Analizat e ADN-së së lashtë nga ekipi hulumtues tregojnë se gjatë periudhës së kontrollit romak, kishte një kontribut të madh demografik të njerëzve me prejardhje nga Anadolli që la një gjurmë gjenetike afatgjate në Ballkan, por kishte edhe njerëz të stepave si hunët të ardhur në shekullin 3 para rënies së Romës, shkruan bashkautori Michael McCormick, profesor i historisë mesjetare në Universitetin e Harvardit. Studimi konstaton: “Pasi Roma pushtoi Ballkanin, ajo e ktheu këtë rajon kufitar (Ilirikun, nënvizimi ynë) në një udhëkryq, që do të krijonte përfundimisht 26 perandorë romakë, duke përfshirë Kostandinin e Madh, i cili e zhvendosi kryeqytetin e perandorisë në Ballkanin lindor kur e themeloi qytetin e Kostandinopojës”
Në bazë të hulumtimeve të arkeogjenetikës është zbuluar se pas pushtimit të Ilirikut nga Roma, përbërja e popullsisë atje nuk kishte ndryshuar. Íñigo Olalde, studiues Ikerbask (Fondacioni Shkencor Bask, themeluar nga Qeveria Baske në vitin 2007)) në Universitetin Bask dhe bashkautor i studimit multidisiplinar shkruan: “Një surprizë e veçantë është se nuk ka asnjë provë të një ndikimi gjenetik në Ballkan të emigrantëve me origjinë italike; - gjatë periudhës perandorake, ne zbulojmë një fluks të pasardhësve me prejardhje nga Anadolli në Ballkan dhe jo atë të popullsive që vijnë nga populli i Italisë. Studimet arkeogjenetike tregojnë: “Këta të ardhur nga Anadolli dhe disa raste edhe nga distanca më të largëta si Sudani (Afrika) u integruan intensivisht në shoqërinë lokale, si p.sh. në Viminacium (Serbia e sotme Lindore, nënvizimi ynë), ku ekziston një sarkofag jashtëzakonisht i pasur në të cilin gjejmë një burrë me origjinë vendase dhe një grua me origjinë anadollake të varrosur së bashku”.
Analizat e ADN-së së lashtë nga ekipi hulumtues tregojnë se gjatë periudhës së kontrollit romak, kishte një kontribut të madh demografik të njerëzve me prejardhje nga Anadolli që la një gjurmë gjenetike afatgjate në Ballkan, por kishte edhe njerëz të stepave si hunët të ardhur në shek. 3 para rënies së Romës, shkruan bashkautori Michael McCormick, profesor i historisë mesjetare në Universitetin e Harvardit, Francis Goelet. Studimi konstaton: “Pasi Roma pushtoi Ballkanin, ajo e ktheu këtë rajon kufitar (Ilirikun, nënvizimi ynë) në një udhëkryq, që do të krijonte përfundimisht 26 perandorë romakë, duke përfshirë Kostandinin e Madh, i cili e zhvendosi kryeqytetin e perandorisë në Ballkanin lindor kur themeloi qytetin e Kostandinopojës”.
Studimi zbulon edhe ardhjen e mëvonshme (shek. 6) në shkallë të gjerë në Ballkan të individëve gjenetikisht të ngjashëm me popullatat moderne sllavishtfolëse të Evropës Lindore, ku gjurmët e tyre gjenetike të gishtërinjve përbëjnë 30 – 60 për qind të prejardhjes së popujve të sotëm ballkanik. Lalueza-Fox, njëri prej autorëve kryesorë të hulumtimit shkruan: “Kjo punë ilustron se si të dhënat gjenomike mund të jenë të dobishme për të shkuar përtej debateve të diskutueshme rreth identitetit dhe prejardhjes që janë frymëzuar nga tregimet historike të rrënjosura në nacionalizmat e sapolindur të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe që kanë kontribuar në konflikte në të kaluarën".
Ilirishtja e pashkruar dhe vetëmjaftimi me forcën e fjalës
Noel Malcolm vazhdon me argumentet se “fjalori për florën dhe faunën për viset e larta malore, është në shqip, ndërsa fjalori i ultësirave, ka huazime të shumta sllave; fjalët për punimin e tokës janë kryesisht sllave dhe një pjesë e madhe e fjalorit të pushtetit dhe shoqërisë mesjetare shqiptare është po ashtu me bazë sllave”. Derisa më parë, sipas tyre, emërtimi i vendbanimeve nuk ndërlidhej me popullin ilir dhe shqiptar, tani emërtimet në gjuhën sllave lidhen me popullatën sllave. Edhe pse gjuha është njëri prej argumenteve shumë të rëndësishme për një popull, siç është shqipja për shqiptarët e sotëm, megjithatë kur bëjmë analiza historike për popujt e ndryshëm, duhet pasur shumë kujdes që ta bëjmë dallimin ndërmjet gjuhëve të shkruara dhe atyre të pashkruara.
Gjuha ilire dhe shqipe, për kohën që po e trajtojmë, kanë qenë gjuhë të folura e jo të shkruara, dhe të provosh të ndërtosh argumente gjuhësore për prejardhjen e një populli me një gjuhë të shkruar shumë pak ose të pashkruar fare, është njëlloj sikur të kërkosh ujë në shkretëtirë. Kjo është një mungesë e madhe, por ekzistenca e një populli nuk mund të lidhet vetëm me gjuhën e shkruar. Është shumë e çuditshme se si ilirët jetuan në fqinjësi me dy kulturat e mëdha të kohës, atë helene dhe romake, e të cilat nuk ndikuan në prodhimin e mendimit dhe të kulturës shkrimore në gjuhën ilire, e pangjashme me rastet e tjera të shkëmbimeve kulturore, të cilat kanë nxitur zhvillime përkatëse kulturore, si p.sh. kultura shkrimore fenikase që nxiti lindjen e gjuhës helene etj.

Sikur të gjithë ata që nuk lanë gjurmë shkrimore u konsideruan si djaj dhe ata që shkruanin, engjëj! Me gjasë mënyra e jetës në struktura shoqërore më të thjeshta, nuk e nxiti nevojën për shkrim duke u vetëmjaftuar me forcën e fjalës, fjala e dhënë ishte mënyra universale e komunikimit ndërmjet ilirëve dhe shqiptarëve. Ata, kur kishin nevojë shkruanin në gjuhët e fqinjëve të tyre, mund të thuhet një zgjidhje ekonomike, por gjithashtu kjo tregon se ata jetonin ende në shtratin e të përgjithshmes, ende nuk mendonin për vete, gjë e cila u solli probleme në histori. Në natyrë dhe në shoqërinë njerëzore hasen zhvillime të tilla atipike apo sui generis. Ilirët dhe shqiptarët edhe pse bënë mënyrë të vjetër të jetës pranë natyrës në periferi të zhvillimeve shoqërore të kohës, ata kultivuan mënyrë të të menduarit dhe botëkuptim të përgjithshëm, ata patën mundësi të jetonin më shumë se secili popull tjetër në botë bashkë me të kundërtit e tyre, duke u nisur nga fakti se edhe i kundërti i tyre ishte sikur ata. Sa më i vjetër që është një popull, aq më shumë i takon të gjithëve, mund të jetojë në bashkësi – familje të mëdha, në llojllojshmëri rregullash e besimesh, siç jetojnë sot shqiptarët në harmoni të plotë me të gjitha besimet kryesore të botës, por shpenzimi i energjive në këtë mënyrë jetese, e ka lënë prapa dhe të vonuar shoqërinë shqiptare, sikur që ishte edhe ajo ilire. Mbase edhe ky është një argument që i lidh shqiptarët me ilirët.
Siç dihet në kohën e sundimit romak, dokumentet shkruheshin vetëm në gjuhën latine dhe kjo nuk do të thotë se ilirët ishin romakë, njëlloj sikur shqiptarët nuk ishin turq e as serb kur ata, duke e pas të ndaluar gjuhën e tyre, ishin të detyruar të shkruanin në gjuhën turke dhe serbe. Edhe prindërit tanë shkruanin në gjuhën serbe dhe sigurisht që nuk ishin serbë. Shkallëzimi gjeografik i përdorimit të gjuhës sllave dhe shqipe tregon saktësisht të vërtetën për lëvizjen e detyruar të ilirëve në kohën e dyndjeve sllave dhe transformimn e tyre në arbër. Fjalët shqipe të ruajtura në viset malore të shqiptarëve të sotëm na tregojnë se atje, në mungesë të ndërhyrjeve gjuhësore të popujve të ardhur në Ilirik, ruajtën gjuhën e të parëve të tyre, me gjasë të madhe të gjuhës ilire, sepse gjuha e as populli shqiptar nuk lindi prej asgjëje në atë kohë dhe në atë vend. Përdorimin e gjuhës shqipe nuk e gjejmë jashtë territoreve ilire. Jeta baritore nuk ishte ekskluzivitet vetëm i shqiptarëve, jetë të ngjashme baritore bënin edhe ilirët, të cilët me kalimin e kohës zbritën dhe jetonin më shumë në ultësira, sigurisht se ilirët bënin edhe jetë qytetare, por shkruanin në gjuhët e fqinjëve të tyre, që tani edhe studiuesve u krijon probleme. Kjo tregon edhe një herë se gjuha e shkruar ndonjëherë nuk mund të shfrytëzohet si argument.
