Shtojca për Kulturë

Rock për Edi Kingun, legjendën që nuk vdes kurrë

Se Edi Kingu nuk vdes kurrë, mesazhi i koncertit ka qenë i qartë: “Legends Never Die”

“Legends Never Die”, ka qenë mesazhi i koncertit përkujtimor për Edi Kingun dhe një thirrje e tillë është dëshmuar prej miqve e kolegëve të tij. Janë bashkuar në njëvjetorin e vdekjes së tij, teksa kanë sjellë disa prej këngëve që mbajnë edhe vulën e avangardistit të muzikës shqipe

Ka qenë gati e nënkuptueshme dhe s’ka pasur tjetër mënyrë për ta kujtuar Edi Kingun, pos me një koncert rocku. Në njëvjetorin e avangardistit të muzikës shqipe, kanë qenë miqtë e tij të cilët janë bërë tok në koncert përkujtimor në Pejë. Në repertor, kanë qenë edhe këngë të cilave njëri prej rockerëve dhe bateristëve më të mirë në Kosovës, bashkëthemelues i grupit ikonik “Seleksioni 039”, u ka dhënë frymë, e ato tashmë janë shënjuese të historisë muzikore të këtyre anëve.

Emra të njohur të rock-muzikës në Kosovë, përfshirë Gëzim Hasku (Geza) në kitarë elektrike, Besim Gashi-Babuka në bateri, vokalistin llir Baxhaku, Birol Urcan në kitarë elektrike, Xhemil Gjini në perkusione, Gent Gorani në bas, janë mbledhur të premten mbrëma në hotelin “Çardak” për të kujtuar mikun e tyre Eduard Meraku, apo siç njihej me emrin artistik, Edi Kingu, i cili vdiq më 13 janar të vitit të kaluar. Ai ishte 65 vjeç.

Mbrëmja nisi nën ritmin e këngës “Mëngjesi” të cilën dikur e kishte kënduar vet Kingu ndërsa në kujtim të tij e këndoi Erëza Çerkini. Zëri i fortë i Çerkinit bëri që atmosfera të ndizej menjëherë dhe qysh në çastet e para publiku ta kapë ritmin. Në nderim të Kingut, Çerkini këndoi edhe dy hite të tjera të tij: “Ajo mua më tha” dhe “Nuk i dua retë”, refreni i së cilës: “nuk i dua retë, nuk e dua as shiun, nuk e du as veten, as ty nuk të dua kur nuk je me mua”, u përsërit disa herë në rotacion midis publikut dhe këngëtares.

Sallën e mbuloi melankolia atëherë kur u dëgjuan vargjet e para të këngës fort të dashur të Edi Kingut, “Shumë të dua” e cila është një ripërpunim a version i shqipëruar i këngës “Amor mio” të “Gipsy King”.

Këngët e këtij artisti që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e rock- muzikës në Kosovë i ka kënduar publiku në kor. Nismën për këtë organizim, i cili bëri bashkë familjarët, kolegët e adhuruesit e Edi Kingut, e kishin bërë dy miqtë me të cilët Edi Kingu kishte performuar disa herë në të gjallë.

“Edin e ka njohur e gjithë Kosova...”

“Këtë organizim e kanë bërë Edi Çivlaku dhe Gent Gorani. Këta janë muzicientë basistë dhe kitaristë të cilët gjithashtu kanë performuar me Edin shumë, kështu që ata e kanë shprehur dëshirën për hir të këtyre muzicientëve. Por, edhe ne e kemi ndërmend të bëjmë edhe një organizim në të ardhmen me ‘Seleksionin 039’ për shkak se Edi ka qenë këngëtar i këtij grupi. Për të ardhur këtu disa madje edhe e kanë humbur punën sonte, kanë pasur të performojnë në Prishtinë, por i kanë lënë punët e veta dhe kanë ardhur, pavarësisht se ka qenë edhe mjaft ftohtë”, ka thënë Gëzim Hasku – Geza, dikur anëtar i “Seleksionit 039”.

Ish-kolegun e mikun e tij Edi Kingun, kitaristi i shquar ka thënë se do ta kujtojë si rocker, personalitet të butë dhe kontribuues të madh të rock-muzikën kosovare. Geza – ashtu si edhe disa muzikantë të tjerë – në koncert ka pasur veshur fanellën me portretin e Kingut.

“Edin e ka njohur e gjithë Kosova, po mendoj si këngëtarë të mirë, si person, si kontribuues i rockut, në funk dhe soul të Kosovës. Njerëzit e kanë respektuar shumë në aspektin muzikor, por edhe si person e sot i falënderoj muzicientët që kanë ardhur edhe nga qytetet e tjera, dhe që kanë shprehur dëshirën për të performuar në kujtim të Edit”, ka thënë Hasku.

Vokalisti Ilir Baxhaku, i cili performoi këngën ritmike të “Gipsy King” dhe “Los Lobos”, “La Bamba”, ka treguar se si Edi Kingu ishte bërë frymëzim që ai të fillonte karrierën muzikore.

“Edhe pse Edi ka qenë një gjeneratë mjaft më e vjetër se unë, ai ka qenë njëra ndër arsyet që unë kam vendosur, qysh në moshë të re të bëhem këngëtar, pasi e pata parë duke performuar diku në Prizren, prej nga edhe vij”, ka thënë ai.

Në rolin e dikujt që e ka njohur për nga afër Edi Kingun, Baxhaku, i cili këndoi disa nga këngët e preferuara të mikut të tij tashmë të ndjerë, ka ndarë diçka edhe nga kujtimet për personalitetin dhe natyrën e tij.

“Edi ka pasur shokë të mirë nëpër të gjithë Kosovën. Ai ka qenë një njeri shumë i dashur, një njeri që të ka dhënë shumë vullnet dhe shumë shtytje të rinjve. Domethënë nëse ai e ka ditë se dikush ka talent, ka shku dhe e ka dëgju, është marrë me të, i ka dhënë vullnet dhe ia ka mundësuar, me aq sa ka mundur, të merret me muzikë. Edi ka qenë ashtu siç edhe e kemi quajtur, ‘King’”, ka përfunduar Baxhaku i cili performoi edhe këngë si “Let’s dance” të David Bowie apo “Black Magic Woman” të Santanas.

Këngëtarja Erëza Çerkini, e cila së bashku me Baxhakun kënduan pothuajse tri orë rresht, tregoi se ajo ishte rritur me muzikën e Edi Kingut dhe se ftesa për të performuar këngët e tij, vetëm se e kishte nderuar edhe më shumë.

“Unë jam rritë, prindërit e mi janë rritë me muzikën e tij. Ka qenë një ndjenjë e papërshkrueshme fakti që i kam kënduar këngët e tij dhe të bëj muzikë me njerëzit që kanë bërë muzikë me Edi Kingun. Nuk ka pasur asnjë diskutim. Si me kanë ftuar kam thënë: ‘Po, patjetër’. Mendoj se duhet të jemi shumë, shumë krenarë dhe jemi shumë me fat që kemi pasur krijues siç ka qenë Edi Kingu edhe komplet bendi i tij”, ka thënë Çerkini e cila gjithashtu interpretoi disa nga top-hitet që Edi Kingu i kishte pëlqyer si: “Valerie” të Amy Winehous, “Nah neh nah” të Vaya Con Dios, “I Will Survive” të Gloria Gaynor, “Purple Rain” të Prince e të tjera.

Image
Emra të njohur të rock-muzikës në Kosovë, janë mbledhur të premten mbrëma në Pejë për të kujtuar mikun e tyre Eduard Meraku, apo siç njihej me emrin artistik, Edi King, i cili vdiq më 13 janar të vitit të kaluar

Inspirim për shumë gjenerata

Përveç këngëtarëve dhe muzicientëve në sallë pati edhe shumë adhurues e miq të Edi Kingut të cilët kishin ardhur për ta kujtuar e dëgjuar edhe njëherë këngët e tij.

“E kemi pasur shok, e kemi dashur të gjithë dhe ka qenë inspirim për shumë gjenerata. Atë do ta mbaj në mend si një njeri të hareshëm, shok të mirë dhe gjithmonë i gëzuar”, ka kujtuar Bekim Lajçi.

Edi Kingu kishte nisur të merrej me muzikë qysh i ri. Ishte në hap me botën sa u përket zhanreve që arritën kulimin e popullaritetit. Në vitet ‘60 komuniteti afrikano-amerikan duke përzier zhanret soul, jazz e blues do të nxirrnin në pah zhanrin funk që njihet edhe si muzikë e vallëzimit. E ritmi është thelbësor në këtë stil. Pikërisht në bateri lunte Edi King. Për këtë nga kolegët muzikantë njihet edhe si një prej bateristëve më të mirë në Kosovë sa i përket këtij stili. Do të shquhej edhe si vokalist.

Në vitin 1982 bashkë me vokalistin Ardijan Rrusta, bas-kitaristin Nehat Kollçaku, Gëzim Haskun (Geza) në kitarë elektrike Gyltekin Vallën në bas-kitarë, do të themelonin grupin “Seleksioni 039”. Bendi shpejt do të bënte emër në vend e edhe në shtetet e rajonit. Në grup më vonë do të vinin të rinj e do të iknin disa prej themeluesve, por fryma ishte ruajtur. “Seleksioni 039” njihet për këngët “Baraz dashuri”, “Harro princin!”, “Ndeja”, “Nuk i dua retë”, “Satana ime”, “Semafori defekt”, “Ti je dritë e unë jam yll”, “Tre të humbur në magji” e të tjera.

Edi King nuk ishte i shpeshtë në intervista televizive. Edhe kur paraqitej në studio, u shmangej pyetjeve që kishin të bënin me karrierën e tij. Fliste më shumë për zhanret muzikore, e deri te trendët që ndiqeshin viteve të fundit.

Menjëherë pas luftës së fundit së bashku me bashkëvendësin e tij nga Peja, bateristin e shquar Besim Gashin (Babuka) – që po ashtu iu bashkua “Seleksioni 039” në vitet e arta – kishin realizuar këngën “Shumë të dua”.

“S’po mund ta besoj këtë, jam tejet i pikëllueshëm. Na la Edi, shoku i gjithë jetës sonë. S’paska më rëndë se me përjetu diçka të tillë”, kishte shkruar Babuka, kur u dha kumti për vdekjen e Edi Kingut, mbrëmjen e 13 janarit të vitit të kaluar.

Në shkurt të vitit 2018, në një intervistë të shkurtër në Kohavision, Edi King do të tregonte se “Shumë të dua”, ishte punuar duke u bazuar në muzikën e grupit të njohur botëror, “Gipsy Kings”, i njohur për një kapitull të ri të shkrirjes midis flamencos e salsas.

“I flenë stilit tim ajo këngë dhe e realizuam me Babukën. Është këngë shumë e kërkuar, nuk kalon mbrëmje pa u kënduar”, kishte thënë ai.

Në bazë të përvojës kishte treguar se ka përshtypjen se në ambientet shqiptare kërkohet më shumë muzika e vjetër qytetare. “Unë filloj pak në anglisht e pastaj shëtis”, rrëfente ai duke qeshur derisa tregonte se brenda një mbrëmjeje ku bënte muzikë shëtit nëpër zhanre. Sidomos gjatë verës ishte aktiv me mbrëmja muzikore. Në këtë stinë ishte i pranishëm edhe në vendet e rajonit. Ulqinin dhe Durrësin i kishte si baza të përkohshme. Fliste me shumë pasion për muzikën.

“Ne e duam këtë punë. Është me rendësi të duash diçka dhe pastaj e bën”, kishte thënë ai.

Thoshte se në vitet ’80 ka qenë muzika më e mirë që është dëgjuar në Kosovë. Ajo ishte koha kur rocku në Kosovë kishte marrë njëfarë hovi, sidomos në qytetet si Prishtina, Peja e Mitrovica. Grupe të reja formoheshin gjithandej. Për këtë, ajo kohë konsiderohet si më e arta sa i përket muzikës e edhe artit në përgjithësi.

“Ka shumë muzikë të mirë shqip. Po flas për rock. Duhet të punohet më shumë”, kishte thënë ai. Për kapërcimet në zhanre disa herë kishte treguar se varësisht nga kërkesat e tregut “devijonte”, por i mbetej besnik rockut. Por shihej se këtë nuk e bënte me qejf. Përtej kësaj bënte thirrje që talentet e rinj të dalin në pah duke mbushur skenat muzikore në mënyrë që të ndikonin edhe te shijet muzikore të publikut. Thoshte se kur të rinjtë të jenë më aktivë do të nisin të kërkohen më shumë.

“Mendoj se Kosova ka shumë talentë të rinj. Për fat të keq për të mundur të mbijetojnë disa po bëjnë muzikë që nuk është edhe aq. Por Kosova ka shumë talente të rinj dhe shpresoj që do të mbërrijnë të dalin në skenë”, kishte thënë ai. E talentët e rinj, frymëzimin e kanë të gatshëm. Edi Kingun që është pionier e shteghapës i trendëve të botës në Kosovë.