Niko Kazanxaki dhe shoqata që mban emrin e tij, janë ura miqësie mes Kosovës dhe Greqisë, mes shqiptarëve dhe grekëve. Kultura duhet t’i japë shembull politikës. E dimë që gjithë Perëndimi, ku më shumë e ku më pak, është i lidhur me Greqinë, ndërsa shqiptarët janë të lidhur me të qysh para Krishtit
Romani i fundit i shkrimtarit më të madh modern grek dhe i njërit prej më të mëdhenjve të letërsisë moderne në botë, Niko Kazanxaki (Nikos Kazantzakis), quhet “Raport El Grekos”, një roman autobiografik që u botua pas vdekjes së autorit. Në atë roman, shkrimtari i raporton piktorit Domenikos Theotokopulos (i njohur me nofkën spanjolle El Greko), e nëpërmjet tij, të gjithë grekëve, për përpjekjet gjatë jetës: “Jam përpjekur të arrija atje ku nuk mund të arrihet.
Gjeneral, beteja mbaroi e unë po ju raportoj. Ja ku kam luftuar, jam plagosur, kam patur frikë, por nuk kam dezertuar”. Në atë raport, autori në prag të vdekjes bën bilancin e jetës. Një trup i rraskapitur nga betejat për ta njohur qëllimin e jetës, i raporton shpirtit grek para se të shkojë e të prehet pranë tij. Meqë njëherë kam shkruar për atë roman, dhe ai shkrim tashmë është i botuar, këtu nuk do të zgjatem më tepër, vetëm se në këtë raport timin të shkurtër dua të tregoj pse e nisa duke folur për romanin e tij të fundit. Janë dy arsye: e para, pasi zbrita në aeroportin “Nikos Kazantzakis”, në Heraklion (Kretë), shkova në rrugën që mbante emrin e El Grekos dhe u vendosa në një hotel, në dhomën e të cilit ishte vënë një letër në mur, ku jepej profili i shkrimtarit të famshëm kretan, ndërsa lart mbi shtrat ishte shkruar epitafi i famshëm i tij. Portreti i tij, i vënë pranë pasqyrës, sikur kërkonte një raport prej meje, se kush isha e ç’kërkoja aty, në Kretën e tij.

Raport për grekët
Nxora pasaportën nga çanta dhe ia lashë përpara. Dhe pavarësisht se e njihja që para shumë vitesh, lidhjen ‘zyrtare’ me të e kisha nga viti 2018, kur Shoqata Ndërkombëtare “Miqtë e Niko Kazanxakit” më ftoi të flisja për të në një konferencë letrare që do të mbahej më 25 prill, në Center for Openness and Dialog (COD), në Tiranë. Aty fola për “Raport El Grekos” dhe aty u njoha edhe me themeluesin dhe kryetarin e shoqatës, Jorgos Stasinakis, i cili atëherë shprehu interesimin e tij për ta hapur degën e shoqatës edhe në Kosovë, pasi tashmë degë të tilla ekzistonin në shumë shtete. Vitin e kaluar më njoftuan zyrtarisht që më kishin zgjedhur kryetar për Kosovë (parantezë: në fund të vitit të kaluar, Shoqata ka organizuar një takim në Prishtinë, ku është diskutuar për Kazanxakin dhe veprat e tij, është shfaqur filmi “Last Temptation of Christ” i Martin Scorseses, bazuar në romanin e autorit grek. Gjithashtu, sivjet do të organizohen dy evente, në Prishtinë dhe Shkup, ku do të themelohet, gjithashtu, dega e Shoqatës, brenda së cilës kanë shprehur interesimin të futen shumë emra të njohur të kulturës, arsimit dhe shoqërisë kosovare. Kështu që, brenda Shoqatës po krijohet edhe grupi i anëtarëve të rregullt Kazantzakis Club, të cilët do të ndikojnë fuqishëm në promovimin dhe përhapjen e veprave të autorit më të madh të Ballkanit dhe njërit ndër më të mëdhenjtë në letërsinë moderne të botës).
Në qershor të këtij viti, pas kthimit nga Athina, mora ftesën për t’iu bashkuar takimit në Kretë, të organizuar nga z. Stassinakis, me rastin e 35-vjetorit të Shoqatës. Në shoqërinë e anëtarëve të saj (disa ishin miq të mi, disa të Kazanxakit, por kishte edhe të të dyve), vizitova muzeun e shkrimtarit, me rastin e 40-vjetorit të hapjes së tij, pastaj plazhin ku është xhiruar skena e vallëzimit të filmit “Zorba the Greek”, nga Michael Cacoyannis, me aktorin e famshëm Anthony Quinn në rolin e Zorbës. Filmi ka qenë i nominuar për shtatë çmime Oscar, tre prej të cilëve i ka fituar, prandaj është e kuptueshme që një lokacion filmik të kthehet në një atraksion turistik, i njohur si “Zorbas Beach”.
