Në deklaratën për shtyp, të datës 19 janar 1999, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, duke iu referuar raportimit zyrtar të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, dënonte ashpër masakrën ndaj shqiptarëve në fshatin Reçak të Kosovës jugore, për të cilën i bënte përgjegjëse autoritetet serbe dhe ato jugosllave. Këshilli i Sigurimit vuri në dukje se viktimat ishin civilë, duke përfshirë gra dhe të paktën një fëmijë. Në një deklaratë të lexuar nga Presidenti i saj, Celso L. N. Amorim (Brazil), Këshilli vuri në dukje se kundër këshillave të qarta nga Misioni Verifikues në Kosovë, forcat serbe ishin kthyer në Reçak më 17 janar 1999 dhe se luftimet kishin shpërthyer. Në të vërtetë, ky rikthim i forcave serbe, siç do të kuptohet më vonë, ndodhi me urdhër të institucioneve më të larta serbe në Beograd, me qëllim që të rrëmbeheshin kufomat dhe të manipuloheshin provat
Këshilli i Evropës: Autoritetet serbe janë përgjegjëse për vrasjen masive të civilëve shqiptarë të Kosovës në Reçak
Në deklaratën për shtyp të Byrosë së Asamblesë së Përgjithshme Parlamentare të Këshillit të Evropës Këshillit të Evropës, i datës 18 janar, thuhej qartë: “Autoritetet serbe janë përgjegjëse për vrasjen masive të civilëve shqiptarë të Kosovës në Reçak, e cila përbën krim kundër njerëzimit”. Sipas raporteve të Misionit Verifikues të Kosovës, nuk kishte dyshim se viktimat, duke përfshirë gra dhe fëmijë, ishin ekzekutuar nga afërsia nga forcat serbe të sigurisë. Byroja rikujtonte qëndrimin e Asamblesë se Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ka një juridiksion në Kosovë, si dhe bëri thirrje për dërgimin e menjëhershëm të hetuesve të Tribunalit në vendin e masakrës, në mënyrë që të sigurohet se autorët dhe nxitësit e këtij krimi të tmerrshëm të sillen para drejtësisë. Përveç kësaj, Byroja nënvizoi se reagimi i qeverisë serbe ndaj vrasjeve në Reçak, duke fajësuar viktimat dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, ishte i egër dhe krejtësisht i papranueshëm. Byroja, gjithashtu, vendosi t’i propozonte Asamblesë që situata e përkeqësuar në Kosovë të debatohej me procedurë urgjente në një seancë të ardhshme, që do të mbahej nga 25 deri më 29 janar 1999 në Strasburg.
Veç kësaj, lidhur me masakrën e Reçakut një deklaratë dënuese e bëri edhe presidenti i Kongresit të autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Evropës të Këshillit të Evropës, Alain Chenard:
“I dënoj fuqishëm zhvillimet e fundit në Kosovë, të cilat shënojnë kthimin në traditën më të keqe të krimeve të luftës, gjenocidit dhe spastrimit etnik [...] Ne kishim shpresuar se fryma e bashkëpunimit mund të zëvendësonte ‘logjikën e luftës’. Masakra e fundit e civilëve nga forcat serbe nuk lë më shpresë për këtë zgjedhje në të ardhmen e afërt. Prandaj u bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe të gjithë atyre që kanë fuqi për të vepruar në terren, veçanërisht NATO-s, që t’i marrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar të drejtat më themelore të njeriut dhe mbrojtjen e popullatës civile në rajon më të gjitha mjetet e duhura, veçanërisht ato që mundësojnë presionin e vërtetë mbi presidentin Millosheviq. Për më tepër, ata që janë përgjegjës për krimet e luftës, duhet të arrestohen dhe të sillen para Gjykatës Ndërkombëtar në Hagë”.
Më tej, në këtë deklaratë theksohej se strategjia aktuale e Qeverisë serbe minon të gjitha negociatat që synojnë adresimin e statusit të ardhshëm të Kosovës. U tërhoq vërejtja se nëse nuk do të ndërmerreshin veprime të fuqishme, atëherë ekzistonte rreziku i një spiraleje dhune të llojit çfarë kishte ndodhur në Bosnjë e Hercegovinë, me rrezik real që ky konflikt të përhapej në gjithë rajonin. Një rifillim i dialogut të paanshëm për adresimin e statusit të ardhshëm të Kosovës shihej i mundshëm vetëm pas rikthimit të të drejtave themelore të njeriut për një jetë dhe siguri.
Çështja e masakrës së Reçakut ishte pjesë edhe e agjendës së takimit ndërmjet sekretarit të Përgjithshëm të KE-së, Daniel Tarshys, dhe ministrit të Jashtëm shqiptar. Në deklaratën e tij për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i Këshilli të Evropës dënoi pa mëdyshje masakrën e shqiptarëve shqiptarë të Reçakut dhe i kërkoi Beogradit të mos sfidohej qëndrimi ndërkombëtar. “Kjo paraqet një shkelje flagrante të vlerave më themelore, për të cilat qëndron Këshilli i Evropës”, deklaroi Daniel Tarschys. Duke folur pas një takimi me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Paskal Milo, sekretari i Përgjithshëm i KE-së deklaroi se përgjegjësit për vrasjen e civilëve shqiptarë duhet të sillen para drejtësisë. Ai i bëri thirrje qeverisë së Beogradit t’i japë qasje të papenguar prokurores së Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Louise Arbour, si dhe ta anulojë vendin për dëbimin e shefit të Misionit Verifikues të Kosovës, William Walker. Gjatë takimit të tyre, Tarschys dhe Milo, duke folur për çështjen Kosovës, i bënë thirrje Qeverisë serbe që menjëherë t’i japë fund represionit dhe, njëkohësisht, u bënë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë përmbajtje dhe të përmbahen nga dhuna dhe hakmarrja.