Kur sllavët erdhën në Ilirik
Kur sllavët erdhën në Ilirik, fillimisht bënin jetë baritore në malet e Bosnjës së sotme, por më vonë me fuqizimin e tyre ata i pushtuan ultësirat, e vendosën administratën në gjuhën e tyre, duke e shtyrë një pjesë të popullatës vendëse ilire drejt maleve. Në anën tjetër një pjesë e ilirëve që jetonin nëpër qendrat qytetare, që nga koha e kolonive helene, iu përshtatën jetës nën sundimtarë, gjuhë dhe kultura të huaja. Kjo do të thotë se ilirët, përpos maleve, jetonin edhe në qytete, por me emër të huaj, të cilët në Mesjetë, na shfaqen si shqiptarë që e përdornin një gjuhë me bazë sllave dhe kjo nuk do të thotë se ata ishin në tërësi sllavë. Këtë e dëshmon edhe John Fine, i cili shkruan: “Duke qenë se në çdo pjesë të Ballkanit kishte sllavë..., megjithatë ata nuk ishin kudo, në shumë vende mbeti një numër i konsiderueshëm i popullsisë autoktone (ilirët ishin popullata më masive autoktone, nënvizimi ynë), diku si xhepa të izoluar e diku në afërsi ose edhe në të njëjtat bashkësi me sllavët”.
Pra marrëdhënia e popujve të ardhur dhe atyre vendas ishte shumë e ndërthurur dhe jo thjesht e këtij apo e atij entiteti gjuhësor ose etnik. Sipas të dhënave antropologjike, biologjike dhe gjenetike, gjuha nuk është përcaktuese e përkatësisë etnike, pjesëtarët e pakicës greke në Shqiperi, edhe pse e flasin dhe e shkruajnë gjuhën shqipe, ata megjithatë, nuk janë shqiptarë, dhe po ashtu çamët në Greqi edhe pse e flasin dhe e shkruajnë gjuhën greke, ata megjithatë, nuk janë grekë. Këtë e dëshmon edhe shembulli shkollor i shkallëzimit gjeografik të humbjes së gjuhës shqipe te shqiptarët e Novi Pazarit të sotëm. Në vendbanimet rrëzë maleve, popullata vendëse flet shqip, në gjysmëultësira gjuha shqipe fillon të përzihet me gjuhën boshnjake (ndikimi i difuzionit demik) dhe në ultësira – në qytet, shumica dërmuese e popullatës flasin vetëm në gjuhën boshnjake. Procesi i humbjes së gjuhës si veçori kulturore, nuk përcillet edhe me procesin e humbjes së etnicitetit, gjakut apo gjenetikës së tyre. Kështu për 2000 vjet u tret baza kulturore, por jo në tërësi edhe ajo biologjike e ilirëve dhe e shqiptarëve, ajo vazhdon të jetë e përzier në popullatat sllave, turke, greke etj. Ky është një proces që ndodh me të gjithë popujt e botës.
Edhe pse në popullatat që dynden mund të ndërhyjnë në përbërjen gjenetike të popullatave vendore, nëpërmjet martesave, megjithatë është konstatuar se gjuha duke pasur veçori të tjera transmetuese te tjetri, është lehtësisht më e përhapshme në një popullatë vendase se sa gjenet – ADN. Në pyetjen se a i lënë pushtuesit gjenet e tyre prapa, hulumtimet kanë treguar jo në masën më të madhe. Një studim (në popullatat e Britanisë së Madhe, nënvizimi ynë), edhe pse në dy studime të mëhershme ishte konstatuar një përqindje e konsideruar, një studim i tretë i mëvonshëm argumentoi se nuk kishte asnjë ndikim të vikingëve në popullatat britanike. Ndërkohë, Bryan Sykes pohon se shumica e ADN-së në Ishujt britanikë e kishte origjinën nga një migrim parahistorik nga Gadishulli Iberik dhe se pushtimet e mëpasme kishin pak ndikim gjenetik në popullatat angleze.
Shkëputur nga libri “Antropologjia shqiptare” në dorëshkrim. Fusnotat janë hequr nga Redaksia