Për gjatë tri ditëve, me drejtues, anëtarë, profesorë dhe miq të Shoqatës (Katerina Zografistou, Niki Stavrou, Sofia Ntalampeki, Mairi Panagiotou, Maria, Chedia etj.) vizituam muzeun, morëm pjesë në ceremoninë e nderimit të Stassinakit si anëtar nderi të Këshillit Administrativ të Muzeut, vizituam Zyrën Greke të Shoqatës, ku patëm rastin të njihemi me njëri-tjetrin, ne, përfaqësuesit e shoqatës nga vende të ndryshme; morëm pjesë në takimin përmbyllës ku shkrimtari i njohur grek, Nikos Chryssos (tashmë i përkthyer edhe në gjuhën shqipe), foli për njohjen dhe ndikimin e Kazanxakit në pesë kontinente. Gjithashtu, në kalanë e qytetit, me rastin e 85-vjetorit të botimit të parë të veprës “Odiseja, vazhdim modern”, nga Folk Opera Kretane u dha opera homonime e kompozuar nga Manos Mountakis, i cili kishte punuar në të për 27 vjet me radhë. Historia e kësaj vepre me 33 333 vargje, fillon aty ku mbaron vepra e Homerit. Muzika autoktone greke, interpretimi emocional i dialogëve mes Odiseut dhe Penelopës, pastaj Odiseut dhe Telemakut, e bënë këtë natë të paharrueshme. Një Odise që kthehet në Itakë, vret princat që i vardisen gruas së tij, merr rolin e bashkëshortit, babait dhe mbretit, por është i pakënaqur, prandaj vendos të nis udhëtimin e ri, nëpër detrat e kohës. Bashkëshort, baba, mbret, s’janë gjë tjetër, pos litarë që e mbajnë lidhur pas përgjegjësive përkatëse, prandaj ai i heq ata tre litarë nga qafa, zgjidh litarin e anijes dhe niset. Për të, më e rëndësishme sesa të jetë mbret, është të jetë i lirë.
Liria është mbi gjithçka, kjo është motoja e njohur e Kazanxakit, një moto e vënë edhe në gurin e varrit të tij mbi kalanë ku u dha koncerti: “Nuk shpresoj asgjë. Nuk kam frikë nga asgjë. Jam i lirë”. E, për të qenë plotësisht i lirë, duhet të jesh pak i marrë, siç thotë Zorba: “Njeriut i duhet një grimë marrëzi që ta këpusë litarin për t’u bërë i lirë”. Ai që jeton vetëm është bishë, ose perëndi, thotë Aristoteli. Kjo është dilema që na mundon ne teksa shohim Odiseun tek largohet përsëri si një zot mes qiellit dhe detit, apo teksa bëjmë homazh te varri i Kazanxakit, mbi muret e kalasë, poshtë së cilës shtrihet qyteti. Kryqi i varrit shndërrohet në tra të anijes, ku valon flamuri i lirisë drejt horizontit. Cili gjeni e nget atë anije? Odiseu, apo Kazanxaki, kjo s’ka rëndësi, përderisa personazhi merr nga autori, dhe autori i jep gjithçka nga vetja personazhit të tij.
Kryqi i drunjtë mbi varrin e shkrimtarit ishte thyer nga disa të rinj që dilnin mbrëmjeve afër varrit për të pirë hashash, prandaj ditën e koncertit autoritetet kishin ndaluar vizitat te varri, të cilin e vizitova ditën tjetër, pasi ia zëvendësuan kryqin. Kryqi i thyer u zëvendësua shpejt, mirëpo shtëpia e tij e lindjes nuk do të zëvendësohet asnjëherë, meqë para shumë vitesh ishte rrafshuar me tokë dhe tashmë ishte kthyer në një parking. As në këtë pikë grekët nuk dallojnë nga shqiptarët: nuk dinë ta çmojnë të veten. Ata që e kanë rrënuar shtëpinë nuk kanë qenë të vetëdijshëm për rëndësinë që ka ky shkrimtar për letërsinë dhe kulturën botërore. Megjithatë, shkrimtari kishte lëshuar rrënjë kudo në Kretë, e cila notonte mbi det si ndonjë fletë e hequr dhe e hedhur nga ndonjë libër i Kazanxakit.
Kreta, si ishull mesdhetar mes tre kontinenteve, ka diçka evropiane, diçka aziatike e diçka afrikane. E, megjithatë, është unike. Ajo, siç thotë kapedan Mihali, është e gjallë dhe një ditë mund të lëvizë për t’iu bashkuar Greqisë. Por duket se tash për tash ndihet rehat mes ujit, larg tokave të tjera.

Raporti me grekët
Përveç lidhjeve të njohura në kohën antike, grekët dhe shqiptarët kanë ruajtur lidhjet kulturore edhe në modernitet, pavarësisht përpjekjeve të politikës dhe pseudohistorianëve për t’i prerë ato lidhje, duke nxitur urrejtje të ndërsjellë. Dy shkrimtarët më të mëdhenj të Shqipërisë dhe Kosovës, të njohur tashmë si klasikë të gjallë të letërsisë shqipe, Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja (të lindur më 1936), kanë përkthyer ose vlerësuar në superlativ veprat e autorëve modernë grekë. Kadare, përveç përkthimeve të tragjedive greke dhe librit të famshëm mbi Eskilin, ka përkthyer edhe poetët modernë grekë. Një ndër përkthimet më të bukura të tij është poezia Duke pritur barbarët e Kavafit. Në anën tjetër, Rexhep Qosja, në shkrime të ndryshme, e ka vlerësuar romanin Raport El Grekos, si një ndër veprat më të bukura moderne.
Kazanxaki është përkthyer, lexuar e komentuar si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Zorba dhe Kapedan Mihali kanë qenë më të njohurat për lexuesit shqiptarë, mirëpo në shekullin 21 kanë tërhequr vëmendjen edhe romanet Tundimi i fundit, Raport El Greksos, Vëllavrasja, Krishti kryqëzohet përsëri, Zambaku dhe gjarpri, dhe udhëpërshkrimet e tij. Tashmë në gjuhën shqipe gjenden katërmbëdhjetë vepra të këtij shkrimtari. Nga viti i kaluar, kur Shoqata “Miqtë e Niko Kazanxakit” themeloi degën e saj edhe në Prishtinë, emri i tij është përmendur shpesh në organizime të ndryshme letrare dhe në revista kulturore e letrare.
Niko Kazanxaki është shkrimtar që është lexuar e pëlqyer nga shqiptarët, edhe kur shqiptarët s’i kanë pëlqyer grekët. Prandaj, themelimi i Shoqatës në Prishtinë dhe, së shpejti, në Shkup, ku e ka varrin personazhi më i njohur i Ballkanit, Zorba, të cilin vitin e kaluar e vizituam me mikun tim dhe të Kazanxakit, Sherif Luzhën, është shumë domethënës dhe i mirëseardhur. Ky emër dhe kjo Shoqatë janë ura miqësie mes Kosovës dhe Greqisë, mes shqiptarëve dhe grekëve. E kam thënë në qershor në Athinë, para diplomatëve dhe lexuesve grekë dhe shqiptarë, dhe po e përsëris prapë: kultura duhet t’i japë shembull politikës.
Gjithë Perëndimi, ku më shumë e ku më pak, është i lidhur me Greqinë, ndërsa shqiptarët janë të lidhur me të qysh para Krishtit. Çdo grek i arsimuar e di që Greqia nuk ka miq më të vjetër se shqiptarët. Kur Kadmi, pasi themeloi Tebën, iku nga Greqia, u vendos në një truall që mori emrin Illyria, sipas birit të tij, Illyrius, nëna e të cilit quhej Harmonia. Harmonia politike, pas asaj kulturore, është krejt çka duhet në raportin mes Kosovës dhe Greqisë.
Gusht, 2023
ARS POETICA
Ag Apolloni
Këngë për Kretën
Si Anteu zbret shkallët e avionit
Dhe me padurim e shkel tokën fort
Niko Kazanxakin e ke mbajtë në zemër
Ai të pret me zemrën sa një aeroport
Kreta e krisur mes tre kontinenteve lundron
Mirë se erdhe në Kandia, mirë se erdhe në Heraklion!
Gjethet gjigande te Rrapi, janë kandiotët n’litarë
Ata janë gjerdani i lirisë që vjen shaluar mbi kalë
Pse dridhet Kreta, pse kambant bien pa i prekë
Kreta nuk është ishull, po gjallesë që s’don me vdekë
Era fryn nga deti, ushtimë vjen prej malit
Pimë raki si Zorba rreth Rrapit të kapedanit
Erë temjani n’kishë ku prifti përzien Krishtin me Kretën
Erë hashashi te varri, ku rinia humb duke kërkuar veten
Autori është dhe s’është një Minotaur
me fije thur labirinte, krijon literaturë
E dehur mbi dallgët e detit një barkë po shkon
Odiseu nëpër detrat e kohës po lundron
Erdhi, u bë mbret, u bë baba e u bë bashkëshort
E hodhi skeptrin, e me rrema rrah detin e qiellin si zot
Kreta është e krisur si kapedani i saj i trentë
Kreta nuk është ishull, Kreta është kontinent
Kreta është mit, është legjendë, antikë e re
Kreta jam unë, Kreta je ti, Kreta jemi ne
(Heraklion, 6 gusht 2023)