Në deklaratën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dënohej qartë masakra e Reçakut dhe, njëkohësisht, bëhej thirrje për hetimin e menjëhershëm të vrasjeve. Në këtë kontekst, Këshilli i Sigurimit i bënte thirrje Beogradit që ta shfuqizonte vendimin për dëbimin e Walkerit.
KS i OKB-së: Masakra e Reçakut paraqet kërcënim ndaj përpjekjeve për zgjidhjen e konfliktit me mjete paqësore
Në deklaratën për shtyp të datës 19 janar 1999, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, duke iu referuar raportimit zyrtar të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, dënonte ashpër masakrën ndaj shqiptarëve në fshatin Reçak të Kosovës jugore, për të cilën i bënte përgjegjëse autoritetet serbe dhe ato jugosllave. Këshilli i Sigurimit vuri në dukje se viktimat ishin civilë, duke përfshirë gra dhe të paktën një fëmijë.
Në një deklaratë të lexuar nga presidenti i saj, Celso L. N. Amorim (Brazil), Këshilli vuri në dukje se kundër këshillave të qarta nga Misioni Verifikues në Kosovë, forcat serbe ishin kthyer në Reçak më 17 janar 1999 dhe se luftimet kishin shpërthyer. Në të vërtetë, ky rikthim i forcave serbe, siç do të kuptohet më vonë, ndodhi me urdhër të institucioneve më të larta serbe në Beograd, me qëllim të rrëmbeheshin kufomat dhe të manipuloheshin provat. Në të njëjtën kohë, Këshilli u bëri thirrje palëve që t’i ndërpritnin menjëherë aktet e dhunës dhe të angazhoheshin në bisedime për një zgjidhje të qëndrueshme. Në deklaratën e shefit të Misionit Verifikues në Kosovë u theksua se përgjegjësia për masakrën e Reçakut binte mbi forcat e sigurisë të Qeverisë serbe. Në deklaratën e tij, po ashtu u theksua nevoja për hetimin e fakteve dhe iu bë thirrje urgjente autoriteteve qeveritare të Beogradit që të bashkëpunojnë me Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe me Misionin Verifikues në Kosovë, për të siguruar që përgjegjësit e masakrës të sillen para drejtësisë.
Duke shprehur keqardhjen për vendimin e Beogradit për ta shpallur person non grata shefin e Misionit Verifikues të Kosovës, William Walker, Këshilli rikonfirmoi mbështetjen e tij të plotë për z. Walker dhe për përpjekjet e OSBE-së për të lehtësuar një zgjidhje paqësore. Në këtë kontekst, Këshilli i bëri thirrje Beogradit që ta anulonte vendimin e tij dhe të bashkëpunonte plotësisht me Walkerin dhe Misionin Verifikues në Kosovë.
Gjithashtu, Këshilli shprehu keqardhjen për vendimin e autoriteteve serbe për të refuzuar qasjen e Tribunalit Ndërkombëtar dhe, njëkohësisht, u bëri thirrje autoriteteve të Jugosllavisë së mbetur që të bashkëpunojnë plotësisht me Tribunalin për kryerjen e një hetimi në Kosovë, në përputhje me kërkesat e rezolutave 1160 (1998) të 31 marsit 1998, 1199 (1998) të 23 shtatorit 1998 dhe 1203 (1998) të 24 tetorit 1998.
Më tej, në deklaratën e Këshillit dënohej pengimi i punës së personelit të Misionit Verifikues më 15 janar 1999 dhe të gjitha veprimet që rrezikojnë personelin ndërkombëtar. Në këtë linjë, Këshilli ripohoi angazhimin e tij të plotë për mbrojtjen dhe sigurinë e personelit ë Misionit Verifikues të Kosovës dhe ripërsëriti kërkesat e tij që autoritet shqiptare të Kosovës dhe ato të Jugosllavisë së mbetur të bashkëpunojnë plotësisht me këtë mision.
Duke i konsideruar të gjitha këto ngjarje si shkelje të rezolutave të tij dhe të marrëveshjeve dhe angazhimeve përkatëse që bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje, Këshilli u bëri thirrje palëve ta respektojnë angazhimin e tyre sipas rezolutave përkatëse. Këshilli, njëkohësisht, rikonfirmoi mbështetjen e tij të plotë për përpjekjet ndërkombëtare për të lehtësuar një zgjidhje paqësore mbi bazën e barazisë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet etnike në Kosovë, si dhe përkushtimin e tij për sovranitetin dhe integritetin territorial të “Republikës Federale të Jugosllavisë”.
Këshilli i Sigurimit, në takimin e 19 janarit 1999, mori në konsideratë shqetësimet e ngritura në raportin e Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë për largimin e mijëra civilëve shqiptarë nga fshati Reçak menjëherë pas masakrës, duke tërhequr vërejtjen se mund të ndodhë sërish një krizë humanitare, nëse nuk do të ndërmerreshin hapat nga palët në konflikt për zvogëlimin e tensioneve.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë