Historiografia dëshmon se Louis Braille ishte trevjeçar kur humbi shikimin pas një aksidenti në punishten e babait të tij. Kishte etje të madhe për dije. U pranua në Institutin Mbretëror për të Rinjtë e Verbër në Paris. Aty do të haste në një sistem të ashtuquajtur “shkrimi i natës” i shpikur nga një oficer ushtarak për komunikim në errësirë, i cili përbëhej nga pika të ngritura mbi letër.
Para se të shpikej ky shkrim në fillim të shekullit XIX, mundësitë për njerëzit e verbër për të lexuar dhe shkruar ishin të pakta. Në jo pak shënime shkruhet se shumica mbështeteshin në metoda primitive, si shenjat e ngritura ose shenjat alfabetike të ndiera me dorë, të cilat ishin të ngadalta dhe të vështira për t’u kuptuar.
Braille, ende adoleshent, pa potencialin revolucionar të këtij sistemi dhe e përshtati atë për t’u bërë më i thjeshtë dhe më funksional për njerëzit e verbër.
“Në vitin 1824, në moshën vetëm 15-vjeçare, shpiku një alfabet të bazuar në blloqe me gjashtë pika të ngritura, të cilat mund të kombinonin shkronja, numra dhe simbole muzikore. Kjo shpikje jo vetëm që i dha zë atyre që nuk mund të shihnin, por krijoi një portë për arsimimin, krijimtarinë dhe pavarësinë”, shkruhet për historinë që bëri revolucion.
Megjithatë, përhapja e sistemit të Brailleit nuk qe e menjëhershme. Për dekada, institucionet arsimore refuzuan ta pranonin atë, duke preferuar sistemet e vjetra të cilat shpesh ishin të paefektshme. Vetëm pas vdekjes së Louis Braille në vitin 1852, alfabeti i tij filloi të njihej globalisht.
Sot, Alfabeti i Brailleit është një gjuhë ndërkombëtare e ndjeshmërisë, që përdoret për të shkruar mbi letër të ngritur, ekrane të veçanta, apo pajisje elektronike. Historia e Alfabetit të Brailleit është më shumë se një histori teknike. Konsiderohet si testament për shpirtin njerëzor që refuzon të pranojë kufizime.
E, 4 janari nuk është thjesht një datë, ditëlindje e Louis Brailleit (4 janar 1809 – 6 janar 1852) a kujtimi për të. Prej vitit 2019, shënohet si Ditë Botërore e Brailleit, jo vetëm për ta nderuar këtë figurë por edhe për të rikujtuar sfidat dhe misionin e gjithpërfshirjes.
Me sfida të tilla përballet edhe komuniteti i personave me shikim të dëmtuar në Kosovë.
Shkolla e të verbërve dhe me dëmtime në të parë, prej disa vjetësh Qendër Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda” në Pejë, ka një histori që prej vitit 1982. Enver Ulaj, zëvendësdrejtor i shkollës së vetme të këtij lloji në Kosovë, në Ditën Botërore të Brailleit, ka thënë se ka vjet që përballen me sfida të njëjta. Ajo me tekste, është njëra prej tyre. Shkolla aktualisht ka rreth 25 nxënës pasi politika arsimore e gjithpërfshirjes ka mundësuar integrimin e tyre në shkolla të tjera të rregullta në vend.
“Pothuajse çdo vit ka tekste të reja dhe ne sapo e përfundojmë një tekst shkollor, nxënësit dhe mësuesit nga shkollat e rregullta, që ne i mbështesim, na kërkojnë të njëjtin tekst por nga një botues tjetër. Kjo na nxjerr shumë punë, pasi përgatitja e librit, i gjithë procesi, nga fillimi deri në librin e gatshëm mund të marrë nganjëherë edhe një muaj kohë, kurse autorët bëjnë ndryshime fare të vogla nga teksti paraprak”, ka thënë ai. Formati digjital i teksteve, shënon hap pozitiv por nuk ka qenë gjithherë kësisoj.
“Problem ka qenë një kohë të gjatë sigurimi i teksteve digjitale, pasi nuk na jepeshin nga shtëpitë botuese. Tash kjo mundësohet me ligj, pasi në Ligjin për të drejtat e autorit, janë përfshirë detyrimet nga Traktati i Marakeshit, i cili lejon që e drejta për qasje në dokumente dhe në libra të mbivendoset mbi të drejtën e autorit dhe përmes shtëpive botuese dhe autorët janë të obliguar të ofrojnë materialet në formë digjitale. Shoqata e të Verbërve dhe shkolla jonë kanë lobuar me sukses gjatë hartimit të këtij ligji. Në të kaluarën është dashur një proces i gjatë, skanim faqe për faqe, lexim i tekstit, korrigjimet e shumta, derisa e kemi finalizuar një tekst”, ka thënë Ulaj.
Avancimi i teknologjisë sipas tij ndikon shumë në jetën e përditshme të personave të verbër. Krijon qasje në shumëçka që personat e verbër zakonisht nuk e kishin këtë mundësi.
“Fatkeqësisht kjo teknologji është shumë e shtrenjtë se pajisjet e zakonshme të përdorimit dhe familjet kosovare pak kanë mundësi të blejnë për personat e verbër. Ka dy printera për Braille, edhe pse kushtojnë zakonisht mijëra euro. Dy printerët që kemi janë donacione nga jashtë”, ka thënë ai. Me ligj, janë institucionet vendore që duhet t’u sigurojnë këto pajisje. Kërkesat e shkollës janë të vazhdueshme. Që prej vitit 2018, sipas Ulajt, kanë mbajtur disa takime dhe tryeza me tri ministri.
“Deri tash nuk ka ndryshuar diçka, vetëm se për herë të parë këtë vit Ministria e Shëndetësisë ka filluar të na i sjellë disa pajisje për personat e verbër, pajisje personale si termometra, tensiometra, pajisje me zë për personat e verbër”, ka thënë ai.
Mungesa e librave universitarë është një kapitull më vete. Nuk janë të botuar në Alfabetin Braille. Janë rreth 30 persona të verbër që studiojnë në Kosovë në të gjitha nivelet.
“Ata janë pa mbështetje dhe universitetet pothuajse fare nuk marrin përgjegjësi për sigurimin e literaturës, që i bën studimet e personave të verbër shumë të vështira. Të mos flasim pastaj për materiale e tjera si leximet enciklopedike, fjalorët, librat që lexohen për qejf dhe krejt literaturën tjetër që nuk ekziston fare në Braille”, ka thënë Ulaj. Ndonëse teknologjia ec përpara përditë, ajo nuk gjen zbatim në këtë aspekt.
“Një problem tjetër ka të bëjë me atë që ne e quajmë ‘sinteza vokale’ e gjuhës shqipe, që mundëson leximin digjital. Lexuesit digjitalë krijojnë një qasje shumë të lehtë në tekstet elektronike dhe gjuha shqipe është e vetmja në Evropë që nuk është bërë ende e qasshme në pajisjet elektronike. Kjo do të mundësonte personave të verbër qasje në tekstet e shkruara direkt por edhe përmes softuerve dhe pajisjeve ‘text to speech’. Pas disa dekadave avokimi, vitin e kaluar MASHTI ka hapur tenderin mbi 1 milion për sintezën vokale në gjuhën shqipe, por tenderi është ngatërruar në procedura dhe ka hyrë në një rrugë ku kanë dalë probleme procedurale”, ka thënë ai në Ditën Botërore të Brailleit, që rikujton revolucionin e dikurshëm përballë sfidave të sotme. Mbi të gjitha, i thërret ndërgjegjes për njërën nga të drejtat themelore të njeriut – të drejtën për të lexuar e komunikuar.