Kushtetutës jugosllave dhe të kushtetutave të republikave e krahinave. Me vendime kushtetutare, marrëdhëniet me jashtë edhe më tutje mbeteshin çështje ekskluzivisht vetëm e Federatës, por ndryshoi mekanizmi i vendosjes, i cili tash duhej të llogariste edhe për pozitën konkrete të republikave e të krahinave. Ato kishin tretman tjetër, si në formulimin, ashtu edhe në aprovimin e politikës së jashtme të RSFJ-së. Kështu, pas miratimit të Kushtetutës së vitit 1974, pos përmirësimit të statusit të Kosovës, u bë i mundshëm një bashkëpunim më i gjerë i Kosovës jo vetëm me rajone e vende të ndryshme të botës, por sidomos në zhvillimin e marrëdhënieve kulturore me Shqipërinë.
Faktorizimi i Kosovës në raportet jugosllave-shqiptare
Sipas Ukshin Hotit, në Kosovë ishte bërë një punë e madhe edhe në planin organizativ të ngritjes dhe konsolidimit të sekretarit për Marrëdhënie me Jashtë. Disa bartës të kësaj fushe që ishin edhe subjekte më parë, këto aktivitete i zgjeruan edhe më tutje; disa të tjerë u aftësuan që të merren edhe me këto aspekte aktivitetesh dhe u formuan disa subjekte të reja, të cilat merreshin me aspekte të ndryshme të kësaj veprimtarie.
Në këtë mënyrë, edhe pse procesi organizativ i aftësimit të kuadrit nuk ka shkuar në hap me zgjerimin e nevojave që kishte Kosova për bashkëpunim ndërkombëtar, konkretisht, edhe në raport me RP të Shqipërisë, Kosova po bëhej gjithnjë e më shumë faktor i rëndësishëm i bashkëpunimit ndërfqinjësor jugosllav-shqiptar. Në këtë rrethanë ishte krijuar një atmosferë e volitshme dhe ishin hapur mundësi të reja për kontributin e Kosovës që t’i jepte shtytje pozitive këtij bashkëpunimi.
Elita shqiptare në Prishtinë për normalizimin midis Tiranës e Beogradit
Në fakt, në këtë periudhë marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore e shihnin si të një interesi vital dhe se kjo qasje paraqiste njërën nga komponentët bazë të politikës së jashtme të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë. Fuqizimi i raporteve bilaterale mbetej si orientim kyç i politikës së jashtme jo vetëm i këtyre dy shteteve, por njëkohësisht edhe shtytje e Këshillit Ekzekutiv Krahinor, që ishte de facto Qeveria e Kosovës. Madje, në akte arkivore shihet qartë se kjo qeveri e Kosovës vlerësonte se duhej bërë përpjekje maksimale drejt nënshkrimit sa më të afërt të programimit të bashkëpunimit në mes të RFJ-së dhe RPSH-së, pasi një hap i tillë konsiderohej se do të kishte rëndësi politike, kulturore dhe praktike.
Është e qartë se këto marrëdhënie fqinjësore ishin prioritet për elitën shqiptare në Prishtinë, e cila në kontekstin e normalizimit të marrëdhënieve Tiranë-Beograd do të mund të shfrytëzohej një hapësirë e pranueshme politike dhe kushtetuese që të arrihej reciprociteti sa më i madh i shkëmbimit kulturor-arsimor. Natyrisht, ky reciprocitet ishte një avantazh për Kosovën pasi republikat e tjera nuk kishin ndonjë interes të veçantë për marrëdhënie me Shqipërinë dhe në këtë kuadër Kosova përfitonte shumë në shkëmbimin e kuadrove, bursave për studentë të shkollave të larta dhe fakulteteve për studime postdiplomike, si dhe për specializim dhe doktorata. Por, në fillim të viteve ‘70, siç nënvizon dokumenti, në raportet ekonomike shqiptaro-jugosllave, Kosova me RP të Shqipërisë merr pjesë me vetëm 1.5 për qind të shkëmbimit. Sigurisht kjo ndodhte për shkak se prodhimet në eksportin e Kosovës për në RPS të Shqipërisë ende nuk paraqesin ndonjë pjesë të rëndësishme të eksportit, as për nga vlera dhe as për nga sasia. Por, që pas disa viteve respektivisht në vitin 1978 pjesëmarrja e Kosovës në këmbimin e gjithmbarshëm të RSF të Jugosllavisë me RS të Shqipërisë kishte arritur nën 13.74 për qind me tendencë rritjeje të mëtejshme në vitin 1980. Vlen po ashtu të përmendet se Kosova eksportonte pambukun e njomë, vaj ushqimi, gypa me tegela, legurat e plumbit, rripat prej gome, shiritat transportues prej gome, libra etj. Ndërsa, nga Shqipëria për çdo vit importoheshin sasi të konsiderueshme të duhanit (të klasit të ulët), të cilat fabrikat tona i përzienin, për prodhimin e duhan cigareve të vendit, prodhime drusore, mbathje sportive e suvenire.
Në këtë linjë duhet shikuar edhe tezat e Ukshin Hotit: “Marrëdhëniet midis RSF të Jugosllavisë dhe të RP të Shqipërisë-Pozita e KSA të Kosovës dhe detyrat e saj”, dokument të cilin ai në emër të Sekretariatit për marrëdhënie me Botën e Jashtme ia kishte dërguar Kryesisë së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Tezat paraqesin orientimet strategjike për zhvillimin e marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri. Ky dokument i hartuar nga Ukshin Hoti dhe që nuk ka qenë për publikun e gjerë, pos për drejtuesit e elitës politike në Prishtinë, ravijëzon orientimet kryesore të marrëdhënieve me jashtë të Kosovës, në këtë rast me prioritet në raport me Shqipërinë.
Përveç kësaj, këto teza të Hotit të hartuara në vitin 1974 në embrion navigojnë identifikimin e interesit rajonal, por edhe atë makrorajonal, ekonomik, kulturor, arsimor të Kosovës. Në të njëjtën kohë, dokumenti jep një pasqyrë të përgjithshme edhe të marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me vendet e tjera të botës, si dhe jep disa të dhëna për zhvillimin e saj si një vend agraro-industrial.
Dokumenti është konceptuar me një përmbajtje e cila mund të ndahet në tri pjesë: pjesa e parë merr në shqyrtim marrëdhëniet Shqipëri-Jugosllavi, ndërsa pjesa e dytë është përqendruar te dimensioni historik i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe në pjesën e fundit janë propozimet e masave, të cilat janë një lloj udhëzuesi në cilin drejtim duhet të shikohen mundësitë dhe mënyrat e avancimit të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor midis Kosovës dhe Shqipërisë.
Nga përmbajtja e këtij dokumenti dhe nga aktet e tjera arkivore del qartë se synimi i Ukshin Hotit ishte që në kontekstin e zgjerimit të bashkëpunimit në mes të Shqipërisë dhe RSFJ-së, të konsolidohej më tej identiteti i Sekretariatit të Kosovës për Marrëdhënie me Botën e Jashtme, në mënyrë që përmes këtij institucioni akoma me atribute subshtetërore të ndërtohej një marrëdhënie me botën e jashtme, duke u dhënë njëkohësisht prioritet edhe marrëdhënieve ndërshqiptare Kosovë-Shqipëri me qëllim të ndërgjegjësimit kombëtar dhe rritjes së kapaciteteve akademike, sidomos të Universitetit të sapothemeluar të Prishtinës. Në këtë linjë, Kosova luante një rol proaktiv dhe cytës në drejtim të Sekretariatit Federativ për Marrëdhënie me Jashtë në lidhjen e marrëveshjeve bilaterale me Shqipërinë, duke pasur parasysh që një marrëdhënie e tillë krijonte hapësirë më të madhe për bashkëpunimin kulturor-arsimor të Kosovës me Shqipërinë, të cilat kishin rëndësi politike, kulturore dhe praktike.
Për më tepër, ky dokument është një lloj platforme politike me orientime strategjike për kahet e zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në kontekstin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Në këndvështrimin e Ukshin Hotit marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri duhej të përqendroheshin në fushën e arsimit, kulturës, shkencës dhe ekonomisë, duke i dhënë prioritet bashkëpunimit midis Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës, që po ashtu nënkuptonte edhe shkëmbimin e ligjëruesve. Ndërsa në pjesën përmbyllëse të këtij dokumenti, ofrohen disa propozime të masave, përmes të cilave Hoti synonte t’i ravijëzonte edhe më qartë mënyrat dhe dinamikat e realizimit të bashkëpunimit me Republikën e Shqipërisë.